Fejton – LUFTA E SHENJTË IDEOLOGJIKE E IBRAHIM KELMENDIT?!… (7)

0
827

[ HYRJE – PËRMBAJTJA ]

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 30 janar 2019

Mbi doktrinën ideologjike të LRSSHJ-së dhe të LPRK-së

Gjithmonë kam hezituar për ta trajtuar veprimtarinë politike të LRSSHJ-së dhe LPRK-së, pasi vazhdimisht kam menduar se e majta ideologjike[1] ishte fatkeqësi për hapësirën shqiptare, andaj iu kam shmangur konfliktit publik, politik dhe mediatik. Për fat të mirë, kam shpëtuar deri këtu, sepse askush nuk mund të më afroj një shkrim a deklaratë publike ku kam atakuar veprimtarinë e një organizate ku nuk bëja pjesë, ndonëse edhe atëherë, veprimtaria e së majtës shqiptare në Evropën Kapitaliste, paraqiste një konflikt ideologjik mjaftë i papranueshëm.

Pavarësisht rrethanave gjeostrategjike dhe sfera e ndikimit që ka qenë faktor për tu përcaktuar fati i shqiptarëve nën ndikimin e Ideologjisë Sovjetike[2], ne nuk mund të krenohemi me një gjysmë shekulli histori, përplot lufta të klasave të cilat në të gjitha zhvillimet kanë shënuar regres. Por ne nuk e mohojmë se brenda kësaj fatkeqësie kolektive nuk ka pasur edhe vlera?! Shoqëria është e vetëdijshme se ka pasur edhe moral qytetar, por ka pasur edhe patriot të denjë të cilët nuk janë bërë leva të sistemit. Madje në secilën rrethanë njerëzit e mirë moralisht e kombëtarisht kanë qenë shumicë absolute e shoqërisë, prandaj edhe brenda radhëve të LRSSHJ-së[3] dhe LPRK-së[4], vazhdimisht ka pasur patriot dhe atdhedashës të përkryer të cilët e kanë përbërë shumicën e Lëvizjes… por si gjithherë njerëzit patriot dhe të ndërgjegjshëm kanë mbetur anash.

Një pjesë e tyre kanë përmbushur detyrimin atdhetar duke i ndenjur indiferent politikës, e cila edhe pse “është zeja më e vjetër”[5], shikohet vëngër, përbuzshëm dhe me indiferencë pasi mendohet se politika qenka lavire?![6] Sigurisht, kjo sintagmë është njëra nga arsyet pse njerëzit e devotshëm kanë qëndruar indiferent, duke lejuar që proceseve t’iu prijnë shtresa mediokër dhe pa kredibilitet të mjaftueshëm politik dhe kombëtar, të cilët edhe kësaj Organizate Ilegale Politike që vepronte në Evropën Demokratike i dhanë ideologji Sovjetike duke e orientuar LRSSHJ-në dhe LPRK-në kah Sllavët dhe BRSS-ja, në kohën kur e tërë veprimtaria e organizatës thuhej se ishte kundër sllavëve, dhe për ma keq veprimtaria shtrihej, siç e kemi theksuar në Evropën Perëndimore dhe në Amerikë.

Edhe në Shqipërinë Socialiste të Partisë së Punës[7] që udhëhiqej nga Enver Hoxha, është zhvilluar një luftë e ashpër e klasave, kurse vendin zakonisht e kanë drejtuar mediokritetet të cilët kanë përbërë aparatin e dhunës. Ata kanë eliminuar elitën intelektuale duke përfshirë “Klerin Katolik Shqiptar”[8], i cili përveç se kishte ndikuar në të gjitha rrjedhat e formimit të kombit, Shqipërisë i jepte imazh Evropian. Pastaj lufta e klasave kishte përfshirë vendin, e kjo kategori me mendje rurale, vazhdimisht ka kontrolluar edhe mendjet intelektuale dhe shkrimtarët.

Pllakat i Partisë së Punës të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

Ta zëmë, në Revistat “DRITA”[9], dhe “NËNTORI”[10], që kryesisht u dedikohej zhvillimeve të kulturës dhe letërsisë, këto revista ishin të mbushur me shkrime ideologjike në njërën anë dhe po aq kishte edhe vlera të mirëfillta letrare dhe artistike në anën tjetër, andaj po i veçojmë dy koncepte diametralisht të kundërta të cilat bënin garë në mes vete:

Në grupin e parë, hynin autor të cilët në shkrimet e tyre kritike ose letrare fjalë për fjalë, e rresht për rresht, citonin partinë dhe shokun Enver, për të cilin thurnin broçkulla të paqena të aspektit ideologjik. Kjo kategori kot ia fuste, sigurisht e kishin detyrë por edhe detyrim në raport me Partinë. Vërtetë këto shkrime ishin të ngarkuar me citate e frazeologji ideologjike, shprehje të një dogme që s’kishte fare të bënte me artin, letërsinë e as me konceptin e librit, në rast se trajtohej ndonjë libër në aspektin profesional, gjë që edhe sot me asnjë filtër nuk mundemi t’ia pastrojmë doktrinën ideologjike, prandaj mbeten shkrime të cekëta, mjaftë të dëmshme edhe për kohën kur janë shkruar pasi shkenca dhe mendimi modern nuk duron ngarkesa të tilla ideologjike.

Në grupin e dytë, të cilët ishin shumicë, kemi shkrime, letërsi dhe kritikë artistike e cila mundet t’i përballojë secilës kohë, ose me pak mund, mund të spastrohet komplet nga ndikimi ideologjik i asaj kohe, pa iu prekur përmbajtja. Krijimet artistike të cilat edhe atëherë ishin të shkruara me kulturë dhe njohje të thellë në fushën e trajtimit letrar ose të kritikës letrare, autorët kryesisht kanë qenë të detyruar në një mori shkrimesh, sidomos në fushën e analizës dhe të kritikës letrare, të citonin Partinë ose liderin e saj, që shpeshherë s’kishte gjë të bënte me letërsinë, por si duket ata përmbushnin një detyrim partiak. Tema shtjellohej në mënyrë profesionale dhe pa ndikime ideologjike, por ndodhte përmbyllja të bëhej me një citat, ta quaj mekanik, sa për sy e faqe, se gjoja edhe kjo kategori e donte Partinë Ideologjike?!

