AV. XHABIR ZEJNUNI
Termi “Ministër ad interim” (“për momentin” ose “për pak kohë”), tregon një lloj funksioni ose detyre të marrë në mënyrë të përkohëshme në një situatë të papritur apo të jashtëzakonshme nga një person, në pritje të emërimit të titullarit përkatës. Ky funksion, mund t’i besohet edhe Kryeministrit.
Funksioni i “Ministrit ad interim” nuk mund të ushtrohet nga kushdo, përfshirë edhe Kryeministrin, pa u dekretuar më parë nga Presidenti. Por, vetëm pasi ai të ketë dekretuar më parë dorëheqjen (apo shkarkimin!) e ministrit paraardhës.
Si rregull, posti i “Ministrit ad interim” mund të ushtrohet kur ministri paraardhës është dorëhequr dhe jo shkarkuar. Por, ky fakt mund të përbëjë përjashtimin dhe jo rregullin në Shqipëri!
Mjafton të sillet ndonjë shembull nga Italia.
Me datën 5 mars 2002, Ministri i Jashtëm i Italisë Renato Ruggiero në Qeverinë Berlusconi jep dorëheqjen. Të nesërmen, Berlusconi i paraqet Presidentit Ciampi për firmosje dekretin e pranimit të dorëheqjes së Ruggieros dhe më pas i kërkon dekretimin e tij si “Ministër ad interim”. Dhe Ciampi veproi menjëherë. Pasi u betua para Ciampit, Berlusconi doli nga Quirinale dhe u drejtua menjëherë tek Farnesina për të marrë në dorëzim detyrën nga Ministri i dorëhequr.
Me 26 mars 2014, Kryeministri Enrico Letta pranoi dorëheqjen e Ministres për Politikat Bujqësore, Ushqimore dhe të Pyjeve, Nunzia De Girolamo dhe merr përsipër “ad nterim” postin e Ministrit. Dorëheqja nga posti dhe marrja e po këtij posti “ad interim”, u dekretuan po atë ditë nga Presidenti Napoletano.
Me 20 mars 2015, pas dorëheqjes së Maurizio Lupit, Presidenti Mattarella pranoi këtë dorëheqje dhe po me të njëjtin dekret emëroi Kryeministrin Renzi (pas kërkesës së tij) si “Ministër ad interim” të Infrastrukturës dhe Transporteve.
Edhe Kryeministri grek Tsipras mori përsipër me 17 tetor 2018 postin e “Ministrit ad interim” të Punëve të Jashtme pas dorëheqjes së Kotzias. Pas dekretimit të Presidentit grek Paulopoulos të dorëheqjes së Kotzias dhe më pas të emërimit të Tsipras “ad interim”. Por, bën shumë çudi fakti se sa shumë po zgjat periudha e postit “ad interim” të Tsipras!
Në një intervistë të dhënë me datën 14 janar 2019 në TV KLAN, në lidhje me deklaratën e Ramës se ai do merrte postin e “Ministrit da interim”, Presidenti Meta deklaroi se ai “Në respektim të Kushtetutës do merrte kohën e mjaftueshme për të shqyrtuar kërkesën në fjalë”.
Shtrohen disa probleme këtu.
Si mund të kërkojë Rama të ushtrojë postin e “Ministrit ad interim”, kur Bushati nuk është dorëhequr, por shkarkuar nga Rama? Ndryshon rasti kur një person duke u dorëhequr nga një post, shfaq refuzimin e tij që të mbulojë këtë post nga shkarkimi i një personi nga një post kundër dëshirës së tij. Në rastin e parë, personi i dorëhequr ndërpret raportin punës dhe bashkëpunimit me postin e tij. Në rastin e dytë, ky raport bashkëpunimi mund të vazhdojë edhe më tej. Siç është rasti i Bushatit, që edhe pse i shkarkuar nga Rama, vazhdon të ushtrojë akoma detyrën e Ministrit të Jashtëm. Atëherë, çfarë tagri ka Rama që të kërkojë të bëjë “Ministër ad interim” kur ky post akoma nuk është i lirë?
A mundet (apo duhet!) Meta të dekretojë shkarkimin e Bushatit pas kërkesës së dytë të Ramës, kur Kushtetuta nuk e parashikon kërkesën e dytë për shkarkimin e të njëjtit ministër. Edhe në rast se do shkelej Kushtetuta duke dekretuar shkarkimin e Bushatit, Meta duhet ta bëjë menjëherë këtë dekretim dhe po ashtu të dekretojë menjëherë Ramën si “Ministër ad interim” dhe jo “të marrë kohën e mjaftueshmë” për të vendosur, duke qene se ai i njeh shumë mirë Bushatin dhe Ramën. Fitimi i kohës për politikat personale, është humbje kohe për politikat kombëtare.
