Madrigal dhe Leximtar – poezi nga Durim Çaça

0
679

Madrigal

Durim Çaça

muzgu që bie në terr
si gjoksi i një kali të zi në luftë

ah, s’ka asnjë kujtim
sado i ndritshëm të jetë
që të mos shuhet

t’dashurosh gjurmën e një trupi në rërë
më shumë se sa gruan
që ka qen’ shtrirë në të

me gërshetat e zinj t’valëzuar
që shpërhapen si hardhitë
e reja në kopsht

e gishtat delikatë me nuancë
të kuqe zëmbakësh uji
në maj

nuk ka asnjë kujtim t’mos shuhet
sado që të jetë
i flaktë

buzëqeshja e gruas që shkoi
si presa e ndritshme e një shpate
atje ku e shkuara shkon përgjithmonë

paj, tehu i mprehtë i gulshit të epshit
e kënga e gjinkallave që bie si një shi
i beftë nga qielli i verës

palca e eshtrave tona kthyer në vezullim
venat e gjakut n’fije zjarri të vrulltë

po s’ka asnjë kujtim
sado të jet’ i dhembshëm
që të mos shuhet…


Leximtar

labirintet lirike të kaosit të Sanguinetit
si gëzimi universal e kritik i don Kishotit
e dhembja e thellësisë së kuptimit të Niçes

portat e poezis’ që i ruajn’ demonët e Harold Blum-it
pejzat e holla të fjalës thurur me dentrite
të tejdukshme të imazhit
suedez të Transtromer-it

e lexuesi n’bibliotekë i Steiner Opstadit
që është qenia e fundit
paj, humane

vdekja si mëm’ e bukurisë që përmbush
gjithë dëshirat, ëndrrat, hovet
e ndritshëm të Klod Magris-it

e njerëzit gazmorë e të lumtur
të lindur kryefill prej lotëve të gëzimit
të hyut egjiptian Atum

si tamburet ngazëllyese të gjesteve
të tua, e dashur, në ditën e gjinjve të tu
si dreri që ik brinjës së pyjeve në verë

e shkumësi i jetës i Ungaretit që shkon
mbi dërrasën e zezë të vdekjes
për nën anën e pasme të kohës
nga pas shpinës së saj të errët

era e kreshtës e fjala e Iv Bonfua-së
që rreshken në betejë

e njeriu me kitarën e kaltër
tej në aurorat e vjeshtës së Stivens-it
nëpër harenë e gjuhës me palmën
në skaj të mendjes…