“NJERIU I RI” DHE TRANSFORMIMI I TIJ GJATË TRANZICIONIT…

0
461
Arben Çokaj

Arben Çokaj

Kur Shqipëria e rrëzoi komunizmin, unë isha ende në shkollë, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës (FSHN), në Tiranë, për Fizikë. Transformimet e mëdha ndodhën pikërisht në atë kohë dhe unë jam krenar, që isha pjesë e atyre transformimeve, se në atë kohë e ndienim të gjithë, se ishte gjëja e duhur, që duhej të bënim, nën moton: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa!

Por me kohën e pamë, se gjërat nuk ecën bash ashtu si duhet dhe u zhgënjyem shumë, u zhgënjyem pa masë! Nuk u zhgënjyem se rrëzuam një sistem despotik, që me ligjet e rrepta e paranojën sunduese, e kishte mbyllur e izoluar vendin, e kishte bllokuar jetën, kishte dëmtuar njerëz dhe e kishte varfëruar ekonomikisht vendin. U zhgënjyem sepse në vend që Shqipëria të bëhej si Evropa, ajo u bë gradualisht si vendet turko-arabe…

Por si filloi ky transformim i “njeriut të ri” të kohës së Enverit, që kishte karakter e dinjitet, më shumë nga frika e shtetit si duket, se sa nga ndërgjegjësimi? (Pra, shteti me ligjet e tij, që zbatohen, krijon edhe moralin në shoqëri.) Po tregoj disa ndodhi të asaj kohe, për ta ilustruar edhe transformimin…

Një profesor i joni nga Korça, që ishte relativisht i ri në moshë dhe kishim edhe shoqëri me të, Mishel Panariti, më tha një herë: “Uaaa sa turp, një profesor te Inxhinieria Mekanike kishte marrë një paketë cigare dhe i kishte vënë notë kaluese një emigrani, që kishte shkuar në Greqi…” – ky është pra “njeriu i ri” i komunizmit, mbajeni mend mirë, se nuk e keni më në territorin shqiptar… I varfër sa nuk ka, sa edhe me një paketë Slims e blije, e prapë morali e mbante… Por ai u transformua gradualisht, në këtë që shohim përditë… Më 1990 shqiptari nuk kishte sa sot, por ishte më me dinjitet se sot.

Nja 5-6 muaj më vonë, duke biseduar me Mishelin, më thotë: “Po tani rrogat e vogla i kemi, gjendje e mjerë ekonomike, të vjen tjetri me veshje të mira, me cigare të shtrenjta, e nuk i vihet faj, tha ai, as profesorit, që merr një stekë me cigare dhe vë një notë kaluese…” – a po e shihni kalimin nga “njeriu i ri” i Enverit, te njeriu i korruptuar i tranzicionit, ku ligji nuk funksionon si duhet?! Atë ditë, Misheli më tha edhe se: “e kishte ndihmuar Besnikun (një shokun tim), që të futej në punë në Ministrinë e Jashtme…

Mua më shkuan jargë nga goja (figurativisht), të hysh direkt në punë në ministri në Tiranë? Nuk ishte pak, për një student nga MbiShkodra. Por nuk e dhashë veten… “Sillu edhe ti mirë“, më qortoi Misheli, “se ndoshta e flas një fjalë të mirë edhe për ty.” Gjë që nuk ndodhi… (Më vonë e mora vesh, se Besniku kishte hyrë në punë me SHIK-un e Ministrisë së Jashtme, pasi Misheli e kishte koleg dhe kishte miqësi me Gazideden,  shefin e SHIK-ut.)

Kështu si Misheli erdhën duke ndryshuar shumica e shqiptarëve, është sistemi që të ndryshon, për të mos thënë të gjithë ndryshuan. Shqipëria u mbush edhe me xhami, dhe doli në modë edhe pëllitja arabe me altoparlante… U bëmë vend turko-arab. Dhe diplomacia amerikane e ajo izraelite, na quan për këtë arsye si “vend musliman“. Gjërat kanë ndryshuar kaq shumë sot, sa nuk gjen njeri të ndershëm dhe që nuk ka abuzuar e përfituar nga paratë publike dhe korrupsioni dhe është qoftë zyrtar i shtetit, e ka gjë në dorë, qoftë politikan, etj. etj. Korrupsioni është bërë ligji i vetëm, që funksionon në këtë vend… Por për këtë, nuk e ka fajin “njeriu i ri” i kohës së komunizmit, që po përpiqen disa t’ia ngjesin atij, fajin për këtë e ka paligjshmëria dhe mosfunksionimi si duhet i shtetit.

Unë ika në Danimarkë në atë kohë, në një Konferencë Studentore, dhe vendosa të mos kthehem. Disa ngjarje më kishin ndodhur dhe kisha fakte të mjaftueshme, se mund të më bënin keq, pasi shkruaja ndonjëherë shkrime kritike (si tani), e Saliut nuk i dihej, ose merrnim iniciativa në mbrotje të interesave të studentëve, për aq kohë sa isha unë nën-kryetar i Unionit Studentor.

