Fejton – LUFTA E SHENJTË IDEOLOGJIKE E IBRAHIM KELMENDIT?!… (6)

0
717

[ HYRJE – PËRMBAJTJA ]

Intermexo (2)

Shkruan: Shefqet DIBRANI, 20 janar 2019

Derisa isha duke përgatitur vazhdimin e fejtonit “LUFTA E SHENJTË IDEOLOGJIKE E IBRAHIM KELMENDIT?!”, në të cilën doja të trajtoja disa aspekte “Mbi doktrinën ideologjike të LRSSHJ-së dhe të LPRK-së”, sipas rrethanave të ngritjes dhe rënies së doktrinës komuniste në Bashkimin Sovjetik, krahasuar sipas ideologjisë së “Frontit të Kuq Popullor”, që ishte pararoja e së Majtës Shqiptare në Evropën Perëndimore, një mik më sinjalizoi se Ibrahim Kelmendi, i paska përkujtuar heronjtë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekën, në 37 Vjetorin e vrasjes, përkujtim që qenka botuar në një gazetë Kombëtare, të cilës do t’i shkonte më mirë prefiksi “Anti”, përpara, për t’u kompletuar si duhet politikisht dhe ideologjikisht kjo gazetë.

Pasi lexova komentin qesharak, të cilin vetëm një i marrë në kuptimin ma origjinal të kësaj fjale, mund ta bëjë, e bëra këtë “intermexo – shkëputje në mes fejtonit”, se mu duk me interes, pasi komenti i Ibrahim Kelmendit, i akuzuar i tërthortë e drejtpërdrejt, deri në atë moment i kishte marrë hiq më pak se 278, pëlqime, 138 komente dhe 18 shpërndarje.

Për befasi, e kishin publikuar edhe disa portale në rrjetet sociale të internetit, të cilat shpjegojnë për krizën e madhe morale që ka shoqëria shqiptare, e cila pëlqen krimin dhe kriminelin, pëlqen spiunin dhe udbashin, pëlqen dhunuesin dhe përvetësuesin, pëlqen shkatërruesin dhe mercenarin, duke dëshmuar atë vesin e keq për të cilin jemi kritikuar prej shekujsh, se “shqiptarët nuk merakosen pse bashkëjetojnë dhe ngritin dolli me krimin dhe kriminelin, bënë përqafime dhe glorifikime deri në shkallë marrëzie për njerëzit e degraduar, të dyshuar dhe madje edhe me ata që pranojnë se kanë qenë vrasës, se kanë dashtë të vrasin, se kanë pasur qëllim për të likuiduar këtë e atë, qoftë në emrin personal apo organizatave të cilat edhe sot akuzohen për krim kundër shoqërisë dhe njerëzimit”.

Madje vrasësit, dhunuesit, udbashet dhe ata që kanë qenë të dënuar për krime ordinere, ose ata për të cilët flitet se ishin apo janë pjesë e Shërbimeve vrastare informative, a të përndjekjes, si askund tjetër në botën demokratike, ftohen në emision e debate televizive, i kanë zgjedhur e bërë analistë, me një fjalë dhunues të përhershëm të demokracisë dhe të vlerave qytetare të kombit tonë, janë bërë tellall të demokracisë?!…

Sot vrasësit real dhe ata që po dyshohen, rrethohen e mbështeten më shumë se sa intelektuali dhe qytetar i dinjitetshëm i cili ka mundur të rezistoj dhe t’iu shpëtojë të gjitha kohërave, prandaj nuk kemi se si t’i kualifikojmë pëlqimet, komentimet dhe shpërndarjet të cilat jo pak intelektual e veprimtar po i bëjnë me vetëdije duke dëshmuar se s’kan dert pse solidarizohen me këtë kategori, sikurse edhe media “Kombëtare” dhe aso që iu përshtatet edhe më mirë prefiksi “Anti”, përpara… nuk shqetësohen pse bashkëjetojnë dhe bashkëveprojnë me kriminelet. Nuk kuptojë pse kjo shoqëri nuk di apo nuk dëshiron të distancohet nga krimineli dhe i marri. Janë këto arsye pse ne nuk duhet të hidhërohem nga konstatimet e të tjerëve për ne, pse rrimë këmbëkryq me të keqen, me krimin dhe kriminelin, me udbashin, me hajdutin e dhunuesin pa u merakosur fare.

