HAPET SEZONI TURSITIK NË PERLEN E PASHFYRTËUAR TË ALPEVE, NIKAJ MERTUR

0
3283
Gjon Neçaj

Gjon Neçaj

Ndonëse paraditen e sotme moti nuk kurseu shiun, drejt Nikaj Merturit, banorë dhe të ardhur që ditën e parë nga vendet ku banojnë, madje edhe nga Europa e vende të tjera, u turrën si zogjtë drejt folesë, për të marrë pjesë në fesën tradicionale, por tashmë me një synim, hapja e sezonit turistik në Parkun Natyror Rajonal të krahinës.

Kështu e nisi fjalën e tij përshëndetëse Gjevalin Gjeloshaj, administratori i Njësisë Administrative, organizatori dhe ideatori i këtij evenimenti të veçantë me përkrahjen e fondacionit gjerman GIZ.

Ky aktivitet festiv mbështetej nga Bashkia Tropojë, nën kujdesin e drejpërdrejtë të krytarit Basnik Dushaj, i cili nderonte në marrjen pjesë së bashku me punonjës të bashkisë, drejtues të qeverisjes vendore, intelektualë të krahinës dhe Tropojës. Gjithashtu merrnin pjesë deputetja e nderuar e parlamentit të Shqipërisë, Mimoza Hajdarmataj dhe deputetja e nderuar e parlamentit të Kosovës, Teuta Haxhiu.

Si rrallë herë, sot në Nikaj Mertur kishte një atmosferë të bukur e festive, ku përmes këngëve, valleve dhe panairit me ushqime tradicionale të zonës, u shpalosen vlerat e kësaj perle të paeksploruar të natyrës shqiptare.

Në fjalën e tij përshëndetëse, mes të tjerave, kryetari i bashkisë Basnik Dushaj, theksoi se në këtë vend, në pak kilometër katror, vijnë njëri pas tjetrit si në një valëzim epik, fshatrat tuaja, nga Brisa në Qeresh, kullat e bardha shpesh si mbetje kalash, e më lart malet, bjeshkët dhe harku i Alpeve, që fillon me Ershellin deri te maja e Kores.

Por në kaq pak hapësirë gjeografike zor se gjen vend tjetër në botë që të ketë kaq resurse turistike, nga ujërat e liqenit deri te ortigjet e Ndermanjës, lëndinat e mahnitshme të Salcës e Palçit, Vrana e Piku, shpella e Kakverrit e lumi i Pjasë, Listrami e Vorri i Fratit, dhe magjja e alpeve shqiptare, Curraj Epër, në dy anët e lumit të kristaltë, me tre emrat e tij në tre vendet ku kalon, lumi Curraj, lumi i Kuqit, lumi i Mërturit.

Nikaj Mërturi është shpallur Park Natyror Rajonal, duke tërhequr vëmendjen e turistëve vendas e të huaj. Kënga e bukur “Në Nikaj Mërtur, ku mbin lulja përmbi gur”, nuk ka thjeshtë kuptim rime poetike, por në fakt ky vend ka shumë pasuri, dhe mbi të gjitha njerëzit e saj aq fisnikë e punëtorë.

Ne synojmë që kjo zonë të shndërrohet në një atraksion turistik të pëlqyer për turistët nga vendi e bota, dhe për të arritur këtë, ne bashkia Tropojë duhet dhe do të bëjmë të pamundurën për përmirësimin e infrastrukturës turistike, çka do të thotë të investohet në këtë zonë në rrugë, furnizim me ujë, energji elektrike, në shërbim shëndetësor, por që të kemi sukses në këtë fushë, nuk mund të mjaftojnë vetem këto, por është shumë e nevojshme që të gjithë banorët e zonës suaj të binden se turizmi është një aset shumë i rëndësishëm, që do të sjellë zhvillim të shpejtë e të qëndrueshëmm në zonën tuaj, tha ndër të tjera Besnik Dushaj.

Fjalë përshëndetëse për pjesëmarrësit e shumtë, shprehen edhe deputetet e Malësisë së Gjakovës, Mimoza Hajdarmataj dhe Teuta Haxhiu.

Këngëtarët e ardhur në festën e vendlindjes, me këngët e tyre të bukura kushtuar Nikaj Merturit, traditave dhe heroizmit shekullor të kësaj treve, i dhanë larmi duke kënaqur pjesëmarrësit, por edhe duke marrë duartrokitje prej tyre.

Në fund, pjesëmarrësit viziatuan panairin me ushqime tradicionale të zones, duke i shijuar me kënaqësi ato.