Pas 18 muajve fitova azil politik në Danimarkë, dhe brenda 2 vjetëve mësova mirë gjuhën daneze dhe hyra në punë si asistent në një Qendër Informatike. Punoja si asistent me një mësues. Pas rreth 6 muajve, u hap një vend pune si mësues aty në Qendrën e Informatikës CUE në Kopenhagë dhe i them këtij mësuesit, me të cilin punoja, “Niels, a provoj të aplikoj edhe unë?” “Pse jo?” – tha ai. Bëra një kërkesë, dhe i thashë Nielsit, “a ma shikon pak, si e kam shkruar?” Me nja dy gabime ortografike, Nielsi më tha mirë…

Ishin 38 kandidatë, që kishin aplikuar dhe ishin pranuar në intervistën me gojë, ndërsa një numër tjetër ishte skualifikuar, që në fazën e parë. Intervista bëhej me Drejtoren e Qendrës, përfaqësuesin e Sindikatës dhe përfaqësuesin e mësuesve, që ndodhi të ishte Nielsi. Sot mendoj se po të mos më njihnin, ndoshta nuk do e fitoja vendin e punës, e më pas Nielsi më sqaroi edhe pse e si fitova…

Gjatë kohës kur po merrnin kërkesat për një vend pune, u hap edhe një vend tjetër, pra ishin dy mësues, që do zëvendësoheshin. Kështu që Qendra e Informatikës kishte vendosur që të pranoin “një nga brenda” e një që vinte “nga jashtë” Qendrës, nga aplikuesit. Unë meqë isha asistent aty, konsiderohesha si i “brendshëm”. Por isha kokë më kokë me një danez, me banim në Kopenhagë, me emrin Hans.

Hansi kishte qenë asistent aty, por edhe kishte punuar 6 muaj si mësues, duke zëvendësuar Olen, i cili kishte pushimin e lindjes… (Mos u habisni, në Danimarkë, shteti paguan 1 vit pushim lindjeje për çiftin, e Ole u bë me djalë, e shoqja mbajti pushim 6 muajt e parë, ky 6 muajt e dytë…) Kështu, për nga kualifikimi, unë e kisha kundërshtarin më të fortë Hansin, por e munda, dhe kjo krejt rastësisht, e shqip me thanë krejt pa rëndësi… Kush i jep rëndësi në Shqipëri, kësaj që vlerësoi Drejtorja.

Nielsi më tregoi më pas, a të kujtohet kur Drejtorja të pyeti: “Nëse një prej nxënësve/kursistëve nuk e kupton mësimin, si vepron ti?” Po, i thashë, e unë iu përgjigja: “Ia sqaroj edhe një herë, po prapë nuk të kupton, tha ajo, po shikoj – i thashë unë, a mund t’ia sqaroj prapë dhe nëse kam kohë e bëj, ose nëse nuk kam kohë, se klasa do vëmendjen time, atëherë i them, prit deri në fund të orës së mësimit, se ta sqaroj derisa ta kuptosh.” (Psikologjikisht, kur një nxënës do të mësojë, mëson. Nuk kupton, të pyet, por nxënësi nuk mëson kurrë, kur nuk do të mësojë!)

Hë pra, më tha Nielsi, Hansi ndryshe nga ti, ia ktheu Drejtores: “Ia spjegoi edhe një herë, po nëse nuk kupton ai, çfarë bën ti? – i tha drejtorja. Hansi i ishte përgjigjur asaj, se është tip flegmatik, nëse nxënësi nuk e kupton me herën e parë e të dytë, ai e lë fare…” Kështu Hansi kishte shkuar si duket për të treguar tipin e tij aty, e jo për vendin e punës.. :p

Disa kohë pasi punoja mësues Informatike aty në CUE, marr një telefonatë nga Misheli, profesori i shkencave në Tiranë, i cili kishte shkuar në SHBA dhe atje nuk punonte në profesionin e tij, edhe pse ishte djalë i zoti, punonte për momentin si zdrukthëtar. Nuk e di si u bë më vonë me të, se ngjarjet rrodhën si rrodhën, por ai u gëzua, që unë po punoja si mësues Informatike në Kopenhagë.

Kur u ktheva në Shqipëri në vitin 2004-2005, provova të hyj pedagog i jashtëm në Universitetin e Shkodrës, te departamenti i Informarikës, por no chance. Aty duhej ta kishe mirë me Jozefinën, nuk kishte kritere aftësishë, si në Kopenhagë. Tani sipas logjikës së këtyre, që thonë se “njeriu i ri” po e prish vendin, i bie, që edhe Jozefina, e cila pronën e saj të vjedhur nga kushërinjtë e ka të trashëguar nga një pinjoll i failjes Topalli, i cili në kohën e fashizmit në Shqipëri kishte themeluar partinë fashiste në Shkodër, e për këtë arsye ishte “shpërblyer” me tokë në qendër të Shkodrës… të jetë “njeri i ri”?!

Jozefina nuk futet te “njeriu i ri” i komunizmit, se ajo ishte e persekutuar. Pastaj ajo e mban veten edhe si aristoktate. Por po të ishte në vend të asaj Drejtores së Qendrës së Informatikës në Kopenhagë, a mendoni ju se ajo do të sillej me korrektësi si drejtorja daneze? Jo, në Shkodër punësoheshe ato kohë duke thënë “jam krahu i Jozit”, ose duke futur shukun e lekëve nën dorë… E pra, me këtë dua të them, se nuk e ka fajin “njeriu i ri” e morali i tij, për këtë që  ka ndodhur e po ndodh edhe sot në Shqipëri, jo, na e ka fajin mentaliteti turqeliko-islamik i shoqërisë, lukunia, që i ndikon të gjithë edhe katolikët edhe ish- të persekutuarit, etj. etj…