FLATRAT E POEZISË – Ese – Parathënie
I nderuar libër, e dashura ime është shumë e bukur, por atdheun e kam më të dashur. Jam lindur në një vend ku toka është e pasur dhe natyra një e bukur e veçantë. Në jetën e poetit të dashuruar në poezi, poeti vet duhet t´i jap drejtim krijimtarisë së tij. Shkrimtarit në çdo çast i kërkohet të jetë i pajisur me dije nga të gjitha epokat që qytetëruan njerëzimin. Identiteti i çdo epoke për poetin është i rëndësishëm.
Poeti në çdo kohë duhet të jetë i përgatitur mirë me dije, dhe ta njoh mirë të tashmen dhe të kaluarën e një shoqërie në ndryshim. Filozofi gjerman, Hëlderlin, shkruan; „Njeriu poetikisht banon në këtë botë“, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin.
Quhem Atdhe Geci (më parë Rrustem Geci) dhe jam lindur me 06. 01. 1950 në Roganë të Dardanës. Në vendlindje mësova të shkruaj, ndërsa mësimet e tjera në Gjilan, Dardanë dhe Prishtinë.
Libër i nderuar, këtë kështjellë të lartë vargjesh e kam ndërtuar për të ardhur ti në jetë. Muza shumë më ka ndihmuar. Libër, fal muzës sime ti përveç flatrave sot ke edhe zërin tënd të veçantë. Për librin me poezi, „Lavdi të gjallëve“ që del nga botimi së shpejti, për lëndë kam zgjedhur vendin tim, dhimbjet e njeriut tonë nëpër njeri. Njëherit, në udhën e krijimit më është dashur të kaloj nëpër shtigje të gjata kulturimi poetik. Në këtë tokë të atdheut tim, unë e ti u rritëm nga çarjet e kohës dhe të vuajtjeve, nga tufani i erërave dhe nga ashku i puthjeve, dhe i drithmave. Prandaj, përderisa të përbashkët të kemi fjalën, gjuhën, frymën dhe të përjetshmen e lëngut të natyrës, do të ketë botë, do të ketë libra e letërsi dhe flatra këngësh. I dashur libër, të vura emrin, ”Lavdi të gjallëve“ nga një motiv krejt i thjeshtë: të kesh një emër. Dhe të kesh një fat. Fatin që të mos jetosh kurrë kohë të përndjekjeve dhe djegieve si shumë pararendës dhe bashkërendës të mjeshtrisë sonë.
Libër i dashur, ti ndoshta mund të ankohesh se të kam vu barrë dhe mision të vështirë, por, ti mos u shqetëso. Një libër është më vështirë të shkruhet sesa të lexohet, pra, s´ke përse të mërzitesh, poetët dhe lexuesit herët a vonë do të trokasin tek ti, do të hapin portat e mëdha të zemrës sate, për të marrë nektarin poetik të vargjeve tua, hiret e madhështisë dhe të bukurisë së betejave. Dhe të gjitha bashkë, mesazhin e kohës që po jetojmë.
I dashur libër, e di që s´e kam të lehtë të kremtoj ardhjen tënde në jetë. Por ja, kjo paskësh qenë ekzistenca jonë e parathënë. Libër, ti në çdo kohë do të flasësh në gjuhën time. Do flasësh deri kur unë të bëhem një stërgjysh i lashtë. Shpirt, s´di a e di se unë, kam hequr dorë nga vetëlavdërimi, nga përmallimi imagjinar, nga vuajtjet e dhimbjet që më kanë tradhëtuar. Frymëzimi dhe mundi krijues, mësa duket, është një urdhër qiejsh. I pashmangshëm, dhe i pakundërshtueshëm për poetët, shprehet Rex Kasumaj, poet. Unë kur jam lindur s´ kam ditur të flas, as të shkruaj dhe as të lexoj. Emrin tim unë e kam mësuar nga nëna dhe motrat. E çuditshme, por, kështu ishte fillimi im në jetë. Në çastin krijues rimën në poezi kurrë s´e kam kërkuar, por frymëzimin e kam kapur në rrjedhën e vet. Në një libër si ky i imi, brenda ka qytete, shtete, kontinente, vogëlima atomesh, gjithësi, planete, bimë poetike, kuantika e motive nga më të ndryshmet.
Njeriu është perëndi teksa krijon. Prandaj, për të lindur ky libër kam lexuar të gjitha kohët dhe fjalës së trazuar ia kam fshirë lotët, ia kam flakur frikën në përballje me cenzorëve shërbestarë. Mundësia për të krijuar art elitar fshihet te krijimi. Asnjë realiteti nuk jep lëndë të gatshme poetike. Me poezinë unë kam rënë në dashuri që në moshë të vogël. Poezinë “Vjershën që s´desha ta shkruaj” as pas 50 vjet krijimtari s´munda ta perfundoj. Përballja ime me poezinë fillimisht qe drojshëm e mëpastaj ballas e marrëzishëm. Për dheun e atdheut tim unë kurrë s´pushoj së kënduari. Vargjet e mia edhepse s´kanë kitarë, ato këndojnë. Asnjë varg tek unë s´është pa zë dhe pa flatra. Atdheu është ekzistenca ime. Pa atdhe unë s´jam askushi! Andaj, me mëndje e flijim elitar vëhen gurët e mëdhenj…
Libri i Atdhe Gecit, shkruan poeti, Rexhep Kasumaj, duket i paqtë e i prajshëm si lumenjtë e thellë që brenda kanë rropamën, dhe trazimin… Libri, “Lavdi të gjallëve“ ka gjuhën e jetuar të qenies sonë. Libër, Atdheu nis tek zemra, tek gjuha, nga shtëpia e nëpër njeri. Poezi, s´di pse po dihatim me të njëjtin ritëm gjallimi, duke shijuar së bashku orët e vona të shpirtërave të zgjuar dhe këngën e zogjëve herakë. Falë poetëve, letërsia jonë çdo ditë po bëhet më e pasur, e më e bukur. I nderuar libër, në fletët e tua poetët e lexuesit mund të lexojjnë poezi e motive nga më të ndryshmet.
