“I ARTI” BARDHYL XHAMA: SHKRIMTAR E “MËSUES I MERITUAR”

0
1276
Murat Gecaj - Sejdo Harka

Në vend të urimit, për 83-vjetorin e lindjes:

Nga: Sejdo Harka

Puna e Bardhylit ka ecur paralel, në tri fusha: në publicistikë, në pedagogji dhe në atë të krijimtarisë artistike. Dhe, në të trija, është i shkëlqyer”. /Dritëro Agolli

1.

“I arti, Bardhyl”, kështu e thërrasin ndryshe të gjithë ata, që e njohin nga afër ”Mësuesin e merituar” dhe shkrimtarin e mirënjohur, Bardhyl Xhama. Për të, kisha dëgjuar dhe lexuar shumë gjëra edhe para se të njiheshim. Por, kur me të u njoha nga afër (aty nga mesi i viteve ‘70-të të shekullit të kaluar), më bëri përshtypje ky emër tepër i bukur e shumë domethënës, me të cilin e patën pagëzuar shokët, miqtë dhe të afërmit e tij. Nëse, në fillim, e vrisja mendjen për të gjetur arsyen dhe kuptimin e këtij karakterizimi, sa të rrallë aq dhe enigmatik, shpejt u binda, se të gjithë ata që e thërrisnin kështu, kishin patur plotësisht të drejtë.

Bardhyli shkëlqen, jo vetëm me vlerat e tij morale dhe njerëzore, por dhe me ato intelektuale e krijuese. Sa më shumë ta njohësh atë, aq më i kthjellët të shfaqet shkëlqimi i njeriut të butë e tepër të komunikueshëm, i njeriut të sinqertë e shumë punëtor, i njeriut të mençur e tepër miqësor, i njeriut të qeshur e shumë gazmor, i krjiuesit të rrallë dhe mjaft popullor. Ulesh me të në tavolinë dhe bashkë me kafenë dhe shishen e vogël të rakisë, të cilën s’e ndan nga çanta e librave, të dhuron bukurinë e shpirtit dhe bujarinë, humorin e hollë dhe krenarinë, vlagun e mençurisë dhe energjinë, me të cilat “vret” problemet dhe plogështinë, për t’i ringjallur shpresën e sigurinë dhe për të mundur stresin dhe pleqërinë.

Ja, te këto vlera të padiskutueshme njerëzore dhe krijuese, sa të thjeshta aq dhe të bukura, qendron shkëlqimi i Bardhylit, intelektualit, që me sjelljen dhe krijimtarinë e tij, i dha kuptim jetës. Në personalitetin e Bardhyl Xhamës janë harmonizuar bukur vlerat më të mira njerëzore, me ato intelektuale dhe krijuese. Kështu lartësohet portreti i tij, jo vetëm para të afërmve dhe të miqëve të shumtë, por edhe para shokëve e njerëzve të njohur të letrave shqipe.

2.

Bardhyl Xhama “mban dy ditëlindje”, 13 dhe 30 qershor. Në të vërtetë, ai u lind më 13 qershor të vitit 1933, në Fterrë të Sarandës, në një familje atdhetare dhe arsimdashëse. Por, zyrtarisht, ai mban si ditëlindje 30 qershorin. Babai i tij, Lame Xhama, për merita të veçanta kishte titullin e lartë “Mësues i Popullit”. Bardhyli ka disa ditë që ka mbushur plot 80 vjet, (flitet per 3 vjet me parë, – shënimi im, S.H.) por kushdo që e sheh nga afër nuk beson, se mbi shpinën e tij rëndojnë kaq vite jete dhe pune, sa të vështira aq edhe të bukura, sa të lodhëshme aq edhe të lumtura. Edhe pse gjatë tërë jetës, herë është gëzuar e herë është trishtuar, herë është lodhur e herë është stërmunduar, atë s’e kanë tradhëtuar as kreshtat e flokëve, as freskia e fytyrës, as kujtesa e rrallë, as humori i gjallë, as mendja e mprehtë e hapat e shpjetë, as pika e rakisë së parë, as pena e rrallë. Çdo ditë rend si djalosh, herë për në “Parlamentin e Fterrës”, herë në takim me shokët te “Kompania lëvizëse”, herë për në Shtëpinë Botuese “ Toena” dhe herë në biseda e shëtitje me nipër, mbesa e familjarë.

