PROF. DR. ISAK SHEMA, PERSONALITET I ARSIMIT, KULTURËS DHE STUDIMEVE LETRARE SHQIPTARE

0
1363

Prof. Dr. Isak Shema

PROFESORIT ISAK SHEMA, ME RASTIN E 79-TË VJETORIT TË LINDJES

Shkruan: Xhemail Peci

Prolog

‘Më ka lënë përshtypje qetësia me të cilën ai gjykon, por edhe mprehtësia në këtë gjykim e edhe qetësia shpirtërore, e cila nuk është gjkaftohtësi, por gjykim pa pretendime të mëdha, pa fjalë pompoze, pa disa cikërrime që ndonjëherë vrojtimin sado pak të shpejtuar kritik e dëmtojnë.’ (Profesor Hasan Mekuli, për librin ‘Vrojtime letrare dhe artistike’)

Natyrisht, një kohë kaq e gjatë krijuese dhe me kureshtje të veçantë hulumtuese nuk mund të kalojë e të mos sjell evolucion cilësor në mendimet dhe në konceptet e një autori me ambicje krijuese dhe me kureshtje të veçantë hulumtuese siç është Isak Shema, i cili vazhdimisht punon dhe bën përpjekje për të zënë hapin e kohës dhe në këtë rrjedhë tejkalon edhe vetveten’ (Mr. Latif Berisha, për librin ‘Vrojtime letrare dhe artistike’)

Vrojtimet letrare të Isak Shemës janë të shkruara me një gjuhë të qartë e të rrjedhshme dhe me akribi e përgjegjësi të lartë shkencore…Isak Shema i qaset letërsisë, veprave dhe shkrimtarëve me dashamirësi e pa paragjykime. (Prof. dr. Agim Vinca, për librin ‘Vrojtime letrare dhe artistike’)

* * *

‘Një dijetar i madh, Volteri, ka thënë: “E tanishmja nuk është kurrë caku ynë; e kaluara dhe e tanishmja janë mjetet tona: vetëm e ardhmja është synimi ynë.”

Kushtet e punës dhe të jetës ndikojnë në mbarëvajtjen e veprimtarisë arsimore.
Ne duhet të përqëndrojmë vëmendjen e duhur dhe t’u kushtojmë kujdesin e posaçëm çështjeve strategjike të zhvillimit të arsimit. Ne nuk duhet të kufizohemi dhe të merremi vetëm me çështjet kalimtare, por duhet të shohim cilat janë çështjet vendimtare të arsimit tonë dhe të angazhohemi për realizimin e programeve të zhvillimit më dinamik dhe më të gjithanshëm.

Arsimi i përket gjithë kombit. Si i tillë ai nuk mund të konsiderohet si faktor parcial.
Ne duhet të vetëdijësohemi, pra të punojmë për ngritjen e nivelit të vetëdijes, sepse problemet janë mjaft të ndërlikuara. Dëshiroj të them se angazhimi i të gjithë shqiptarëve për zhvillimin e arsimit kombëtar, të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar sot, si asnjëherë më parë, fiton dimension të veçantë… Populli ynë me shekujt ka luftuar për mbijetesën e arsimit dhe të zhvillimit të tij të gjithanshëm. Vetëm popujt të cilët kanë arsim, kulturë, dhe shkencë të përparuar, arrijnë në mënyrë më të plotë të realizojnë nivel më të lartë të zhvillimit dhe të përparimit.

Prandaj, Universiteti duhet të ketë nivelin që i përket një universiteti, si dhe në qendrat e tjera më të zhvilluara, me atë kompetencën e vet, me fushëveprimin e tij, me lidhjet dhe bashkëpunimin me subjektet e tjera, me komunikimin më të gjerë dhe me veprimtarinë e përgjithshme, që ka rëndësi të madhe arsimore dhe shkencore. Ndërsa fakultetet dhe shkollat e larta bashkëpunojnë së bashku, duke realizuar kështu synimin e përbashkët.’ (Isak Shema, Çështje aktuale të arsimit shqiptar në Kosovë. Ligjëratë e mbajtur më 19 nëntor 1997, në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës).

* * *

‘S’është mençuri të merremi më shumë se sa duhet me çështjet kalimtare të ditës.
Vizionet e sotme jetësore dhe ato të letërsisë i përkasin ardhmërisë’ (Isak Shema, në librin ‘Letërsia shqiptare e shekullit XX’)

* * *

Manifestimet kulturore dhe arsimore kushtuar ngjarjeve dhe figurave të njohura kombëtare krijojnë atmosferën e festimit kolektiv që fisnikëron njerëzit.

Kritikën nuk duhet ta kuptojmë vetëm në relacion me veprën letrare, respektivisht vetëm me letërsinë bashkëkohore, por edhe në kuptim të studimit të përgjithshëm të letërsisë. Përveç kësaj çështjeje teorike të përkufizimit, del edhe çështja tjetër, si të themi empirike, lidhur me materialin e mbledhur këtu…Në studimet e letërsisë në masën optimale synohet vlerësimi që, si i tillë, ka vlerë universale. (Isak Shema, në librin ‘Kultura letrare bashkëkohore’).

* * *

‘Ne nuk kemi alternative tjetër, pos realizimit të plotë të pavarësisë së Kosovës, realizimit të atyre synimeve të cilat janë vendimtare dhe të cilat përfshihen në kuadër të idealit tone kombëtar. Është ky bashkimi shpirtëror i dosmodoshëm, angazhimi për realizimin e qëllimit më të lartë, të lirisë dhe të pavarësisë, që është objektivi kryesor i popullit tonë.

Sepse, çlirimi i të gjitha viseve shqiptare, zhvillimi ekonomik, përparimi kulturor, arsimor, shkencor, pastaj emancipimi i gjitanshëm demokratik, etj., siguron ardhmërinë e Kosvës dh emirëqenien për të gjithë qytetarët e saj.’ (Isak Shema, Aspekte të procesit mësimor në Universitetin e Prishtinës dhe nevoja e reformimit të arsimit në Kosovë. Intervistë e vitit 1999).

* * *

‘Poeti gjatë tërë jetës e kishte në zemër dashurinë e flaktë për fushat e malet e vendlindjes, për Drenovën e tij dhe fshatrat e tjera të lëshuara në mëshirën e fatit dhe mbi të gjitha për Shqipërinë dhe vegjëlinë.