Gjyshja ime më thoshte; toka që s´ka pak gurë s´prodhon as kokërra misri e gruri. Në arkën time na rrëfente gjyshja, ende i ruaj ca uror të lashtë për nipat e mbesat e mia. Unë me ata urorë të gjyshes, jo rrallë, ( në çaste meditimesh ) i ndezja ca kandila në kujtim të bijëve e bijave të kohës. Homeri shqiptar i antikës, e ka ditur ku ndodhet Rogana, se fshati im s´është aq larg prej vendlindjes së Homerit, Smirës, fshat afër Vitisë.
Çasteve kur unë krijoj, mbrëmjen e kam miken më të dashur. Me mbrëmjen shikohemi në vrajat e njëri-tjetrit. Lexues, nëpër secilën thinjë të flokut tim fshihen thëllima jete të pathëna. Në dashuri kurrë s´më është dukur shtrati vogël. Me çaste, vetëm murin kam patur përpara. Por, mua m´është dashur me intuitë poetike të shoh përtej mureve të kohës.
Miq të mi, unë shumë lexoj nëpër dukjet e vjetëruara të kohërave dhe nën gjuhët që s´fliten më. Epokat e „vdekura“ e thoshte mësuesi im i letërsisë fshehin realitete të kohërave shumë të hershme. Libër, prej shpirtit më vjen të them dhe këtë; E dashura ime është tepër e bukur, por atdheun e çmoj si më të shenjtën dashuri!… Libër, të kam fëmijë të zemrës, fëmijë të shpirtit, fëmijë të betejave, fëmijë të ëndrrave dhe të fitoreve. Libër, erdhi koha për t´u ndarë; ti tek e ardhmja jote, e unë udhës së poetit. Poezi, të kam shok udhe. Njohja me lexuesin nuk është aq e lehtë. Shijet e lexuesve janë të ndryshme. Por, ti duhet ta bësh vet betëjën me lexuesit dhe librat e tjerë. Takimi i librit me lexuesit i gjason një çifti të dashuruar, një çifti me fjalë pak e shtrëngime shumë. Libër i nderuar, këtë bashkëbisedim po e mbylli me një varg timin, Shpërngulja vritka më shumë se vdekja. Lexojeni, do bindeni për vlerat e librit!
Atdhe, të përjetshëm të ka bërë gjuha, shkrimi, krijimet e panumërta, e folmëja shqip me natyrën, me gurët e shkruar të fillimit dhe me pikat eshiut. Jetë, më jep edhe pak kohë, të shkruaj edhe pak vargje!…
Atdhe Geci- 15 Janar, 2019
FRYMA E RE – poezi nga Atdhe Geci
Fol muzë e ngadhnjimit të artit
fletë e çdo dite, muaji dhe viti
kjo kohë më bën të vetëdigjem
për gjuhën kozmike të të parëve
Rritu bimë e gjuhës dhe e fjalës,
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës,
je shpërthim i flakëve të shpirtit,
je lavdi e kraharorit të përgjakur
Në shpirtin vullkanor të poezisë,
bërë i kam betejat e secilit varg
në zemrën e gjerë të këtij libri,
jam pasagjer i planetit të kaltërt
Shqipëri, unë e ti jemi shqiptarë
që nga pellazgët e lashtë e Iliria
vendi ynë qé shesh i luftërave
dhe arenë gjaku e perandorive
Shpatijeve të erëzave në Roganë
fryn frymë e re nëpër fije bari
Kosovë, kryengritëse e këngës
Në trup ende kam plagë të gjakut!…
2
—————————————-
Liri, bëje dorën grusht mos u jep
me emrin tënd, u rritëm betejave
për ty dashuruam mes plumbave
për ty i ramë grusht pushtuesit.
Nuk ka paqe për lumin me vaj
nuk ka paqe për lumin e ndarë
Të rënët do të bëhen më të rinj
në një kohë tjetër, më çlirimtare.
Rritu pemë e fjalës dhe gjuhës
ti që vjen nga gjiri tragjik i jetës
je shpërthim i flakëve të shpirtit
je atdheu i engjëjve të shenjtë.
Të gjitha ditët janë për t´i jetuar
në pasqyrë i shoh armiqtë e mi
kjo botë qenka vërtet një përrallë,
prapa më ndjekin cezarë të tërbuar.
Shqipëri, gjak yjesh të ekuinoksit
gjak i Trojës e i qytetërimit pellazg
këtë jetë e çmoj si forcën krijuese,
Shqipëri ka vetëm në gjuhën time.
Atdhe Geci – Dortmund, 2019