Lazer Stani: Libri po trajtohet nga qeveria si “armik publik”

0
670

Shekulli, më 25.01.2019 nga Eno Shkëmbi

Anila Dedaj

Vendimi i ri i Qeverisë për rritjen e TVSH-së në shitjen e librit me 6%, edhe pse, sipas tij është i gabuar, nuk e ka befasuar shkrimtarin Lazer Stani. Ai pohon se tek ne libri trajtohet si “armik publik” prej vitesh dhe politikat e Qeverisë kanë si qëllim të vetëm “sundimin dhe, nëpërmjet sundimit, zhvatjen”. Një qëndrim i tillë për shkrimtarin është anti-perëndimor. “Sepse shqiptarët, nëse kanë një dëshmi të patjetërsueshme të qenësisë së tyre perëndimore, europiane, kjo është letërsia e tyre”. Përsa i përket qasjes së shqiptarëve ndaj librave, sipas shkrimtarit një hap i tillë do të bëjë që situata të përkeqësohet, kjo edhe sepse siç ai pohon të gjithë treguesit e jetës janë përkeqësuar. Duke bërë një krahasim me situatën në vendet e tjera, shkrimtari rrëfen se ndërsa në Perëndim një libër i shtrenjtë kushton e shumta dy orë punë, në Shqipëri një libër me çmim mesatar kushton sa tetë orë pune të rëndë. Në kushte të tilla, sipas tij: T’i vësh faj këtij punëtori pse nuk blen një libër nuk duhet të kesh zemër njeriu! Në rolin e autorit, Stani rrëfen edhe se si ndikojnë tek kjo kategori politikat aktuale të taksave mbi librin. Për faktin që parlamentarët e kanë miratuar (pothuajse) unanimisht ligjin në fjalë ai shprehet se përsa kohë drejtohemi nga individë që nuk i takon kurrë në librari, në Panaire të Librit nuk mund të presësh se “deputetë të tillë do të mendojnë për lexuesin, për shkrimtarët, për kulturën në përgjithësi”.

Zoti Stani, Qeveria në fund të vitit që shkoi miratoi rritjen e TVSH-së në shitjen e librit, çka do të thotë që çmimi i librave do të jetë 6% më i shtrenjtë. Në një kohë që po flitet për rënie të ndjeshme të numrit të lexuesit, si e gjykoni një lëvizje të tillë?

Nuk më befason ky vendim i ri i qeverisë. Ka vite që libri trajtohet si “armik publik”. Ashtu trajtohet edhe inteligjenca krijuese, shkrimtarët dhe poetët. Një armiqësi e pashpallur, por që ndihet gjithandej, e frymëzuar nga politika dritëshkurtra, primitive, që kanë vetëm një pikësynim: sundimin dhe, nëpërmjet sundimit, zhvatjen. Ky qëndrim ndaj librit, më duket dhe një qëndrim anti-perëndimor gjithashtu. Sepse shqiptarët, nëse kanë një dëshmi të patjetërsueshme të qenësisë së tyre perëndimore, europiane, kjo është letërsia e tyre. Ashtu filloi letërsia shqipe që në shkrimet e para, si një letërsi perëndimore.

Muzika, mënyra e jetesës, religjioni, sjellja, morën shumë tipare lindore gjatë pushtimit të gjatë osman, letërsia erdhi si klithmë e shpirtit perëndimor të shqiptarëve, që me Bogdanin e Jeronim de Radën e deri tek autorët modernë. Pra, ne nuk kemi asgjë më perëndimore se letërsinë tonë, asnjë dëshmi më të fortë të lidhjes sonë organike me Evropën. Është kjo arsyeja që diktatura, u përpoq ta gjymtonte trashëgiminë tonë letrare, duke hequr nga qarkullimi e ndaluar pothuajse gjithë këtë trashëgimi. Por as diktatura nuk ia doli ta bënte letërsinë tonë lindore. Pasardhësit e të njëjtës politikë ndjekin strategji tjetër, duan ta bëjnë librin të paaksesueshëm nga lexuesi. Dhe si bëhet kjo? Nëpërmjet taksave, tarifave, rritjes artificiale të çmimit të librave, aq sa lexuesi të mos guxojë t’i prekë.

