Kadri Haldeda, luriani me gen fisnik e shpirt humanitar

0
651

Foto e Kadri Haldedës

Nga Gëzim LOKA

Në jetën tonë të shpenguar dhe që herë pas here përsillet në kaos, ne lodhemi së kërkuari modele dhe harrojmë se shpesh ata i kemi mes nesh, në përditshmërinë tonë të ngarkuar, në blerjet tona, në ecejaket tona të përditshme, në komunikimin tonë.

Në odat dhe ndejet luriane, në kafe, lulishte, shëtitje, jo vetëm në Lurën e rrënjëve dhe themeleve, por kudo ku janë shpërndarë bijtë e saj, në çdo cep të shqiptarisë, por dhe në Evropë e botë, lëviz zembreku i kohës e muhabetet plot sharm e filozofi të burrave të kësaj krahine, “sitin” djemtë lurianë, flasin për vlerat e tyre, komunikojnë me ta dhe gjithë muhabeti vërtitet në atë se çfarë po bëjnë ata për vendin e tyre, për kullat e tyre, për bashkëmalësorët e tyre.

E kur fjala bie për Kadri Qazim Haldedën, burrat e zgjuar lurianë buzëqeshin lehtë nën buzë, duke shprehur së pari me gjeste e më tej me fjalë respektin për këtë biznesmen të suksesshëm, por me një modesti shembullore, që të bën për vete. Ai është një model suksesi, por mbi të gjitha një model sjellje fisnike, mirësie dhe fisnikërie. Gjithçka në veprimet e tij motivohet dhe udhëhqet nga dashuria për Lurën dhe lurianët e tij, dashuri të cilën ai e quant ë shenjtë.

Urtësia e tij, zgjuarsia dhe intelekti, fisnikëria dhe mirësia, shpirti human dhe gadishmëria për të ndihmuar lurianët, janë disa cilësi të Kadri Haldedës, që ai i përcjell çdo ditë në punën dhe biznesin e tij, në çdo gjurmë që lë pas në kohën e tij të ngarkuar me ide, qasje e projekte, por mbi të gjitha me mirësi e fatbardhësi për Lurën e tij.

Kur kthen kokën pas, në fytyrën e Kadri Haldedës çel trëndafili i një buzëqeshje të mirë, të freskët e të kristaltë, që buron nga shpirti i tij i pastër, nga fakti se gjatë gjithë jetës së tij ende të re, në çdo hap që ka hedhur, e ka karakterizuar mirësia, fisnikëria dhe dashuria e pakufishme për njerëzit. Dashuria për lurianët ka qenë dhe mbetet kryelejtmotivi i jetës së tij, shtytje drejt punëve të bukura, drejt realiziemve të bukura, që mbartin farët e dashurisë dhe të mirësisë njerëzore.

Gjithë jetën ka gëzuar respektin e njerëzve, lurianë e jo lurianë qofshin, pasi ata kanë parë tek Kadri Haldeda modelin e burrit qëndrestar, modest dhe veprues, që nuk ka ditur kurrë t’i ndajë fjalët nga veprat, mendimin nga veprimi.

Sa herë që e takoj, në fytyrën e tij qarkon buzëqeshja e mirësia ia rrethon tiparet me një brerore drite, që sikur i buron nga shpirti i vetë mirësisë dhe fisnikërisë, që e karaterizon këtë lurian në çdo hap të jetës së tij. Ka dëshirë të flasë për lurianët e tij, të dijë për hallet e tyre e kur mundet të ndihmojë sa më shumë që të gjejnë vetveten në këtë kohë të vështirë sfidash dhe përballjesh të mëdha.

Firma e tij mobilare “Haldeda SH.P.K” ku ai është President është një alternativë e tregut të lirë në një shoqëri të hapur ku konkurojnë vlerat dhe resurset, por jo vetëm kaq; me korrektesën e shërbimeve, me cilësinë e prodhimit, me komunikimin e ngrohtë dhe të çiltrër, Kadriu dhe firma e tij ia kanë hapur dyert vetvetes dhe po çajnë në tregun shqiptar të mobilerisë, një treg aq i dendur në simotra dhe ku konkurenca është aq e ashpër.