Vepra poetike e Asdrenit është e gjerë në përmbajtje dhe e pasur me idetë e shfaqura. Larmia e motiveve të trajtuara, lloj-llojshmëria e formave poetike dhe të gjitha veçoritë e tjera ideo-estetike të poezisë si dhe vlera e lartë artistike, e shuqajnë krijimtarinë e këtij poeti në mbarë letërsinë shqiptare si arritje kulminante të artit letrar.

Asdreni në jetë dhe në poezi ka adhuruar njeriun dhe sidomos atë të vegjëlisë. Poezia patriotike, e krijuar kryesisht para fitimit të pavarësisë së Shqipërisë, “hymnizon luftën për çlirimin kombëtar”, për një jetë të lirë e të qytetëruar të popullit shqiptar dhe të mbarë njerëzimit. Ajo është një kushtrim ndër më të fuqishmit në poezinë tonë të epokës së romantizmit’. (Adreni-poet i shquar i romantizmit)

* * *

‘Eposi kombëtar i letërsisë shqiptare “Lahuta e Malcisë” është vlerësuar lart nga lexuesit dhe nga kritika letrare sa ishte gjallë poeti. Fishtën e konsideronin “poetin më të madh të shqiptarëve”. Për merita të jashtëzakonshme në fushën e letrave, në një takim të poetëve, të mbajtur në Nju Jork, poeti është propozuar për çmimin Nobel. Një bashkëkohës, po ashtu shkrimtar i njohur shqiptar, ka pohuar: “Kot që mundohen grekët e sotëm të gjejnë në letërsinë e vet një vepër më të plotësueme se “Lahutën”. (Letërkëmbimi i Gjergj Fishtës)

Lamberci, studiuesi austriak, i cili është marrë me studimin e gjuhës shqipe, të folklorit dhe të letërsisë shqiptare, ka dhënë vlerësimin: “Gjergj Fishta është poeti më gjenial të cilin deri më sot e ka dhënë Shqipëria…Si Homeri (Gjergj Fishta – I.Sh.) ishte njohës i vendit ku ekzistonte eposi, në Malësi të Madhe…Kjo na tregon se Fishta nuk është vetëm homeroid, por në kujtimin e mrekullueshëm për veprën e tij të pavdekshme, do t’ia japim me plot të drejtë kokoren e lartë të Homerit shqiptar.”

Krijues që shënoi një epokë të tërë, ky personalitet i shquar i popullit shqiptar, që bëri emër në shumë fusha të krijimtarisë artistike, është personifikim i patriotizmit dhe i vetëmohimit për çështje të mëdha kombëtare, për ideale të ardhmërisë.

Vizioni poetik i korifeut të letërsisë shqiptare për Lidhjen e Prizrenit është koherent dhe përkon me rrjedhën historike të ngjarjeve të epokës së Lidhjes Shqiptare dhe me synimin shekullor të popullit shqiptar për liri kombëtare. Ideja themelore e poezisë së Fishtës, ajo e pathyeshmërisë së popullit, është sendërtuar me mjeshtëri të rrallë poetike.

Gjergj Fishta është shkrimtar vizionar. Vizioni i tij poetik shprehet në dëshirën e flaktë që ta shohë Shqipërinë etnike të lirë, që flamuri kombëtar të valojë në të gjitha trojet shqiptare, që shqiptarët të jetojnë në paqe dhe të lumtur.

Në krijimtarin letrare Fishta me mburrje të madhe ka spikatur lashtësinë, trimërinë, lavdinë dhe krenarinë e popullit të vet, por edhe ka kritikuar dukuritë negative dhe ka stigmatizuar armiqtë, zaptuesit dhe tradhtarët. Satira e tij e ashpër drejtohet kundër bartësve të dukurive të shëmtuara shoqërore dhe kombëtare.

Fjala për Fishtën është dhunti morale, shpirtërore dhe artistike. Gjuha shqipe u ngrit në piadestalin më të lartë: atë e quan gjuhë hyjnore, gjuhë mashkullore, gjuhë hyjnish. Gjuhës shqipe ia ka kushtuar lirikën më të bukur. gjuha amtare, besa shqiptare, bujaria, atdhedashuria, mikpritja, dashuria, trimëria, liria etj., përjetësohen në këngë. Përmes këngës dhe veprës letrare në tërësi, “nipsisë s’kohve t’vona ene për t’le”, ia ka kumtuar të vërtetat jetësore dhe historike të së kaluarës dhe të epokës kur ka jetuar dhe krijuar veprën letrare që ka vlerë të madhe artistike. Atë si dhuratë të shtrenjtë poeti ua la trashëgim brezave që vijnë njëri pas tjetrit, sepse për çdo brez, arti letrar i Fishtës ka siguruar përjetësinë’. (Vizioni poetik i Gjergj Fishtës për Lidhjen e Prizrenit)

* * *

‘Në kujtimet e Kutelit, të shkruara në shkurt të vitit 1960, gjejmë këtë shënim për udhëtimin e tij në Kosovë dhe për dashurinë që ka pasur edhe për Shqipërinë e Jashtme: “… Dikur vizitova Kosovën, këtë kopsht të lulëzuar të Shqipërisë së Jashtme, dhe shpirti m’u mbush gaz: në qytet flitej shqip. A ka gaz më të madh për një njeri që ka ngrënë njëzet e kusur vjet bukën e mërgimit se sa “të zbulojë” se me të vërtetë ekziston një Shqipëri e Jashtme? Dhe atëherë, që të mos kthehem me duar bosh nga ky udhëtim, shkrojta një vepërzë: “Poemin Kosovar…” ‘ (Pamfletet e Mitrush Kutelit)

* * *

‘Më vonë Sterjo vizitoi për herë të fundit vendlindjen, për t’u takuar me të dashurit e vet! Me atë rast vizitoi varret e Mitrushit dhe të Nonda Bulkës. Sterjo dhe Zisa Cikuli, pasi fshinë pllakën e mermerit të varrit të Nondës, lexuan mbishkrimin: “Jam arbër dhe arbëri është gjithmonë i lashtë, gjithmonë i ri” ‘. (Sterjo Spasse – shkrimtar i shquar i letërsisë shqiptare)

* * *

‘Hasan Mekuli, njëri ndër prijatarët e kritikës ndër ne, shkroi trajtesa, rcensione, shkrime kritike, vështrime problemore letrare, studime historike letrare për autorë dhe për vepra gjnish të ndryshme letrare, për poezinë, për prozën, për dramën dhe teatrin dhe punime të veçanta për kulturën letrare.

