Loja e fundit – poezi nga Nexhat Halimi

0
847

Ç`është sonte? As qeshesh, as lëviz dot.

Sonte asgjë s’ndërron nga nata e ikur,
Veç ti sonte ke pështymë të përgjakur,
Veç hëna sonte është krejt e zezë në degë
Veç ti sonte s`i çel sytë bojë qielli,

As të flasësh s’do sonte, as të luash!?

E kaq herë e luajtëm këtë lojë, të vritja unë,
Më vritje ti. Dhe vazhdonim prapë… e tash,
Zot, tallesh tash, a vërtet s`do të luash më!?
Tambli i sisës së nënës nuk ta fal këtë kurrë,
Kujdes për mua, tash që ajo nuk është!

Zgjohu, askush s’ka parë ç’ngjau.
As hëna e zezë nga qan në degë ashti,
As gruaja qyqe, as fëmijët e humbur

Bie në gjunjë, me kokë në tokë, bri teje
Krejt në gjak pres të zgjohesh, të harrojmë
Nga erdhëm, të harrojmë, nga shkojmë…

II

Ç`është kështu sonte? Ik` dhe hëna, ik` dhe ti
E unë qaj për qiellin, e unë qaj për ty e veten
Bie në gjunjë, me kokë në tokë, bri teje

Pres të zgjohesh, të buzëqeshësh pakëz, zot,
Si ia bëje atëherë, në fëmijëri, në lojën e vjetër,
Më vrisje-zgjohesha, të vrisja prapë zgjoheshe
E tash e këput lojën: hesht si toka, s` lëviz…
Me fytyrë të përgjakur shikon lart qiellin
E hënën e zezë të varur në degën prej ashti
Të rrapit plak me rrënjën gjarpër mbi gur

Sytë e kaltër ruaji, zemrën, të të mos helmojë
Gjarpër është nga rrënja dhe nuk i dihet kurrë

Shikomë me bisht syri dhe buzëqesh veç pakëz,
Unë do të harroj çdo gjë, do të të puth mbi zemër
E do të luajmë përsëri:ti të më vrasësh gjithnjë.
Unë kurrë, të bëj be, unë kurrë më ty

Ja hëna ik` nga dega, zë të bjerë dhe shi

III

Qielli s`shihet kund e shiu nuk ndalet
Sesi përzihet gjaku dhe uji në një plagë zot
Bie në gjunjë, me kokë në tokë, pranë teje

Pres të zgjohesh, të luajmë prapë. Ti s`lëviz
Hesht si toka. Do të jesh hidhëruar në mua
Kokëfortë, vetë unë. A do të më flasësh më
Apo çdo gjë vdes sonte, në këtë natë me shi
Mund të hidhërohem dhe unë, të mos luaj dot
Ja, do ta vras veten! E po ta bëj këtë,
A do të luash sërish me mua?

Vetëm hesht. Asgjë dot nuk ke të më thua`.
Shikon gurtë në qiell e qielli s`është kund.
E shi bie, bulëzat sesi përbaltin fytyrën
Sytë tu flakë të ndezur e gjithnjë të ngrirë

Bie në gjunjë. Qaj. Setrën ta vë mbi fytyrë
Pres të zgjohesh, të humbim larg nga vetja
Me lulen e gjakut gjarpër përreth qafës.

VI

Ç’ke, ç’është kjo sonte!? As flet, as lëviz.
Bie në gjunjë, me kokë në tokë, bri teje.

Pres të zgjohesh, të më vrasësh e të të vras,
Siç e do loja: një herë unë ty, pastaj ti mua
Do të zgjohesh, apo jo? Veç më ke mashtruar
Veç më ke shtyrë të pikëllohem, të të qaj kot.
A do të zgjohesh? Ja, ndalet dhe shiu, vëlla,
E çilet qielli pa fund, në të kaltër të gjakut
Fryn erë e jugut, me një aromë bari të prerë
dallëndyshet e bartin në sqepa syrin e agut
Ja,do të agojë e ti s`dukesh aspak i së dielës:
Sykaltër, me këmishë të bardhë e jelek të zi
Prit pak, veç pak, të ta lajë gjakun nga fytyra
Të ta lajë ballin nga copëzat e dheut të lagur
Të të ndrisin sytë, të kaltër, dy liqene malore
Nga shëtitje, me mua të voglin për dore.

Bie në gjunjë, me kokë në tokë, pranë teje.
E vdes… Unë i vdekuri, zot. E vdes. E vdes.