Praktika serioze botërore nuk njeh asnjë rast ku Presidenti “të kërkojë kohën e mjaftueshme” për të vendosur dekretimin ose jo të “Ministrit ad interim”. Pasi ky post parashikohet për një kohë shumë të shkrurtër në momente të jashtëzakonshme, që mund të shkojë nga disa ditë deri në disa javë. Në Itali, Federico Pescetto ushtroi detyrën e “Ministrit ad interim” nga data 10.04.1867 deri me daten 12.04.1867. Pra, vetëm dyditë!
A mund të ndodhë që Meta në ditën e shtatë të dekretojë shkarkimin e Bushatit dhe emërimin e Ramës si “Ministër ad interim” dhe Rama po në të njëjtën ditë të ketë gjetur kandidatin e përshtatshëm për të përmbushur këtë post: “ad interim” ose no? Çfarë ndodh atëherë? Mos vallë do duhet që Rama të kërkojë për herë të tretë shkarkimin e Bushatit. Si do duhet të reagojë Meta në këtë rast? Do veprojë menjëherë ai, apo do presë përsëri 7 ditë të tjera për të vendosur? E nëse Meta vendos që të mos vendosë përsëri? Ja pra se në çfarë rrethi vicioz është futur politika dhe drejtësia shqiptare.
Këtu nuk po diskutohet pastaj roli i Parlamentit, i cili duhet të shqyrtojë brenda 10 ditësh dekretin e Presidentit sipas nenit 98, par. 2 të Kushtetutës.
Bën shumë habi fakti që stafi juridik i Presidentit të mos dijë (apo mos dojë të dijë!) rëndësinë e rolit “ad interim” dhe si rrjedhojë të këshillojë Presidentin për të vepruar drejtë dhe në mënyrën sa më urgjente.
Bën çudi po ashtu se përse Rama si një politikan race që ai pretendon të jetë, nuk e parashikoi (ose nuk e “nuhati”!) faktin se Meta nuk do e dekretonte Cakajn. Pasi nëse Rama do kishte qenë më i zgjuar, atëherë ai do duhej që sapo shkarkoi Bushatin, menjëherë të bëhej ai “Ministër ad interim”. Në këtë rast, Meta do kishte firmosur menjëherë dekretin e shkarkimit të Bushatit dhe dekretin tjetër për emërimin e Ramës si “Ministër ad interim”. Ose me një dekret shkarkimin dhe emërimin e të dyve.
Ndryshon rasti i Tsipras, i cili u bë “Ministër ab interim” menjëherë pas dorëheqjes së Kotzias nga rasti i Ramës, i cili pretendon të bëhet “Ministër ad interim” pas refuzimit të Metës për të dekretuar Cakajn.
Zgjidhja më e mirë për Ramën për momentin, do ishte tërheqja e shkarkimit të Bushatit, përderisa ky shkarkim nuk është dekretuar akoma nga Meta. Pastaj, pasi Rama të gjejë zëvendësuesin e Bushatit, të shkarkojë Bushatin dhe të kërkojë më pas dekretimin e Ministrit të ri. Uroj jo me moshë kësaj radhe!
Prandaj, rrjedh që në këtë situatë kaq delikate, duhet që Bushati të ushtrojë NORMALISHT detyrën e tij, duke respektuar në radhë të parë impenjimet e marra në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sot, Bushati pati një takim më Ministrin e Jashtëm italian Enzo Moavero Milanesi!
Kërkesa e Ramës për t’u bërë “Ministër ad interim” në këtë mënyrë, nuk ka asnjë kuptim. Madje është mjaft e dëmshme, pasi mund të krijojë një precedent të pakëndshëm në të ardhmen.
Serioziteti i një shteti nuk duhet vënë kurrë në disktutim apo në rrezik nga titullarët e tij. Pavarësisht lodrave politike, që luhen poshtë apo sipër rrogozit.
Shtrohet edhe një problem tjetër.
Ai i interpretimit të nenit 103, par. 2 i Kushtetutës, i cili disponon se “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”. Një interpretim doktrinal I kësaj norme kushtetuese, do hante shumë kohë(….)!
Duke qenë se nuk ekziston Gjykata Kushtetuese, e cila ka për detyrë intepretimin e kësaj norme kushtetuese, urohet dhe supozohet që Meta të “verë dorën në zemër” dhe të mos kapet pas kësaj norme kushtetuese.
AMEN.