Ky fenomen, shikuar nga distanca kohore, ishte vazhdimësi ideologjike e Kongresit të VI të PPSH, i cili Shqipërisë ia vuri lakun e diktaturës së proletariatit, e rendit socialist, ku E. Hoxha ka theksuar: “Pa demokraci socialiste, nuk ka diktaturë të proletariatit, ashtu si nuk mund të ketë demokraci të vërtetë për punonjësit pa diktaturë të proletariatit”[11]. Lufta e Partisë për thellimin e Revolucionit Socialist në të gjitha fushat është zhvilluar përmes luftës së ashpër klasore e cila u bë mjaftë tragjike sidomos në vitet 1971-1976, me ato vlime ideologjike, të cilat ishin qasje kontradiktore e veprimit, përkatësisht luftë e klasave[12], ndërsa disa nga autorët, po më shumë ideologët Marksist-Leninist, si puna e Ibrahim Kelmendit, nuk mund të dalin as sot nga plehu i doktrinës pa kundërmuar ideologji të cilët pareshtur e kanë cituar, madje edhe sot mburren duke na treguar se paskan bërë “patriotizëm romantik”, që i përkasin asaj kohe dhe atyre viteve përplot ideologji që kishte prekur çdo vepër të asaj kohe. Pra doktrina ideologjike e Sovjetikeve Shqiptarë, i kishte krijuar dy realitete të kundërta që realisht shkatërronin vetveten.

Në këtë plan nuk mundet me u krenuar fare as e majta Marksiste-Leniniste që vepronte në Evropën Perëndimore dhe ajo në Amerikë, e llastuar pas dokrrave komuniste nuk qe e zonja t’i drejtoj proceset ashtu si duhej dhe kishte nevojë shoqëria jonë. Në këtë pikë bashkëveprimtarët e mijë që për veprimtari politike kishin zgjedhur LPRK-në, të mos preken nga kritikat për veprimtarinë e tyre individuale, edhe pse mendohej se qëllimi i tyre për kohën ishte në shërbim të Kosovës, por kjo qasje mëton për t’i qitur në pah ideologjitë e gabueshme Marksiste-Leniniste që ndiqte LPRK-ja, e cila tashmë mundohet t’i fsheh gjurmët e Ideologjisë Sovjetike[13], përkatësisht pararoja staliniste e pozicionuar në Organizatën Marksiste-Leniniste e Kosovës[14] dhe ajo në Frontin e Kuq Popullor, e kësaj të fundit i printe Ibrahim Kelmendi[15], (por edhe ai mundohet t’i fsheh gjurmët e Stalinizmit Sovjetik) [16], i cili tashmë njihet si figura më përçarëse, individi më kontrovers, dhe njeriu që është akuzuar më së shumti për vrasje dhe eliminime të patriotëve shqiptar, pavarësisht se ku ata vepronin.

Ndikimi përçarës, kontrovers dhe dyshues i Ibrahim Kelmendit i ka kushtuar LPRK-së, jashtëzakonisht shumë, ashtu siç iu ka kushtuar edhe proceseve dhe Luftës Historike që e ka bërë UÇK-ja për çlirimin e Kosovës, luftë të cilën e përvetësoi padrejtësisht pararoja staliniste, duke e zhveshur nga meritat, fillimisht udhëheqjen politike të LPRK-në, e më pas duke i përjashtuar nga proceset e Luftës dhe të pasluftës, LDK-në e cila mbulonte hapësirën dhe resurset njerëzore të popullsisë së gjithmbarshme në Kosovë dhe Diasporë. Nëse LPRK, ka pas pretendime për ta përvetësuar vendimet e “2 Korrikut 1990”, kur delegatet e Kuvendit të Kosovës, shpallën deklaratën kushtetuese. Këso tendencash për falsifikim edhe të historisë kemi me bollëk, kurse Ibrahim Kelmendi shquhet për këto manipulime deri në shkallë të marrëzisë duke e quajtur LPRK-në organizatë Patriotike dhe Demokratike, në kohën kur me fakte mund të argumentohet se më shumë i kanë kushtuar qasjes për ta ruajtur ideologjinë staliniste dhe enverizmit se sa çështjes së Kosovës.

Në deklaratën e 3 korrikut 1990, thuhet: “Me aprovimin e Deklaratës Kushtetuese të Kosovës LPRK konsideron se kanë filluar të realizohen pikat kryesore programore të saj” [17], kjo nuk qëndron aspak sepse nëse dikush duhet ta përvetëson veprimin e delegatëve të Kuvendit të Kosovës, atë gjë duhet ta bëjë LDK-ja dhe strukturat e saj, pasi në atë kohë vet Ibrahim Kelmendi ishte i tronditur nga rritja dhe masivizimi i LDK-së. Por në rrethana të tjera, çfarë kanë përvetësuar stalinistët e LPK-së me në krye Ibrahim Kelmendin, të cilat edhe tashti janë duke ia ngulfatur Lirinë Kosovës për të mos ua zbuluar gjurmët e tyre pro Sovjetike.

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), botim i posaçëm, 5 korrik 1990.

Tash nuk është momenti për të ngritur akuza, as për të shtruar pyetjen patetike se “a kanë mundur ato procese të zhvillohen më ndryshe?!”. Qëllimi i kësaj polemike mëton të argumentoj shkencërisht se koncepti ideologjik i pararojës së LPRK-së, ishte thellësisht kundër interesave të Kosovës, prandaj “Fronti i Kuq Popullor” dhe “Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës”, i bartin përgjegjësitë historike për shumë dështime dhe devijime ideologjike të LPRK-së, e veçmas për pasojat të cilat kanë lënë vragë në zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovën e çliruar nga Amerikanët.

Në anën tjetër e gjithë krijimtaria ime publicistike ka pasur si qëllim për të promovuar një lloj koncepti që “secili ta pastrojë oborrin e vet para se të merrej me të fqinjit!”[18]. Që d.m.th. reformat bëhen brenda partisë, për të mos i lënë vend abuzimit ideologjik me pikëpamje “titiste, majtiste e staliniste”[19]. Synimi nuk e arriti qëllimin, për të ngadhënjyer forcat demokratike, dhe vendin për ta udhëhequr personalitete të afta dhe të ndërgjegjshme[20].

Sigurisht ne do të rikthehemi shpesh tek intrigat e Ibrahim Kelmendit, i cili përmes mënyrës së shantazhit publik, i doli në përkrahje Isa Mustafës[21], duke u bërë pjesë e falangave ideologjike me të cilin e lidhin jo vetëm ideologjia Sllavo-Ruse, po më shumë “Fondet e Parave”, që i kanë drejtuar këta dy individ, të cilët si askush tjetër, arritën për t’iu përbiruar të gjitha proceseve që kaloi vendi ynë. Fatkeqësisht edhe njëri por edhe tjetri kanë gjetur përkrahësit naiv të cilët verbërisht po iu shkojnë pas!

