AV. XHABIR ZEJNUNI
Me datën 18 janar, Presidenti Meta dekretoi Kryeministrin Rama si “Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme”. Por, pasi dekretoi më parë shkarkimin e Bushatit. E gjithë kjo në respektim të nenit 98 të Kushtetutës, i cili disponon se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”.
Në lidhje me këtë emërim(!), Presidenti doli me arsyetimin se “Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare”.
Edhe pse në gjuhën mediatike dhe të rrugës, theksohet se Kryeministri emëron apo shkarkon ministrin, neni 98 e sqaron shumë saktë se Kryeministri vetëm bën propozimin përkatës. Pastaj, është Presidenti ai që dekreton emërimin dhe shkarkimin.
Pasi Meta dekretoi Ramën si Ministër të Jashtëm, ranë në sy DY probleme:
1. Dekretimi i Ramës si Ministër dhe jo si Ministër ad interim (ashtu siç ja kërkoi Rama Metës me 14 janar).
2. Problemi nëse ishte kushtetues apo jo ky emërim.
1. Të dekretosh Ramën si Ministër dhe jo si Ministër ad interim, mund të sjellë që Rama edhe ta mbyllë legjislaturën në këtë post. Ndërsa ad interim, sjell që ky post të mbulohet përkohësisht. Në rastin e dytë, duhet të merret parasysh edhe praktika ndërkombëtare.
2. Kushtetutshmëria apo jo e këtij dekretimi, bëhet më problematike.
Dikush e mbështet këtë emërim.
Dikush tjetër, deklaron se ky emërim është ndër ditët më të zeza për demokracinë dhe të ardhmen e popullit shqiptar!
Një sqarim modest juridik-kushtetues, do ja vlente në këtë rast. Por, pa pretenduar që ky sqarim të jetë absolut.
Kundërshtarët e këtij dekretimi, sjellin si argument Kushtetutën, e cila sipas tyre e ndalon Kryeministrin që të jetë njëkohësisht edhe Ministër në respektim të nenit 102, par. 1, germa d), i cili disponon se “Kryeministri: kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në LIGJE”. Po ashtu neni 103, par. 2, disponon se “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”.
Në rastin e nenit 103, par. 2, nuk duhet që Ministri të ushtrojë “veprimtari tjetër shtetërore”, ose atë të Kryeministrit. Por, harrohet se Kryeministri është edhe anëtar i Qeverisë në të njëjtën kohë(…)!
Në rastin e nenit 102, par. 1, germa d), ku thuhet se “Kryeministri: kryen detyra të tjera të parashikuara në Kushtetutë e në LIGJE”, jemi para DY problemeve:
1. Ku Kryeministri përveçse kryen “detyra të tjera” të parashikuara në Kushtetutë dhe
2. Ku Kryeministri kryen edhe “detyra të tjera”, të cilat nuk parashikohen në Kushtetutë, por në LIGJE.
Termi LIGJ, në këtë rast, lidhet me atë që quhet REZERVA LIGJORE.
Çfarë është REZERVA LIGJORE?
Rezerva ligjore, është një parim, i cili përdoret kur Kushtetuta apo ligjet e tjera parashikojnë që disiplina e një lënde të veçantë, t’i rezervohet një ligji primar (dhe jo sekondar) që të trajtojë dhe mbulojë këtë lëndë.
Rezerva ligjore, ka rolin e garancisë, duke qenë se për lëndë të veçanta delikate, siç janë të drejtat themelore të njeriut, ushtrimi i funksionit legjislativ apo ekzekutiv, delegohet Parlamenti që të nxjerrë ligjet përkatëse.
Kështuqë, rezerva ligjore, është fakulteti për të nxjerrë një ligj në përmbushje të një norme kushtetuese apo ligjore që e kërkon. Në rastin konkret, pasi doli Kushtetuta (e miratuar me ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998 të Kuvendit Popullor), duhej që të dilte një ligj më i detajuar, i cili të përcaktonte ato “detyrat e tjera”, që do duhej të ushtronte Kryeministri në respektim të Kushtetutës. Ka raste që rezerva ligjore del menjëherë pasi del Kushtetuta, del shumë kohë më vonë, ose nuk del fare. Ose del kur krijohen raste të tjera të paparashikuara. Përveç nenit 102, janë shumë nene të tjera tek të cilët Kushtetuta parashikon rezervën ligjore.
Në rastin në fjalë, nuk ka dalë akoma një ligj, i cili të përcaktojë qartësisht “detyrat e tjera” të Kryeministrit.
Por, ka dalë Ligji Nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, i cili në nenin 2, par. 2, disponon se ”Me miratimin e Këshillit të Ministrave, Kryeministri mund të marrë përsipër edhe detyra të tjera”. Kaq!
Ky paragraf, përforcon normën kushtetuese mbi kompetencat e Kryeministrit, kur shton se ai ”mund të marrë përsipër edhe detyra të tjera”. Këtu folja ndihmëse ”mund”, thekson se në raste të veçanta Kryeministri ”edhe” bën ”detyra të tjera”. Kundërshtarët, thojnë se ky paragraf nuk parashikon se Kryeministri mund të bëjë edhe ministrin. Në pamje të parë, duket ashtu. Por, ata harrojnë se vetë togfjalëshi ”mund të marrë përsipër edhe detyra të tjera”, ka një kuptim shumë të zgjeruar.
