ZENUN HYSENUKAJ, ZËRI POETIK I GËSHTENJAVE ALPINE

0
1850
Jusuf Zenunaj

Ramiz LUSHAJ

1.
Gështenja të ban poet e, aq ma tepër, kur e kie kullën në rranjë, në hije, në flladin e tyne si Zenun Hysenukaj i Kerrnajës të Gashit të Gurit, kur në trevën tande – të Malësisë së Gjakovës – e kie masivin ma të madh në Ballkan. E, përndryshe, filozofia alpine e cilëson këtë dru-fryt të bekuar si “baçe e Zotit”, si “bukë në lis”, tek kanga: Po kuvend fisi me fis / – Ku jetohet ma mirë, o mik /- N’baçe t’Zotit te buka n’lis /Dhanë dhuratë prej Perëndisë/.

E, pra, kështu – jeta në gështenja e me gështenja – e bani dhe Zenun Hysenukajn poet. E bani me vëllimin e tij poetik “Zëri i gështenjave” (“Zani i Gështenjave”) me 57 poezi e poemën “Kujtesë për tim bir”. Ky është ma i pari libër i tij – djepi i tij poetik që e ngriti në kambë dhe po ecë na kambë në udhët letrare të kohënave. Gështenjat, vijnë me boça rremi e fjale poetike qysh në ballinë e në faqe të librit të tij poetik “Zëri i gështenjave” (Botimet “Muzgu”, Tiranë, 2013). E, pra, gështenjat i kanë poetët e vet trojenik si Zenun Hysenukaj, e kanë zërin e vet poetik si ky tufalakim poetik i tij, tek krijimtaria letrare e tij.

E ceka ma nelt: “Poeti Zenun Hysenukaj” dhe “Zenun Hysenukaj Poet”. Dy thanie në degë të fjalës, në boçat e veta, me nji realitet letrar të dukshëm: Zenun Hysenukaj në gen e me vepra është Poet – me emër e mbiemër. E, këtë titull apo “liçencë’, nuk e kanë dhe as nuk e marrin të gjithë ata që lindin, po të gjithë ata që hyjnë e jetojnë me vargun e vet poetik në kalendarin frymor e letrar të jetës. E kanë thanë latinët: heronjtë vdesin një ditë, po poetët, shkrimtarët, asnjëherë, kurrë.

Zenun Hysenukaj, pasi botoi poezi në mediat print “Muzgu”, “Standard”, “Rrezja e Shkëlzenit”, “55” etj., pas dy vjetësh – më 2015, me të njëjtin botues – “Muzgu”, mirë-erdhi me të dytin vëllim poetik “Vetëm s’po të lë”, me 126 faqe. Një hap i ri. Një lartësi e re. Pa hy’ ma gatë në rranjë e degë të kësaj “gështenje poetike” më vje’ për shteg fjale me thanë se Zenun Hysenukaj – malësori alpin i Rretheve të Gashit apo qytetari metropolitan i Tiranës – dhe Poezia e tij me fuqi bio-genetike-ekologjike si të Gështenjës, duket se kanë lidhë nji besë të fortë ndërveti. Përndryshe, janë “binjakë” të ri e të moçëm së bashku. Këtë fakt, së parit, e cilëson vet titulli i kësaj veprës së tij të dytë poetike “Vetëm s’po të lë”.

Tek Zenun Hysenukaj e gjen Poetin.
Tek Poezitë e tij e gjen Zenun Hysenukajn.

E në koft se nji i panjohur në qindrashekulloren “Rrugë të Gashit”, në ma të renë autostradë shqiptare “Udha e Kombit’, në të asfaltuarat bulevarde e rrugica as njiqind vjeçe të Tiranës, ka me dvetë ndokënd: Kush është Zenun Hysenukaj ?, ai, kur t’i lexojnë tri veprat e tij poetike, ka me e njoft përnjiherit si “Poet”. Ka me thanë troç, gojëplot: “Zenun Hysenukaj është Poet…”.

E, askush, të mos presin që poeti Zenun Hysenukaj të jetë i madh si poeti Dritëro Agolli, pavarësisht se Kerrnaja e Zenun Hysenukajt dhe Devolli i Dritëro Agollit, si për koiçindencë, janë njejtësisht 900 m lartësi mbidetare, sepse as malet, as vitet e shekujt, as luftërat, nuk i ngjasin krejt njana-tjetres. Ato kanë përmasat, ndryshimet, laryshinat e veta. Sikurse dhe poetët.

