PERIPECITË JETËSORE E SOCIALE TË RINJOHJES

0
655

Prend BUZHALA

(Në vend të recensionit: analitikë dramës për fëmijë e të rinj “Rinjohja” të Abdullah Troshupës)

Në baladat shqiptare ekziston tema e rinjohjes. Porse rinjohja ka të bëjë edhe me aspekte të tjera të identitetit nacional, njerëzor etj. Kësisoj, rinjohja e vetvetes, si qenie nacionale, ka preokupuar kombin tonë prej shekullit XIX e këndej, edhe ende kodet e saj duan zbërthime nga shumë fusha. Kësaj radhe, te vepra dramatike “Rinjohja” e Abdullah Troshupës, si te ato legjendat a baladat shqiptare të rinjohjes, jeta shkruan edhe legjendat e saj, sikundër janë socialiteti, lufta, mërgimi, ndarjet… Rinjhoja është e shumëfishtë: si rikujtesë e së kaluarës së rëndë, por edhe si rikujtesë e fatit të përbashkët e që përfundon te dashuria midis dy të rinjve me të kaluar të përbashkët, të vuajtur e me shumë peripeci.

1. Struktura e tekstit dramatik, triumfi i dashurisë

Abdullah Troshupa tashmë ka krijuar profilin e tij si krijues për fëmijë e të rinj, me vëllimet poetike e me ato me pjesë skenike e dramaturgjike, sikundër janë: “Porosia e vëllait” (poezi, 1995), “Dallgët e shpresës” (poezi, 2006), Cigareshitësja” (pesë drama njëaktëshe, 2008), “Kush më solli në jetë” (poezi, 2011), “Një det kujtimesh” (poezi, 2016), “Ora e gjyshit” (poezi, 2017) dhe “Zhvillimi i Arsimit nëpër epoka kohore në Llugaxhi” (Monografi, 2018). Vëllimi i tashëm përfshinë dramën “Rinjohja” dhe ribotimin e pjesës skenike “Cigareshitësja”, të cilat kanë ndërlidhje tematike, nëpërmes jetës së personazheve në dy kohë: në kohën e para luftës, gjatë viteve ’90 dhe në këtë të pas luftës. Do theksuar se pjesa skenike “Cigareshitësja” është luajtur në skenë nga Qendra Kulturore e Bashkisë së Kukësit dhe nga gjimnazistët e Lipjanit dhe është pritur e vlerësuar mirë nga publiku.

Meqë autori ka prirjen që tekstin dramatik ta shkruajë sipas vizionit skenik, atëherë edhe vepra e tillë është unike. Te ky vëllim, risi për këtë krijim, është shtjellimi i një drame të mirëfilltë me një kompozicion specifik realist, me strukturë të veçantë, dhe në përputhje me rrethanat jo vetëm krijuese, po edhe nacionale e shoqërore, që krijojnë mundësinë e mishërimit të saj në realizim artistik në letërsi e në teatër.

Në dukje të parë, autori i përfill ato kërkesat tradicionale e të rrepta dramaturgjike të njësisë së veprimit, vendit dhe kohës, porse risi kësaj radhe është futja e një brendadrame (një si metadramë në shërbim të tekstit kryesor, siç është teksti i aktit të dytë të Pamjes së parë dhe të dytë. E strukturuar në pesë akte (secili akt ka nga disa pamje), ky tekst dramatik, megjithatë, ngërthen edhe ato pjesët tjera kompozicionale: ekspozicioni, intriga, kulminacioni, peripecia dhe zgjidhja apo përfundimi. Këto pesë pjesë kompozicionale habitshëm e harmonishëm përputhen me pesë aktet e kësaj vepre, porse ato “përmbysen” sipas një koncepti tjetër dramaturgjik.

Kështu te ekspozicioni (akti i parë) na rinjeh edhe njëherë me personazhin kryesor të dramës së parë, Vjosën, para luftës si cigareshitëse, e cila, edhe tani, si e rritur, përsëri është cigareshitëse. Njihen e rinjihen edhe personazhe të tjerë, të shtuar, me raporte mes tyre (si nxënës), me raportet familje-shoqëri dhe me të kaluarën e tyre. Familja e Vjosës është ende në gjendje sociale të rëndë. Ajo jeton me nënën e saj, meqë babai i është vrarë në luftë, duke rënë dëshmor. Dhe familja e një dëshmori përsëri është në zgripet e ekzistencës.