Nëse legjislatori nuk ka vënë një listë të ”detyrave të tjera”, ai e ka bërë me qëllim që të mos kufizojë interpretimin dhe zbatimin e Kushtetutës dhe rezervës ligjore në funksion të saj. Pasi nëse ai do kishte bërë një listë të këtyre ”detyrave të tjera”, mund të ndodhte që të harronte pa(me) dashje, apo të linte jashtë listës ndonjë ”detyrë tjetër” të paparashikuar për momentin. Siç është rasti i ministrit (edhe ad interim) për t’u mbuluar nga Kryeministri në raste të veçanta.
Për këtë arsye, që termi ”detyrë tjetër”, nuk mund të jetë një kufizim, por një zgjerim i kompetencave për Kryeministrin brenda kuadrit kushtetues.
Kundërshtarët e këtij dekretimi, sjellin edhe nenin 100, par. 4, i cili disponon se “Aktet e Këshillit të Ministrave janë të vlefshme, kur nënshkruhen nga Kryeministri dhe ministri propozues“. Dhe sipas tyre, Kryeministri firmos si Kryeministër dhe si ministër. Në këtë rast, duhet theksuar se Kryeministri që mbulon edhe një post ministri, ka peshë dyfishe: politike dhe juridike.
Politike, pasi në një person përmblidhen dy detyra: Kryeministri dhe ministri.
Juridike, pasi vota e Kryeministrit vlen sa për dy ministra.
Ashtu siç ndodh edhe në vendet e tjera të botës.
Një shembull konkret.
Ministrin “ad interim“, e parashikon edhe Italia në Ligjin Nr. 400, datë 23.08.1988, me titull “Disiplinimi i veprimtarisë së Qeverisë dhe Kryeministrit“, ku neni 9, par. 4, disponon se “Presidenti i Republikës me propozim të Këshillit të Ministrave, mund të ngarkojë vetë Kryeministrin ose një ministër të mbajë AD INTERIM një dikaster, me një dekret ku jepet njoftim në Gazetën Zyrtare“.
Por, Presidentit i ndalohet me Kushtetutë që të emërojë Kryeministrin e ri edhe si Ministër. Por, një përjashtim i rrallë(!) ka ndodhur edhe në Itali!
Në nëntorin e vitit 2011, Presidenti Napoletano pasi detyroi(!) Kryeministrin Berlusconi që të japë dorëheqjen, i ngarkoi formimin e një Qeverie Teknike Mario Montit. Por, pasi e emëroi më parë Montin “Senator të përjetshëm“! Me kërkesë të vetë Montit!
Por, çudia më e madhe ndodhi kur Napoletano emëroi Montin njëkohësisht Kryeministër dhe Ministër të Ekonomisë dhe Financave me dekretin Nr. 269, datë 16.11.2011 (të botuar në Gazetën Zyrtare me datën 18.11.2011), i cili dispononte se “Senatori dhe Profesori Monti, emërohet Kryetar i Këshillit të Ministrave dhe Ministër i Ekonomisë e Financave“. Ky emërim, u bë në mungesë të normës kushtetuese apo ligjore, e cila t’i lejonte Presidentit të emëronte njëkohësisht një person në postin e Kryeministrit dhe ministrit. Arsyet e këtij emërimi antikushtetues dhe antiligjor, janë të tjera! Dhe pasojat i pagoi populli italian(….)!
A mundet atëherë që Presidenti edhe pse në mungesë të një norme kushtetuese, e cila nuk parashikon një rast të veçantë, ose atë rast që ka lidhje edhe me postin e “Ministrit ad interim” – dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur në rastin në fjalë -, të (mos)dekretojë këtë post, aq më shumë që një post i tillë lind në raste të papritura, të paparashikuara dhe urgjente dhe që ushtrohet për një kohë të shkurtër.
A mund të quhet shkelje e Kushtetutës ky lloj dekretimi kaq i veçantë, aq sa ai të kthehet më vonë në një argument kundër vetë Presidentit për ta akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës?
Nga kush mund të akuzohet nesër Presidenti, nëse ai vendos në plan të parë seriozitetin dhe interesin e atdheut? Atë seriozitet dhe interes, të cilin në radhë të parë e garanton edhe vetë Kushtetuta, pavarësisht mangësive që ajo mund të ketë.
Nuk duhet harruar edhe fakti se Kushtetuta në nenin 90, par. 1, disponon se “Presidenti i Republikës nuk ka përgjegjësi për aktet e kryera në ushtrim të detyrës së tij”.
Akt i Presidentit, është edhe dekreti i emërimit të një ministri.
Ndërsa par. 2, disponon se “Presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë”.
A mund të jetë “Shkelje apo krim i rëndë”, në këtë rast dekretimi nga Presidenti i një “Ministri ad interim”?
Aq më shumë që Presidenti me dekretin e tij, ka dhënë edhe një sqarim të zgjeruar(….)!
Sidoqoftë, fjalën e fundit do e ketë Gjykata Kushtetuese. Kur ajo të krijohet dhe apelohet nga personat e interesuar!