Zenun Hysenukaj nuk po shpejton me botime poetike për shkak të moshës së tij 60 vjeçare dhe as nga volumi numerik i poezive të tij. Jo. Ai është në ma të mirën moshë të rritës të emrit të vet, të veprës së tij poetike. Atë po e thërret vet Koha Poetike. E thërret dhe prej atje në Alpe, bash në rranjë të gështenjave të tij lisnajë në Kerrnajë, tek trolli i vet.

2.
Zenun Hysenukaj është nji Poet i Harmonisë.
Ai nuk ka krye shkollë universitare e as mastera profesioal apo shkencor për letrat shqipe, po ai është qartas, thuktë – i tillë. Kjo i duket, i shprehet, i ndjehet në vargjet e tij, në poezitë e tij, tek metrika, tek rima, tek ritmi poetik. Kjo është e randësishme për me e pas titullin apo liçensen “Poet”. Kjo tregon se shpeshtas në magjen e tij poetike na jep nji poezi të pjekur mirë, të mbrrime.

Zenun Hysenukaj është Poet i Sintezës Poetike.

E gjejmë të tillë në gjithato poezi të tij, në të tre vëllimet e tij. Unë po due me e tërhjek vetëm nji prej tyne, atë “Sahati i babës” tek i treti vëllim poetik “Ku ikën ti vetja ime” (fq. 43):

“…E gjeta sahatin e babës.
Një sahat argjendi.
Pa akrepa, pa numra,
Por koha nuk mungon.
Nuk di, kishte rënë nga qielli.
Ai kishte vite që flinte në morg”.

3.
Zenun Hysenukaj është Poet i Detajit Poetik.
E ky është një tjetër tregues që e dëshmon poet në gen e në udhë. E nji poezi e tillë e lartnon poetin dhe e kënaq fort e mirë lexuesin e saj.
Detajin poetik e ka në maje të penës, në krye të talentit poetik.

Prapë po ndali tek vëllimi i tretë poetik i tij “Ku ikën ti vetja ime”, po i fragmentoj vertikalisht vargje nga poezia “Ku fshihet fëmijëria” (fq. 42):

“Zogjtë si gjeometra matin pyjet
Për të gjetur fëmijërinë ku fshihet.
Por gjithçka ndal ritmin, masën,
Si numri i këmbës që një ditë,
më s’rritet.

E, po due me u ndal edhe tek ndonji tjetër poezi tek libri i tretë poetik i tij, tek ajo “E dua një orë” (fq. 48): “ E dua një orë të heshtur / çdo ditë / S’dua trokitje në derë / As vizita kurrsesi / Dhe dritën e dua të fikur / Është ora kur jetoj me të vdekurit / Pra me të parët e mi”/. E mora të plotë këtë poezi pasi m’u duk krejt e bukur, përveçse vargut të fundit, përmbyllës: “që kanë ikur”, të cilin e hjeka, pasi më ngjau i tepërt, si i panevojshëm.

E, hiç s’po i largohem vëllimit të tretë poetik të Zenun Hysenukajt. Aty po rri. Tuj kundrue poezitë e tij në vargni. Tue u këndellë nga poezitë e tij përgjatë leximit të tyne. Po e marrë të plotë horizontalisht poezinë “Me daltë dhe çelsa” (fq. 12): “Skeleti i kohës / Fati ecën zbathur si legjendë / mbi gurë / Kujtimet bien si zhele mjegulle / poshtë nëpër gurët e përroit të tharë / që quhet kohë / hëna si këpucë e humbur / E sjell këtë natë me sy spiuni / Shiu vazhdon të derdhë lotët / mbi qelq / Që bien ngadalë…ngadalë / Unë eci trotuarëve të Tiranës / Ku Kadareja s,ndjen më mall”/.

