Sekserët e Diasporës, levë e pushtetarëve të inkriminuar!

0
552
Florim Zeqa
Florim Zeqa

Shkruan: Florim Zeqa, 21.01.2019

Përderisa dy dekada më parë, fondet e luftës, përkatësisht Fondi i 3%-it dhe Fondi “Vendlindja Thërret” ishin objekt i pasurimit të klasës (aktuale) politike, që thithën më “pambuk” djersën e mërgimtarëve, sot e kanë ndryshuar formën dhe përbajtjen e plaçkitjes, jo më të djersës së mërgimtarëve në vetën e parë, por akoma më keq të plaçkitjes dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit përmes nëntokës kriminale në Kosovë dhe sekserëve të tyre në Diasporë.

Cilët janë Sekserët e Diasporës

Shfaqja e fenomentit të sekserëve të pushtetit vendor në Diasporë zanafillen e ka në vitet e para të pasluftës, zhvillimin në vitet e para të paspavarësisë, ndërsa kulminacionin përgjatë këtyre 3-4 viteve të fundit.

Sekserët e Diasporës janë individ dhe grupe të interesit, të cilët janë të lidhur drejtëpërdrejt me segmentet e krimit të organizuar, përkatësisht me pushtetarët e inkriminuar në Kosovë e Shqipëri.

Sekserët e Diasporës janë urith të nëntokave partiake të maskuar nën petkun e “Bashkimit Kombëtar”, që u shërbejnë interesava klanore për realizimin e ndonjë interesi të vogël personal nga bosat e krimit të organizuar në Kosovë.

Si vrojtues i mirë i kësaj situate, përgjatë gjasht viteve të fundit i kam përcjellur me vemëndje aktivitetet e tyre në mërgatën tonë.
Ministria e Diasporës është katalizatori kryesor i lidhjes dhe shpërndarjes së informacioneve me shoqatat dhe organizatat mike, i eksportimit dhe importimit të parave nga buxheti i shtetit.

Lidhjet që kanë krijuar sekserët me nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar janë të fuqishme. Pavarësisht ndërrimit të pushtetarëve, përkatësisht minsitrave të Ministrisë së Diasporës, ato lidhje ripërtërihen pa ndonjë problem me ministrat apo zv.ministrat e rinjë.
Sikurse në Kosovë që bëhen bashkë nëntokat e partive politike, edhe Sekserët e Diasporës, këta urithët e nëntokave partiake, kur janë në pyetjet privilegjet, duke filluar nga lëpirja e ndonjë ashti të fëlliqur nga pushtetarët, punësimi i ndonjë familjari në institucione e deri tek ambicia më kulmore e përfshirjes së drejtëpërdrejt të tyre në institucione apo staf diplomatik, e harrojnë përkatësinë partiake dhe ideologjike, miqt e shoqërinë.

Vizitat e shpeshta të ministrave tek shoqatat e njëjta

Ekskursionet e shpeshta të pushtetarëve në vendet europerëndimore, janë ekskursione me para të buxhetit të shtetit për realizimin e interesave personale.

Vizitat e shpeshta të përfaqësuesve të Ministrisë së Diasporës, deputetëve dhe pushtetarëve të nivelit lokal, përkatësisht takimet e tyre me të njëjtat subjekte (shoqata) dhe individ, duke i grumbulluar rreth vetës jo më shumë se 20-50 mërgimtar.

Shpenzimet enorme të eskortës së pushtetarëve në Diasporë, përveq shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit nëpër hotele të shtrenjta, dëmtojnë rënd buxhetin e shtetit edhe me dreka e darka me sekserët e tyre të dislokuar në mërgatën tonë.

Mbeten të pajustifikueshme për Qeverinë e Kosovës dhe shqetësim për qytetarët e vendit, vizitat e shpesht e ministrave, zv.minstrave dhe këshilltarëve të tyre, ambasadorëve e konsujve nëpër të njëjtat shoqata të ashtuquajtura “kulturo-artistike”, duke injoruar në plotëni shoqatat më funksionale, më të organizuar dhe më transparente!

Kjo ndodhë për faktin se në shoqatat e mirëorganizuara dhe transparente nuk shkel asnjëherë këmba e pushtetarëve të inkriminuar.

Zhvatja e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës

Shoqatat e drejtuara nga atdhetarët burimet e financimit i kanë nga anëtarësia, ndërsa shoqatat e drejtuara nga pseudopatritotët janë shoqata fiktive pa anëtarësi, të cilat burimet financiare i kanë nga bizneset e dyshimta apo pushtetarët e inkrimunuar.
Një shoqatë fiktive pa anëtarësi nuk iu shërbenë interesave të mërgimtarëve por vetëm klaneve e grupeve të interesit dhe pushtetarëve në veqanti.

Politikanët pa dallim, pushtetar dhe opozitar në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me nëntokën kriminale në Kosovë dhe sekserët e tyre në Diasporë, në fokusin e tyre politikë nuk e kanë pasur asnjëherë interesin dhe mirëqënjen e qytetarëve (mërgimtarëve), por sy e mendje i kanë si të pasurohen në mënyrë të paligjshme duke e rrjepur popullin dhe zhvatur buxhetin e shtetit të Kosovës.