Porse te ky akt autori ndërfut edhe temën e dukurive negative, përmes personazhit të Gresës, e cila jepet pas kënaqësive, e joshur nga matrapazë që fusin në kurthin e tyre të rinjtë. Ajo nuk dëshiron t’i dëgjojë shokët, pëson rëndë nga përdhunimi dhe në ndihmë e solidarësi dalin shokët. Është shtresë e veçantë ajo e formimit edukues të një brezi, në rrethana të ndërliqshme të pasluftës. Këto prezantime të aktit të parë në çojnë tutje në zhvillimin e konfliktit dramaturgjik, konflikt më shumë në përballje me rrethanat e rënda sociale të kohës se sa në ato të përballjet e drejtpërdrejta të personazhit kryesor… Kësisoj, autori, duke pasur njohuri të sakta për këtë zhanër, arrin që të përgatis zhvillimin dramatik drejt fillimit të intrigës apo dhe strukturimit tekstor të sistemit të motivacionit, i ngritur me sukses në këtë vepër.

Te akti i dytë, prandaj, shfaqet intriga e veprës, makrotema e socialitetit të rëndë, si dhe solidarësia. Kjo intrigë (ta quajmë kushtimisht kështu), më shumë përballet me egërsinë e përgjithshme sociale, se sa me shkaktarët e vërtetë e bartësit e saj. Intriga “zbutetet”, duke u mposhtur nga solidarësia. Janë familja e Bardhit (Ardi është shoku i Vjosës) dhe ajo e Metit që i dalin në krah nënës së Vjosës për t’iu ofruar mundësi punësimi. Por, nëse shtresa e intrigës tradicionalisht përfshin ndërliqësinë e këtyre raporteve sociale, familjare e njerëzore, kësisoj ajo përplotësohet me një brendadramë, dramë brenda dramës që luhet në skenë, për ndër të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Atdhedashuria është një tipar tjetër që i shquan këta protagonistë të rinj, që e duan shumë Kosovën dhe pavarësinë e saj e përjetojnë si krenari edhe të etërve të tyre, ose të rënë në luftë ose të zhdukur ose që kanë vepruar në të mirë të çlirimit. Kështu, brenda teksti dramatik Vjosa bëhet Vjollcë që luan rolin e një femre të joshur nga një mërgimtar aventurier që merret me shitjen e drogës e me mashtrimin e trafikimin e femrave në perëndim. Idealiteti shprishet përmes realitetit të rëndë, jo vetëm social, po edhe të gjymtimit moral. Porse “vazhdimi” i këtij metateksti (a shfaqjeje skenike brenda shfaqjes) jepet me përplotësimin në vazhdim, mbasi tashmë personazhet janë profilizuar si heronj që e luftojnë të keqen dhe e sfidojnë gjendjen e rëndë me solidarësi e aksione humanitare.

Ndryshe nga një përplasje konflikti që paraqet kulmin (sipas teorisë së dramës), në aktin e tretë Vjosa është gjimnaziste. Me të solidarizohen shoku i fillores, Luli dhe profesori që njeh gjendjen sociale e familjare të Vjosës. E lë punën si cigareshitëse, meqë shikohet “me të tjerë sy” nga tipa asocialë. Në tri aktet e para shfaqet, i papranishëm, personazhi i Gurit, i cili me familje jeton e shkollohet në Amerikë, falë solidarësisë. Guri ka babanë e zhdukur në luftë. Ai profilizohet si një i ri ambicioz, që e do shkollimin, jetën dhe sidomos Kosovën. Te ky akt shfaqen prirje të reja shpërthyese pozitive të kësaj rinie dhe një shtresë e re tekstore: si të ndihmohen ata që janë me gjendje të rëndë sociale dhe që janë të sëmurë.

