PËR NJË STRATEGJI TË PËRBASHKËT MBARËKOMBËTARE

0
492
Thanas Gjika - Për një letërsi kombëtare

Nga Frank Shkreli

Para nja tri javësh më ra në dorë libri më i fundit i autorit Prof. Asc. Dr. Thanas Gjika, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”. Para se të emigronte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1996, Profesor Gjika, ka punuar si redaktor dhe gazetar në Radio Tirana dhe si studiues në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Përveç librit të fundit “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” – subjekt i të cilit është edhe ky shënim modest — i posa botuar në Tiranë — Prof. Gjika është edhe autor i disa librave të tjera dhe i një numri veprash shkencore, mjaft të vlerësuara nga eskpertë dhe specialistë shqiptarë dhe të huaj. Por, përveç këtyre veprave shkencore, ndoshta autori njihet nga lexuesi më së miri dhe më shumë për publicistikën e tij aktuale, për artikujt, portretet dhe kumtesat, me të cilat ai është i pranishëm rregullisht në medien e shkruar në Shqipëri, në Kosovë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Në librin “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një përmbledhje artiukujsh, vlerësime veprash, eseshë dhe monografishë kushtuar intelektualëve të pavarur shqiptarë, si dhe portrete, kujtime, diskutime dhe komente dhe letra të përzgjedhura nga autori, të botuara gjatë viteve të fundit në media të ndryshme shqiptare në Amerikë dhe anë e mbanë trojeve të Kombit shqiptar. Janë këto shkrime, në një frymë mbarë kombëtare, ashtu siç sugjeron edhe titulli i librit. Ndërsa shkruan se, “populli shqiptar është një nga popujt më të abuzuar të kontinentit evropian”, Profesor Thanas Gjika bën thirrje për një “Shqipëri të Vërtetë”, me “Një strategji Mbarëkombëtare”, ku të përfshiheshin gjithë trojet që banohen në shumicë nga shqiptarët.

Profesor Gjika e përshkruan si të favorshme për veprim, gjëndjen aktuale politike të shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor — me dy shtete të pavarura, Shqipëria dhe Kosova, ndërsa faktorët e tjerë shqiptarë në Ballkan gëzojnë gjithashtu më shumë se përpara të drejta e liri, ndërkohë që shqiptarët kanë ende mbështetjen e aleatëve të fuqishëm perëndimorë, Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian. Ai u bën thirrje, “Intelektualëve dhe politikanëve shqiptarë kudo që ata jetojnë: që të punojnë intensivisht për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarëkombëtare: pra për një politikë, një letërsi dhe një kulturë kombëtare shqiptare.” Krijimi i një politike të tillë mbarëkombëtare në fushën politike, kulturore dhe të letërsisë kombëtare do të çojë në një shtet kombëtar shqiptar, sipas tij, “Të Shqipërisë së vërtetë, ëndërra e rilindësve tanë, duke korrigjuar kështu padrejtësinë që kreu diplomacia eropiane në vitin 1913.” Mjaft humbëm kohë, shprehet Profesor Gjika, duke thekësuar se të gjithë ata që nuk punojnë për një strategji të tillë mbarëkombëtare, janë në rrugë të gabuar, thekson autori.

Është e qartë dhe e natyrshme se në librin — në pjesën dërmuese të shkrimeve në librin, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” — Profesor Gjika ka përzgjedhur artikujt dhe portretet me temat dhe subjektet që, kryesisht, përputhen me titullin e librit dhe me thirrjen e tij të pëgjithëshme për krijimin e një strategjie të përbashkët mbarë kombëtare, si një hap i domosdoshëm për krjimin eventual të një shteti shqiptar, për të gjithë shqiptarët që jetojnë në trojet e veta autoktone. Autori e bën këtë thirrje, me një angazhim të plotë shpirtëror, “Për emancipimin e popullit të tij në frymën e demokracisë përendimore”, siç vlerëson edhe Profesor Dr. Sadri Fetiu në parathënien e librit të fundit të Profesor Thanas Gjikës.

Pasi jep një vlerësim mjaft interesant dhe të hollësishëm të një numri portretesh shqiptaro-amerikanësh dhe të tjerë përfaqsues me origjinë, pothuaj, nga të gjitha trojet shqiptare, si dhe artikujsh dhe kujtimesh të përfshirë në librin e sipërpërmendur, Profesor Dr. Sadri Fetiu shkruan për librin e Profesorit Gjika duke u shprehur: “Kjo vepër është rezultat i një pune këmbëngulëse në studimin e çështjeve të parashtruara dhe do të shërbejë për zgjërimin e dijeve tona në fushën e letërsisë, të historisë, të kulturës shqiptare dhe do të japë ndihmesën e veçantë për demokratizimin dhe përparimin e jetës së shqiptarëve, duke synuar unitetin e tyre të plotë drejt realizimit të ëndrrës së rilindësve tanë dhe atë atdhetarëve të denjë të të gjitha kohëve: Për një Shqipëri të vërtetë, të lirë e sovrane, paqëdashëse dhe demokratike në të gjitha viset e saj, brenda dhe jashtë Siujdhesës Ballkanike”, përfundon vlerësimin e tij, veprës së Dr. Thanas Gjikës, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, Prof. Dr. Sadri Fetiu nga Prishtina.