Pra e gjithë klasa politike, pushtet dhe opozitë, mendjen nuk e kanë tek shteti, por tek pushteti (xhepi) dhe tek milionat e paluar në parajsat fiskale.

Këtë klasë të shëmtuar politike është duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave të pista dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës, duke paguar nga llogaria e shtetit të Kosovës dreka e darka të majme për qindra persona, verëra dhe pije të shtrënjta në restorantet më luksoze, për ta kaluar më pas edhe natën me “luciolat” (dashnoret) e tyre në hotelet me 5 e 6 yje.

Biznes me shkollat shqipe në Diasporë

Paralelisht dhe paraprakisht Ministrisë së Diasporës, Sekserët e Diasporës i kanë vënë lidhjet me Ministrinë e Arsimit, nga e cila kinse në emër të ndihmës së Mësimit Plotësues në Diasporë, zhvatin në mënyrë permanente buxhetin e shtetit të Kosovës.

Të ashtuquajturat shkolla të mësimit plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve në shtetet perëndimore, përveqse janë të pakëta e të mangëta, ato nuk janë në nivelin e duhur organizativ e kualitativ shkaku i mungesës së kuadrove profesionale të mësuesve.

Mësuesit gjysëmanalfabet, më shumë i dëmtojnë se sa i edukojnë fëmijët e mërgatës sonë. Si pasoj e nivelit të ulët edukativ të mësueve dhe lidhjeve të tyre me pushtetarët e inkriminuar, gjithnjë e më shumë kemi rënje të interesimit të mërgimtarëve për dërgimin e fëmijëve të tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe.

Këtë e dëshmon rasti një shkolle të themeluar para tre viteve, e cila kishte startuar me afro 50 nxënës, ndërsa shkaku i rrethanave të sipërcekuara e njëjta shkollë ka mbetur me më pak se 10 nxënës.

Mirëpo, kjo nuk është problem për sekserët që bëjnë biznes me shkollat shqipe, mjafton ekzistenca e shkollës, qoftë edhe me numër minimal nxënësish, për shkak se, sa herë që ju duhen i angazhojnë fëmijët e familjarëve të tyre gjithandej mërgatës për ta rritur numrin në kuotat më të larta në shkolla, për të thithur mjetet e përvitshme financiare nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës.

Auditim për MASHT-in, MPJ-në dhe Ministrinë e Diasporës

Sa herë që e kërkon nevoja për zhvatjen e buxhetit të shtetit, Sekserët e Diasporës dhe pushtetarët e inkriminuar bëhen bashk në organizimet e mërgatës, si në: festa kombëtare e shtetërore, fillim dhe përmbyllje të vitit shkollor, orë letrare, promovime librash, ndeja private, ahengje, kanagjeqe, syneti dhe takime tjera të grupeve të interesit.

Përderisa Ministria e Arsimit nuk arrin t’i plotëson kushtet elementare nëpër shkollat e vendit në “mungesë” të mjeteve financiare, çuditërisht me lehtësi ia arrinë të ndaj me mijëra e dhjetëra mijëra euro në vit për një shkollë shqipe në Diasporë!
E keqja bëhet më e madhe kur ky financim i shkollave shqipe nga Ministria e Arsimit në Diasporë bëhet në mënyrë (klandestine) të fshehtë, duke mos i bërë asnjëherë transparente aspektet e levizjeve financiare brenda ministrisë!

Në anën tjetër, Sekserët e Diasporës, mjetet e thithura nga Ministriia e Arsimit dhe ajo e Diasporës, jo vetëm që nuk i përdorin për nevojat e shkollës, asnjëherë nuk i bëjnë publike të hyrat e “Qeverisë” para mërgimtarëve, për shkak se më pastaj e kanë të pamundur ta bëjnë mashtrimin dhe plaçkitjen e bizneseve dhe njerëzit e vullnetit të mirë, duke iu paraqitur si ëngjuj, kinse shkollën e mbajnë në baza vullnetare!

Janë të mirëseardhura ndihmat e MASHT-it me tekste shkollore dhe material tjetër didaktik për shkollat shqipe në Diasporë, porqë është e papranueshme ndarja e mjeteve materiale nga buxheti i varfër i shtetit për sekserët e pushtetit në Diasporë.

Të gjithë ata individë apo shoqata në Diasporë që thithin mjete nga buxheti i shtetit në emër të aktiviteteve të mërgatës, s’janë gjë tjetër veqse abuzues dhe pjesmarrës në krim të organizuar, janë levë e pushtetarëve të inkriminuar.

Edhe përkundër fakteve dhe argumenteve të shumëta për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit nga ministritë e sipërcekura, Prokuroria e shtetit akoma heziton të hetojë abuzimet, të cilat mund të bëhen transparente përmes një auditimi të thjeshtë të levizjeve financiare të MASHT-it dhe Minsitrisë së Diasporës, pa anashkaluar as MPJ-në, gjegjësisht levizjeve financiare të Ambasadave të RKS-së në raport me shoqatat në vendet respektive.