Ai deri në fund të jetës me pasion të jashtëzakonshëm zhvilloi veprimtarinë shkencore në fushën e studimeve të letërsisë, duke dhënë kontribut të madh për zgjerimin dhe thellimin e diturisë letrare të shkencës së letërsisë.

Krijimtaria e Hasan Mekulit zë vend të merituar në kuadër më të gjerë të shkencës bashkëkohore të letërsisë. Mendimi kritik letrar i këtij autori është i pranishëm dhe gjithnjë aktual në rrjedhat e zhvillimit të kritikës dhe të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Në recensionet, shkrimet kritike, vështrimet letrare, trajtesat, studimet, esetë dhe në shkrimet e tjera, me kompetencë dhe përgjegjësi të lartë shkencore, shqyrtohen çështje dhe fenomene të ndryshme të letërsisë dhe kulturës. Përgatitja e lartë dhe e gjithanshme profesionale, informacioni i pasur shkencor për rrjedhat e zhvillimit të artit letrar dhe të shkencës së letërsisë në tërësi, si dhe përkushtimi i jashtëzakonshëm në veprimtarinë e pandërprerë shkencore, këtij shkencëtari me dituri enciklopedike, i kanë dhënë mundësi të realizojë studime për veprimtarinë letrare të shumë autorëve të shquar, dhe së bashku me shumë krijues të tjerë, ta zhvillojë dhe ta afirmojë shkencën e letërsisë.

Në të gjitha aspektet e studimit të letërsisë ai ka transmetuar te lexuesit mendimin shkencor të avancuar dhe vlerësimin sa më të plotë dhe sa më të argumentuar.

Profesor Hasan Mekuli ka qenë enciklopedi e gjallë. Një shpirt i etur për dituri dhe i gatshëm kurdoherë që atë dije ta transmetojë me zotësi të jashtëzakonshme te njerëzit e botës shqiptare dhe më gjerë. Njeri i pasionuar, me predispozitë e me kërshëri të jashtëzakonshme për kërkime e studime shkencore në fushën e shkencave shoqërore-humanitare, në lëmin e artit dhe sidomos të letërsisë.

Hasan Mekuli ishte bibliofil i pasionuar. Dëshira për të lexuar, për t’u informuar për botimin e librit të ri, për shtypin, periodikun, për çdo gjë që i përket diturisë, te ky njeri ishte e pashuar. Me rastin e udhëtimit të fundit për shërim në spital kërkoi të marrë me vetë veprat e Ismail Kadaresë (botime të “Dukagjinit”): “Shkaba” dhe “Pallati i ëndrrave” ‘. (Studimet letrare të Hasan Mekulit për letërsinë shqipe)

* * *

‘Në veprimtarinë shkencore Latif Berisha ka arritur nivel të lartë dhe ka gëzuar respekt të veçantë në opinion e gjerë të lexuesve dhe studiuesve të letërsisë. Punimet shkencore për poezinë e Zef Serembes, të Hil Mosit, të Ali Asllanit por edhe për krijimtarinë letrare dhe diskursive të shkrimtarëve tjerë, në aspektin e interpretimit të veprës poetike dhe të metodologjisë së trajtimit të këtyre temave, paraqesin kontribut me vlerë për historinë e letërsisë. Duke cituar që në fillim të studimit mendimin aforistik të Zef Serembes se:

“Ndërgjegja e pastër është përmbi çdo tempull si e drejta e çdokujt e njëjtë me timen: kush e err’son mendimin me art t’mbrapshtë bëhet kasnec më fajtor i mashtrimit”, dhe duke analizuar në vazhdim krijimtarinë poetike të Serembes, autori pohon se opusi poetik i autorit arbëresh “…përbën njërin ndër kapitujt më interesant të letërsisë shqiptare të shekullit të kaluar. Nëse nga vepra letrare kërkohet që ajo, në radhë të parë, të bëhet vetëdije e zgjuar e njeriut dhe zëdhënëse e preokupimeve karakteristike të kohës në mënyrën e vet specifike, atëherë mund të themi me plot gojën se krijimtaria poetike e Zef Serembes e arrin këtë cak në shkallën më të lartë”’. (Vepra letrare dhe shkencore e Latif Berishës).

Fragmente të shkëputura nga libri i prof. dr. Isak Shemës ‘Identitete Letrare I’

Të shkruash për Prof. Dr. Isak Shemën

Të shkruash për prof. dr. Isak Shemën do të thotë të shkruash për një figurë të shquar sa dhe të përkushtuar të arsimit, të kulturës dhe të studimeve historiko-letrare në letrat shqipe, do të thotë të shkruash për një njeri me tipare dhe virtyte sa bujare po aq edhe fisnike, do të thotë të shkruash për studiuesin e palodhur dhe për vrojtuesin e hollë të letërsisë shqipe, i cili me mendimin e tij të mprehtë, me gjykimin e tij të thellë, me qasjen e tij të veçantë, me kërshërinë e tij përherë të gjallë prej kritiku e studiuesi, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën tonë arsimore dhe kulturore.

Të shkruash për të, para së gjithash e mbi të gjitha, do të thotë të shkruash për edukatorin e brezave, për pedagogun shembullor, për profesorin e dëshmuar me zellin e tij dhe profesionalizmin e tij, por gjithsesi do të thotë të shkruash edhe për ligjëruesin e letërsisë, i cili me shembëlltyrën e tij të veçantë, me dashurinë e tij aq të madhe për letrat shqipe, përcolli tek brezat ndjenjën aq të rëndësishme ndaj së bukurës dhe së madhërishmes në përgjithësi, por edhe gatoi tek këta breza vetëdijen kritike për letërsinë shqipe, për kulturën, për artin dhe për arsimin tone kombëtar.