Patetizmi patriotik i “Frontit të Kuq Popullor”[22]

Duke iu përmbajtur psiko-analizës së Sigmund Frojdit[23], për ta përshkruar karakterin e njeriut dhe botëkuptimin ideologjik të tij, lind pyetja se “çfarë lloj karakteri kishin drejtuesit e “Frontit të Kuq Popullor”, të cilët ishin pararoja e LRSSHJ-së dhe LPRK-së.

Ata notuan mbi të gjitha kundërthëniet ideologjike që i pat e majta ideologjike e shqiptarëve në Evropën Perëndimore. Pavarësisht, anëtarësisë patriotike dhe të ndërgjegjshme që kishte kjo Lëvizje, kupola e “Frontit të Kuq Popullor”, që udhëhiqej nga Ibrahim Kelmendi, përbënin atë karakterin ideologjik si fatkeqësi kombëtare. Të udhëhiqesh një ideologji të ekstremit të majtë, në mes të Gjermanisë Kapitaliste[24], e cila ma shumë se çdo vend tjetër në Europë, kishte pësuar dëme nga doktrina staliniste e Sovjetikëve, për të nxjerr ndonjë përfundim të vyeshëm nuk na ndihmojnë as psiko-analizat që i ka trajtuar Sigmund Frojdi, pasi karakteret e rrëmbyera dhe logjika e “Lëvizjes Muzhike”[25], në krye me pararojën staliniste që i prinë Ibrahim Kelmendi, kishte frikën se do t’iu zbulohen karakteret e tyre kontroverse, përçarëse dhe tejet të komplikuara.

Asnjëherë nuk është thënë si është kapërthurur në hierarkinë e LPRK-së, Ibrahim Kelmendi, dhe si është paraqitur me zyrtarët gjermanë? E shtroj këtë pyetje, duke ia njohur karakterin tallës me gjithkë e përgjthçka. As sot mendja e shëndosh nuk e përthekon idenë se si ka mundur Ibrahim Kelmendi me “Doktrinën e Proletariatit Sovjetik”, t’iu flas gjermanëve të cilët për një gjysmë shekulli e kanë bartur peshën e krimit ideologjik, gjë që ishte kulmi i marrëzisë ideologjike që e trumbetonte Ibrahim Kelmendi dhe LPRK në përgjithësi. Vërtetë si ka pasur mundësi t’iu thuhet gjermanëve se Pakti i Varshaves dhe doktrina ideologjisë Sovjetike është në shërbim të njerëzimit, dhe përpara tyre të çaraveshësh si i marrë, se ajo doktrinë do të dominojë mbi gjithë Evropën?! Vërtetë kjo bindje ishte marrëzi e shekullit, por çfarë të bëjmë me një karakter të çaraveshur siç është Ibrahim Kelmendi, i cili mendonte se me shkallë të drurit do të ngjitej në hënë.

Një realitet kaq kontradiktor mund ta paramendonte vetëm pararoja e vobektë e së majtës shqiptare në Evropën Perëndimore, e cila tashmë kishte të shpallur një luftë konfliktuoze kundrejt vetvetes, sepse Evropa Perëndimore dhe Amerika që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e kishin hapur një Luftë të Ftohët kundrejt Paktit të Varshaves, duke e ndarë Evropën me një Muri të Vrazhdët Ekonomik[26], ku përmes zhvillimit të hovshëm ekonomik, kulturor dhe qytetërues, sidomos Gjermania, po ndikonte në planin global për një ndryshim ideologjik edhe në vet Bashkimin Sovjetik.

E pse nuk arrinte t’i kuptonte këto ndryshime Ibrahim Kelmendi, ne nuk mund ta themi, pa thirrur në ndihmë psikanalizat e të famshmit Sigmund Frojdit, të cilat mund të përshtateshin për këtë kategori të sëmur e indoktrinuar ideologjikisht[27]. Në anën tjetër mendoj se vet Evropa bartë një pjesë të mëkatet si i duronte dhe pse i lejonte këto ushejza-rriqra staliniste për t’ua pirë gjakun klasës punëtore e cila në ato vite kryesisht ishin punëtorë stinor kudo në Evropë.

Tash sipas psikanalizës së Frojdit, më duket se bëhet fjalë për «atë ideologji» të cilën e konsideronin normale, strukturat udhëheqëse të LRSSHJ-së e të LPRK-së, bashkë me “Organizatën Marksiste-Leniniste” dhe “Frontin e Kuq Popullor”, që ishin pararoja ideologjike e mëkateve, që kryesisht ishin drejtuar kundër vet shqiptarëve, me simptome të qarta antidemokratike, e që në vete kundërmonte një antipati përpara Evropës Demokratike dhe përpara vet SHBA-ve. Sipas kësaj teorie, kufiri i veprimit ideologjik në suaza normale, dhe kufiri i marrëzisë që trajtohet si çmenduri ideologjike, kishte të bënte me mënyrën se si duhet ti trajtonim ata individ dhe atë ideologji, sociopatologjike a psikopatologjike, nga e cila në vitet e shtatëdhjeta “Partitë Komuniste Marksiste-Leniniste”[28] dhe në vitet e tetëdhjeta, “Fronti i Kuq Popullor”, bashkë me “Organizatat Marksiste-Leniniste të Kosovës”, përhapnin kolerën ideologjike në mes të Evropës Kapitaliste dhe Amerikës Imperialiste, prandaj disa shtet në Evropën Perëndimore, në mesin e të cilave edhe Zvicra, zyrtarisht kanë ndaluar, veprimtarinë e Partisë Komuniste[29].

He nejse nuk po lëshohem më thellë në këto psiko-analiza të Frojdit, pasi dikush nga kjo kastë ende nuk ka dalë nga kllapia ideologjike, e ndoshta të tjerë janë duke përdorur edhe narkotik ideologjik. Ashtu siç vlerësonte Sigmund Frojd se kokaina është «ilaç?!», më duket se Ibrahim Kelmendi, po e përdorë gënjeshtrën, akuzën, shpifjen dhe Ideologjinë Sovjetike, për të mbijetuar këtë krizë, ose për t’i fshehur mëkatet e bëra, sidomos në përpjekje për të dominuar Ideologjia Sovjetike në Kosovën e çliruar nga Amerikanët. Një paradoks i llojit të vet, por një realitet në veprimin praktik që po ndodhë në Atdheun tonë?!