Mësimet e para i mori në fshatin e tij të lindjes, në Fterrë dhe Sarandë, ndërsa shkollën e mesme pedagogjike e kreu pranë gjimnazit “Asim Zeneli”, në Gjirokastër, ku doli me përfundime të shkëlqyera. Në shkollë ai shquhej si pjesëtar aktiv i rrethit letrar, bashkë me Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Poezitë e tij të para u botuan në organet qendrore të shtypit të kohës, që në shkollën 7-vjeçare. Në moshë të re, Bardyli binte në sy për pasionin për t’u marrë me vepritmari të bukura jashtëshkollore, si sporti e noti, teatri e kori. Dallohej, veçanërisht, në basketboll e hendboll, atletikë e futboll. Shpesh, ka lujatur në skuadrat kombëtare të Gjirokastrës, Sarandës dhe Delvinës.

Ndërsa hobi i veçantë i Bardhylit, që e ka shoqëruar tërë jetën, ka qenë peshkimi dhe noti. Ai është zhytyr në thellësitë e shumë deteve të kontineteve të botës. Kjo i ka dhuruar atij, mundësi e ndjesi, për t’i njohur të fshehtat e detit, të cilat i ka sintetizuar në shumë vepra të tij artistike për detin, aq sa kritika lertare e ka quajtur atë “ Shkrimtari i detit”.

Për arritje të shkëlqyera në mëmsimdhënie dhe për vlerat njerëzore e pjekurinë e tij, Ministria e Arsimt dhe e Kulturës, që në moshën 20-vjeçare, e emëroi “Profesor matematike” në gjimnazin “A.Zeneli’ të Gjirokastrës, ku ai mbaroi studimet e mesme për mësuesi. Më vonë, pa shkëputje nga puna, ai e mbaroi Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën gjuhë-letërsi shqipe, përsëri me rezultate shumë të larta. Gjatë jetës, Bardhyli ka punuar mësues i matemikës, fizikës dhe i gjuhës e letërsisë shqipe, në shumë shkolla të mesme të Sarandës, Gjirokastrës dhe Delvinës. Për shumë vite, ka punuar inpektor arsimi dhe drejtor i Kabinetit Petagogjik të rrethit, në Sarandë. Kudo që shërbeu, ai gëzoi respektin e mësuesve, nxënësve dhe të gjithë njerëzve, me të cilët punoi e jetoi.

Bardhyl Xhama është dhe një publicist i rrallë. Ai punoi për më shumë se 10 vjet, redaktor dhe sekretar i kolegjumit të gazetës “Mësuesi”, në Minstrinë e Arsmit dhe Kulturës. Aty, ai u shqua, jo vetëm me shkrime cilësore e plot kulturë për problemet e mësimdhënies, drejtimit, kulturës dhe ato sociale, por edhe drejtues i rrallë e tepër komunikues. Në vitin 1982, emërohet zëvendësdrejtor i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor. Ndërsa më pas, për 10 vjet me radhë, punoi shef i Sektorit të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Institutin e Studimeve Petagogjike. Gjatë kësaj periudhe, ka ndjekur shumë studime dhe eksperimenete shkencore e pedagogjike, si: për leximin letar në shkollën 8-vjeçare, për lidhjen e gjuhës me letërsinë në shkollën e e mesme, për rolin kualifikues të kabineteve pedagogjike etj. Materialet e këtyre studimeve janë zbatuar dhe janë botuar në libra, në gazetën “Mësuesi” dhe në “Revistën Petagogjike”. Në konferenca e seminare kombëtare, ai ka mbajtur rreth 30 tema për probleme të rëndësishme të mësimit dhe edukimit në shkolla.

Por, Bardhyl Xhama, në mënyrë të veçantë, shquhet për krijimtarinë e tij letrare. Ai ka botuar 14 libra artisikë, për fëmijë e të rritur. Nga ata, 8 prej tyre janë nderuar me çmime të ndryshme. Kështu, libri “Pse qan delfini”(1996) ka marrë çmimin “Tasim Gjonkutaj”. Ndërsa për librin “Lejleku me akullore”(1998) mori çmimin “La Fonten”; “Djaloshi që kapte rrufetë”(2000), çmimin “Bekim Harxhi” etj. Tri veprat e tij më të mira, janë përfshirë nga MASH në listën e librave për leximet jashtëklase, në shkollat 9-vjeçare. Është gati për botim vëllimi i tij me 53 rrëfenja, që e ka titullin “Gota e Lumturisë”. Ndërsa, Shtëpia Botuese “Toena”, është duke përgatitur kolanën e 8 librave të Bardhylit, me 250 rrëfenja, me tematikë të caktuar. Për vlerat e shumta, që kanë librat e B.Xhamës, 6 prej tyre janë ribotuar disa herë. Krijimtaria e tij është sa e gjerë, aq dhe e larmishme.