Një temë që e sfidon shoqërinë tonë aktualisht! Kësisoj, grupi i gjimnazistëve të rinj si Orgesi, Noa, Sibora, Dielli dhe Vjosa duan ta ndihmojnë shokun e tyre të sëmurë me fonde. Fushata bëhet përmes televizionit publik, veprimtarive nëpër qytetarë etj, skena që i shohim vërtet për çdo ditë nëpër rrugët e mediet e Kosovës. Drejtori e quan këtë veprim “shembull historik”. Asociacioni tekstor: kur një shoqëri a shtet heq dorë nga qytetari i saj, atëherë mbetet “mejti i fundit”, sikundër është solidarësia që zbret te qytetarët e thjeshtë, heronj të ditës.

Mu si para luftës! Peripecia (si shtresë e katërt e kompozicionale dhe si zhdrivillim i aktit të katërt), tashmë shfaqet kthesa e veprimit dramatik: jepen parashenjat e përfundimit. Personazhi i Gurit tashmë paraqitet në Kosovë. Ndryshe nga shumë të rinj që vazhdojnë karrierën e tyre me braktisje të Kosovës, ai jep shembullin e kundërt: kthehet në Kosovë, i punësuar në një spital amerikan diku afër kryeqytetit. Meqë vetë ka qenë po ashtu fëmijë që e ka mbajtur gjallë ekzistencën rrugëve, duke fshirë xhamat e veturave, atij kjo skenë nuk i është shqitur nga mendja:

“Kur shkova në Amerikë, e pata lënë këtë vend të shkatërruar nga lufta si dhe popullin e përvuajtur në skajshmëri. Edhe pse isha i vogël, vuajtjen dhe mjerimin e kam përjetuar në lëkurën time. Tani më është dhënë rasti t`u ndihmoj të gjithëve… Kam kaluar një jetë me shumë mundime, derisa kam arritur këtu ku jam. Unë gjatë fëmijërisë sime isha shumë i varfër, por falë një gruaje që më pat ndihmuar, shkova në Amerikë dhe vazhdova shkollimin. Edhe pse isha atje mendjen e kisha gjithnjë këtu. Kaluan shumë vite dhe ja tash Kosova është bërë shtet, ndërsa unë u ktheva për ta dhënë kontributin tim… Kur them se i kam borxh atdheut, e them me plot përgjegjësi, sepse babai im e dha jetën për Kosovën, e si ta merr mendja, unë t`ia kthej shpinën?! Si thua? Pastaj babait tim nuk ia di eshtrat se ku janë. Policia serbo-sllave atë e masakroi si të gjithë të tjerët. Edhe babai im është njëri nga ata të pagjeturit.

Eh, më duket po e shoh fytyrën e tij, kur ia patën lidhur duart dhe më shikonte mua dhe motrën time. Nëna mundohej të na i mbyllte sytë që mos ta shikonim. Por, babi ishte krenar me duar të lidhura e lëshoi një buzëqeshje të ëmbël dhe tha: “Biro, të jesh krenar se së shpejti Kosova do të jetë e lirë! (I pikojnë lotët) Mos u merakos për mua se unë qysh moti kam vendosur t`ia fali jetën këtij trualli. Mbaje mend biro, mos harro se sikur vendi Yt nuk ka, vetëm sa të vjen Liria dhe filluan rrebeshet e automatikut në trupin e tij si dhe të disa bashkëluftëtarëve të tij). E si ta merr mendja, amanetin a babit a më duhet ta mbajë!?”

Lufta nuk harrohet. Tragjedia e saj mposhtet me afrinë njerëzore, me humanizmin, me ndihmën solidare, po edhe me kontributin e të gjithëve me dashurinë ndaj Kosovës. Rastis që Nëna Dritë (nëna e Vjosës) të shkojë disa herë për mjekim te doktor Guri. Tema e rinjohjes shpaloset shkallë-shkallë (me informacionet për të kaluarën, për shkollimin, për paraluftën e për luftën, si dhe për gjendjen sociale dje e sot. Të rinjtë, si Vjosa, mbesin të papunë, edhe pse ajo është arkitekte me master. Sado që personazhet takohen, ata mbesin prapë ende të panjohur për njëri-tjetrin. Në këtë rast, autori përfill njësinë e parafundit siç është peripecia, meqë konflikti dramatik përshkohet me gjendjet psikologjike të personazheve për rinjohje, e cila nuk arrihet lehtë. Ja si jepet ky monomet psikologjik përmes një monologu dramatik:

