KRISTAQ TURTULLI
Të kujtohet kur më pyesje
Pse festohet në muajin e shkurtër dita i dashurisë?
Ulur në stolin e thjeshtë,
Nën bli, mbuluar me borë?
Doja të thosha; dashuria është delikate,
Naive, ngrihet mbi ndjenjë e dhembje.
Por s’më lije kohë, shtoje:
Të kaltra i kam sytë?
Thellësitë e oqeaneve janë hiç gjë.
Blu të errët i kishe,
Atje digjeshin meteorë.
Meteorët s’mundën të digjen, ngrijnë,
Më thoshe, shtoje:
Buzët i kam të mrekullueshme,
S’ka në botë me të shijshme…
Gjithë aroma e nektarit të luleve,
Mbledhur janë atje.
Shkurt ishte dhe kallama bore kishte.
Lëkurë bardhë, e brishtë,
Sa herë të prekja, drithërohesha.
Elektrizohesha, mallëngjehesha, humbisja.
Tani mallëngjehesh?
Çdo vit, në Shën Valentin, më mbërthen mallëngjimi.
Flokët e tu përshkënditen nga rrezet diellore.
Çdo mëngjes kur sytë hapja,
Rreth meje gjeja qindra ylbere.
Sigurisht, më kujtohet e ëmbla ime,
E brishtë, puhizë.
Pastaj hapje buzët si qershizë,
Më puthje…