Nëse bëhemi pakëz ma human nuk duhet ta akuzojmë Ibrahim Kelmendin për kriminel, por ky koment dhe veprimet e tija mediatike janë më shumë se sa kriminale, pasi ai nuk ka një pikë etike dhe ndërgjegje qytetare, madje duket sikur ka deficite në formimin e ndërgjegjes njerëzore.

E kjo ndërgjegje e Ibrahim Kelmendit lidhet drejtpërdrejt me akuzat, fyerjet dhe etiketimet që ua ka bërë vite me radhë Familjes Gërvalla, përkatësisht vëllait të Jusufit, Hysen Gërvallës e veçmas bijës së Jusufit, Donikë Gërvallës, duke u rreshtuar me të njëjtën vijë ideologjike me titistin Isa Mustafa, i cili kur ia do interesi, me suitën e tij shkojnë tek varrezat e tyre në Dubovik, atje bëjnë deklarata e fotografi për marketing politik, por kur ishte koha për t’ia pranuar meritat Donikë Gërvallës, si kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani, ideologjia komuniste e Isa Mustafës, e ka ndëshkuar, prandaj rirreshtimi i Ibrahim Kelmendit past tij e në përkrahje të Isa Mustafës, duke atakuar Donikën ose edhe autorin e këtij shkrimi, lidhet drejtpërdrejt me ideologjinë sllave e Sovjetike, dhe veçmas janë bërë agresiv pas forcimit të pozitave gjeostrategjike të Rusisë në rajon dhe botë.

Pra janë plot 37 vite, akuza të shumta të cilat e bëjnë fajtor Ibrahim Kelmendin, se paska gisht në këtë vrasje makabër, e cila në çfarëdo rrethanash të jetë bërë, i ka lëshuar hapësirë gënjeshtrës si parim që ka Ibrahim Kelmendi, për të thënë se “Në mëngjesin e po asaj dite, më 17 Janar 1982, paskan bashkëthemeluar Lëvizjen për Republikën e Kosovës?!”. Kjo deklaratë e shqiptuar me dhjetëra herë në këto 37 vite, është një gënjeshtër e dalë nga kuzhinat e atyre që planifikuan vrasjen e tre heronjve, sepse për 37 vjet, Ibrahim Kelmendi, po flet për një “bashkëthemelim”, që nuk ka ndodhur kurrë, pasi deri më sot nuk është publikuar, asnjë dokument, asnjë rresht dhe madje asnjë prese për të besuar se ka ndodhur “BASHKIMI”, për të cilën flet Ibrahim Kelmendi.

Ibrahim Kelmendi, edhe këtu po deklaron rrejshëm se paskan themeluar “Lëvizjen për Republikën e Kosovës”, kurse në ata pak dokumente të kohës thuhet: “Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllave”, e cila platformë politike ka pasur Diktaturën e Proletariatit e frymëzuar në Doktrinën Sovjetike të Marksizëm-Leninizmit dhe Stalinizmit Sovjetik, doktrina e teori që i kanë imituar: “Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës” dhe “Fronti i Kuq Popullor”.

Por nuk duhet harruar se vetëm një muaj më parë, pikërisht më 17 dhjetor 1981, në Tiranë vritet Mehmet Shehu, (në disa dokumente vrasja e Shehut shënohet se ka ndodhur më 18 dhjetor), por me sa di nuk është hulumtuar kurrë nëse “Fronti i Kuq Popullor” i Ibrahim Kelmendit, ka marrë instruksione nga “Fronti Demokratik i Partisë së Punës të Shqipërisë”, ose SIGURIMI i Shtetit se si duhet “Eliminuar për tu Bashkuar?!”. Teoritë për vrasjen e Mehmet Shehut dhe teoria e gënjeshtrave për “Bashkimin e Lëvizjes”, janë prodhim i të njëjtës kuzhinë, doktrinë staliniste e cila ka pasur pasoja të shumta në mërgatën shqiptare në Evropën Demokratike.

Ky përkujtimi për Heronjtë, nuk i hyn aq në punë Ibrahim Kelmendit, po sikur të mos kishte ndërmend të riciklonte edhe njëherë “Gënjeshtrën për Bashkim?!”, për të cilën nuk ka dëshmi se ka ndodhur. Edhe në atë kohë ky njeri është konsideruar sharlatan, i pa princip dhe vazhdimisht është thënë se Ibrahim Kelmendi, është shkaktari kryesor për dështimin e përpjekjeve për “Bashkim?!” të së majtës Shqiptare në Evropën Perëndimore. Ky “Bashkim?!” nuk ka ndodhur kurrë, pasi viti 1993, i qet në pah të gjitha përçarjet që ndodhnin në të Majtën Shqiptare në Evropën Perëndimore, kurse vitet vijuese, sidomos me daljen e “Tre Zërave të përçarë të Kosovës”, dëshmon se Ibrahim Kelmendi, nuk e thotë të vërtetën, pasi si duket ai është implikuar në shumë veprime përçarëse e kriminale për të cilat jo pak është akuzuar.