Vjosa! Luli! Ai Luli, i cili ishte paksa problematik, kur punonte në treg, pastaj Vjosa që shiste cigare. Sa e bukur ka qenë! Edhe kjo më pëlqeu. I ngjante asaj Vjosës, por ku të marr guxim e ta pyesja. Megjithatë, nëse vijnë sërish, disi dua të futem në bisedë. Sjellja e saj më bëri të dyshoj, sepse posa ua tregova emrin tim, ajo ndryshoi në fytyrën e saj, pastaj edhe ajo gruaja që ishte para disa ditësh për kontroll emrin e kishte Dritë. Ndoshta mund të jetë nëna e Vjosës. Vërtet po lidhen gjërat. Më duket edhe ai Luli, ngjasonte në fytyrë me atë bengun në faqe, me ata sy të mbërthyer.” Njëkohësisht zhvillohet edhe fushata ”Një cent mjafton për shpëtim jete”. Tashmë në këtë fushatë përfshihet edhe mjeku i ardhur, kurse shenjat e rinjohjes përforcohen. Personazhet kanë kauzat e tyre. Jeta i bashkon njerëzit me fat të ngjashëm, kësaj radhe, me të kaluar të ngjashme dhe me kauza të ngjashme. Prandaj, te ky akt zbret ajo njësia e kulminacionit dramatik. ndodh rinjohja.

Te akti i pestë (zbërthimi), tashmë personazhi i Vjosës dhe Gurit afrohen. Takohen, rikujtojnë të kaluarën. “Konflikti dramatik” përfundon dhe shikuesit e kanë të qartë hepiendin dramatik e jetësor. Jeta merr kahet e realizimit të saj pas shumë vuajtjesh e mundimesh. Shikuesi i sheh ata të dashuruar që do të krijojnë një bashkësi të re familjare. Drama strukturon e përfundon me unitetin e saj tekstor të natyrshëm.

2. Nga socialiteti i rëndë e deri te pedagogjia letrare

Në këtë dramë (si te “Cigareshitësja”) ka mjaft impulse të rënda sociale e tragjike në botën e këtyre fëmijëve. Drama shfaq identifikimin e plotë të autorit me kyrepersonazhin e Cigareshitëses, Vjosës. Pa këtë identifikim nuk do të arrihej të thurej me kaq empati krijuese kjo dramë. Autori e përcjell fatin e personazhes që nga fëmijëria e saj me pak lojëra e me shumë halle. Te personazhet e të dy dramave ka mjaft revoltë sociale nga personazhe solidarë, si Burri a Mësuesi te drama e parë, apo siç janë shumica e personazheve të dramës “Rinjohja”. Aty i shohim në tregun e zi cigareshitës, fshirës xhamash, apo shitës të tjerë ambulantë, që kryejnë punë të rënda për ta siguruar kafshatën e bukës. Revolta ka të bëjë kundër socialtieti të tillë të rëndë, që i detyron fëmijët të punojnë në tregun e zi të punës apo që shtrëngohen ta marrin botën në sy. Jeta ua vonon si rritjen, ashtu edhe fëmijërinë.

Këta fëmijë janë personifikim i fëmijëve që i shohim ende nëpër qytetet tona. Dje reaksioni i egër okupues e sot reaksioni i egër social, sikur nuk kanë të ndalur. Këta protagonistë, sado me shpirt të lënduar, do t’i mposhtin vështirësitë; kacafyten me jetën, kanë besim të thellë në vetvete. Nuk lejojnë t’u rrënohen kështjellat e dëshirave për ardhmërinë. Kanë ëndrrat e tyre, imagjinatën e tyre, kauzat e tyre. Fryma e jetës i mbush me besim shkretëtirat e trishtimit social e të ngjarjeve tragjike të së kaluarës. Ashtu sikundër te disa shkrimtarë të tjerë të letërsisë sonë, edhe te ky autor konfliktet shoqërore, sociopolitika e dramës sonë jetësore ekzistenciale, tjetërsimi, kurbeti, mungesa e atdheut e mungesat tjera të ekzistencës, premtimet boshe, etj etj, e detyrojnë që përsëri ta rishkruajnë tekstin e temave të rënda sociale.

