më 2 shkurt 2019
Të dashur bij! Dashuria dhe mirësia e Atit Qiellor, ju japin zbulesa, që bëjnë të mundur që besimi në ju të rritet dhe të kuptohet, e të sjellë paqe, siguri dhe shpresë. Kështu, edhe unë, bijtë e mi, nëpërmjet dashurisë së mëshirshme të Atit Qiellor, gjithmonë dhe rishtas, ju tregoj rrugën drejt Birit tim, drejt shpëtimit të amshuar. Porse, për fat të keq, shumë bij të mi nuk duan të më dëgjojnë, dhe shumë bij të mi dyshojnë. Porse unë, unë gjithmonë në çdo kohë, kam madhëruar Zotin për gjithçka që ka bërë në mua dhe nëpërmjet meje. Biri im ju dhurohet juve, ndan bukën me ju, ju jep fjalët e jetës së amshuar, që t’ua çoni të gjithëve. Ju, bijtë e mi, apostuj të dashurisë sime, për çfarë keni frikë kur Biri im është me ju?
Kushtojani shpirtrat tuaj që Ai të mund të banojë në to, dhe t’ju bëjë juve instrumente të besimit dhe instrumente të dashurisë! Bij të mi! Jetoni Ungjillin, jetoni dashurinë e mëshirshme ndaj të afërmit, dhe mbi gjithçka jetoni dashurinë ndaj Atit Qiellor! Bijtë e mi! Nuk jeni së bashku rastësisht, Ati Qiellor nuk bashkon askënd rastësisht. Biri im iu flet shpirtrave tuaj dhe unë i flas zemrës suaj. Si nënë ju them ecni me mua, duani njëri˗tjetrin, dëshmoni!
Mos kini frikë, me shembullin tuaj, të përhapni të vërtetën, Fjalën e Hyjit që është e amshuar e nuk ndërron kurrë! Bijtë e mi! Kush vepron në dritën e dashurisë së mëshirshme dhe në të vërtetën e ka gjithmonë ndihmën e Qiellit dhe nuk është kurrë vetëm. Apostuj të dashurisë sime! Le t’ju dallojnë gjithmonë, në mes të të gjithëve, për fshehtësinë tuaj, për dashurinë tuaj dhe për kthjelltësinë tuaj! Unë jam me ju. Ju falënderoj!
Përktheu nga italishtja:
Nikolin Sh. Lëmezhi
Një kurs i shkurtër për marrëdhëniet njerëzore
6 fjalët më të rëndësishme:
Unë e pranoj se kam gabuar.
5 fjalët më të rëndësishme:
Ke bërë punë të mirë.
4 fjalët më të rëndësishme:
Cili është mendimi yt?
3 fjalët më të rëndësishme:
A ka mundësi?
2 fjalët më të rëndësishme:
Të falënderoj!
1 fjalë më e rëndësishme:
Ne.
Fjala më e parëndësishme është:
Unë.
Përktheu nga italishtja:
Nikolin Sh. Lëmezhi