Siç e përmendëm më parë Ibrahim Kelmendi e ka përdorur gënjeshtrën si doktrinë ideologjike. E kjo është një parantezë për të parë se sa ka infektuar kjo ideologji, pasi dihet se për serbët gënjeshtra përbënte interesin shtetëror, kurse për Ibrahim Kelmendin si detyrim ideologjik. Madje si duket vet Sllavo-Sovjetikët e paskan zbuluar gënjeshtrën për ta edukuar dhe indoktrinuar ideologjikisht Ibrahim Kelmendin, i cili nëpërmes ideologjisë Sovjetike e luftonte Socializmin Rozë të Jugosllavisë, në njërën anë, kurse në anën tjetër as përmes psikanalizave të Frojdit nuk kemi arritur për ta zbërthyer se si mendonte LPRK-ja për ta realizuar Republikën e Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave ose edhe më tej, se si do t’i bashkonte trojet shqiptare në një Republikë brenda Federatës Jugosllave, pasi Pavarësia e Kosovës në asnjë rrethanë nuk ka qenë opsion, politik, ideologjik e strategjik i LPRK-së?! Janë këto arsye, pse Ibrahim Kelmendi, e paska themeluar “Frontin e Kuq Popullor”, për t’ia vënë si pararojë ideologjike LPRK-së dhe mijëra veprimtarëve të kësaj organizate t’ua devijoj qëllimin i cili nuk do të duhej as në aspektin ideologjik të kishte ngjashmëri me Sovjetikët.

Nëse gënjeshtra për serbet ka qenë mit[30], ideologjia Sovjetike e “Frontit të Kuq Popullor”, është institucionalizuar si luftë e brendshme klasash nga e cila ka pësuar Lëvizja… sikurse e sotmja e Kosovës nuk është duke shpëtuar pa pasoja të shumta. E tashti doktrina ideologjike e Ibrahim Kelmendit, (sipas këtij koncepti), po gënjen, po shpif, po shantazhon e kërcënon, për t’i kamufluar marrëzitë ideologjike të cilat nuk kishin gjë të bënin me veprimtaritë patriotike, as me fatin e Kosovës, e le për të krijuar aleanca të qëndrueshme me SHBA-të.

Tashmë, ne jemi dëshmitar se sot po gënjehet nga vetëkënaqësia (e suksesit?!), por po gënjehet edhe nga ligësia, (sigurisht e krimeve të bëra?!), që do të thotë se Pararoja Ideologjike e “Frontit të Kuq Popullor”[31], po vuan nga paranoja e të kaluarës, andaj Ibrahim Kelmendi, si duket po gënjen e po shpif edhe nga frika e Zotit, pasi ai nga përcaktimi është Blasfemen – Mohues i Zotit, që si duket nga kjo frikë se Zoti ekziston, ai është në prag të çmendurisë?! Ai tashmë e ka ngulfatur edhe patriotizmin e tij të mirë?! Me gjasë po gënjehet edhe nga frika se po zbulohet e vërteta për angazhimet e tija ideologjike, të cilat si doktrinë kishin luftën kundër Imperializmit Amerikan, që ua prishi planet për dominimin Sovjetik mbi Evropën, prandaj Amerikën po e mallkon pa pra Ibrahim Kelmendi, ashtu siç po e mallkojnë edhe titistët, por edhe fundamentalistët fetar. E çartë, e gjithë kjo urrejtje po bëhet për ta fshehur turpin ideologjik që i është shndërruar në një Luftë të Shenjtë Ideologjike, me pasoja të paparashikueshme.

Ibrahim Kelmendi, gënjen edhe kur të bënë respekt, por më shumë ai po gënjen kur flet për LIRINË, sidomos atëherë kur nuk ua thekson meritën SHBA-ve dhe aleatëve të saj Evropian për çlirimin e Kosovës. Dihet se gënjeshtra është me origjinë sllave, por edhe Ideologjia Sovjetike që predikonte Ibrahim Kelmendi është me prejardhje sllave. Shtrohet pyetja çka kanë të përbashkët?! Përgjigja e saktë është: Ibrahim Kelmendin?!…, që pareshtur po bënë përpjekje për ta instaluar dhe zyrtarizuar në pushtetin e Kosovës këtë ideologji e cila e përbën thelbin e tyre të patriotizmit Ideologjik karshi Sovjetikëve. Me një fjalë gënjeshtra si doktrinë dhe si ideologji është e ngulitur në vetë qenien e tyre me pikëpamje Sovjetike. Tashti të mos e urrejnë më tej Amerikën, dhe as të mos tentoj që çdo gënjeshtër ta bëjë të vërtetë, pasi nuk do të thotë se sa më shumë të gënjesh do të mbetet diçka si e vërtetë. Dhe asnjëherë LPK, nuk do të trajtohet si Organizatë Demokratike, edhe përkundër Blasfemisë-Mohimit që tash po ua bëjnë angazhimeve të tyre ideologjike Marksiste-Leniniste[32].

Nga këto hulumtime shihet se Ibrahim Kelmendi, vetëm në saje të gënjeshtrave i paska mbijetuar të gjitha krizat përçarëse në LPRK, por nuk e besoj se do ta sfidojë edhe drejtësinë historike për një gjykim real të këtyre veprimeve.

Dogmat ideologjike pengesë për veprim të drejtë patriotik

Krerët e LPRK-së, pa përjashtim, por sidomos Ibrahim Kelmendi, si prijës ideologjik i LPRK-së dhe udhëheqësi kontrovers i pararojës staliniste të “Frontit të Kuq Popullor”, që vepronte në Gjermaninë Perëndimore, nuk paska pasur mundësinë dhe rastin ta vizitoj edhe Gjermaninë Lindore[33], për t’i dalluar pasojat e komunizmit në atë pjesë të Gjermanisë Etnike?! Pastaj e gjithë e majta komuniste në Evropën Perëndimore, askush prej tyre nuk paska vizituar as Hungarinë, për të parë arritjet Ideologjike Sovjetike në atë vend dhe për të krahasuar stagnimet në të gjitha fushat e jetës, në kohën kur dihet se Hungaria bashkë me Austrinë, para një kohe përbënin Mbretërinë Austro-Hungareze, por mortaja e komunizmit ishte fatkeqësi për Hungarinë[34] që e kishte katandisur, ndërsa dallimet me Austrinë ishin të dukshme. Gjurmët e komunizmit janë parë edhe në Çekosllovakinë[35] e atëhershme por më shumë në Poloni[36].

Paradoksi ideologjik del edhe më në pah kur e majta komuniste shqiptare në Perëndim, vepronte në Suedi, Gjermani, Zvicër dhe kudo në Evropën Perëndimore, dhe të ndiçej një kurs politik aq primitiv siç ka qenë doktrina Sovjetike për popujt dhe pakicat ose duhet të kenë qenë të krisur në mendje ose të marrë në veprim, veçmas nëse ndonjëri prej tyre gjatë asaj kohe e ka vizituar Tiranën për të marrë instruksione ideologjike nga SIGURIMI[37], i shtetit Socialist të Diktaturës së Proletariatit Komunist.