4.
Zenun Hysenukaj është Poet i Lirizmit.
E ka veçori, tregues poetik. E has shpesh në poezitë e tij.
E i shkruan bukur poezitë lirike, sidomos kur nuk ika të kërkuara, por i dalin prej vetes motivet, përjetimet, vargjet. Ai është i hapur, i gjanë, i prekshëm, i ndjeshëm, i sertë, i lumtur, i mërzitur…në poezitë e tij lirike, çka ia bajnë ato ma të bukura, ma të arrira, ma të kohës.
Poezitë e tij më ngjajnë me boçat e gështenjave në rrema: lulojnë, lidhin fryt, eshknohen, pikojnë e hapen me kokrra, tharkohen, porogaçen, bahen ambelsina.

Prapë tek libri i tretë po e kapi në tematikë një poezi: “Shpirti ikën fushave” (fq.13) tek e cila duket lirizmi i poetit Zenun Hysenukaj: “Ka çaste të mjera, a të gëzuara /Ma mbushin ditën shterpë varg e varg / Si saç mbi kokë ashtu kanë mbuluar / Vështrimet e shpirtit tim rretheqark”/. Strofa e dytë është më e përveçme, fort e bukur:

“Shpirti ikën fushave e maleve përtej,
në shtigje ku nesër ikën përseri.
Do të humb e aq herë do ta gjej,
Si kali i lirë që rrugën e di “.

5.
Kërrnaja e Gashit të Gurit, vendlindja e poetit Zenun Hysenukaj, e ka pothuaj një të tretën e tokës bujqësore me pemë (42.5 ha në v. 1990), ku shumica janë lisnajë e gështenjave të moçme e të reja. Ato, edhe kur komunizmi i shtetëzoi pronat e i ngriti arëzat, i ruanin kufijtë e vjetër. Ishin të ndame në parcela natyrore (kashnjete). Studjuesi e poeti kerrnajas, Halil Hajdaraj, tek monografia “Gashi i Gurit” (Tiranë, 2010) i listnon mikrotoponimet: “Kshtaja e Madhe”.“Kshtajtë e Alushit, Adem Ukës, Padeve, Baramsadikëve, Malocës, Sovjakit, Rambaramëve, Zhenajve, Kerrnajës, Hasajve, Havës, Lugit të Balisë, Fierajsë të Sovjakit, Izvirit, Sejdisë, Lugit të Madanit, Lugit të Sejdi Hysenit…”(fq. 121).

Në këto gështenja, këto gështenja, kanë rritë poetë, si lisnaja, begatia, bujaria, bukuria e madhështia e tyne. Në ferra nuk lindin poetët dhe as poetët nuk janë ferra. Nga ferrat mund të lindin dhe trandafili, por jo poetët. Nga gështenjat, tek gështenja, po. E, poetët janë gështenja me lis, rrema e kokrra. Dhe gështenjat e Kerrnajës kanë poetët e vet. E n’koft se ata nuk ua kalojnë madhështisë së tyne, ata janë madhështi e tyne.

Kërrnaja, fshat me disa vllazni, barqe, mbiemra: Aliaj, Brahaj, Hajdaraj, Haklaj, Hysenukaj, Kërrnaja, Tahiraj, i ka disa poetë. Manjola Brahaj, doktore e shkencave në letërsi, me dy libra poetik tejet të veçantë: “Vajtimi i Kalipsosë” (2010) – nderue me Çmimin “Migjeni” nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë dhe “Na nuk jena t’ktuhit” (2014) – vlerësue në vendlindjen alpine (Tropojë) në Manifestimin Letrar Panshqiptar “Ora e Poezisë” (Edicioni i 7-të) si vëllimi poetik ma i mirë ndër të gjithë konkuruesit e atyshëm. Skënder Haklaj, me tre vëllime poetike: “Andërr e grime” (2001), “Dhe ritmova një stuhi…”(2001) e “Një za që zhurmon në heshtjen time…”(2002). Riza Haklaj na ka lanë dorëshkrimet e tij dhe vëllimin poetik me poema “Shpërfytyrimi” (2003). Halil Hajdaraj me tre libra poetic: “Plepi lakuriq” (2003),”Pas gjuetie” (2008), “Fjalor Shqipnisht-Shqip” (2012). Ky vis ka dhe poetë të tjerë të djehit e të sodit: Bukurie Hysenukaj, Gani Hysenukaj, Hasan Tahiraj…

