POEMË ME ROGANË – nga Rrustem Geci

0
2013
Atdhe Geci

POEMË ME ROGANË

Popull i Roganës, popull
me 1 qind e 30 shekuj jetë
nxirre gjeninë tënde, krijo
jetën ta bësh më të lumtur
dhe vendin ma të dashur
Roganë, diell i gjakut tim
ngrite lart flamurin e fjalës
folju këngëve tua, dhe duaj
janë këngë të gjaku tënd!…

2
———————————-
Gjak i fisëm i Roganajve
gjak i fisëm i Gecajve, i
Rrudhanajve, Kryezinjëve
jam pjesë e dhimbjes suaj
jam shkrimtari, dhe biri yt
jam gjak me ajrin dhe ujin
gjak me baltën e dheut tim
gjak me qiellin dhe erërat
gjak me pikën e gjakut tënd

3
——————————–
Roganë, ji në këngën time
prej teje unë s’ndahem
përderisa të ketë frymë
përderisa të ketë jetë, ti
do jesh Zeuse e vargut tim
dhe kryekënga e këngëve

4
——————————
Kjo poemë me Roganë
është e tëra prej prushit
prej flakës së pagjumë
prej shpirtit që tymon
Kjo poemë me Roganë
krejt brenda kraharorit
ka një zemër me ngjyra
një qiell frymëzimesh
që puthë dhe përqafon
me flakërima e mollësh!…

5
—————————–
Roganë, e dashura ime
hapi dritaret tua, hapi
që të hyjë prilli, aroma
e luleve dhe mugullimi
mbi gacat tua të prushit
vajzave u dalin këngët
për zogjtë dhe pemët
dhe për më të dashurit
Ami, lëje dritaren hapur
që të hyjnë të puthurat
përqafimet për zemrën!…

6
——————————–
Në krahët të kësaj kënge
zogjtë tuaj këndojnë, dhe
kanë një pamje hyjnore
të bukur sa ka dashtë zoti
të ëmbël sa na jep shpirti
Në gjoksin e kësaj poeme
ju j e n i të pathyeshmit
heronjtë e këngëve të mia
që zemrën ma mbushni
me kthjelltësi e hapësirë

7
——————————
Në lojërat e stinëve, kur
luanim gurash, e rrasash
sorrash, lojëra e vrapime
tjera, bënim shakatë tona
kur zbulonim humbësit
dhe ekipet e humbësve
Në lojërat e stinëve tona
bashkë i kemi deklamuar
në “teatrin” tek gurameli
tregimet – shfaqjet tona
me fabulat më dramatike

8
—————————–
Në këtë fshat – qytet
plot ka gurë të mëdhenj
dhe burra tejet të shquar
që dinë të ndërtojnë
të sotmen e të ardhmen
Në këtë fshat – qytet
sa herë e prisja verën
pemët e stinës, mollët
të korrat e shalqinin
më ndryshonte krijimi
dhe ndjesia për kohën

9
——————————-
Rastet kur pritja vonohej
rasteve kur pritja s´vinte
ne vetvetiu krijonim vetë
një përralë apo një shaka
që pritja të mos jetë e kot
dhe gjë krejt e pavlerë
sa herë pritjen e prisnim
një bajloz i zi na shfaqej
dhe thuheshin fjalë argo
nga më të padëgjuarat!

10
——————————-
Me krisma e rraparume
dolëm nga shtypja e huaj
nga terri i trashë i kohës
dhe udhët i bëmë vetë
të bëhemi vetë vetvetja
që Rogana të mos mbytet
në netët e trishta të territ
bujqëve u djersitej balli
për fatin e të mbjellave
dhe për fatin e të korrave!

11
——————————-
Në atë kohë të rëndë
të shtypjes e të varfërisë
e mangët ishte çdo gjë
shkollimi ishte i shtrenjtë
dhe perspektiva e pakët
me tepricat e grurit dhe
të misrit, dhe të fasules
dhe me teprica bylmetesh
bëmë paratë për shkollën
që të jemi pjesë e kohës!…

12
——————————
Nën pushtim e pushtues
sa herë delnim në rrugë
pushkë ishte fjala jonë
ku për çdo fjalë të thënë
fjalët vetshumëzoheshin
më tepër se në një betejë

13
——————————–
Komunistët e fshatit, me
hafijet e shtetit pushtues
përgjonin këtej çdo njeri
ata përgjonin bujkun, arat
forcën aktive të fshatit
hafijet e shtetit e pushtetit
E kontrollonin mësuesin
temat e mësimit në ditar
shqipen shqip të shqipes
dhe mësimet për lirinë

14
———————————
Roganë, ilireshë Shqipërie
të kam zemër, të kam xhan
çdo gjë që lindet tek ti
është imja, është e jona
Në këtë poemë me Roganë
kam çertifikatën e gjakut
shqipen shqip të tokës
shqipen shqip të gjuhës
shqipen shqip të shkrimit
shqipen shqip të flamurit!…

15
———————————-
Roganë, Dea ime e këngës
do doja të dehesha me ty
me ngjyrat e diellit tënd
me flakën e mollëve tua
me këngët më të pathëna
me dashurinë që dashuron!…

16
________________________
Në këtë poemë me Roganë
nuk mund të mos e uroj
artistin e fjalës dhe këngës
kompozitorin I z e t Kallaba
që komponoi” Dean Dardane”
për “Zambakun e Prizrenit”
dhe kompozitorë të tjerë
që tekstet e mia i bën këngë!…

17
———————————
Roganë, Ilereshë Kosove
zonjë me hire të kombit
je bimë e gjallë e dheut
aromë grash dhe burrash
ballin e ke rreze vetimash
sytë i ke ngjyrë vajzërie
vetullat i ke me hënë vere
dhe buzët si gjak – qershie
Roganë, kam shpirtin tënd
me sytë tuaj e shëtis botën
jam qytetar yt i njerëzimit
dhe flas dhe këndoj shqip
me lumin, detin, oqeanet!..

Rrustem Geci – Dortmund, 2016