Tashti a ka mundësi të na thotë Ibrahim Kelmendi se çfarë paska dashur të bëjë me “Frontin e Kuq Popullor”, përveç pisllëkut ideologjik për t’iu nënshtruar Ideologjisë Sovjetike, përmes së cilës kanë irrituar botën demokratike, të cilën në atë kohë e quanin Imperialiste, Kapitaliste, Sioniste e tjetër fare. Prandaj veprimtaria e tyre ideologjike nuk justifikohet si imponim i sistemit politik, ta zëmë siç ishte rasti në Kosovë ose në vet Shqipërinë Socialiste, por thjeshtë ishte vobektësi intelektuale dhe një lloj paranoje ndaj zhvillimit të hovshëm që kishte bërë Imperializmi Amerikan të cilin Ibrahim Kelmendi edhe sot e kësaj dite e urren, sikur të ishin SHBA-t “Imperializmi Amerikan i Enver Hoxhës”[38].

Ibrahim Kelmendi, edhe pse e din se pa ndihmën e Amerikës kurrë Kosova nuk do ta kishte fituar luftën dhe as nuk do ta kishte ndërtuar paqen, përsëri i trullosur nga ajo doktrinë, po përhap urrejtje të vazhdueshme kundër Amerikës dhe Evropës Demokratike dhe me këtë edhe kundër Elitës Intelektuale të Kosovës e cila do të mbetet në histori për orientimin Evropian të Kosovës.

Ndoshta një pikë nevralgjike e mllefit që ka Ibrahim Kelmendi, kundër LDK-së, kundër Elitës Intelektuale dhe sidomos kundër dr. Ibrahim Rugovës, lidhet me faktin se ishte LDK-ja dhe Elita Intelektuale e asaj kohe, bashkë me dr. Ibrahim Rugovën, e bënë atë shkëputjen historike nga sfera e ndikimit Sovjetik, duke drejtuar konceptin e Kosovës kah Evropa Demokratike dhe sidomos kah Amerika të cilën edhe sot e kësaj dite Ibrahim Kelmendi, sikur të ketë detyrime obliguese ndaj padronëve të tij në Rusi, po e sulmon Amerikën dhe po e etiketon Elitën Intelektuale në Kosovë dhe aktivistët e devotshëm në Diasporë[39], andaj përpjekja e tij për ta zhbërë “MITIN dr. Ibrahim Rugova”[40], rrënjët i ka në të kaluarën e tij ideologjike, andaj mallkon Amerikanët të cilët ia këputën shpresat atij dhe shumë kujt si ky, për të dominuar mbi Glob, doktrina e kuqe Sovjetike[41]. Shikuar nga ky aspekt mund të justifikohet dalldisja e tij, në të kundërtën nuk ka terapi e cila është aplikuar për sociopat, që mund t’i shërojë indoktrinimet ideologjike.

Ideologjia e së majtës shqiptare në Evropën Perëndimore

Ndarja e blloqeve Lindje-Perëndim do të prodhojë Luftën e Ftohtë[42], e cila lidhej me zhvillimin ekonomik e kulturor që e investoi Amerika në Evropën Perëndimore për ta krijuar Murin e Ashpër Ekonomik[43], me vendet e Evropës Lindore që tashmë ishin rreshtuar pas doktrinës ideologjike Sovjetike, kurse udhëheqja e Bashkimit Sovjetik praktikonte propagandë ideologjike e cila për një kohë të gjatë nuk ishte pa ndikim, ndërsa vet ishte i gatshëm për të paguar çdo çmim për të dominuar në politikën botërore.

Nga ky prizëm, ne do t’i trajtojmë disa aspektet ideologjike të së majtës shqiptare në Evropën Perëndimore, në të cilën llogaritet se penetronin Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës dhe Fronti i Kuq Popullor, të cilat ishin pararoja staliniste e LRSSHJ organizatë kjo e cila me përvijimin e kohës u ndryshua në LPRK. Veprimtaria e së majtës shqiptare nuk duhet parë ndaras nga zhvillimet e gjithmbarshme të asaj që quhej Luftë e Ftohtë[44] e cila ishte një garë e zhvillimit ekonomik dhe ushtarak në mes vendeve të Lindjes dhe atyre në Evropën Perëndimore. Kjo e majtë shqiptare ndërtoi një koncept të pathemeltë, kurse në aspektin shkencor të paqëndrueshëm.

Edhe formimi i Organizatave me orientime të majta komuniste, që kanë vepruar brenda në Kosovë, nën administrimin e Vetëqeverisjes Socialiste Jugosllave, ka qenë në aspektin konceptual e gabueshme pse e kanë zgjedhur drejtuesit ilegal, pasi me veprimet e tyre nuk kanë sjellë asnjë shëmbëllim pozitiv për Kosovën, e aq më pak kanë bërë ndonjë reflektim pozitiv në vendet demokratike në Evropën Perëndimore dhe tek SHBA-të. Gjykimet politike, kanë pasur jehonë të zbehtë, pa asnjë ndikim në aspektin e afirmimit si duhej të çështjes shqiptare në Jugosllavinë Federative.

Kjo ka ardhur për dy arsye: 1. Vendet e Evropës Perëndimore dhe Amerika, kishin nisur një Luftë të tmerrshme Ekonomike kundrejt vendeve nën ndikimin Sovjetik, prandaj as nuk ishin të dëshirueshme dhe as të pranueshme veprimet e majta, aq më pak ato Marksiste-Leniniste e Staliniste, koncept bazë mbi të cilin udhëhiqeshin doktrinat e së majtës shqiptare brenda në Kosovë dhe kudo në botë. 2. Të gjitha Partitë Komuniste dhe ato Marksiste-Leniniste që vepronin në vendet e Evropës Perëndimore[45], kishin një simpati të theksuar për sistemin komunist që udhëhiqte Tito, e sidomos me Vetëqeverisjen Socialiste do të fitonte edhe simpatinë e Perëndimit, pra edhe të Amerikës, bashkë me simpatinë e vendeve Aziatike e Afrikane. Prandaj ilegalja shqiptare në Jugosllavi, ishte e destinuar vetëm për të mbajtur burgje afatgjate dhe të përjetojë vuajtje të shumta, jo vetëm ata që ishin brenda por vuanin edhe më shumë familjarët dhe farefisi i tyre që ishte jashtë burgut. Jo pak janë përjashtuar nga puna, janë etiketuar dhe janë izoluar nga rrethi dhe familja duke i lëçitur si të padëshirueshëm dhe shkatërrues të “Vëllazërim-Bashkimit”, kartë kjo të cilën udhëheqësi jugosllav Josip Broz Tito e ka përdorur me mjeshtri të rafinuar, posaçërisht pas konfliktit Tito-Stalin të 28 qershorit 1948[46].