Përveç librave të plotë, ai ka shkruar dhe shumë pjesë teatrore, dhjetëra skenarë, teletregime e telenovela për fëmijë, skenarë filmash dokumentarë për veprimtaritë artistike në shkolla etj.

Edhe pse ka dalë në pension, që në vitin 1989, Bardhyl Xhama, jo vetëm që s’u nda për asnjë çast nga veprimtaria krijuese e shoqërore, por edhe nga puna, redaktor në Shtëpinë Botuese “Toena”. Për mesazhet e ngrohta gjithëkohore dhe vlerat e padiskutueshme, krijimtraia e tij ka tërhequr vëmendjn e kritikës letrare dhe të shumë kolegëve të tij. Gjithashtu, veprimtaria e tij krijuese është bërë objekt i vlerësimeve dhe analizave të shkrimtarit dhe poetit tonë të madh, Dritëro Agollit. Ndër të tjera, ai thekson: “Puna e Bardhylit ka ecur paralel në tri fusha: në publicistikë, në pedagogji dhe në atë të krijimtarisë artistike. Dhe, në të trija, është i shkëlqyer”.

Një ndihmesë mjaft të rëndësishme ka dhënë Bardhyli në lëvrimin e letërsisë për fëmijë. Me librat e tij, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm per zhvillimin e fantazisë së të vegjëlve. Për studiuesin dhe publicistin Fatmir Tereziu (Londër), krijimtaria e bollshme e Xhamës është një kujtesë e kohërave, që ndërthur bukur vlerat e letërsisë së shhkruar me ato gojore. Ndërsa i ndjeri Skënder Hasko, shkrimtari i mirënjohur dhe ish-miku dhe shoku i tij i ngushtë e i pandarëë, nënvizonte: ”Shkrimtari B.Xhama e ka merituar vlerësimin e kritikës letrare dhe sidomos të fëmijëve, të cilëve ai u drejtohet”. Për Pandeli Koçin, kryetarin e Shoqatës së Letërsisë për Fëmijë e të Rinj, ky Bardhyli jep një ndihmesë të madhe, ky është mjeshtër i rrëfenjave,të cilat shquhen për orgjinalitetin dhe gjetjet e goditura, për finesën, moralin e shëndoshë dhe mesazhet e fuqishme, që u përcjell brezave…

Motivet, që spikatin në krijimtarinë e B.Xhamës, janë shkolla dhe libri, puna dhe edukata.Në librat e tij, brezi i ri gjen botën e tij dhe ëndërrat, dijet dhe zemrat.Ato mbartin vlera të papërsëritshme: edukuese dhe artistike, shkencore dhe didaktike, argëtuese dhe zbavitëse. Kjo, sepse ky shkrimtar, në krijimtarinë e tij artistike, i shkriu prushin e shpirtit dhe freskinë e mendjes, vlagun e dijeve dhe rrahjet e zemrës. Është kjo arsyeja, që veprat e tij lexohen me kënaqësi, jo vetëm nga fëmijët dhe të rinjtë, por edhe nga prindërit dhe njerëzit e moshave më të rritura.

Bardhyli është jo vetëm një shok e mik i rrallë, por dhe një bashkëshort, prind, gjysh e stërgjysh i mrekullueshëm, që gëzon respektin e të gjtthëve. Për punë shëmbullore, mësues, drejtues shkolle dhe arsimi, gazetar dhe studiues, nga Presidenti i Republikës është dekoruar me “Medaljen e Punës” dhe Urdhrin ”Naim Frashëri” të Kl. III e II, si dhe me titullin e lartë ”Mësues i merituar”. Për ndihmesë të shquar në lëvrimin e letërsisë për fëmijë dhe drejtimin e gjallërimin e shoqatës së saj, me rastin e 70-vjetorit të lindjes, u nderua me “Çmimin e Karrierës”. Po kështu, nga Shtëpia Botuese “Toena”dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj, është nderuar me dy Diploma “Mirënjohjeje”.Ndërsa, në nëntor të vitit 2014, u nderua me çmimin ”Tasim Gjonkutaj”.

T’i konturosh hapësirat e një jete të gjatë dhe tepër të vrullshme, si ajo e B.Xhamës, duhen faqe të tëra. Por edhe me këto pak fjalë, shpresojmë t’u kemi sjellë pranë, “të Artin, Bardhyl”.

Qershor, 2013

(Nga libri i Sejdo Harkës, “Modernët e kohës”, Tiranë, 2015)

Tiranë, 12 qershor 2016