Këtij “teoricienti?!” mund t’i pranohej se mbi Heronjtë janë bërë tamam tre atentate: 1. Në vendin e krimit në Untergrupenbach, 2. Në spital nga mjeku Vidiç dhe 3. Gënjeshtra për Bashkim, për të cilën është fajtor kujdestar Ibrahim Kelmendi, i cili kurrë nuk e ka dëshmuar me asnjë dokument, a ndonjë shënim të besueshëm se paska ndodhur “Bashkimi?!”. E në këtë deklaratë edhe ai paska pranuar se Lëvizja, vetëm në vitin 1987, paska mbajtur Kuvendin e parë, d.m.th. e vërteton atë që ia kam theksuar më heret, se kurrë më parë kjo organizatë nuk ka qenë e Organizuar:

Çdo gjë tjetër që e thotë Ibrahim Kelmendi, është demagogji dhe janë iluzione të cilat i ndryshon ai kur ia do qejfi, e faktet janë kryeneçe, pasi vetëm në vitin 1987, LRSSHJ shndërrohet në Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, ndërsa tek në vitet e 90-ta, pas triumfit demokratik që shënoi Lidhja Demokratike e Kosovës, po sidomos vetëm pas rënies së Bashkimit Sovjetik, kjo organizatë e ndryshon vetëm emrin në Lëvizja Popullore e Kosovës, po j edhe veprimet sektare “Marksiste-Leniniste” dhe metodën e eliminimit si luftë e brendshme e klasave. Andaj deklaratat për “demokraci e pluralizëm”, janë sajesa dhe gënjeshtra që si gallatë i pjell vetëm mendja e Ibrahim Kelmendit.

Tashmë dihet se në muajin Korrik 1987, është mbajtur Mbledhja e Parë e Përgjithshme e Lëvizjes për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi, e jo “Kuvendi i parë”, siç thotë ai, të cilën e kanë përgatitur “Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës” dhe “Fronti i Kuq Popullor”, në bashkëpunim me Redaksinë e “Zërit të Kosovës”, organ deri atëherë i LRSSHJ-së.

Tashti qesharaku Ibrahim Kelmendi, duket sikur paska shkallmuar në të gjitha planet, andaj po përpiqet ta korrigjoj historinë duke thënë se e paskan “profilizuar Lëvizjen në frymën dhe përcaktimin e themeluesve të saj – duke e konsoliduar në Organizatë demokratike, pluraliste, çlirimtare! E në anën tjetër të gjitha dokumentet relevante nga ajo “Mbledhje e Parë”, flasin se LPRK, edhe pas kësaj mbledhjeje mbetet “Organizatë Marksiste-Leniniste”.

Përfundim:
Eliminimi për t’iu bashkangjitur ideologjisë së Ibrahim Kelmendit, ka ndodhur edhe gjatë Luftës në Kosovë, atëherë kur u dashtë të eliminohen tre udhëheqës të lartë të LKÇK-së, Ilir Konushevci, (në Shqipëri), Bahri Fazliu, (në Mal të Zi) dhe Agron Rrahmani, (në Prishtinë), e rrit dyshimin për një bashkëpunim të mundshëm të Shërbimeve Sekrete në këto tre vende për ta mbrojtur ideologjinë Sovjetike e cila ishte në krizat me të mëdha të saj. Eliminimi i krerëve të LKÇK-së edhe gjatë asaj kohe është thënë, se ka ndodhur nga krerët stalinist të LPK-së, për t’ia besuar pastaj udhëheqjen e Luftës krahut Stalinist të Ibrahim Kelmendit. Mungesë të dokumenteve autentike dhe të besueshme, kemi edhe për emërimin e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, e për shumë veprime të tjera. Andaj misionar të tillë si Ibrahim Kelmendi, po e ndryshojnë historinë sipas iluzioneve e pazareve të ditës, kurse Lëvizja… por edhe zhvillimet politike e shtetërore në Kosovë këtij njeriu ia kanë parë sherrin!

[ HYRJE – PËRMBAJTJA ]