Isak . A H M E T I
Libri: PORTRETE TË ANATEMUARISH, botim i tretë i plotësuar, Ferizaj 2017, i autorti Enver Zhinipotokut, prezenton në mënyrë të denjë disa figura dhe personalitete të anatemuarish. Ky libër, i recensionuar nga Ramush Tahiri, politolog, është një kontribut shumë i veçantë dhe i çmueshëm për mbamendjen historike, është libër-dokument për atë që ka ndodhur dhe që ka lënë gjurmë të pashlyeshne në rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme jo vetëm për fatin e individit, por edhe për fatin e familjeve dhe për fatin tonë kolektiv.
2. Pak biografi
Enver Zhinipotoku (1954), profesor i filozofisë dhe sociologjisë, u lind në Cërnillë të Ferizajt. Një pjesë të shkollimit fillestar e kreu në vendlindje (katër klasët e para), ndërsa pjesën tjetër në Babushin Serb. Pas mbarimit të shkollimit fillestar, regjistrohet në Gjimnaz (1969), të cilin e mbaron me 1973. Më 1973 regjistrohet në UP, në Fakultetin Filozofik, Dega Filozofi -Sociologji.Paralelisht kësaj ka studjuar edhe Letërsinë dhe Gjuhën Shqipe.
Ka ndjekur edhe studimet postdiplomike në Degën e Filozofisë në Universitetin e Zagrebit. Ky autor, me një përgatitje solide profesionale dhe me një guxim qytetar për t’i emërtuar dhe thënë gjërat ashtu siç janë, shkrimet e para nisi t’i botojë që në vitin 1978, në periodikun dhe shtypin shqiptar.
Përveç autor i tre librave:
1. PORTRETE TË ANATEMUARISH (2010),
2. HEREZIA E MENDIMIT KRITIK (1914) dhe
3. LAPSI QË NUK RRI URTË (2016)
E. Zhinipotoku ka botuar edhe dhjetëra e dhjetëra shkrime publicistike, eseistike, recensione dhe polemika, kryesisht nga fusha e shkencave sociale e humane. Ka punuar fillimisht profesor i lëndëve të shkencave sociale e humane në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan, pastaj në shkollat e mesme të Ferizajt. Gjatë viteve 2001-2010 ishte drejtor në Bibliotekën Publike “Sadik Tafarshiku” në Ferizaj, katër vite pa punë si rezultat i fërkimeve pushtetare për shkak të shkrimeve ndaj pushtetarëve dhe keqpërdorimeve të tyre në të gjitha nivelet. Është ky një autor i veçantë, i” rebeluar”, lapsi i të cilit nuk rri urtë!…
3. PORTRETE TË ANATEMUARISH
Ky libër, të cilin po ju paraqesim, portretizon figurat dhe personalitetet e anatemuara të Ferizajt. Siç e ka vënë në dukje edhe Ramush Tahiri, politolog i njohur, në recensionin e tij me titull:
KUJTESË PËR TË ARDHMEN, është një kontribut shumë i veçantë dhe i çmueshëm për mbamendjen historike. Në këtë libër, të shkruar me përkushtim dhe me një stil të bukur, të rrjedhshëm e brilant, janë përfshirë, përveç parathënies shqip dhe anglisht, këto njësi shkrimore:
– Gjashtë pjesëtarë të familjes Goga, pa shenjë varri nga terrori serb,
– Dy vëllezër e dy motra, të një nëne e të një babai, të varrosur në katër kontinente,
– Vëllazëria Matoshi – flijim tre brezash për atdhe,
– Pse nuk guxojmë ta harrojmë dëshmorin Salih Svarça,
– Adem Selimi Gllavica, kolosi midis të mëdhenjve të kohës,
– Abdullah Musliu – njeriu me shpirt të parehatshëm atdhetar,
– Adem Zeneli – Çukli, shqiptari me shtatë plagë nga lufta e Koresë,
– Kthimi në atdhe i atdhetarit antikomunist pas 55 vjetësh,
– Ibrahim Grainca Cërnilla ose letërnjoftimi ynë,
– I përndjekuri dhe frymëzuesi i përjetshëm (ose Sadik Tafarshiku atdhetar i pashoq dhe figurë e ndritur shqiptare),
– Sali Bajra politikani i guximshëm, me të cilin edhe sot matet koha,
– Bajram (Emin) Qykovci “Curri” pjesëtar i NDSH-së dhe pjesëmarrës i gjallë i Kongresit të Blinajës,
– I dënuari me pushkatim, pas gjysmë shekulli i gëzohet Pavarësisë së Kosovës,
– Ramadan Haziri atdhetari i preokupimeve të shumta dhe i shtigjeve të gjata,
– Njerëzorja dhe atdheu – binomi i mishëruar në personalitetin e Abdullah Gashit,
– Gjon Srreqi – lapidar i atdhedashurisë dhe
– KUJTESË PËR TË ARDHMEN (recension).
Nga vetë përmbajtja e paraqitur në këtë libër, të cilit i paraprin parathënia mjaft përmbajtësore e autorit:
SI LINDI KY LIBËR DHE PSE I ZGJODHA KËTA NJERËZ PËR PORTRETIZIM, kuptojmë se ngjarjet kalojnë para syve tanë dhe mendja, siç e thotë edhe recensuesi Ramush Tahiri (fq. 299), ikë për të rikujtuar kohën dhe përpara më shumë se një gjysmë shekulli, për të ardhur nëpërmjet tablove të shkëputura, por të lidhura fort ndërmjet veti, deri në ditët e sotme, në kohën kur jemi vetë dëshmitarë edhe pjesëmarrës. Portretet e njerëzve dhe të familjeve që ia vlen t’i përmendësh, nuk janë zgjedhur rastësisht, ndonëse në libër kanë mundë të hyjnë edhe personslitete e figura të tjera, që me siguri ky autor apo ndoj studiues tjetër do shkruajnë që gjërat të mos harrohen kurrë.
Mëdyshjet e personazheve që janë reale, që kanë ndodhë dhe që nuk janë personazhe e ngjarje letrare, ishin vendimtare dhe duke i lexuar mbesin edhe mëdyshjet tona, se a thua si do të zhvillohej historia për ne po mos të ishin këto përcaktime, po mos të ishin këto veprime që lanë vragë të thella në fatin tonë dhe të cilat në momente kyçe të mëvonshme mbetën si frymëzim, dhe si udhërrëfyes se çka duhet të bëhet për t’i shërbyer kombit, atdheut, për t’u flijuar për idenë e cila është në funksion të lirisë dhe të dinjitetit personal, familjar dhe kombëtar (fq. 299).
Krejt në fund vlen të theksohe se ky libër i E. Zhinipotokut lexohet me një frymë edhe për faktin se aty shihet qartë se populli shqiptar, edhe sipas autorit, e ka ndjenjën kombëtare mbi ideologjinë, kjo kuptohet edhe nga rrëfimet që i lexojmë aty. Ky libër sipas recensuesit është: Kujtesë për të ardhmen!