VARGJE QË I KËNDOJË JETËS, ATDHEUT, DËSHMORËVE, LIRISË, NATYRËS…

0
650

Hajdin H. Krasniqi ” Mollë e kuqe ”, SHB “ Lena “ – Prishtinë, 2019

Milazim F. KADRIU

Përmbledhja poetike ” Mollë e kuqe ”, është libri i dhjetë i autorit Hajdin Krasniqi. Ashtu sikur edhe më parë edhe në vargjet e kësaj përmbledhje me poezi poeti shpreh botën e tij të pasur krijuese, duke e pasuruar në brendi me tema e imazhe nga aktualiteti, me kujtime nga e kaluara dhe aspirata për të ardhmen, të cilat i ka konceptuar në dy cikle : Rrjedha jete & Humor dhe satirë

Poezitë e ciklit të parë të këtij libri sjellin një tematikë mjaft të gjerë, pothuajse nga çdo fushë, ku e ka hedhur farën dhe grumbulluar nektarin e krijimit të tij poetik, duke mos e harruar që t’i këndojë vendit, prindërve, atdheut, dëshmorëve, lirisë, mësuesve, natyrës etj. Krasniqi në vargjet e tij në këtë libër shfaq një botë të madhe, sjell dhe përcjell në çdo poezi metaforën e jetës gjithnjë me shpresën për të mos humbur ëndrrën, kërkon gjithçka që është e mundur. Kështu nisur edhe nga vetë titulli i librit “ Mollë e kuqe ” autori shpreh indinjatën për pushtimin e tokave nga pushtuesit sllavë dhe ndër tjera shprehet :

// Gjyshi i thotë mbesës,/ Bija ime Buqe,/ Kufirin e patëm,/ Te Molla e Kuqe.//

Nw poezinë Valwt e jetës, autori jetwn krahason me stinët e vitit, të cilat ndyshojnë nëpër etapat e tyre.

Autori shprehet kështu:

// Jeta u ngjan stinëve,/ Që shpesh herë ndërrohen,/ Herë vijnë ditë të ngrohta,/ E herë ato ftohen.//

Kur flasim për poezinë në kuptimin letrar dhe prurjet e Krasniqit shohim mjaftueshëm se përpos shijes së fjalës artistike, padyshim dhe vlerave estetike duke e vlerësuar vargun si ”magji” në hapësirën kohore gjejmë atë çka quhet brenda frymës poetike artin e fjalës.

Ideali i lirisë kombëtare dhe i përmasës së plotë të atdheut, përshkon edhe poezitë e Hajdin Krasniqit, jo me një patetikë e retorikë epike, por me një ligjërim të natyrshëm lirik, ku përthyhen ndjenjat dhe mendimet e poetit në kohë e hapësirë.

Pra poezitë janë plot qëndresë, dritë dhe diell që e ngroh dheun e këtij vendi që u pagua shumë shtrenjtë nga bijtë më të mirë të popullit. Ja si i këndon poeti lirisë së shumë pritur:

// Është liria,/ Si rreze dielli,/ Më e bukur,/ Se lule prilli.// Në liri,/ Jeta gjallëron,/ Më pushtuesi,/ Nuk sundon.// Je më e shtrenjëta,/ E jona liri,/ T’mbanë në zemër,/ Plak e i ri! //

Nëpërmes vargjeve të poezive të kësaj përmbledhjeje Krasniqi bashkëbisedon me lexuesin, duke shprehur përjetimet e tij, të cilat në fakt janë edhe përjetime të popullit tonë.

Libri në fjalë na sjell një botë me shumë ngjyra dhe me plotë margaritar në një kopsht me lule që na kujton të kaluarën dhe lëshon aromë të së ardhmes plot dashuri për lexuesit. Në shumë vargje poeti na i kujton kohët e kaluara duke na kujtuar edhe historinë tonë të cilën ai donë tua mësoi të rinjve.

Andaj, autori si një dhuratë shumë të çmuar na sjellë një libër sa argëtues për ta lexuar, po aq edhe edukativ që të rinjtë ta kenë si një udhërrëfyes për jetën e tyre, për të kaluarën e lavdishme, për një të ardhme të shëndetshme, me edukatë të shëndoshë njerëzore. Edhe punën e mësimdhënësve autori e çmon shumë, ndoshta kjo ka bërë ngase edhe ai ka kaluar një jetë të tërë në edukimin e brezave të ri. Ja si shprehet ai në vargjet e tij kushtuar mësuesve :

//Jeni dritë mbi errësirë,/ Jeni rreze e diturisë,/ Jeni shpresa e të ardhmes, / Rrezatim i lumturisë!// Jeni nderi i atdheut,/ Që përhapni dituri,/ Pa ju terri do të kaplonte,/ Pa ju s’ kishte dritë ,liri.//

Nëpërmes vargjeve autori edhe në këtë përmbledhje me poezi kujton prindërit dhe vuajtjet e tyre ngase më parë ishte jetë e vështirë për të gjithë. Dhe duke kujtuar prindërit e tij ai kujton vuajtjet e baballarëve tanë dhe dashurinë e nënave shqiptare.

// Baba kur mbaronte lavrat/ E varte plugun nën strehën e ahurit/ E trinën e thurur nga ferrat/ E mbështeste nën strehë për muri//

// Sa e ëmbël fjala nënë,/ Ka burimin thellë në zemër,/ Pushon shpirti kur shqipton,/ S’ka më i vlefshëm se ky emër //

Çamëria si plagë e rëndë kombëtare, duket se mbetet edhe më tutje një nga temat e nxehta, ku shumë poet e kanë në sy e zemër dhe i thurin poezi me dëshirën që edhe kjo pjesë e Shqipërisë natyrale një ditë ti bashkëngjitet trungut të saj. Edhe Krasniqi në këtë vëllim poetik na sjell një poezi kushtuar Çamërisë:

// Çamëri, lot i valë në sytë e mi,/ Shkrumb mbi buzët e mia të çara,/ Mall e dhimbje e shpirtit tim,//

Të gjitha këto poezi janë të krijuara me një gjuhë të pasur poetike, stil të rrjedhshëm dhe me shprehje aq të pasura poetike. Strukturën e thellë e përbëjnë aspektet e realizuara kuptimisht në këto poezi e që ne i marrim në formën e quajtur mesazh.

Në ciklin e dytë Krasniqi sjell poezi humoristike dhe satirike në të cilat përpos mesazheve aty sjell edhe zërin e protestës, ai nuk hesht, nuk bëhet pajtohet me padrejtësitë dhe autoret e padrejtësive.

Në shumë poezi autori flet për dukuritë aktuale që mbretërojnë në politikën sociale të vendit. Ai flet për antivlerat si janë: korrupsioni, mashtrimi, pasurimi në rrugë të paligjshme dhe përmes poezive ngre zërin kundër këtyre dukurive. Ja si shprehet në njërën nga këto poezi ku në thumb të satirës ka të zgjedhurit e popullit:

// N’këtë Kuvend,/ S’janë në mend,/ Herë tymojnë,/ Herë n’gjumë koten,/ Ofendojnë, eskalojnë,/ Veç për xhepa/ T’vet punojnë! //

Marr në përgjithësi në poezitë e tij Krasniqi jep mesazhin me një kuptim të plotë e të lirë, i cili merr një kuptim të përgjithshëm e të qëndrueshëm. Mesazhin e këtyre poezive e nxjerrim nga tërësia e tyre që përbën një strukturë të thellë, nga e cila dalin dimensionet e kuptimit.