Kerrnaja, ky fshat alpin, i bekuar prej Perëndisë për bukurinë e bollekun, i baraslarguar nga mali i Shkëlzenit e lumenjtë në tri anët e tij, i ka disa studiues, prozatorë e publicistë me veprat e tyne. Historiani e ish-ushtaraku i lartë, Veli Haklaj, ka botue vepra me interes shkencor: “Kryengritja e Delvinës e vitit 1937: historia e plotë e një rebelimi nën dritën e dokumenteve arkivore” (2009), “Barbarizma sllave ndaj shqiptarëve: Dosja 58” (2010), “Siguria Kombëtare në Shqipëri 1925-1939” (2012). Azgan Haklaj – Mjeshtër i Madh, president i UAKSH, me katër vepra korpus: “Dardanët presin Dodonën” (2010), “Për Kombin, për Demokracinë” (2011), “Edhe Zoti po flet Shqip…”(2013), “Ashti i Kombit” (2014). Skënder Haklaj me vëllimin “Kur besa ishte besë”–tregime të moçme dardane (2009) dhe studimin monografik “Tropoja e mrekullive shpirtërore”(2014). Halil Hajdaraj me monografitë: “Bajram Hazir Rrogami” (2001), “Gashi i Gurit” (2010), “Bab’ Tahiri i Kosovës – Tahir Curran Kerrnaja” (2015), etj. Bajram Tahiraj me monografinë “Tahirajt e t’Bardhve t’Gashit” (2014) e studimin “Dita e Verës–festa pagane në 40 treva shqiptare” (2015).

Nga Kerrnaja janë disa emra të gazetarisë e, jo rastësisht, femra përfaqësuese të trevës së vet: Shotë Haklaj (martire e 31 tetorit 2001), Merita Haklaj– ndërvite në disa televizione kombëtare në Tiranë, Bukurie Hysenukaj – ishte tek gazeta “55”, etj.

Aty ku janë gështenjat lisnajë, si në Kërrnajen e poetit Zenun Hysenukaj, dhe të mirat vijnë lisnajë në vargni brezash e realitetesh. Aty – toka bujqësore është e mirë në cilësinë e saj, prodhimtare bolleku, e madhe në sipërfaqe (160 ha tokë-arë në v. 1990). Aty ka dhe vreshta e, jo pak, 7.5 ha (në v.1990). Aty – ka dhe bletë, me qindra koshere mjalti. E, sa për kujtesë, ndër të gjitha llojet e mjaltave në botë, ajo e gështenjës, është klasifikuar ma kurativja, është ma e kërkuara për ilaç, për shëndetin. E thonë se një nga sekretet e jetëgjatësisë genetike të dr. Sali Berishës është dhe mjalti pa hile i gështenjës alpine. Aty – ka shumllojshmëri pemësh frutore, thue se je në një fermë frutikulture. Aty, masivi me gështenja, e rrugullon klimën e trevës, ban pastrimin e ajrit, sjell freskinë flladnore deri në mes të verës etj.

Aty – mbarështrohet dhe blegtoria si delmja “Bardhokë”, lopa “Valbona”, “dhija e Kovaçit”, etj. Aty, për nelt, është mali i Shkëlzenit simbolik dhe, për teposhtë, është minerali i kuarcit (“gurgaci”) e–për ndryshe: po i nguce banorët e atyhit me sherri i kie “gurgac” çdonjanin, shpi për shpi. Aty – në Kerrnajë, ka bollek në trimni, në zgjuarësi (dhe pleqnitë e Isuf Groshit), në sojni, në sofër…në kulla, në burra, në njerëz të pushkës e të mendjes. Aty – toka dhe njerëzit janë të bukur – si Alpet. E, ky vend i bekuar prej Perëndisë tue i pasë të gjitha këto për banorët e vet, nuk ka kurrsesi t’i mungojnë Poetët. E, ky vend i ka të gjitha këto begatime e lumnime të vetat e unë po due me iu thanë poetëve të atyhit: “Poetë të Gështenjave”. “Poetë si gështenjat”. E, ky vend, patjetër që do të na jepte dhe nji poet si Zenun Hysenukaj, nga i cili presim nji botim Antologjik Poetik të krijimtarisë së tij poetike të derisotme.