Në mënyrë të veçantë, të shkruash për profesor Isak Shemën në ditëlindjen e tij, do të thotë, para së gjithash e mbi të gjitha, të kujtosh sa me kënaqësi po aq edhe me krernari, orët e letërsisë me të, orët kur profesori vinte gjithmonë me kohë, hynte gjithmonë me një vullnet të pathyeshëm në sallat dhe auditorët, përshëndeste me një përzemërsi dhe me një dashuri që e ka shquar dhe e shquan në vahdimësi personalitetin e tij, dhe pastaj me një mbarësi dhe me një mirësi krejtësisht të veçantë – gjithmonë duke qëndruar në këmbë, fillonte të ligjëronte për letërsinë bashkëkohore shqipe, për rrjedhat dhe për veçoritë e saj ideo-estetike, për prozën tregimtare shqiptare, për tregimin dhe novelën, e veçmas për romanin shqiptar, për emrat më të shquar që e kishin krijuar dhe po e krijonin ate; për prurjet dhe për prirjet e reja, për horizontin dituror të së djeshmes, të së sotmes dhe të pritmes në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe.

Prof. dr. Isak Shemën në orët e këtyre ligjëratave vinte me një përgatitje përplot lakmi, me një seriozitet dhe me një përkushtim për admirim. E veçanta e ligjërimit të tij, ashtu sikurse edhe e shumicës së profesorëve të tjerë, ishte fakti se nuk lexonte askund por spjegonte me një dije të gjerë e përplot kompetencë profesionale për çështjet nga më të ndryshmet të letërsisë bashkëkohore shqipe. Ai ishte gjithmonë i hapur për bashkëpunim, i gatshëm për të ofruar këshilla dhe ndihmë përkatëse në mbarështrimin e temave apo në strukturimin e eseve si dhe në rëndësinë dhe rrjedhshmërinë e të shkruarit qartë e kuptueshëm, por edhe me kërkesën gjithmonë aq mbresëlënëse – sot e mot, që veprat letrare të lexoheshin dhe të studioheshin me seriozitet dhe me përkushtim, që veprat e shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë – mundësisht të lexoheshin sa më shumë e në plotninë e tyre, pa harruar edhe rëndësinë e leximit dhe të studimit të vështrimit kritik shqiptar, si një dritare tepër e rendësishme për të kutptuar më drejtë dhe më qartë mundësinë dhe shumësinë e interpretimit të këtyre veprave, tek të cilat veç kishte zënë të shfaqej e madje edhe të zotëronte prirja moderne letrare.

Ligjërimet e profesor Isak Shemës në fushën e letërsisë bashkëkohore shqipe, nuk ishin thjesht ligjërata apo takime sa për të marrë një notë, përkatësisht sa për të kaluar provimin. Për më tepër se kaq, ligjëratat e profesorit ishin shpalosje e denjë e shekujve letrarë, takimet me të ishin takime dhe bashkëbisedime për kulturën dhe letërsinë shqiptare, dhe në mënyrë të veçantë analizat e veprave letrare, domethënia e ideve dhe e botëkuptimeve të këtyre veprave, përmbajtja dhe porosia e tyre, sfondi i tyre i kundruar shpesh nga prizmi krahasimtar, përmasa e ndikimit dhe rëndësia e vlerësimit të drejtë, ishin një shprehje shumë e qartë se profesor Isak Shema kishte një qëllim tepër fisnik, i cili nënkuptonte përkushtimin e veçantë që brezat dhe gjnereratat e studentëve të pajiseshin me dashurinë për letërsinë, të lexonin sa më shumë, të studionin sa më shumë, dhe të përfitonin sa më shumë nga një përvojë aq e pasur për në shtigjet e mëtejme të jetës e të fushave fisnike të dijes, artit dhe kulturës.

Gjithsesi, që në takimin e parë me profesorin, ai linte përshtypjen e një njeriu të afërt sa dhe miqësor, përplot urti dhe maturi, një natyrë e cila shquhet gjithmonë për të veçantën e tij të rrallë: dashurinë për atdheun, për kombin, për gjuhën, për flamurin, për kulturën, për traditën dhe për historinë e tij, për njerëzit në përgjithësi, për shkollën shqipe, për librin si monument i dijes dhe i kulturës, e veçmas për ata të cilët përjetësisht do të mbesin më të dashurit e jetës së tij universitare – studentët.

Simbolika e pagëzimit dhe përmasa e përkushtimit

Berat Isak Shema (1907-1988)

Një fotografi si kjo e cila shfaq portretin prej malësori, shpalos sa fisnikërinë po aq edhe bujarinë, sa mirësinë po aq edhe mbarësinë, sa qëndresën në rrethim po aq edhe krenarinë e ligjshme e të qenunit shqiptar. Një krenari që mishërohet aq shumë me të bardhën e plisit, për të cilin dyvargëshi i këngës popullore e thotë aq bukur se ‘plisi i bardhë si borë mbi vetull/, amanet na e la çdo shekull’. Në të bardhën e plisit shqiptari ka shpalosur gjithmonë të bardhën e shpirtit të tij. Maja e plisit ka ngadhënjyer gjithmonë në historinë shumëshekullore të degëve të lisit iliro-arbëror. E përmbi çdo gjë, përveç tipareve të veçanta prej një burri trim e të mençur, këtë portret e shquan edhe diçka që mbetet përjetësissht simbolike – sa tek ky njeri po aq edhe tek familja e tij, ashtu sikurse edhe tek kombi i tij. Atë e shquan dashuria për dritën e diturisë, gjakimi i përhershëm për dije dhe dritë, e që në të vërtetë është gjakimi i përjetshëm i breznive orëmira.

