Një mozaik i bukur poetik

0
649

Fatmire Duraku, “Gjaku i trëndafilit”, ribotoi N Sh “Fad”, Prishtinë, më 2019

Nga Rexhep Halimi

Në vitet e fundit, nga radhët e shkrimit të letrareve këtu, poezia e “Gjaku i trëndafilit”, mendoj se është një nga ato libra që shquhet për veçanti dhe shkrim tejet të suksesshëm e të veçantë. Kjo dhe nuk është për t`u habitur, përkundrazi do përshëndetur zërin unik të shfaqur në krijimtarinë tonë të re.

Autorja,Fatmire Duraku, ka vite shkruan me sukses prozë dhe poezi për fëmijë dhe të rritur. Në radhën e një bagazhi të konsiderueshëm veprash, ajo tashmë botoi dhe librin e radhës me poezi “Gjaku i trëndafilit”, të cilit i prin poezia “Epitaf për vete”. Libri është ndarë në tri cikle “Tërësisht unë”, “Kulla në erë” dhe “Penjëza të padukshëm”, që e përbëjnë në tërësi synimin e autores për të krijuar një rrjedhë të veçantë në poezinë e shkruar këtu një model i cili rrënjësisht dallon nga krijimet poetike në përgjithësi.

Poezia, në këtë rast, është e punuar me veçanti dhe ka tendencë që secila sosh të ndërlidhet me krijime të dallueshme brenda librit, për ta krijuar rrjedhën specifike që e ka marrë si pikënisje apo dhe për ta krijuar një mozaik të bukur, një zë të pëlqyeshëm poetik dhe fundja një poemë moderne për të sotmen dhe valët lirike, të cilat ajo i ndien dhe i prek në frymëmarrjet e përditshme, duke i dhënë secilës njësi, në këtë rast secilës poezi dhe veçantinë e posaçme.

Duraku, tashmë me përvojë, deri tash ka krijuar disa vepra, për të rritur dhe për fëmijë, të cilat kanë zgjuar kërshërinë e lexuesit dhe të kritikës sonë. Deri më tash ka botuar tri romane, pesë libra me poezi dhe nëntë libra me tregime për fëmijë. Libri më i ri me poezi për të rritur “Gjaku i trëndafilit” shquhet për nga tërësia e njënjëshme poetike lirike. Shquhet sidomos shkrimi për nga stili dhe thellësia e mendimit, rrjedha tematike, motivet e fuqishme dhe vargjet e ndërtuara dhe të kultivuara estetikisht. Ka ndër vargje sensibilitet lirik, porosi ekspresive dhe strukturime të mjeshtërisë poetike. Gjuha është e zgjedhur dhe koncize. Në këtë mënyrë realizohen mesazhe të forta e të goditura poetike. Dallohen sidomos ato tekste poetike, të cilat prekin të kaluarën tonë të largët.

Përveç kritikës sonë, e cila e ka mirëpritur secilën paraqitje të saj, duke e veçuar sa herë, secilin libër të autores Duraku e kanë mirëpritur dhe lexuesit për secilën paraqitje të saj, qoftë në poezi apo në prozë, të jetë ai shkrim për fëmijë apo për të rritur.

Ja si shprehet kritiku i njohur Prend Buzhala për poezinë e autores, i njëjti, duke u i cilësuar tekstin poetik me veçime të posaçme. Libri poetik “Vagëllimë mbi ujë” e krijueses së re Fatmire Durakut , jep edhe një dëshmi tjetër në favor të artit e të përkushtimit krijues: e ndiejmë pjekurinë krijuese, e cila na bind për një përvojë të së bukurës , si kategori estetike. Fatmire Duraku, tashmë e ka krijuar profilin e sa artistik, duke shkruar me ngulm si prozën, kryesisht zhanrin e romanit, ashtu edhe poezinë.”

“Në poezitë e Fatmire Durakut, hetohet dendur një pietizëm i veçantë, një shprehje që shkrimin e bën mjaft modern. Ajo përsiatet për një mori preokupimesh, siç janë liria, kitara, heshtje, kalaja, vetë poezia, kujtimi për nënën dhe jeta e përbërësit e saj të tjerë. Në refleksionet poetike të autores ndërfuten dhe elemente bardalike, si ajo për Ago Ymerin, ngjyrimet e imazheve të ndryshme si realitet jetësor apo si pamje ëndërrimi. Duhet cekur se autorja posedon edhe prirjen për sinteza poetike, tek pikësynojnë edhe nivele të tjera të artit poetik, thekson ndër të tjera” Ragip Sylaj.

Do theksuar dhe zërin e lexuesit, i cili kumbon fuqishëm dhe e shoqëron secilin botim të autores me shkrimet dhe përshtypjet e veçanta.

“Libri “Gjaku i trëndafilit është njeri ndër librat e shkruar me përkushtim, me shume invencion dhe imagjinate te rralle. Mendoj se është njeri nder librat e mirë të shkruar kohëve të fundit te ne”,thekson Ilaz Keka, nga Berlini, ndërsa Emilio Axhituli, thotë:

“Për ta kuptuar më lehtë dhe më drejtë mendimin e thënë në librin “Gjaku i trëndafilit” duhet ditur për të lexuar mirë poezinë. Arti i të lexuarit, të poezive në fushën e madhe të letërsisë shqipe, pra kontakti i parë me poezinë është leximi i thjeshtë, pas të cilit lexuesi ta thotë troç atë që ndjen gjatë leximit, e vetëm më pastaj vjen kontakti i studiuesit me poezinë, i cili e shpreh nivelin e poezisë. Unë jo vetëm që e lexova këtë libër por thënë me një fjalë e lëvrova së lexuari.

Kjo lloj poezie e ngrit lart-lart nivelin artistik të poezisë sonë. Autorja me këtë libër, jo vetëm që begaton bagazhin e saj krijues, i cili sa unë kam lexuar ishte shumë i bujshëm, por edhe begaton letërsinë shqipe në përgjithësi. Poezinë e me motive dashurie, poezinë me motive të vendlindjes, poezinë lirike-epike e ngrit në nivel aq të lartë sa që shumica e poezive janë antologjike.

Duhet cekur se që me poezinë e parë ( si dhe në poezitë e librit paraprak “Peri i padukshëm”) autorja Duraku tregon pjekurin e saj të të shkruarit rrjedhshëm e me emocion, me domethënie e kuptim të shumëfisht. Këto dy libra të ardhura kohëve të fundit në bibliotekën e qytetit tonë më bën për vete dhe shkrova këto dy fjalë që autorja ta kuptoj se poezia e saj jo që ka nivel të lartë artistik, por janë vargje që mund të shkruhen nga pak autor këtu tek ne”.

Kaq sa zëri i kritikës, kaq dhe zëri i lexuesit, është i pashmangshëm për ta ndjerë dhe për ta vlerësuar çdo gjë të bukur, të cilën e sjell ndonjë libër i ri, si ky.