NGACMIM SEKSUAL?!

0
764

AV. XHABIR ZEJNUNI

Njëra anë e medaljes.

Opinioni publik, u njoh me skandalin seksual të radhës. Por, jo të fundit. Bëhet fjalë sipas dëshmisë së nënës së një vajzë 15 vjeçare për një polic, i cili i kishte ngamuar seksualisht asaj vajzën. Nëna u detyrua që t’i drejtohej mediave, duke parë se organet përkatëse nuk ja vunë veshin asaj. Vetëm më pas, këto organe u vunë në lëvizje nga halli dhe arrestuan policin në fjalë.

Ky arrestim, u shoqërua me një deklaratë shumë të “fortë” të Shërbimit për Çështjet e Brëndshme dhe Ankesat, (SHÇBA), e cila ja vlen të analizohet modestisht.

SHÇBA. “Duke marrë shkas nga publikimi në media i një materiali video, ku një punonjës policie shfaqet duke kryer veprime të turpshme, në vlerësim të veprimeve paraprake hetimore ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë B. B., i dyshuar per vepren penale ”Ngacmim seksual””.
XH.Z. Në fakt, në video nuk shohim ndonjë polic, por një person privat në shtëpinë e tij. Se kur u bënë këto hetime paraprake për dy-tre orë, askush nuk e kuptoi. Nuk merret vesh pastaj se për çfarë flagrance bëhet fjalë, kur shihet vetëm një video e regjistruar kohë më parë. Fakti nëse është apo jo e turpshme një vepër që kryen një person privat në shtëpinë e tij, len vend për shumë diskutime(….)!

SHÇBA. “Nga hetimet rezulton se materiali video është regjistruar në ambjent të mbyllur (banesa personale) kjo e dokumentuar nga kqyrja e banesës”.
XH.Z. Saktë. Edhe kjo dihet se kemi të bëjmë me një banesë private dhe jo me një zyrë apo objekt shtetëror. Justifikimi qëndron plotësisht.

SHÇBA. “Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar dhe kqyrur aparati i telefonit me të cilin dyshohet se ka kryer komunikimin”.
XH.Z. Aparati i telefonit, nuk është një provë, por një mjet prove. Por, nuk na thuhet asgjë më shumë se çfarë ka dalë nga kqyrja e këtij celulari. Mbase do na thuhet më vonë!

SHÇBA. “Nga verifikimet e kryera nga SHÇBA, nuk u evidentuan fakte dhe rrethana, të cilat provojnë se ka patur një ankesë drejtuar në Polici nga ndonjë shtetas për rastin në fjalë”.
XH.Z. Saktë. Pasi Policia nuk ka pranuar të marrë në shqyrtim më parë denoncimin e nënës së vajzës.

SHÇBA. “Për këtë rast, po hetohet nga sektori për Krimet Kompjuterike për identifikimin e personit dërgues të mesazhit dhe videos që u dërgua për publikim në media”.
XH.Z. Nëse Policia do kishte pranuar që në fillim denoncimin të shoqëruar me materialet përkatëse, ky fakt do ishte bërë një pengesë që ato materiale të mos bëheshin pastaj publike në media. Por, të hetosh dikënd për diçka, fajtor i së cilës je bërë vetë më parë, të bën të mendosh shumë. Pse jo edhe të klithësh me sa zë që të kesh. Nëse të ka mbetur akoma pak zë! Dihet tashmë se ky material ka dalë nga familja e vajzës. Pak rëndësi ka pastaj se kush e dërgoi në media këtë material. Me sa duket, hetimi do ndjekë të njëjtin kriter ashtu si në rastin e materialit që ju kalua Zërit të Amerikës!

SHÇBA. “SHÇBA nxit dhe inkurajon personin denoncues apo këdo që ka dijeni për rrethana apo informacione për këtë rast apo raste të tjera të denoncojë duke u garantuar anonimatin dhe dhënien e mbrojtjes së menjëhershme”.
XH.Z. Ashtu siç u nxit, u inkurajua dhe u mbrojt edhe familja e vajzës? Për cilin anonimat bëhet fjalë në këtë rast? Anonimati i vajzës, tashmë u zbulua. Ashtu siç ndodhi edhe para një jave me anonimatin e vajzës tjetër 13 vjeçare nga Kavaja!

SHÇBA. “SHÇBA falendëron median për bashkëpunimin dhe garanton se do të ndjekë me seriozitet çdo denoncim të qytetarëve duke i nxitur ata të telefonojnë në numrin pa pagesë 0800 90 90 për çdo paligjshmëri që konstatojnë nga punonjës të Policisë së Shtetit”.
XH.Z. Pra, media falendërohet për bashkëpunimin e saj duke publikuar videon! Por, nga ana tjetër po hetohet që të gjehet personi që i ka kaluar videon medias!

Ana tjetër e medaljes.

Polici nëse do asistohet nga një avokat edhe nën nivelin mesatar, do fitojë pafajësinë. Mjafton edhe një avokat “plepist” në këtë rast!

Por, polici mund të kërkojë dhe fitoje edhe dëmshpërblimet, nëse do ketë një avokat tjetër mbi nivelin mesatar.

Arsyet janë të shumta dhe mund të trajtohen në një shkrim tjetër. Por, edhe në pritje të informacioneve shtesë mbi ngjarjen në fjalë.
(….)!

Uroj që edhe kësaj vajze t’i bëjë një vizitë në shtëpi Zonja Spiropali, duke i ofruar edhe asaj përkrahjen përkatëse ashtu si vajzës nga Kavaja. Por, vizita të tilla ka shumë mundësi që me kalimin e kohës, të bëhen një rutinë e (jasht!)zakonshme!