Lindi më 5/02/1965 në Lurë. Ishte njëzet e katër vjeç kur me shumëperipeci erdhi në Tiranë dhe u detyrua të punonte në minierë, në punë të vështira për të përballuar nevojat ekonomike të familjes. Me hapjen e Shqipërisë, gjatë viteve 1991-1992 emirgron në Greqi, ku shkëlqen si mjeshtër i punimit të drurit dhe gurit. Pasanikët grekë që kërkonin të bënin punime të holla e ku kërkohej fantazi dhe talent në punimin e gurit dhe drurit, e merrnin në punë Kadriun dhe ai me duart e tij të arte krijonte kryevepra sharmante bukurie, të cilat çmoheshin shumë dhe i sollën mjaft të ardhura ekonomike.
Gjatë vitit 1992-1996 emigroi në Itali ku u mor kryesisht me mobileri dhe krijoi firmën e tij mjaft të suksesshme për prodhimdhe tregtim të dyerve, dritareve, orendive shtëpiake, pajisje zyrash etj.

Pas kësaj kohe u vendos përfundimisht në Tiranë ku krijoi firmën e tij dhe me punë e përkushtim, pasion dhe ndershmëri, ia doli të çante në treg, të bëhej i kërkueshëm me prodhimet e firmës së tij, cilësia e të cilave ishte dhe është një garanci për ecjen përpara pa u ndalur të biznesit.

E ëma, Rabija,85 vjeç vuan ikjen e fëmijëve dhe shpërndarjen e tyre në çdo cep të shqiptarisë e gjetkë në emigracion, por Kadriu rreket ta qetësojë me praninë e tij, me atë përkujdesjen mrekullore që ajo e ndjen dhe e vlerëson shumë. I ati që tanimë prehet tek të shumtit ka qenë në komandën e vendit dhe partizan në Luftën Nacionalçlirimtare. Kadriu ka tre fëmijë të mrekullushëm, dy djem dhe një vajzë, Xhezildon, Erdon dhe Xheniferin. Bashkëshortja ka një lokal të saj të cilin e menaxhon dhe pasqyron vlerat më të mirë të traditës luriane dhe të derës së Haldedës. Vëllezërit, Seferi, Alia dhe Naimi kanë jetën e tyre dhe bëjnë gjithçka që të ruajnë traditat e familjes, bukëndhënien, besën dhe fisnikërinë e fist dhe derës. Naimi ka 28 vjet në Kanada dhe kur vjen ndihet i përmalluar për Lurën dhe lurianët, pë rata ku ka mbjellë ëndrrat dhe dashuritë fëmijnore e rinore dhe me të cilat i mbush ëndrrat netëve të gjata të dimrit atje në tokën e huaj e të largët…

Që i vogël, Kadriu kishte passion punimin e drurit; bënte me dru portrete njerëzish, ornamente të ndryshme, të cilat teksa i gdhendte me merak e përkujdesje, zgjonte zilinë e bashkëmoshatarëve. Traditën për punimin e drurit e ka marrë nga daja i tij Ramadan Vladi, që ka qenë një mjeshtër i punimit të drurit, aq sa me talentin e tij dukej sikur drurit i jeopte shpirt e frymë, sikur e bënte të fliste e të ligjeronte bukuritë e parrëfyera të Lurës sonë.

Kadri Haldedën ke dëshirë ta keshë mik, të shkëmbesh me të një fjalë, një përshëndetje, të rrugëtosh në kohën e kujtimeve dhe ëndrrave të jetës, disa prej të cilave mbetën në sirtar, por shumica marrin udhë kudo nëpër Lurë e gjetkë nëpër atdhe dhe Kadri Haldeda mbetet lajmëtar i këtyre ëndrrave, lajmëtar i vlerave të mëdha të dashurisë së pathyeshme për tokën e të parëve, për gurin e pragut dhe të varrit, që lidhin kohët dhe njerëzit, brezat dhe epokat.

Unë vetë kam pasur dhe vazhdoj të kemë kontakte të vazhdueshme me Kadriun, i cili më ka ndihmuar në realizimin e veprimtarive të ndryshme si ajo për Dom Nikoll Kaçorrin e të tjera. Përkujdesja e tij për lurianët është një model sjellje që duhet ta kenë të gjithë biznesmenët dhe intelektaulët lurianë, për të ndërtuar çdo ditë ura të vogla drejt vendlindjes, që së bashku bëhen një urë e madhe dashurie e mirësie…

Dërgoi për publikim, Denis Hata, gazetar