Isak Shema në vitet e rinisë e në gjakimin e tij të pandalshëm drejt dijes,
kulturës dhe letërsisë shqipe

Dhe jo vetëm kaq. Ai ka një emër të cilën shqiptarët e Shqipërisë së Jashtme e kanë pasur gjithmonë për zemër: Berat. Një emër që atyre u ka përkujtuar gjithmonë një qytet me kulturë përmbi dymijë vjeçare, qytetin me një mijë dritare. Një emër, mbase edhe i rrallë për kohën, por që gjithsesi bashkudhëtarëve të tij u ka ngjallur sa admirim po aq edhe mall. Mall për dheun e të parëve e mall për trungun e përbashkët ilir, veçmas në një zonë si ajo e Anamoravës, ku dif dragojtë e Dardanisë, si Mulla Idriz Gjilani, Hasan Remniku, Kreshniku Hysen Tërpeza, e sa e sa të tjerë, u bënë flakë e gjallë e shqiptarizmës…

Berat Isak Shema ishte njeriu që mbolli dhe përcolli tek fëmijët e tij dashurinë për dritën dhe për dijen, për atdheun dhe për gjuhën. Por gjithsesi edhe një traditë sa e fisme po aq edhe krenare, mbeti edhe përtëritja e emrit të të parëve, tradita kombëtare shqiptare për të ringjallur kujtimin dhe nderimin e pararendësve, nëpërmes pagëzimit, pra nëpërmes emrit.

Profesor Isak Shema e ka trashëguar emrin e gjyshit të tij, e së këndejmi ai e ka trashëguar edhe ndjenjën e veçantë të nderimit e të adhurimit për pararendësit. Pikërisht këtu i ka rrënjët edhe gjithë ajo dashuri e tij aq proverbiale për Rilindjen – për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Nuk është pra rastësi pse në librat e tij, studiuesi Isak Shema, përmes përmasës së përkushtimit u falet kujtimit dhe nderimit të njerëzve të tij të dashur. Fjala vjen, në librin ‘Identitete letrare I’ ai e ka vënë këtë shënim: ‘Kujtimit të vëllezërve Zymer Shema (1933-2011), Shemë Shema (1936-2014); në librin ‘Letërsia shqiptare e shekullit XX’, ka shkruar: ‘Kujtimit të motrës sime Lebibe Shema-Ismajli (1938-2002), kurse librin ‘Kultura Letrare Bashkëkohore’ ia ka dedikuar: ‘Kujtimit të Hasan Mekulit (1929-1996). Mirënjohje për veprimtarinë e jashtëzakonshme arsimore, kulturore dhe shkencore’.

Ndërkaq, sa më shumë që e kundron njeriu portretin e këtij malësori trim e të mençur me emrin Berat Isak Shema, sa më shumë që e vështron atë, në tiparet e këtij portreti vëren se shfaqet qëndresa dhe krenaria, mençuria dhe drejtësia, fisnikëria dhe bujaria, shembëlltyra prej një njeriu që në vetë mishëron tiparet dalluese të bashkëkombasve të tij. Ky portret prej një njeriu shembëlltyrë flet me kohën dhe me ardhmërinë, dëshmon për të kaluarën dhe tregon të ardhmen. Në vështrimin e këtij portreti sikur shpalosen vetvetiu vargjet e dyvargëshit popullor: ‘Ç’kërkoi shqiptari ndër shekujt?/ Pak dritë, pak bukë dhe pak hekur./ I erdhën njëherish të tria,/Që ditën kur erdhi liria.’ Gjithsesi, një gjakim dhe një përjetësim i breznive orëmira, i atyre breznive të cilave u këndoi me aq përkushtim Aleksandër Stavri Drenova-Asdreni, autori i himnit tonë kombëtar: ‘Ëndrrat dhe lotët nuk venë kot në erë,/Kanë dhe ato gjuhë të flasin një herë!’

E gjakimi i breznive orëmira ka qenë gjithmonë gjakim për lirinë, sepse gjakimi për lirinë është vetë gjakimi për dritën dhe për driturinë. I tillë ka qenë gjithmonë gjakimi i kreshtabardhëve, e edhe i plistit të bardhë si borë mbi vetull. Së këndejmi vjen edhe ajo dëshira e përhershme për sa më shumë dije, për sa më shumë dritë, për sa më shumë dituri, për sa më shumë paqe, për sa më shumë vëllazëri, për sa më shumë Shqipëri. Vetëm së këndejmi mund të gjesh burimin e gjakimit të pashtershëm të njeriut dhe studiuesit që rendën në gjurmët e të parëve të tij. Pikërisht tek ky portret, tek kjo ëndërr e bardhë, tek kjo dritë e syve që shikojnë nëpër histori e tej për në ardhmëri, mund të jetë vetë shpjegimi për mishërimin e profesor Isak Shemës me universitetin dhe me rrugën e tij universitare.

Nuk është pra rastësi pse ai për qëllime studimi ka qëndruar në kaq shumë universitete, si: Universiteti i Tiranës, Universiteti i Parisit, Universiteti i Sorbonës, Universiteti i Gjenevës, Universiteti i Luvenit, Universiteti i Cyrihut, Universiteti i Llozanës, Universiteti i Athinës, Universiteti i Ankarasë, Universiteti i Sofjes, Universiteti i Bukureshtit, Universiteti i Gracit, Universiteti i Zagrebit, Universiteti i Sarajevës, Universiteti ‘Luigj Gurakuqi’ i Shkodrës, Universiteti i Shkupit, Universiteti Shtetëror i Tetovës, Universiteti i Europës Juglindore (Tetovë), Universiteti ‘Aleksandër Xhuvani’ i Elbasanit, Universiteti ‘Eçrem Çabej’ i Gjirkoastrës, Universiteti ‘Ismail Qemali’ i Vlorës, Universiteti i Zarës, Universiteti i Shën Petersburgut, Universiteti i Oldenburgut, Universiteti i Bordosë, Universiteti i Kozencës/Rende, Universiteti i Stambollit, Universiteti i Brukselit, Universiteti ‘Fan S. Noli’ i Korçës, Universiteti i Napolit, Universiteti i Romës, Universiteti ‘Alaksandër Moisiu’ i Durrësit, Universiteti i Budapestit, Universiteti i Oksfordit, Universiteti i Edinburgut (Skoci), Universiteti i Lubjanës, Universiteti i Bolonjës, etj.

Pa dyshim se vetëm tek një gjakim i tillë i përhershëm sa dhe i përjetshëm i breznive orëmira, mund të shpjegohet etja e pashuar për sa më shumë dije. Por gjithsesi së këndejmi rrjedh edhe përvoja kaq e pasur pedagogjike dhe intelektuale e studiuesit të përkushtuar të letrave shqipe, studiesi i cili jo rastësisht në njërën nga intervistat e tij ka cituar njërin prej eruditëve më të shquar të kombit shqiptar: ‘Njeriu merret me dituri dhe shkencë gjatë gjithë jetës së tij – ka shkruar Sami Frashëri. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim dhe në pleqëri i mëson të tjerët.’ (në librin ‘Kultura letrare bashkëkohore’).