Meqë autori ka qenë pedagog në procesin mësimor për shumë vite, atëherë është krejt e natyrshme që artistikisht, edhe te kjo dramë, ta përfshijë këtë përmasë tejet të rëndësishme për letërsinë, siç është ajo e formimit edukues arsimues të të rinjve, nga njëra anë, si dhe e betejës kundër dukurive negative shoqërore e njerëzore, nga ana tjetër. Ka disa pamje të tilla përgjatë tërë dramës, sikundër është fati i Gresës, apo metatekstit dramatik i matrapazëve nga mërgimi, apo i huliganëve kalimtarë a i rrugaçërisë, sjelljes arrogante etj., e që iu kundërqëndrojnë solidarësia, puna e ndershme, aksionet humanitare etj. Nga ana tjetër, ndërgjegjja se dija përbën një thesar njerëzor më vete, se me punë arrihen suksese në mësim, e cilëson karakterin e shumicës së këtyre të rinjve. Dhe kësaj kauze ata ia arrijnë me sukses.

Tashmë në kushtet e reja edhe shkolla shqipe (siç është personazhi i drejtorit) i ngërthen mundësitë e shumta të shfaqjes e të përfshirjes së fëmijës a të riut në bashkëpunim, në shfaqje të mendimeve lirshëm, dhe për këtë gjë obligohet vetë shoqëria, sado ende ka pengesa e vështirësi. Këta personazhe inkurajohen të ndërmarrin veprimtari me interes edhe pas luftës, që ndikojnë pozitivisht në jetën e në ardhmërinë e tyre.

Po ashtu, edhe konteksti social, natyra e vendimmarrjes, përvojat jetësore, nivelet e mbështetjes nga të rriturit, janë të pranishme te kjo dramë, dhe përbëjnë një thesar të vërtet letrar-pedagogjik.

Autori, identifikueshëm, gjithnjë është në anën e këtyre personazheve, në anën e formimit të tyre. Ai te ky fëmijë dhe i ri, dëshiron ta shohë karakterin njerëzor veprues, me shpirt të gjallë, dinamik, që nuk i dorëzohet stihisë së fatit. Ata, autori dëshiron t’i shohë se e kanë jo vetëm ndërgjegjen e tyre, po edhe bindjen e tyre për jetën, por edhe qëndrimin e tyre kritik për situatat, pamjet e jetës apo ato të shoqërisë, sido ndërgjegjja kundër shtypjes sociale. Ai vetëm sa ne na jep modelin, mbase nga pak të idealizuar, se ku përfundojnë kauzat e suksesshme, këmbëngulja për të mos u dorëzuar…

Të qenësishme edhe te kjo dramë, janë temat tjera, siç është tema e madhe etike mbi përgjegjësinë dhe miqësinë, mbi dashurinë dhe padrejtësinë. Kërkesa e tillë dikur i bën jehonë apelit të pedagogjisë së tillë estetike e që i jep zë Stanley I. Greenspan (në librin “Fëmijë i sigurt” e në shumë libra tjerë), mbasi, në rrethin ku jetojmë, rreziqet ndaj shëndetit e ndaj sigurisë së këtij fëmije, nuk njohin kufij; aty ku ne pushtohemi përditë nga lajmet për ngjarjet tragjike; tek e ofron vizionin e tij të daljes nga ky qorrsokak e labirinth modern i pasigurisë totale.

Si pedagog dhe krijues, autori e ka të qartë se me anë të artit letrar dhe me anë të artit skenik, mund të ndikojë te publiku i caktuar, sepse edhe letërsinë për fëmijë, edhe teatrin a shfaqjen skenike e lexojnë dhe e shikojnë edhe pedagogët, prindërit dhe fëmijët, të cilët përbëjnë publikun e saj lexues dhe shikues.

Janar 2019

Dërgoi për publikim, Milazim Kadriu, gazetar