6.
Eva e hangri mollën në kopshtin e Edenit. Zoti u përkujdes për Adamin – i dha dy thasë me grurë, ku njanin ta hanin me gruan e tij Eva dhe tjetrin ta mbillnin për të pasë prodhim të ri senen tjetër. Po ata kujtuan që duhej mbjellë përnjiherë gruri i dy thasëve dhuratë, ndaj në vjeshtën e vonë mbetën thatë, në kushte të vështira për jetesë në ardhmëri. Atëherë iu shkon pranë Djalli e me djallëzi iu thotë: “Në koftë se Zoti juaj është i mirë dhe i fuqishëm sa juve dhe e besoni atë, atëherë pse nuk e vesh këtë mal me pemë ?! E dëgjoi Zoti në Qiell. E mori vesh Djallin në Tokë. Atëherë, Zoti e krijoi Gështenjën nga rrënjët tek boçet eshkore të frutave. E bekoi këtë drufrutor nga ma të parët, ma të lashtët, ma të moçmit.

Kjo legjendë rrëfehet dhe nga Arthur Rabetti tek “Gazzetta di Modena” (01/04/1950). Për gështenjën, këtë pemë historike të bukës e të jetës, kam lexue dhe tek monografia shkencore “Gështenja…” të ing. Beqir Elezajt, që lindi mes gështenjave, u rrit me/për gështenjat dhe tashti e ka varrin e sakrificës e të prehjes së përjetshme aty – mes gështenjave në Elezaj të Margegajve të Malësisë së Gjakovës, këndej Valbone, larg Kërrnaje. Për gështenjën, për vlerat e saj të larta ushqyese, kurative, etj. më ka folë dhe i pasionuari i gështenjave, ing. Shpend Nikoçi, që po është si gështenjë në punën e tij.

E para ishte Fjala, patjetër dhe Fjala Poetike. Dhe Gështenja e bekuar nga Zoti është nga të parët drufrutorë të kultivuar natyralisht në Tokë, ndoshta pas Mollës së Evës e Adamit. Përndryshe: Poezia dhe Gështenja janë pothuaj të njikohshme, të moçme sa Toka, të bukura sa vet Jeta. Gështenja është si Poezi dhe Poezia është dhe si gështenja. Kjo duket dhe në krijimtarinë poetike të Zenun Hysenukajt, që e ka kullën e rritës tek gështenjat, që e ka burimin e poezisë tek gështenjat e Kerrnajës, në Rrethe të Gashit.

Ndër kohna të vona përcillet një histori: një nizam tropojas kur ishte në Turqi i rastisi të shkonte në spital për arsye shëndetësore, kur po i sjellin tek kryet e shtratit edhe nga katër kokrra gështenja. Ai i pyeti: – Po ç’ka janë këto? – Gështenja, i thanë, i përdorim për ilaç për disa sëmundje. Dhe poezia është ilaç. Edhe poezia e Zenun Hysenukaj është ilaç, pasi ajo buron nga trolli i masivit të gështenjave, sikurse dhe poezia e poetëve të tjerë tropojas.

Unë nuk do të kisha shkrue asnji fjalë apo faqe të vetme me të tilla shënime letrare për krijimtarinë poetike të poetit Zenun Hysenukaj në se nuk do të gjeja në poezitë e tij fshatin e lindjes e rritës – Kerrnajën dhe gështenjat, të cilat e banë Poet prej kaherit e në ditë të sodit e për kohnat letrare të së nesermes.

Poeti Zenun Hysenukaj, si poet i perceptimit të së tashmes përmes Kujtesës, me plot mall’ e dashuri, tek vëllimi poetik “Zëri i gështenjave”, me poemën përmbyllëse “Kujtesë për tim bir” (fq. 64) misionon atnisht e palcnisht për Kërrnajën e Gështenjat e saj:

Nderoje bir, fshatin tim Kërrnajë.
Aty gjithnjë do të gjesh:
Bukuritë, legjendat, hyjnitë.
E ken ë dorë nëse do të jesh gjithnjë pranë tyre.
Përkulu para malit me gështenja,
Pije ujin e burimit, mos rri dyshues,
Pi nga ai ujë i ëmbël,
Më i ëmbël se buzët e gruas…

Poeti Zenun Hysenukaj e ka “Edenin” e vet. Ajo është Kerrnaja e masivit të gështenjave në Rrethe të Gashit, aty ku pena, natyra e jeta burimojnë poezi të gështenjta.