Vetëm tek gurrat e tilla të frymëzimit, mund të shpjegohet dashuria e pashuar e një njeriu shembëlltyrë, i cili ka cituar gjithashtu edhe eruditin tjetër të përmasave të papërsëritshme, Fan Nolin: ‘Vetëm shkenca dhe arti e ngrenë njeriun në shkallën e Perëndisë’. (Në vështrimin Botim i rëndësishëm bibliografik, për librin e Mehmet Gëzhillit ‘Fan S. Noli – 120 vjet jetë dhe veprimtari’, vështrim i përfshirë në librin e studimeve:
‘Letërsia shqiptare e shekullit XX’).

Dhe së fundi, vetëm tek ëndrra e pashuar për më shumë dritë, mund të gjesh burimin e një shije aq të formuar estetike, e cila edhe kur citon e edhe kur nënvizon mendime të autorëve dhe të shkrimtarëve të etapave të ndryshme të letrave shqipe, gjithmonë synon riaktualizimin e tyre. Nëpërmjet shpalosjes së këtyre mendimeve të nënvizuara nga Isak Shema me aq kujdes, koha e djeshme flet me të sotmen dhe që të dyja i flasin së ardhmes.

Aktualiteti i mendimit të Ernest Koliqit në “Qarkoren” e tij për Arsimin Kombëtar Shqiptar në Kosovë

Për profesor Isak Shemën, arsimi është një mision i shenjtë sa njerëzor po aq edhe kombëtar. E tillë është edhe rëndësia gjithmonë aktuale, sidomos sot, e mendimit të ritheksuar të një prej stilistëve të rrallë të letrave shqipe (shpalosur aq bukur në shkrimin përkujtimor, të titulluar Kontributi i Ernest Koliqit për zhvillimin e arsimit në Kosovë, në librin ‘Letërsia shqiptare e shekullit XX’):

‘Pikëpamjet e Ernest Koliqit për arsimin janë interesante, të qëndrueshme dhe gjithnjë aktuale. Ai ka shkruar në prozën ‘Gjaku’: “A ka send ma të mrekullueshëm në këtë botë sa me i sjellë qytetnim nji kombi zhytë n’errsin e padijes?…Ai që kalon nëpër popull tue hjedhë farën për një jetë ma të mirë, ai që e ndriçon një ditë ma të bukur tokën qi na ushqen, ai qi ban me ngadhnjye agimet në muzgun e përcaktuem të shpirtnave, shkurt kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë, a i denjë me qenë i nderuem si gjysm perëndie.’

Nuk është pra rastësi pse në kumtesën e tij mjaft interesante, të titulluar Kontributi i Ernest Koliqit në zhvillimin e arsimit në Kosovë, Isak Shema ka shkëputur fragmente nga ‘Qarkorja’ e Ernest Koliqit, lëshuar më 25. X. 1941, në të cilën Koliqi u drejtohej mësuesve të cilët do të përhapnin dritën e dijes e të diturisë në Kosovë:

‘Vjeti shkollor qi po hapet, tue u shtri tashti edhe jashtë kufijve të vjetër të Atdheut, mund të quhet me plot kuptimin e fjalës nji vjet historik, sepse Shkolla Shqiptare po nis me veprue edhe në viset e lirueme.
Arsimi Kombtar, qi e ka pasë mbajtë idealin e irridentizmës në gji të vet përgatitet me të gjitha fuqinat e veta me plotsue nevojët e krahinave qi u bashkuen tekembramja me Atdhe.

Për të qenë në naltësin e kësaj detyre historike qi po i ngrakohet Shkollës Shqiptare, duhet qi shpirti i sakrificit të shkëlqejë ç’prej ma të madhit e deri në ma të voglin pjestar të familjes arsimore. Çdo dyshim, çdo plogti, çdo akt mosinteresimi, ka me u quejtë mungesë besimi kundrejt Atdheut’.

Ndërkaq, duke cituar Kolqin me porositë e tij të mëdha nga shkresa zyrtare nr. 306, Isak Shema me shijen e tij të veçantë ideo-estetike të përzgjedhjes, ka sjellur sërish një fragment mjaft domethënës sa dhe aktual, në të cilin Ernest Koliqi jepte “Porosi për personelin mësimor të viseve të lirueme”, drejtuar “Drejtoris së Shkollavet të mesme dhe Inspektorivet t’Arsimit Filluer në viset e lirueme”:
1. Mos me u përzi në çashtje politike, fetare e minoritare.
2. Mos me u përzi në çashtje lokale apo administratash të tjera.
3. Me u pru mirë në popull e me ja fitue zemrën këtij me pun t’uaj të naltë të zbatueme me mend e me themel si mbrenda ashtu edhe jashtë shkollës.
4. Me i trajtue nxansit e nxanset me dashtuni atnore dhe në mënyrë ma të përsosun të nji edukatori, me i ndihmue me durim që të kapërcejnë vështirësitë e fillesës e veçanërisht në mësimet e para.
5. Me jetën t’uej private të rregullte e të ndershme t’jeni shembulla ma e përsosun e vetive burrnore të shqiptarit të kulturuem.
Me bindje të plotë se me vullnet të pathyeshëm do t’ja dilni në krye punës që ju kam besue.”’

Isak Shema është intelektuali për të cilin bibliotekat dhe arkivat janë tempuj të dijes dhe të diturisë. Ai është Profesori i Breznive Orëmira, për të cilin libri është vetë shpirt i dritës.

