DELEGIM APO PROKURË?!

0
697

AV. XHABIR ZEJNUNI

“Unë i nënshkruari Edi Rama në funksionin e Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm, ia delegoj detyrën e ministrit zv/ministrit Gent Cakaj”. Kjo ishte edhe “formula e pagëzimit” të Ramës për Cakajn, të cilën Rama e shoqëroi duke bërë kryqin trish dhe më pas AMEN.

Në lidhje me frazën më lart, Rama deklaroi më vonë se “Kjo, është fraza më e shkurtër e jetës sime”. Në fakt, nuk është ashtu, pasi fraza më e shkurtër e Ramës (deri më sot!), është se “Nuk keni parë asgjë akoma”. Me sa duket, Rama ka shumë të drejtë, pasi presim të shohim më shumë prej tij në të ardhmen(….)!

Kurse Cakaj me vrullin rinor që karakterizon çdo të ri, bashkë me emocionet e papërshkruara të këtij delegimi (gati hyjnor!), deklaroi se “Të qenit drejtues i këtj institucioni me kompetenca të deleguara nga Rama, është një start goxha i garantuar në dritën e “zjarrit të akuzave të pa baza”. Një jurist si Cakaj, pikërisht pse ai është jurist, nuk do duhej të pranonte këtë lloj delegimi mediatik. Pavarësisht zjarrit të lëshuar drejt tij! Më mirë do ishte nëse ai do rrinte i strukur akoma në “llogoren” e tij.

Reagimet, si zakonisht nuk vonuan, si nga opozita (dhe ndonjë zanatçi ish institucional shumë idhnak!), por edhe nga ekspertët dhe kostitucionalistët.
Opozita, edhe mund të justifikohet prej hallit, pasi nëse Rama thotë se “dielli lind nga lindja”, atëherë opozita do e kundërshtojë atë duke thënë se “dielli lind nga perëndimi”. Madje, pse jo edhe nga veriu apo nga jugu.

Kurse ekspertët dhe kostitucionalistët, u treguan pak të lëkundshëm, ose e justifikuan si të pranueshëm kushtetutshmërisht këtë delegim!
Rama, në cilësinë e DY roleve – institucionale dhe kostitucionale që tashmë ai i mban -, i delegoi një vartësi të tij postin e ministrit. Në të dyja rastet, ky delegim është antikushtetues dhe antiligjor.

Në rastin e parë, Rama në cilësinë e Kryeministrit, nuk mund t’i delegojë një zëvendës ministri postin e ministrit, pasi ky delegim nuk parashikohet as nga Kushtetuta dhe as nga ligji.

Në rastin e dytë, Rama në cilësinë e Ministrit, mund t’i delegojë përkohësisht vartësit të tij disa detyra formale, në raste urgjente ose të paparashikuara. Nuk duket për momentin se Rama si Ministër ndodhet në ndonjë situatë të tillë kaq delikatë për kombin (dhe për atë!), aq sa të justifikojë këtë delegim.

Problem tjetër, është se Rama duke qenë “Ministër ad interim”, ose i përkohshëm – de jure dhe de facto – (pavarësisht dekretit presidencial që e njeh atë vetëm si Ministër!), nuk mundet që nga ana tjetër këtë post të përkohshëm t’ja delegojë de facto përkohësisht vartësit të tij dhe të mbajë për vete cilësinë de jure.

Por, problemet nuk mbarojnë me kaq.
Më parë ndonjë sqarim të nevojshëm.
Çfarë është delegimi.

Delegimi, në të drejtën administrative është ajo masë administrative, që duhet ta parashikojë edhe ligji, kur një organ titullar i delegon kryerjen e një detyre në kompetencë të tij, një organi vartës. Përkohësisht në këtë rast. Pra, i delegohet një pushtet, një subjekti tjetër që nuk e ka. Delegimi, parashikon kështu pushtetin e subjektit delegues mbi subjektin e deleguar.

Një subjekt, e ushtron funksionin e tij “de facto” dhe “de jure”.
De facto (ose realisht) është një term latin, që përdoret në gjuhën juridike ose të zakonshme, për të treguar një element që praktikisht është në fuqi, por që i mungon njohja zyrtare.

De iure (ose me të shkruar) është një term latin, që do thotë “sipas ligjit” dhe përdoret për çështje që i përkasin ligjit, që do thotë se njihet zyrtarisht.
Ligji Nr. 9000, datë 30.01.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, tek neni 6, par. 2, parashikon se “Zëvendësministri zëvendëson ministrin, në kuptimin e pikës 1 të nenit 34 të Kodit të Procedurave Administrative. Zëvendësministri emërohet dhe lirohet nga detyra nga Këshilli i Ministrave, me propozim të Kryeministrit.