Vërtetë veprimtaria ilegale në Kosovë e cila udhëhiqej nga pikëpamjet Marksiste-Leniniste e bazuar mbi doktrinën Sovjetike, kundër Jugosllavisë së Titos, ishte paradoks i llojit të vet, si një konflikt konceptesh të cilin kurrë nuk arriti ta kuptojë Perëndimi?! Kjo veprimtari më duket se është ekuivalente me ideologjinë fetare e cila ka marrë përmasa shqetësuese, sidomos pas çlirimit të Kosovës nga Amerikanët. Ky konflikt, qoftë ideologjik apo fetar po e shkatërron Kosovën, e cila më së paku ka pasur nevojë për këto veprime sepse drejtpërdrejt por rrezikohet e ardhmja e Kosovës në gjirin e vendeve Evropiane, të cilat i përkasin Krishterimit dhe emancipimit qytetërues që e kanë arritur vetëm në saje të shkollimit dhe zhvillimit ekonomik si dhe përparimin e aspekteve të tjera kulturore, duke ndërtuar një paketë ligjesh që rregullojnë raportet e njeriut me rrethin dhe shoqërinë.

Ngarendja e shqiptarëve, deri dje pas ideologjisë Sovjetike, e tashti pas Ideologjisë Fetare nga Lindja e Afërt[47], i ka të gjitha elementet për ta klasifikuar si Luftë e Heshtur Antiamerikane, e cila po stimulohet nga shumë anë dhe nga shumë vende, sidomos nga Beogradi, Moska dhe nga Ankaraja[48], por edhe nga vende të tjera të Lindjes së Afërt, duke ndërtuar një terren të ashpër e kundërthënës, me vetveten dhe me parimet themelore të demokracisë të cilat i aplikojnë vendet e Bashkimit Evropian, Amerika si dhe shtetet e zhvilluara në Lindjen e Largët të cilat janë aleati kryesor i sukseseve të Kosovës.

Ngjashmëritë e një ngarendje pas indoktrinimit fetar, duket e ngjashme sikurse vrapimi i së majtës shqiptare në Evropë gjatë viteve të tetëdhjeta e nëntëdhjeta, kur mendonin përmes ideologjisë staliniste, për ta luftuar Socializmin Rozë Jugosllavë. Tashmë çmenduria fetare e shqiptarëve në hapësirën ballkanike është në kundërshtim të plot me të gjitha vlerat Socio-Kulturore që i aplikon Evropa Perëndimore në të cilën flenë kultura e Krishterë. Ky konfrontim fetar, në rritje e sipër, një ditë do ta irriton Amerikën dhe vendet e Bashkimit Evropian, si dhe miqtë tjerë ndërkombëtar, ashtu siç i pat irrituar koncepti stalinist i Partisë së Punës së Shqipërisë Socialiste në krye me Enver Hoxhën, i cili çirrej si këndesi mbi pleh?! Po kështu i patën irrituar vendet e Evropës Perëndimore, veprimtaria e së majtës komuniste në Evropën Perëndimore, organizata këto që drejtoheshin dhe dirigjoheshin nga qendrat më antishqiptare të vendosura në Beograd ose në Moskë.

Lufta e Ftohtë[49], do ta katandis Bashkimin Sovjetik drejtë shpërbërjes, që praktikisht lidhet me vitet 1990-1991, ndërsa një vit më parë Elita Intelektuale e Kosovës e udhëhequr nga ideologu shpirtëror i saj dr. Ibrahim Rugova, do të mobilizohet për ta marrë fatin e Kosovës nën udhëheqjen e duhur, për t’i orientuar proceset drejt Evropës Perëndimore, duke e bërë një shkëputje nga ndikimi i Perandorisë Sovjetike, e cila po shkonte drejt fundit të saj. Ky hap i dr. Ibrahim Rugovës, do t’i korrigjojë gabimet gjysmëshekullore të Organizatave të majta që vepruan në ilegalitet në Kosovë, po sidomos veprimtarinë e së majtës shqiptare në Evropën Perëndimore, veçmas “Frontin e Kuq Popullor” që e udhëhiqte Ibrahim Kelmend, andaj ai nuk ka pse ia mban mërinë as Elitës Intelektuale të Kosovës, as LDK-së që ishte partia e parë antikomuniste, jo vetëm në Jugosllavi, por në tërë kampin e Lindjes, dhe aq më pak duhet ta urren liderin më anti Sovjetik që krijoi koha, i cili ishte dr. Ibrahim Rugova.

Elita Intelektuale e Kosovës, e viteve të 90-ta[50], e prirë nga dr. Ibrahim Rugova, i tha mjaftë më edhe të majtës Sovjetike në Kosovë, duke ndjekur një rrugë tjetër, krahasuar edhe me gabimet e kolosëve të Rilindjes Kombëtare, të cilët atëherë kur po e humbiste ndikimin e saj Perandoria Otomane, u rreshtuan pas saj[51], ashtu siç vepronte e Majta Komuniste në Kosovë, po sidomos e Majta Komuniste në Evropën Perëndimore, me njërin nga ideologët e dështuar Ibrahim Kelmendin, i cili edhe në vitet e 90-ta, edhe gjatë Luftës së Kosovës, por edhe pas çlirimit të Kosovës nga Aleanca Veri-Atlantike, mbeti i rreshtuar pas humbësit Sovjetik, të cilët kurrë nuk patën interesim për shqiptarët, mësa Perandoria Otomane e cila ua plotësonte apetitet vendeve sllave në dëme të interesave dhe territoreve shqiptare, ashtu edhe Rusia po bënë për Serbinë në dëm të Kosovës. Prandaj Elita Intelektuale e Kosovës, e tejkaloi ideologjinë Marksiste–Leniniste të Ibrahim Kelmendit, po sidomos konceptin e Socializmit Rozë Jugosllav, duke mos u bërë pre e lojërave të ndyta sllave ashtu siç vepronte “Fronti i Kuq Popullor” që udhëhiqej nga një demagog ideologjik me emrin Ibrahim Kelmend, përpjekjet e të cilit dukeshin si një Luftë e Shenjtë Ideologjike e cila karshi doktrinës Sovjetike nuk njeh fe e as atdhe, për ndryshe nuk ka pasur asnjë arsye tjetër për t’i ndenjur besnik konceptit ideologjik dhe interesit Sovjetik, që po shkatërrohej[52].

(Vijon…)

Programi Politik i LRSSHJ – Viti 1984

1. “Zëri i Kosovës”, Nr.1/1984, (botimi në Suedi), faqe 6-7.

