LIBRI PUBLICISTIK I MURAT GASHIT
Mr. sc. Fatmir Halimi
PARATHËNIE
JETA ËSHTË KTHYER, PASOJAT SHËROHEN NGADALË
Libri publicistik “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” i shkrimtarit, publicistit e gazetarit të dikurshëm, z. MURAT GASHIT, përmbanë shkrime të përzgjedhura gjatë kohës sa ai ishte gazetar i Rilindjes famëmadhe, në periudhën e paraluftës dhe pas çlirimit të vendit.
Shkrimet në këtë libër publicistik përfshijnë periudhën kohore të viteve 1995-2002.
Tematika që trajton është jeta kulturore, shoqërore e sociale e popullit tonë nën okupim, jeta gjatë luftës dhe jeta gjatë viteve të para pas çlirimit nga okupatori serb. Ky libër sot është një dëshmi e fuqishme për vitet e 90-ta, është një argument i fortë edhe për historinë tonë mbi të cilat argumente duhet të shkruhet dhe ndërtohet sot ajo.
Murat Gashi, librin e fillon me intervisten e punetorit të parë të rradhitjese së gjigantiti tonë të shkrimit dhe te kulturës “Rilindja”, z. Beqir Driza i lindur më 1925, me titull: „BISEDE ME SHKAS ME PUNËTORIN E PARË PËR RADHITJEN E “RILINDJES“ BEQIR DRIZA, të bootuar në gazetën “Rilindja“, 26 shkurt 2000, e cila u rihap pas dhjetë viteve të okupimit dhe të mbylljes së saj nga forcat serbe.
Shkrimet e Gashit si gazetar i kësaj kohe ishin shkrime të guximshme dhe me rrezik edhe për jetën e tij siç është shkrimi: “DËSHMITË E DHUNËS DHE TË TERRORIT NGA OFENSIVA SËRBE NË KOMUNËN E PRIZRENIT-Vrasje e ekzekutime pa gjyq”, të botuar te gazeta “Bujku“ ish-“Rilindja” më, 8 tetor 1998. Në këtë shkrim Gashi informon lexuesin e kohës, por edhe mjetet e tjera të informimit vendor dhe ndërkombëtar për masakrën që zhilluan forcat serbe në fshatrat Lybeqevë, Lez, Jeshkovë e Leskovec, Hoçë të Qytetit të komunës së Prizrenit gjatë muajit shtator të vitit 1998, ku ndër të tjera thotë: “(Gjatë shtatorit u vranë 48, prej të cilëve 4 janë fëmijë prej moshës 5 deri në 14 vjeç – Nga ofensiva sërbe më së shumti pësuan fshatrat Lybeqevë, Lez, Jeshkovë e Leskovec, Hoçë të Qytetit, etj. në të cilat u plaçkitën dhe u dogjën rreth 360 shtëpi – Nga forcat sërbe që nga 1 shtatori janë marrë peng 4.000 persona, shumica prej të cilëve, pas maltretimeve çnjerëzore nga policia sërbe janë liruar.”
Gazetari Gashi përgjatë viteve 1998-99 është një sy vrojtues për të gjitha ngjarjet që zhvillohen në Komunën e Prizrenit, pra për luftërat dhe heroizmin e zhvilluar të ushtarëve të UÇK-së në zonën e Prizrenit, por ai nuk lë anash pa i potencuar edhe masakrat, dhunimet çnjerëzore të okuatori serb mbi popullatën civile, siç janë shkrimet: – “NË VEND TË PËRKUJTIMIT; RAMIZ JONUZ BERISHA, dëshmori që mbrojti me shpirt e zemër atdheun”, -“PRIZRENI NË ANKTHIN E LUFTËS, me rënjën e muzgut fillon të “vdes jeta”, të botuara në gazetën “Bujku“, më 4 gusht 1998. Në këtë libër përveç kësaj, ka shumë shkrime nga viti 1995 deri 2002 pas luftës, që trajtojnë jetën kulturore e arsimore të shqiptarëve nën okupim.
Këto shkrime sot na argumentojnë se shqiptarët përkundër gjendjes së rëndë ekonomike, varfërisë së skajshme, mbylljes së të gjitha institucioneve tona, ata patën fuqi të vetëorganizohen dhe të mbajnë gjallë, sidomos arsimin, ku mësimi zhvillohej në shtëpi-shkolla dhe kulturën përgjithësisht, siç janë shkrimet: – PORTRET I NJË VETERANI TË ARSIMIT, për mësuesin Durak Mazreku, të botuar në gazetën “Bujku“, më 4 shtator 1997: – KLUBI LETRAR “FAN NOLI“ Në PRIZREN, të botuar në gazetën “Rilindja”, Janar 2001. Shkrim tjetër për tu veçuar është edhe shkrimi për shoqërinë kulturore-artistike “AGIMI“ i Prizrenit, e cila është më e vjetra në Kosovë, që u themelua fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore më 1944, me titull: ”ME RASTIN E PËRVJETORIT TË 56 – të, TË SHOQËRISË “ AGIMI “ TË PRIZRENIT, Kultivuese e denjë e kulturës shqiptare”, të botuar në gazetën “Rilindja“, më 18 prill 2000.
Krejt për fund po potencoj se libri publicistik “Jeta është kthyer, pasojat shërohen ngadalë” i shkrimtarit e gazetarit të dikurshëm, z. Murat Gashi, është një e arritur e madhe për fushën e historiografisë shqiptare dhe mendoj se po të shfrytëzohet drejt ky libër nga historianët, do të ishte një ndihmes e një pasqyrë shumë reale dhe e argumentuar për të shkruar historinë tonë gjatë luftës së lavdishmë të Uçk-ës.
Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, gazetar