Librat janë të mirë kur myken në rafte, ose kur përmbyten dhe digjen, siç ndodhi me librat në Bibliotekën Kombëtare. E vërteta është se librat, edhe pa këtë taksë të re, kanë qenë të shtrenjtë për buxhetin e rrudhur të familjeve shqiptare. Çdo lexues që blen një libër në librari më duket se bën një sakrificë përtej mundësive të tij. Unë vërtet jam ndjerë shumë i emocionuar prej të gjithë atyre lexuesve që i kanë blerë librat e mi gjatë këtyre viteve. Kur botuesi më tha se do ta ribotonte librin tim me tregime “Kohë për Nuse”, ngaqë të gjitha kopjet i ishin mbaruar, vërtetë u ndjeva shumë i emocionuar dhe nuk dija si t’ua shprehja mirënjohjen të gjithë atyre të panjohurve që kishin blerë librin tim. Sepse edhe unë vetë vihem në vështirësi kur dua të blej një libër. Për shembull, ka disa muaj që dua të blej “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” të Kolec Topallit, por ende nuk e kam blerë.

Mendoni se nëse në 2017-ën 1 milion shqiptarë nuk lexuan asnjë libër, rritja e çmimeve do ta përkeqësojë situatën?

Sigurisht që do të përkeqësohet. Kemi hyrë në një vit kur të gjithë treguesit e jetesës janë përkeqësuar. Del në treg dhe shikon se një kilogram qepë kushton 1500 lekë, një kilogram spinaq, 2200 lekë. E pyes shitësin “Çfarë ka bërë vaki kështu me qepët? “Vijnë nga Franca”, m’u përgjigj shitësi duke kryqëzuar duart mbi gjoks. Për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht. Dështim llahtar i politikave ekonomike. Dhe para se të lexojë, të argëtohet, të shikojë një film, apo të ndjekë një shfaqje në teatër, njeriu duhet të ushqehet. Varfërimi progresiv i shoqërisë, i shumicës së familjeve shqiptare, sjell me vete regresin shpirtëror dhe kulturor. Në këto kushte nuk mund të presësh rritje të lexuesve, përkundrazi, pritet tkurrje e tyre e mëtejshme. Në Perëndim një libër kushton zakonisht sa pagesa e një ore pune, një libër i shtrenjtë e shumta sa dy orë punë, ndërsa një libër, libri im përshembull, kushton sa tetë orë pune të rëndë rraskapitëse në ndërtim. T’i vësh faj këtij punëtori pse nuk blen një libër nuk duhet të kesh zemër njeriu.

Vendet e BE-së, por jo vetëm, kanë ndërmarrë masa lehtësuese duke vendosur TVSH të ulët (maksimumi 4%), ndërkohë që në po synojmë integrimin, sa logjike është që ne të mos zbatojmë pikat e Marrëveshjes së Stabilitetit dhe Asocimit, duke mos u konsultuar me grupet e interesit?

Nuk shikoj logjikë evropiane në asnjë vendim të kësaj qeverie. Nuk ka si të ndodhë ndryshe as në politikat me librin. Ne nuk mund të krahasohemi me vendet europiane, qoftë edhe për shkak të tregut. S’mund të krahasohet tregu shqiptar i librit me tregun italian, gjerman, apo francez, për të mos përmendur atë anglez. Tregu ynë është i kufizuar, që edhe me politika mbështetëse e ka të vështirë të funksionojë. Një treg ku librat kanë një tirazh pesëqind ose një mijë kopje, është treg i dështuar që në nisje. Pyeti botuesit se cili, është fitimi për një tirazh të tillë, edhe nëse ai shitet qind për qind brenda vitit. Pyeti autorët. Treguesit janë qesharakë. Unë habitem me keqdashjen e kësaj qeverie që kërkon të nxjerrë dhjamë nga pleshti. Nëse librat e shumtë nuk do të vetëfinancoheshin nga autorët, të afërmit apo dashamirësit e tyre, shumica e shtëpive botuese do të kishin falimentuar me kohë e vakt. Dhe në fakt kjo është një anomali që duhet të marrë fund. Është mjerim që autorët të vetëfinancojnë botimin e librave të tyre, është fund kulturor.

Disa nga botuesit janë shprehur se edhe tirazhet e botimit vitet e fundit janë pakësuar. Ju jeni dy shkrimtarë në familje. Sa e vështirë është për ju të çoni librat tuaj te lexuesi?

Ç’është e vërteta unë nuk jam marrë në asnjë rast me librin pasi ia kam dorëzuar atë botuesit. Madje as promovime të librave të mi nuk kam bërë ndonjëherë, përveç rasteve kur kam qenë i ftuar nga institucione të ndryshme kulturore, ose arsimore. Por në përgjithësi mediat dhe kolegët shkrimtarë apo kritikë kanë qenë dashamirës, kështu që librat e mi, përveç dy botimeve të fundit, nuk gjenden më në treg. E di se kjo nuk është gjë e mirë, por dhe autoreklama më duket e tmerrshme. Por në aspektin personal jam i kënaqur me botuesit e librave të mi, nga Zija Çela, botuesi i librit tim të parë e deri te Frano Kulli, botuesi i dy librave të mi të fundit.

