POEZI QË I KËNDOJNË ATDHEUT, HERONJVE, LIRISË, JETËS, MËRGIMIT, DASHURISË…

0
786

Shaban Pllana “Rrugët e thyera”, SHB “Lena” – Prishtinë, 2019

Milazim F. KADRIU

kur të vdes
një asht timin
ma varni mbi rrasën e varrit

le të luajnë me të
zogjtë e shqipes

Janë këto vargje nga një poezi e librit “ Rrugët e thyera ” të autorit Shaban Pllana. Poezitë e këtij vëllimi që janë të konceptuara në pesë cikle : (Rrugëve të thyera gjurmë atdhedashurie, Nëpër rrugët e jetës, lanë gjurmë në letër, Rrugëve të thyera të kurbetit, rigon pika loti, Rrugëve të thyera të jetës, ecje të mundimshme, Rrugës së burimit, buqeta buzëqeshjesh), edhe një herë dëshmojnë se bota poetike e Shaban Pllanës është e pasur dhe e begatshme si në perceptimin poetik të realitetit, ashtu edhe të motiveve që trajton në poezinë e tij në përgjithësi. Shaban Pllana gjithnjë e më shumë po e dëshmon talentin e tij krijues ku ai poezitë i gdhend me një mjeshtri të hollë dhe se dallohet edhe në përzgjedhjen e motiveve në poezitë e tij.

Bota poetike e Shaban Pllanës është një botë gjithsesi interesante për shumëçka tërheqëse dhe origjinale. Ndonëse opusin e tij poetik e përbëjnë disa rrathë tematik, por poezitë e këtij vëllimi janë frymëzim i autorit nga ndjenja e dashurisë ndaj vendit, atdheut, luftës, lirisë, jetës, dashurisë etj.

Pllana e shpalos bukur dhe thellë botën e tij poetike, sa fluide, po aq të prekshme dhe konkrete. Vargjet e tij bartin ide e mesazhe sa të këndshme, po aq edhe të bukura e të hijshme për një poezi !

Kësaj radhe autori i këtij vëllimi poetik ka zgjedh që të prezantoj poezi atdhetare, poezi përkushtuese, të mërgimit, poezi nga jeta dhe poezi të dashurisë dhe ato i ka renditur në këto pesë cikle.

Në ciklin e parë Rrugëve të thyera gjurmë atdhedashurie autori sjell poezi ku i këndon lirisë, Flamurit kombëtar, vitit 1999, dëshmorëve të atdheut, invalidëve të luftës së UÇK-së, veteranëve që erdhën nga diaspora në radhët e luftëtarëve të lirisë…

Ja si shprehet në poezinë kushtuar lirisë së vendit:

ujitet në gjak
lindet lulëkuqe

rreshket në diell
bëhet dritë e shpirtit

rritet në uri e etje
lumenj mjalti sjell me vete

trimat e sjellin
në kraharorët e tyre të përgjakur

Sikur të gjithë shqiptarët që iu gëzuan formimit të Ushtrisë së Kosovës edhe autori i këtij libri shprehë gëzimin e tij për këtë dhe në poezinë e tij shprehet :

na erdhe ti
bashkë me fjollat e borës
për bardhësinë e ATDHEUT

për ta mbrojtur këtë vend
si bora bimën
nëpër stinë të acarta

Në ciklin e dytë : Nëpër rrugët e jetës, lanë gjurmë në letër, autori sjell poezi përkushtuese për disa nga krijuesit tanë letrar si Naim Frashërit, Nolit, Anton Çettës, Vehbi Kikajt, Ali Podrimjes, Rrustem Berishës, Rrahman Dedës, Nazmi Rrahmanit, Azem Shkrelit, Flora Brovinës, …

Ndër tjera në vargjet kushtuar Naimit autori shkruan :

në flakën ndriçuese të qiririt
flakëron fytyra madhështore e Naimit

në ballin e tij të gjerë
shoh ” Bagëti e bujqësinë”

ose në vargjet kushtuar poetit për fëmijë Vehbi Kikaj :

nga shpirti yt rrodhën ” Gurrat ”
që në to fëmijët t`i shuajnë etjet…..

me zemër plot hare i rregulloje “Sarajet e bardha”
që fëmijët të gëzuar të jetojnë në to

Ndonëse autori nuk ka jetuar në mërgim por e ndjen peshën e mërgimit dhe nuk dëshiron që këtë rrugë ta merr askush por të qëndrojnë në vendin e tyre. Për këtë një cikël me poezi Rrugëve të thyera të kurbetit, rigon pika loti ia kushton kësaj plage të madhe që akoma po na dhemb ngase në pamundësi që të sigurojnë punë, shumë të rinj ikin nga vendi ynë dhe kërkojnë jetë më të mirë në vendet perëndimore. Autori ju dëshiron kthim sa më të shpejtë sepse këtu ata do të jenë më të vlerësuar.

vini gishtërinjtë në thembra
nisuni rrugës

do të përfundoni
në Arbërinë ILIRE

ose

në të 18 shkronja mbarë
e 18 shkronja mbrapsht

nëna e pat porositur
secilës nisje gjeja kthimin

Në ciklin e katërt Rrugëve të thyera të jetës, ecje të mundimshme, autori na sjell poezi nga jeta ku këtu hasim të kaluarën por edhe të tashmen me një varg porosish që autori i jep përmes mesazheve që sjell në poezitë e tij të këtij cikli. Autori punoi në arsim mbi katër dekada dhe në mesin e shumë poezive që ia ka kushtuar shkollës, nxënësve, mësuesve në këtë libër sjell poezinë “Ditari”që ua kushton mësuesve dhe nxënësve të tij:

unë flakë e qiririt të Naimit
shkrija ngadalë veten

u dhuroja atyre dritën
që kisha dhuratë nga të tjerët

Ndërsa në poezinë “Porosi nipit” autori nipin e këshillon që kudo që të shkon atdheun kurrë mos ta harron.

kah do që të shkosh
të punosh që atdheun
me nderë të lartësohesh

Autori në shumë poezi lidhë jetën, dashurinë dhe lirinë, ku edhe kjo përmbledhje me poezi si edhe në librat tjerë edhe kësaj radhe shquhet për origjinalitetin e vargut por që gjithnjë vjen me një nivel më të ngritur poetik, me plotë mendime e mesazhe nga një autor tashmë të dëshmuar në letërsinë shqipe.

Në ciklin e pestë Rrugës së burimit, buqeta buzëqeshjesh na sjell një varg poezish, ndonëse të krijuara në rininë e tij por që tash na i sjell në libër dhe të cilat asnjëherë nuk e humbin vlerën letrare dhe jetojnë gjithmonë ashtu siç jeton edhe dashuria. Ja si shprehet në disa vargje të njërës nga poezitë e këtij cikli :

në ata dy liqenet
që i ke nën atë shteg mali
sa here jam zhytur

do dëshiroja të mbytëm në ta
e shpirti ta gjejë parajsën
që gjendet diku në fund të tyre

Poezitë e Shaban Pllanës kanë një dimension të gjerë, të një krijuesi që nuk sheh vetëm një drejtim, por ka një shikim të zgjeruar poetik. Ato kanë ritëm, emocion, ndjesi, dashuri, respekt, natyrë, dritë, kanë vargëzim të bukur…

Andaj mund të përfundojmë se autori Pllana në vargjet e këtij vëllimi na sjell portretizimin e tij në përmasa reale të ndjenjave, emocioneve dhe vëlimeve të brendshme, dhe kështu ai ia prezanton opinionit artistik e lexues pasionin e vet krijues!

Besianë, Janar 2019