KUJTESA SI SHENJË E RESPEKTIT PËR PRIFTIN E SHQIPTARISË DOM ANTON KÇIRA

0
859

Mr. sc. Nue Oroshi

Plejadës së atdhetarëve idealistë shqiptarë, që si kredo jetësore e kishin përparimin dhe ecjen përpara të kombit shqiptar nëpër periudha të vështira historike, iu shtua edhe një atdhetar shqiptar – Dom Anton Kçira. Ai gjatë rrugëtimit të dritëjetës u përplas me jetën, sepse nuk ishte e lehtë ta lutesh Zotin, ku lutej e propagandohej djalli, dreqi e mefistofeli. Pra, nuk ishte e lehtë të veprosh për shqiptarizëm, kur korbat e zinjë dhe ushujzat i bënin varrën dhe varrin kombit tonë shqiptar. Nëpër këto ecajake të vështira, eci pa u ndalur asnjëherë prifti i kombit dhe i fesë, prifti i nderit dhe i burrërisë Dom Anton Kçira.

Si fryt i kësaj pune të gjatë mbi pesëdhjetë vjeçare, për ta nderuar e respektuar si dhe kujtuar veprën e tij atdhetare, Shoqata”Trojet e Arbrit” më 1 Gusht 2018, në Gjakovë mbajti një Sesion të veçantë shkencorë me temën: ”Dom Anton Kçira – Ambasador i Shqiptarëve në SHBA”. Si fryt i këtij Sesioni të veçantë shkencor tash po i japim në dorë lexuesit shqiptar librin me titull: ”Dom Anton Kçira – Ambasador i Shqiptarëve në SHBA”, me tridhjetë autorë, studiues nga të gjitha viset etnike shqiptare dhe diaspora e madhe atdhetare.

Gëzon fakti se për Dom Antonin kemi autorë nga të gjitha viset etnike shqiptare, diaspora e madhe atdhetare si dhe autorë e studiues nga të gjitha religjionet, që ka shqiptaria, të cilët të gjithë së bashku bashkuan idetë, ku mblodhën jetën dhe veprën e Dom Antonit dhe si fryt i këtyre studiuesëve të vyer, kemi librën e radhës për këtë prift atdhetar.

Me punimet e tyre në këtë vepër shkencore, u paraqitën këta autorë: Prof. dr. Muhamet Shatri, imzot Hil Kabashi, prof. dr. Islam Lauka, patër Ndue Kajtazi, Franz-Llesh Grishaj, Dr. Dom Nikë Ukgjini, Eugjen Merlika, Dr. Ermelinda Kashah, Prof. Dr. Riza Sadiku, Hasan Hasani, Dr. Besim Morina, Mr. sc. Rezehana Hysa, Don Albert Jakaj, Fatmir Minguli, Selman Etemi, Arben Çokaj, Pjetër Nikolla, Pal Canaj, Dr. Sali Haxhiu, Tomë Mrijaj, Mr. sc. Nue Oroshi, Martin Dedaj, Klajd Kapinova, Krist Gjinaj, Mikel Gojani, Prekë Gjetaj, Mhill Velaj, Msc. Leonora Laçi, Lekë Mrijaj dhe Msc. Kristinë Oroshi.

Kjo vepër enciklopedike, që po i japim në dorë lexuesit është libri i shtatëmbëdhjetë me radhë që boton Shoqata ”Trojet e Arbrit”, në këto pesëmbëdhjetë vjet të veprimtarisë së saj shkencore dhe libri i parë që flitet për Dom Anton Kçirën, që vjen si fryt i një Sesioni të vetëm shkencor, që është mbajtur deri më tani për jetën e veprimtarinë e tij atdhetare dhe fetare.

Por për dom Antonin ky libër është libri i pestë më radhë, që është shkruar deri më tani. Librin e parë për dom Antonin e botoj shkrimtari dhe studiuesi i njohur Hasan Hasani -Perkola, duke botuar romanin “Ulërima“ në vitin 1989, që e botoj shtëpia botuese “Rilindja“ në Prishtinë, ku këtë roman, shkrimtari Hasan Hasani ia kushtoj Dom Anton Kçirës dhe Mulla Muhamet Lipës.

Pastaj studiuesit e vyer Tomë Mrijaj dhe Klajd Kapinova botuan dy vepra shumë të rëndësishme e shumë të plota me tituj: “Dom Anton Kçira shërbestar i Zotit dhe Atdheut“, botuar në vitin 2002 në Shkodër dhe “Don Anton Kçira në jubileun e 50 vjetorit të meshtarisë“ Botim i SHB. “Volaj“, po ashtu në Shkodër në vitin 2017, pa harruar edhe një libër, që kishte dalur në formë të intervistës me titull: “30-vjet me malësorë“, bisedë në Detroit me Dom Anton Kçirën, e realizuar nga Pjetër Jaku, botim i Shtëpisë “Kuvendi“ (Lezhë, 2001), shtypur në GEER, Tiranë.

Ky libër enciklopedik, që po e sheh dritën tashmë është libri më i plotë që është botuar për Dom Antonin dhe që vjen si një fryt i një pune të gjatë dhe një frytshmërie të madhe të tridhjetë studiuesve, të cilët shkrinë idetë e tyre në këtë vepër shkencore.

Është për t’u theksuar fakti se rrallë herë mund të ndodhë në botën shqiptare, që për së gjalli, një prifti atdhetar t’i botohen pesë vepra nga shumë autorë.

Kjo është bërë për faktin se sa më shumë që të gjurmosh në biografinë e Dom Antonit, aq më shumë do të gjesh fakte që ky atdhetar shqiptar nuk ndaloj asnjëherë për të dhënë kontributin e tij si në aspektin kombëtar, fetar, kulturor dhe duke u shkrirë si qiriu në aspektin human. Në fund, mund të them se po e ndiej vetën të gëzuar që edhe unë po kam mundësi ta vendosi një guri të çmuar në Kështjellën e madhe kombëtare, me emrin Dom Anton Kçira, si shenjë respekti për këtë rrap shekullor të kombit tonë shqiptar.