Mendoni se duhet të ketë më tepër lehtësira financiare dhe mbështetje nga ana e Qeverisë për autorin?

Kjo pyetje më solli ndërmend një thënie të Ernesto Sabatos, kur po i jepej titulli “Nderi i Kombit” në presidencë. “Shkrimtarët, tha, nuk e kanë vendin në oborrin e pushtetit”. E tha këtë sepse pushteti nuk të jep asgjë po nuk mori diçka në shkëmbim prej teje. Pushteti jep mbështetje, nëse ia del të marrë liri prej teje. Këtë gjë bënte diktatura. Pas nëntëdhjetës shkrimtarët ishin të parapëlqyer nga partitë, për shkak të autoritetit të tyre publik. Por dalëngadalë, kur panë se nuk ua merrnin dot lirinë në shkëmbim të mbështetjes, i flakën pothuajse të gjithë, jo vetëm nga politika, por edhe nga institucionet. E kam thënë edhe më herët se prania e shkrimtarëve në politikë, e bën politikën më njerëzore, por kjo do të ishte një “shfaqje e huaj” në këtë politikë brigandësh që konsumohet çdo ditë në vendin tonë. Shkrimtari tashmë jo vetëm që nuk mbështetet, por përjashtohet, mënjanohet, lihet në harrim. Nderohet vetëm kur ndërron jetë, dhe në këtë rast me hipokrizi, me ligësi, për të përfituar nga madhështia e të vdekurit.

A mund të thuhet sot se një shkrimtar i mirë shqiptar mund të fitojë përmes librave të tij?

Nuk mund ta kaloj pa një buzëqeshje këtë pyetje. Ja ta zëmë se boton një libër me tregime me njëmijë kopje. Çmimi për një kopje është një mijë lekë të reja, ose dhjetë mijë lekë siç shprehemi zakonisht me të vjetrën. Autori, në bazë të ligjit merr dhjetë për qind të çmimit të çdo kopjeje të shitur. Nëse i gjithë tirazhi shitet autorit i bie të marrë një milion lek. Por edhe këto nuk i merr se i duhet të paguajë pesëmbëdhjetë për qind taksë shtetit, tatimin mbi të ardhurat, a si quhet. Pra për një libër të suksesshëm, me gjithë tirazhin të shitur, merr tetëqind e pesëdhjetë mijë lekë të vjetra, aq sa është paga mujore e një nëpunësi anonim në ministrinë e Kulturës. Por një libër i mirë nuk shkruhet as për një muaj e as për dhjetë muaj. Pra fitimi i shkrimtarit është qesharak.

Zoti Stani tanimë pothuajse çdo ligj që çohet në Parlament, miratohet pa u thelluar gjatë rreth çështjes e pa u diskutuar. Si e shikoni ju faktin që parlamentarët votojnë unanimisht për të taksuar lexuesin?

Nuk mund të presësh gjë tjetër. Nuk më ka rastisur kurrë të takoj një deputet shqiptar në librari, edhe pse i vizitoj shpesh libraritë. As në Panairin e Librit nuk më kujtohet të kem takuar ndonjërin. Si mund të mendosh se deputetë të tillë do të mendojnë për lexuesin, për shkrimtarët, për kulturën në përgjithësi.

Me pengesa të tilla që e vështirësojnë edhe më qasjen e lexuesit ndaj librit çfarë dëmesh i shkaktohen brezit të ri?

Elita e brezit të ri, studentët, janë në protesta prej shumë ditësh për tarifat e papërballueshme të shkollimit. Ata me mundësitë financiare që kanë, nuk përballojnë dot tarifën e shkollimit, koston e jetesës në konvikte, çmimet e teksteve mësimorë që janë të detyruar t’i blejnë. Si munden ata t’i japin luksin vetes që të bëjnë edhe shpenzime të tjera për të blerë e lexuar libra letrarë me autorë shqiptarë ose të huaj. Po kështu nxënësit e shkollave: e mendon dot një nxënës të klasës së nëntë ose të dhjetë të shkojë në librari dhe të blejë një libër që kushton dhjetë apo pesëmbëdhjetë mijë lekë. Fëmijët e oligarkëve mbase, por jo fëmijët e qytetarëve shqiptarë. Tani që librat bëhen edhe më të shtrenjtë, perspektiva bëhet edhe më e zymtë. Nëse bëhen sondazhe, mendoj se do të rezultonte që mosha mesatare e lexuesit shqiptar është relativisht e madhe, mbi të dyzetat. Ne, si shoqëri, me sistemin tonë problematik, për të mos thënë të dështuar, nuk kemi arritur të krijojmë një brez të ri lexuesish. Dhe dëmi merret me mend: po shkojmë drejt një shoqërie shpirtërisht të zbrazët dhe intelektualisht të kufizuar.