Isak Shema është studiuesi i përkushtuar i cili lexon me laps në dorë. Ai lexon, nënvizon, vlerëson, gjykon dhe konstaton në bazë të kritereve të shëndosha ideo-estetike. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm me studimin e tij për jetën dhe veprën e Josip Relës, dhe duke iu qasur në mënyrë mjaft të hollësishme në studimet e tij veprave letrare të autorëve të periudhës së viteve ’20 dhe ’30, dëshmon se e njeh jashtëzakonisht rrugën krijuese dhe veprën e plotë të shkrimtarëve si Sterjo Spasse, Jakov Xoxa, Hivzi Sylejmani, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare etj.. Ndërkaq, në kujtimet e tij krenare flet përplot respekt për takimet e tij me Eqrem Çabejn, Lasgush Poradecin, Sterjo Spassen, Ismail Kadarenë, Hasan Mekulin, Latif Berishën, Gani Lubotenin, Ramiz Kelmendin etj.

Shkrimet e tij që kanë të bëjnë me letërsinë shqipe të traditës, si Faik Konica – personalitet i shquar i kulturës shqiptare dhe europiane, Adreni – poet i shquar i romantizmit shqiptar, Migjeni dhe risitë letrare, Nga letërkëmbimi i Gjergj Fishtës, Veprimtaria e Faik Konicës në Bruksel (1896-1902), Vizioni poetik i Gjergj Fishtës për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Eqrem Çabej për Lasgush Poradecin; shkrimet nga letërsia bashkëkohore shqipe, si Kosova në poezinë e Esad Mekulit, Versionet e poezisë së Ismail Kadaresë, Vlora dhe identiteti kombëtar në poezinë e Fatos Arapit dhe të Ali Podrimjes, Poezi për Isa Boletinin-Imazhi i Kosovës, Vetëdija kritike e shkrimtarit realist, Sterjo Spasse-shkrimtar i shquar i letërsisë shqiptare, Nga historia e krijimeve të romaneve të Jakov Xoxës, Hapësira dhe koha në romanet ‘Kronikë në gur’ dhe ‘Çështje të Marrëzisë’ të Kadaresë, Drama ‘Nita’ e Josip Relës; shkrimet studimore nga shkenca e letërsisë, si Shekujt e letërsisë shqiptare dhe të shkencës së letërsisë, Koncepte të avangardës në letërsi dhe në shkencën e letërsisë, Lëvizjet letrare në letërsinë shqiptare të shekullit XX, etj. dëshmojnë për një studiues tejet të përkushtuar vlerash të veçanta.

Në mënyrë të veçantë, shkrimet si Studimet letrare të Hasan Mekulit për letërsinë shqipe, Studimet e Rexhep Qosjes për romanin e sotëm shqiptar, si dhe Vepra letrare dhe shkencore e Latif Berishës, së bashku me kumtesën Gani Luboteni – personalitet i shquar i arsimit, i kulturës dhe i shkencës shqiptare, paraqesin një kontribut të jashtëzakonshëm në vlerësimin e krijimtarisë dhe të veprimtarisë së tyre letrare e shkencore. E thënë shkurt, këto shkrime janë edhe ftesë për botimin e monografive studimore më të plota për këta personalitete të shquara të letërsisë dhe të kulturës sonë.

Në fushën e studimeve të letërsisë shqiptare, Isak Shema interpreton termat dhe nocionet letrare, futet nëpër shekujt letrarë shqiptar, në mënyrë analitike heton mjaft bukur dukuri dhe fenomene letrare, shaplos fakte dhe të dhëna për jetën dhe veprën e Faik Konicës në Bruksel e në Londër, shkruan me aq dashuri dhe me po aq përkushtim për figurat eminente të letrave shqipe sikurse Jeronim De Rada, Naim Frashëri e Gjergj Fishta; përshkon etapat dhe periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe, merret me çështjet e tipologjisë dhe të periodizimit të kësaj letërsie, vë në pah meritat dhe kontributin e pamohueshëm të bashkëkohanikëve të tij sikurse Dhimitër Shuteriqi, Gertruda Ejntrej, Dalan Shapllo; kujton dhe përkujton me dhembshuri, me dashuri por edhe me pietet të veçantë kolegët e tij Hasan Mekulin, Latif Berishën, Gani Lubotenin; shkruan në mënyrë mjaft afirmative për vlerat e veçanta të kritikës shqiptare dhe përfaqësuesve të saj të shquar në Kosovë, si Hasan Mekuli, Rexhep Qosja apo Agim Vinca, nderon dhe kujton Krijuesit letrarë të Shkollës Normale të Prishtinës, përkujton me një finesë mjaft të hollë dhe lartëson me krenarinë e ligjshme kontributin aq të madh të Ernest Koliqit për përhapjen e arsimit shqip në Kosovë (nxjerr nga pluhuri i harresës pjesë mjaf interesante të ‘Qarkores’ së Ernest Koliqit për detyrat e mësuesve në përhapjen e arsimit kombëtar shqiptar në Kosovë), merret me problemet, me çështjet dhe me sfidat aktuale të arsimit e të kulturës shqiptare, heton dhe zbërthen kodet e ligjërimeve të shkrimtarëve më të shquar shqiptarë, shprehet me konsideratën e veçantë për ‘tematikën e tejkohshme kadareane’ (në librin ‘Letërsia shqiptare e shekullit XX’), vë në dukje dhe analizon në mënyrë mjaft të hollësishme sa dhe profesionale raportet e letërsië me avangardën, raportet e shkrimtarit dhe të veprës së tij me kohën, vëren me holësi përmasat e përceptimit të veprave letrare si dhe paradokset e anatemimit të disa prej figurave më eminente letrare shqiptare, mbron me këmbëngulësi vlerat e mirëfillta dhe shfaq mendimin e tij të qartë kundër antivlerave në letërsi dhe në kulturë.

Profesor Isak Shema ka një përvojë aq të pasur pedagogjike, dhe së këndejmi me krenarinë e ligjshme ai ka lartësuar kontributin e atyre të cilët i ka pagëzuar me një epitet aq të rrallë sa dhe të merituar ‘një brezi veteranësh të qytetërimt shqiptar.’

Isak Shema është studiuesi i cili me mjaft kompetencë shtron pyetje dhe ofron përgjigje. Ai është konicologu i përkushtuar, bibliografi i pasionuar, profesori dhe kolegu, i cili tek përkujton shokët e tij shprehet me aq dhembshuri sa dhe respekt, si fjala vjen: ‘I përjetshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën e shkrimtarit Dalan Shapllo!’