2. “Zëri i Kosovës”, Nr.1/1984, (botimi në Suedi), faqe 6-7.

3. “Zëri i Kosovës”, Nr.1/1984, (botimi në Suedi), faqe 6-7.

4. “Zëri i Kosovës”, Nr.1/1984, (botimi në Suedi), faqe 6-7.

Programi Politik i LPRK-së, (Pa adresë), i miratuar në Mbledhjen e Parë të Përgjithshme të LPK-së, mbajtur në muajin Korrik të Viti 1987.

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr. 7, – Programi i LPRK-së (1)

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr. 7, – Programi i LPRK-së (2)

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr. 7, – Programi i LPRK-së (3)

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr. 7, – Programi i LPRK-së (4)

*** Dogma ideologjike të Marksizëm – Leninizmit të LPRK-së ***

“Zëri i Kosovës”, (me adresë), Nr. 2, shkurt 1985.

“Zëri i Kosovës”, (me adresë), Nr. 6, korrik 1985.

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr.1-2, janar-shkurt 1988, ballina.

Peticion drejtuar Mbledhjes Ballkanike të Nivelit të Ministrave të Punëve të Jashtme, është një paradoks ideologjik i krerve të LPRK-së të cilët nënshkruhen si organizatë Marksiste – Leniniste. (Shih dokumentin në vijim).

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr.1-2, janar-shkurt 1988, faqe 7.

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr.3, mars 1988, ballina.

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr. 9-10, shtator/tetor 1988, faqe 2.

“Zëri i Kosovës”, (pa adresë), Nr.10, tetor 1989, ballina.