Me urdhër të ministrit, zëvendësministrit i caktohen edhe detyra të tjera”. Edhe neni 34, par. 1, i KPA, me titull “Zotësia për të vepruar në procedurën administrative” disponon se “Një organ publik, palë në një procedurë administrative, vepron nëpërmjet përfaqësuesit ligjor të përcaktuar sipas ligjit ose titullarit të institucionit, kur nuk ka përfaqësues ligjor të caktuar”.

Kuptohet qartë se Kryeministri ka tagër vetëm të emërojë dhe të lirojë nga detyra një zëvendës ministër, por jo që ai të delegojë një zëvendës ministër në postin e ministrit. Ose më saktë, si në rastin konkret ta promovojë atë!

Ndërsa ministri mund të delegojë përkohësisht kompetencat e tija vartësit të tij. De facto dhe de iure në respektim të ligjit. Dhe jo vetëm de facto siç bëri Rama me Cakajn.

Po ashtu, Kushtetuta përcakton shumë qartë se asnjë ministër nuk mund të marrë detyrën pa u betuar ai më parë tek Presidenti. Pasi të jetë shqyrtuar miratimi në Parlament i dekretit të Presidentit. Cakaj në rastin në fjalë nuk ndodhet në këto kushte, pasi ai është vetëm Ministër de facto i Jashtëm i deleguar nga Rama, por i padekretuar nga Presidenti dhe i votuar më pas nga Parlamenti.

Po sikur larg qoftë të ndodhemi REALISHT para atyre situatave të tilla dramatike – të papritura ose të pritura – ku Rama të mos mund të ushtrojë postet e tija si Kryeministër apo si Ministër de jure, si do i bëhet hallit? Në rastin e Kryeministrit, nuk ndodh asgjë, pasi kemi Zëvendës Kryeministrin Braçe, i cili sipas Kushtetutës merr në duar edhe postin e Kryeministrit. Po në rolin e Ministrit de jure, kush do e zëvendësojë Ramën? Cakaj?

Jo. Pasi Cakaj, duhet më parë të propozohet për dekretim, më pas të dekretohet nga Presidenti dhe më pas të shqyrtohet ky dekret ne Parlament, i cili nëse pranohet, atëherë i jep mundësi Cakës që të betohet para Presidentit. Por, vetëm nëse Braçe bën propozimin përkatës. A ka tagër Braçe në këtë rast? Nga ana tjetër, a do mund të dorëhiqet Cakaj? Jo. Pasi nuk është ndjekur procedura e rregullt kushtetuese për t’u bërë ministër. Vetë Kushtetuta në nenin 99, është shumë e qartë kur disponon se “Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”.
Problem tjetër.

Kushtetuta tek neni 100, par. 4, disponon se “Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues”.
Në rastin tonë, lindin disa pyetje.
1. Kush do jetë ministri propozues: ministri de iure, apo ministri de facto?
2. Kush do jetë personi nënshkrues: Përveç Kryeministrit, ministri de iure, apo ministri de facto?

3. Kur do jenë të vlefshme aktet: Kur të nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri de iure apo Kryeministri dhe ministri de facto?

Në rastin e parë, kemi ministër propozues Ramën de iure ose Cakajn de facto. Ose të dy bashkë!

Në rastin e dytë, kemi nënshkrues Ramën Kryeministër plus Ramën Ministër de iure, ose Ramën Kryeministër plus Cakajn Ministër de facto. Ose tre firma së bashku për siguri!

Në rastin e tretë, kemi vlefshmëri të aktit kur ai nënshkrohet nga Rama Kryeministër plus Rama Ministër de iure, ose nga Rama Kryeministër plus Cakaj Ministër de facto. Ose edhe këtu tre firma së bashku për siguri!

Si zgjidhet ky problem atëherë? Këtë problem, nuk janë në gjendje ta zgjidhin as edhe ata që e krijuan. Me ose pa koshiencë!

Nuk duhet harruar edhe një fakt shumë i rëndësishëm, se politika e jashtme nuk eshte ekskluzivitet i Qeverise, pasi ajo përfshin Parlamentin dhe Presidentin.
Duhet kujtuar po ashtu se Presidenti ka tagrin ligjor që të përfaqësojë Shqipërinë edhe në nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në saje të Ligjit Nr. 43, datë 21.04.2016 “Për marrëdëniet ndërkombëtare të Shqipërisë”. Por, në zbatim të këtij ligji, mund të lindin shumë problem për arsye mospajtueshmërie ligjore(…)!

Edhe pse pozita dhe opozita klithin dhe ulërijnë, gërvishin fytyrat (edhe maskat!), shkulin flokët (kush i ka!), ata nuk do i drejtohen Gjykatës Kushtetuese (kur ta krijojnë atë!), për të vendosur mbi kushtetutshmërinë e atyre problemeve që ata vetë i krijuan në ortakllëk!

Sidoqoftë, mos vallë kemi të bëjmë me prokure, apo me delegim kompetencash(….)?!