Në librin “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm” nuk mungojnë as temat aktuale që kanë të bëjnë me zhvillimet politike kombëtare dhe ndërkombëtare të shqiptarëve. Në shkrimin, “Për Diskutimin e Kufijve Kosovë-Serbi”, Dr. Thanasi shprehet se, “Ekzistenca e shtetit të Kosovës si shtet shqiptar i pavarur ishte një zgjidhje e përkohëshme…” dhe sugjeron se, “Zgjidhje më e mirë dhe paqësjellëse është bashkimi i Republikës së Shqipërisë me Republikën e Kosovës në një shtet dhe shkrirja e Maqedonisë midis Bullgarisë dhe Shqipërisë së bashkuar…zgjidhje të tjera janë afatshkurtëra”, shkruan Profesori i nderuar.

Ndërkaq, mbi një çështje tjetër aktuale, Profesor Thanas Gjika, në një letër të hapur drejtuar Hirësisë së tij Anastas Janullatos, udhëheqsit të Kishës Ortodokse në Shqipëri, i bën thirrje atij që të dënojë krimet, “që kreu ushtria e rregullt e shtetit grek kundër popullit shqiptar, si dhe përkujtimin e tyre me ceremoni meshësh të veçanta”, ka shkruar ai në letrën e hapur drejtuar udhëheqsit të Kishës Ortodokse në Shqipëri. Njëkohsisht, Profesor Gjika i drejtohet atij me kërkesën, që “për disa dhjetëra mijëra shqiptarë të vrarë e të shpërngulur nga shtëpitë dhe tokat e tyre atërore…të ngrihen memoriale në kujtim të viktimave shqiptare që shkaktuan ushtarët e shtetit grek.” Profesor Thanas Gjika përfundon letrën duke u shprehur se “Miqësia midis Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohet jo duke ndërtuar vorreza e memoriale në tokat shqiptare vetëm për disa ushtarë që ranë në luftën Italo-Greke jashtë kufirit të Greqisë më 1940, por duke ndërtuar edhe memoriale për viktimat që i shkaktoi popullit shqiptar ushtria greke, si ushtri e një qeverie shoviniste”.

Vepra përfundon me një vlerësim të librit të mëparshëm — të parafundit –të Profesor Thanasit, librit me titull: “Mosdënimi i Krimit është Krim i ri, nga Viktora Vllahu, ku citohet pedagogu Dr. Neli Naço të ketë thënë gjatë një promovimi në Korçë, se “Kur merr në dorë librin e Profesor Thanas Gjikës dhe lexon thënien proverbiale: Mosdënimi i krimit është një krim i ri, ke ndeshur edhe me kredon e cila ka qenë gjithmonë qëllimi kryesor i autorit. Shpallja pra e një lloj humanizmi bashkohës që ai ka për qëllim ta shpallë dhe ta argumentojë përmes shkrimeve të tij.”

Kjo kredo mund të shpjegohet edhe si një shfaqje shprese e autorit, ndoshta edhe si mundësi e një përtëritjeje morale e shoqërore, sepse sipas vlerësimit të Dr, Naço-s, “Kjo kredo (e Dr. Thanas Gjikës) është një besim i palëkundur i autorit që ai e artikulon në shkrime të ndryshme, por ka bindje se kjo kredo është shumë e rëndësishme që atdheu të zhvilohet dhe të përparojë nepërmjet një procesi pastrimi shoqëror dhe politik. Fshehja e krimit, sipas Profesorit, quhet krim dhe mungesa e dënimit, mundëson që të çojë në përsëritjen e tij. Kur lexon shkrimet e tija, është e qartë se kjo kredo është pjesë e pandarë e pikpamjeve filozofike të Profesor Thanas Gjikës, ashtu siç i shpreh ai me vendosmëri e bindje, në shkrimet dhe komentet e tija.

Libri i Prof. Dr. Thanas Gjikës me portretet e të cilëve dhe materiale të tjera që pasqyrohen në vëllimin, “Një Letërsi Kombëtare, Një Atdhe i Vetëm”, është një punim me shumë vlerë, pasqyrues i jo vetëm mendimeve personale të autorëve dhe personaliteteve të përfshira aty, mbi çështje aktuale dhe historike të interesit kombëtar, por njëkohsisht paraqet edhe një pjesë të historisë dhe të rrejdhave politike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve: për sfidat dhe problemet, për aktualitetin politik dhe ekonomik, për mënyrat e qeverisjes, për lirinë dhe zhvillimet demokratike, si dhe hollësi të tjera nga bota shqiptare në përgjithësi, përfshirë diasporën.

Ky është një libër prej një njeriu dhe intelektuali kompetent, ku përfshihet sado pak një pjesë e historisë sonë kombëtare, e pasqyruar në publicistikë dhe e përmbledhur me shumë kujdes në këtë vëllim të veçant nga Profesor Thanas Gjika. Me këtë vepër, ai na jep një kontribut të vlefshëm ndaj historisë dhe kulturës së përbashkët mbarëkombëtare shqiptare, një parakusht asgjëmangut ky që sipas Profesor Gjikës, është i doemodoshëm për unitetin kombëtar të gjithë shqiptarëve. Për këtë, do t’i jemi gjithmonë mirënjohës Profesorit!