FUSNOTAT:
[1] Sh.Dibrani: E majta ideologjike rrënuese e demokracisë në Kosovë, “Demokracia diktatoriale 2“, faqe 57.
[2] https://sq.wikipedia.org/wiki/Bashkimi_Sovjetik
[3] https://sq.wikipedia.org/wiki/Z%C3%ABri_i_Kosov%C3%ABs_(gazet%C3%AB)
[4] Po aty,
[5] Fadil Lepaja: Politika si zeja më e vjetër, Gazeta „SHQIP“, 27 prill 2016.
[6] Po aty,
[7] Partei der Arbeit Albaniens; https://de.wikipedia.org/wiki/Partei_der_Arbeit_Albaniens
[8] Ndriçim Kulla: Kleri katolik shqiptar dhe zanafilla e proceseve sociale të kombit, Telegrafi.com, 14.09.2018. https://telegrafi.com/kleri-katolik-shqiptar-dhe-zanafilla-e-proceseve-sociale-te-kombit/
[9] Revistë e përjavshme Letrare-Artistike – Organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
[10] “NËNTORI”, revistë e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike. Organ i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë, në kohën e sistemit socialist.
[11] Enver Hoxha. Raport në Kongresin VI të PPSH. Dokumente kryesore të PPSH, vëll. VI, 1978, f. 129.
[12] Po aty, f.465.
[13] Lëvizja Popullore e Kosovës: 1982-1984. LRSSHJ-në e drejton Komiteti Qendror i LRSSHJ-së i përbërë nga 15 anëtarë. Ndër të tjerë edhe Ibrahim Kelmendi. https://sq.wikipedia.org/wiki/L%C3%ABvizja_Popullore_e_Kosov%C3%ABs
[14] SABRI MAXHUNI (NOVOSELLA): A e dini se në Kosovë vepron Organizata Komuniste e quajtur Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës?; 18 JANAR 2017. https://www.botasot.info/opinione/641439/a-e-dini-se-ne-kosove-vepron-organizata-komuniste-e-quajtur-organizata-marksiste-leniniste-e-kosoves/
[15] Xhafer Durmishi: “Programi i Frontit të Kuq” i Ibrahim Kelmendit, në librin “Lvizja e Jusuf Grvalls”. https://vdocuments.mx/libri-levizja-e-jusuf-gervalles-shkruan-xhafer-durmishi.html
[16] Ibrahim Kelmendi: Klubi shqiptar në Dyseldorf të Gjermanisë – Flamurtar i ndërgjegjësimit të emigracionit ekonomik. Pashtriku.org, 26 janar 2018. https://www.pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=7214
[17] “Zëri i Kosovës”, botim i posaçëm, 5 korrik 1990.
[18] Sh. Dibrani: “ZHGËNJIMI BALLKANIK 1+2”, Prishtinë 2005/2006.
[19] Sh. Dibrani: “MANDATI I KONTESTUAR”, Kolona 1-6, St. Gallen 2018.
[20] Sh. Dibrani: “DEMOKRACIA E KONTESTUAR 1+2”, St. Gallen, 2018.
[21] Ibrahim Kelmendi: “A ËSHTË RUGOVIZMI SEKT PA DOGMË SEKTARE – PRANDAJ NË ZHDUKJE?!”, (I. Kelmendi, shkruan kundër një libri që nuk e ka lexuar: “11 MINUTA PARA ORËS ’00 – ose mirazhi i suksesit të LDK-së”, i autorit Shefqet Dibrani, botuar në Prishtinë në vitin 2011). https://www.facebook.com/ibrahim.kelmendi.35/posts/768225086862346
[22] Xhafer Durmishi: “Programi i Frontit të Kuq” i Ibrahim Kelmendit, në librin “Lvizja e Jusuf Grvalls”. https://vdocuments.mx/libri-levizja-e-jusuf-gervalles-shkruan-xhafer-durmishi.html
[23] “Kush jam unë? Kush je ti?” https://www.fjala.info/kush-jam-une-kush-je-ti/
[24] Krahaso: Jule Zentek; “Kapitalismus in Deutschland”, 17. Mai 2016.
[25] The term muzhik, or moujik. https://en.wikipedia.org/wiki/Help:IPA/Russian
[26] Krahaso: DDr. Roland Kley: “PAQJA NDËR DEMOKRACITË”, studim, botoi “Albanisches Institut”, St. Gallen 2007, (Nga gjermanishtja përktheu mr. Zef Ahmeti).
[27] “Kush jam unë? Kush je ti?” https://www.fjala.info/kush-jam-une-kush-je-ti/
[28] Partia Komuniste e Zvicrës u themelua në vitin 1921 dhe u ndalua në vitin 1940. Partia Komuniste u bashkua në vitin 1943 me Federatën Socialiste të Zvicrës në Partinë e Punës (PdA). Presidenti i saj i parë ishte Franz Welti. Themelimi i saj dukej se ishte opozitë e Partisë Social Demokratike (PS). Në vitet 1919 dhe 1920, SP refuzoi të bashkohej me Kominternin dhe kështu provokoi ndarjen e pjesëve të partisë nën Franz Weltin. Në Kongresin e Bashkimit të së Majtës Socialiste, më 5 dhe 6 mars 1921 në Cyrih, u bashkua grupi i Weltit me “Komunistët e Vjetër”, një parti e parë komuniste e themeluar nga Jakob Herzog në vitin 1918 dhe u vendosën themelet e KPS. Në atë kohë, partia numëronte rreth 6,000 anëtarë.
[29] Po aty…
[30] Metropoliti i Malit të Zi: Serbia është komb i rrenësve, malazezët nuk janë serbë, GAZETAEXPRESS E premte, 11 Janar 2019. https://www.gazetaexpress.com/lajme/metropoliti-i-malit-te-zi-serbia-eshte-komb-i-rrencave-malazezet-nuk-jane-serbe-614780/
[31] Xhafer Durmishi: “Programi i Frontit të Kuq” i Ibrahim Kelmendit…
[32] Lëvizja Popullore e Kosovës: 1982-1984. LRSSHJ-në e drejton Komiteti Qendror i LRSSHJ-së i përbërë nga 15 anëtarë. Ndër të tjerë edhe Ibrahim Kelmendi. https://sq.wikipedia.org/wiki/L%C3%ABvizja_Popullore_e_Kosov%C3%ABs
[33] Die Deutsche Demokratische Republik (DDR) war ein Staat in Mitteleuropa, der von 1949 bis 1990 existierte. https://de.wikipedia.org/wiki/Deutsche_Demokratische_Republik
[34] Geschichte Ungarns. https://de.wikipedia.org/wiki/Geschichte_Ungarns
[35] Geschichte der Tschechoslowakei. https://de.wikipedia.org/wiki/Geschichte_der_Tschechoslowakei
[36] Geschichte Polens. https://de.wikipedia.org/wiki/Geschichte_Polens
[37] De fakto SIGURIMI, shërbeu për të shtypur veprimtarinë politike tek popullata dhe ruante qëndrimin e sistemit politik ekzistent në pushtet. https://sq.wikipedia.org/wiki/Sigurimi_i_Shtetit
[38] Andrea Stefani: SHBA nuk janë “Imperializmi Amerikan” i Enver Hoxhës, gazeta SHQIP 11 Nëntor 2013. http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/11/11/shba-nuk-jane-imperializmi-amerikan-enver-hoxhes/
[39] Reagimet e Ibrahim Kelmendit edhe kundër SHKRIMTARIT Shefqet Dibrani, janë të pajustifikueshme.
[40] Mr. Zef Ahmeti: IBRAHIM RUGOVA: Ein Leben für Frieden und Freiheit im Kosovo”, Verlag “Tradition”, Hamburg 2017.
[41] Krahaso: Bogdan Musial: “Stalins Angriffspläne für den Westen”.
[42] Kathleen Burk: “Lufta e Ftohtë nuk përfundoi asnjëherë”, Telegrafi.com, 23.04.2017. (Lufta e Ftohtë është një term që tregon periudhën midis vitit 1945, kur qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar vendosën që, armiqësia e BRSS ndaj ‘Perëndimit’ ishte faktori themelor në çështjet ndërkombëtare dhe vitit 1991, kur fundi i BRSS-së, shënoi fitoren e SHBA dhe aleatëve të saj). https://telegrafi.com/lufta-e-ftohte-nuk-perfundoi-asnjehere/
– Krahaso: Përparim Kabo: “Muri, ideologjia, sindromi!”, Gazeta Telegraf, 10 Nëntor 2014. http://telegraf.al/aktualitet/perparim-kabo-muri-ideologjia-sindromi/
[43] DDr. Roland Kley: “PAQJA NDËR DEMOKRACITË”, studim, botoi “Albanisches Institut”, St. Gallen 2007, faqe 124. Nga gjermanishtja përktheu Zef Ahmeti.
[44] Përparim Kabo: “Muri, ideologjia, sindromi!”, Gazeta Telegraf, 10 Nëntor 2014. http://telegraf.al/aktualitet/perparim-kabo-muri-ideologjia-sindromi/
[45] Partia Komuniste e Francës (PCF, Partia Komuniste Gjermane e Francës) është Partia më e madhe Komuniste në Evropën Perëndimore me 138,000 anëtarë.
[46] Jeronim Perovic: “Albanien-Frage führte zum Bruch zwischen Stalin und Tito”. NZZ, 24.6.2008. (Am 28. Juni 1948 ist die Kommunistische Partei Jugoslawiens aus dem von Moskau kontrollierten Kominform ausgeschlossen worden. Der Bruch wird meist mit den Bestrebungen Belgrads nach einem eigenen Sozialismus erklärt. Neue Dokumente belegen aber, dass es vor allem eine machtpolitische Auseinandersetzung war, die sich an Albanien entzündete). https://www.nzz.ch/die_albanien-frage_als_ausloeser_des_bruchs_zwischen_stalin_und_tito-1.767030
[47] Hans Waldenfels: “Der Islam: Religion und Politik”, Heinrich Oberreuter (Hg.), 2004, ISBN: 978-3-506-71768-9.
[48] Zeqirija Ibrahimi: “Erdoganizmi vs. Titizmit”, “Orientalizmi (sipas Edward Saidit) është tipik për interpretimet ideologjike të Orientit, në këtë rast kemi një stereotip që përdoret në kushte bashkëkohore”. https://orientalizmi.wordpress.com/2015/03/10/erdoganizmi-vs-titizmit/.
[49] Nikolaus Katzer: „Ideologie und Pragmatismus in der sowjetischen Auserpolitik, 18.12.2008.
– Krahaso: Përparim Kabo: “Muri, ideologjia, sindromi!”, Gazeta Telegraf, 10 Nëntor 2014. http://telegraf.al/aktualitet/perparim-kabo-muri-ideologjia-sindromi/
[50] Florent Rrahmani: “Politikani intelektual dhe intelektuali politikan”, GAZETAEXPRESS, E enjte, 15 Janar 2015. https://www.gazetaexpress.com/shkurt-e-shqip/politikani-intelektual-dhe-intelektuali-politikan-73759/?archive=1
[51] Sh. Dibrani: “11 MINUTA PARA ORËS ’00, ose mirazhi i suksesit të LDK-së”, Prishtinë 2011. “Kulti i sakrifikimit në lëvizjen paqësore të dr. Ibrahim Rugovës”, faqe 497.
[52] Rënia e Bashkimit Sovjetik, “kishte të bënte pa kurrfarë dyshimi me kthesa në politikën botërore të viteve 1989 deri në vitin 1991”, kur “modeli burokratik – socialist” kishte humbur ndikimin e tij”, Roland Kley, libri i cituar.

[ HYRJE – PËRMBAJTJA ]