Në studimet e tij letrare në përgjithësi – qoftë për letërsinë shqipe të traditës apo për letërsinë bashkëkohore shqipe, në trajtimet e tij shkencore, në vrojtimet e tij letrae dhe artistike, në vështrimet e tij kritike e bibliografike, në përkujtimet e datave dhe të përvjetorëve të rendësishëm të kulturës sonë kombëtare, në kumtesat e tij të shumta, në ligjërimet e tij letrare, në intervistat e tij, Isak Shema dëshmon sa pasionin e tij për letërsinë po aq edhe dashurinë e tij për të, dëshmon zellin e tij për kërkime dhe studime shkencore sa dhe profesionalizmin e tij.

Ai është intelektuali i cili ka bërë dhe bën thirrje të hapur e në vazhdimësi për një arsim integral gjithëshqiptar, për hartime tekstesh e programesh integrale për të gjithë shqiptarët kudo që janë, sikurse edhe për botimin integral të letërsië shqipe, kundruar me një metodologji shkencore mjaft të avancuar e gjithmonë në kontestin studimor të sinkronisë dhe të diakronisë.

Ligjërues i letërsië, i cili me adhurimin e tij të veçantë për vlerat e mirëfillta ideo-estetike, përgatiti një armatë të tërë studentësh, studiues i përkushtuar dhe i palodhur në kontributin e tij për arsimin sqhip, profesor Isak Shema mbetet gjithmonë njeriu i cili jo vetëm që e ka nënvizuar por edhe sikur e ka zbatuar në jetën e tij krijuese dhe akademike, thënien e madhe të Gijom Apolinerit (të cilin me të drejtë e ka quajtur ‘shkrimtar i shquar i avangardës franceze’):
O, Diell është koha e aryes së madhe.

Gjithsesi, tek Isak Shema mishërohet tradicionalja dhe bashkëkohorja, klasikja dhe modernja, dashuria për librin dhe adhurimmi për letrat shqipe.
Për Isak Shemën, bibliotekat dhe arkivat janë tempuj të dijes dhe të diturisë. Për profesor Isak Shemën, libri është vetë shpirt i dritës.

Më shumë se rastësi, kënaqësi dhe krenari

Ka rastisur që profesor Isak Shema të ishte anëtar i Komisionit në mbrojtjen e diplomës, si pari për babain (së bashku me profesorët Latif Berisha dhe Enver Gjerqekun, në mbrotjen e temë së diplomës kushtuar jetës dhe veprës atdhetare të Hilë Mosit), ashtu edhe për mua (së bashku me profesorët Latif Berisha dhe Agim Vinca, në mbrotjen e temës së diplomës e cila i kushhtohej jetës dhe veprës së Josif Bagërit).

Të kesh një profesor që ligjëron letërsinë shqipe sikurse Isak Shema është gjithmonë kënaqësi. Ta kesh atë në Komisionin e mbrojtjes së diplomës, sa kënaqësi është edhe krenari, sepse ai mbetet gjithmonë thadraur në kujtimet, ai kujtohet kështu shpesh në bisedat dhe në shpalosjen e kujtimeve të paharruara nga vitet e studimeve…

Me rastin e përurimit të veprës studimore kushtuar shkrimtarit dhe publicistit Ramiz Kelmendi, së pari më 3 nëntor 2014 në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Prishtinës, e pastaj edhe më 20 dhjetor 2014 (në ditëlindjen e shkrimtarit Ramiz Kelmendi) në Pejë, ishin edhe profesorët Dr. Mahmud Hysa dhe Dr. Isak Shema.

Takohesha me ta pas një periudhe shumë të gjatë, prandaj edhe takimi ishte përplot mbresa dhe emocione. Por mbi çdo gjë, vetë prania e të dy profesorëve – dy herë (në Prishtinë dhe në Pejë), për mua ishte sa në nderim po aq edhe një obligim i veçantë, dëshmi se provimet e letërsisë përpara profesorëve të tillë, sikur nuk mbarojnë kurrë.

Vepra studimore kushtuar shkrimtarit Ramiz Kelmendi

Breznitë orëmira: Dr. Isak Shema, Serafina Lajçi, Prend Buzhala, Musa Lajçi,
në përurimin e veprave kushtuar Ramiz Kelemndit, në Pejë më 20 dhjetor 2014

Dy breza krijuesish: Profesorët Mahmud Hysa dhe Prend Buzhala

Profesorëve si këta por gjithsesi edhe profesorëve të tjerë, u falemi më së shumti për një gjë të jashtëzakonshme sa dhe monumentale. Profesorët e letërsisë arritën që me shëmbëlltyrën e tyre të veçantë, të mbillnin tek ne dashurinë për librin, për kulturën, për dijen dhe për të vërtetën, por edhe ia dolën gjithashtu të krijonin tek brezi ynë shprehinë e punës dhe ndjenjën e veçantë të përkushtimit.

Përmbi çdo gjë ata arritën dhe ia dolën të krijonin tek studentët, një ndërgjegje dhe një vetëdije për të cilën breznitë orëmira do t’u falen sot e mot, përjetësisht: Ishin ata dhe shembëlltyra e tyre e veçantë që tek ne, kurrë dhe për asnjë rast të vetëm nuk u shfaq ndjenja e lakmisë për të marrë një notë pa ditur dhe pa e merituar.

Pra, përmbi çdo gjë – edhe përmbi dijen dhe mësimin e tyre të madh, këtë ua paçim hua për jetë të jetëve!

Ndërkaq, sot në ditëlindjen e 79-të të profesorit Isak Shema, shprehim shpresën se botimi i paraljmëruar i ‘Kujtimeve’ të tij, në 80-të vjetorin e lindjes së tij do të pritej me kërshëri dhe kënaqësi.

Në mënyrë të veçantë, le të shpresojmë se krijimtaria e tij shkencore dhe studimore, në 80-të vjetorin e tij do të mund të botohej si një komplet në vete, gjë që sa profesorin vetë, njëlloj do ta nderonte edhe kulturën tonë.

Duke i uruar ditëlindjen, Profesor Isak Shemës i dëshirojmë shëndet, suksese të reja dhe vepra të reja, si dhe mbarësi e mirësi pa kufi!

Përzemërsisht,

Dy ish-studentët e tij: Ali e Xhemail Peci.

10 shkurt 2019