ME QENDRËN INFORMATIVE TË KOSOVËS NË KRYE ME ENVER MALOKUN, BOTA ARRIT TË KUPTONTE TË VËRTETËN E KOSOVËS

0
429
Ibrahim Rugova dhe Enver Maloku

Sot, bëhen 20 vjet të vrasjës së Enver Malokut, publicistit, gazetarit dhe shkrimtarit tonë të çmuar. Vrasja e Enver Malokut ka lënë vrragë të thella, jo vetëm për familjen, por për gjithë kombin shqiptar.

Ne mërgimtarët në Suedi, e kujtojmë me shumë dhembje humbjen e Enver Malokut, sepse e kemi pasur bashkëpunëtor të ngushtë për të gjitha zhvillimet që ndodhnin në Kosovë, në fillim të viteve 90-të, atëherë kur nisën ndryshimet e mëdha. Në periudhën kur u mbyllën mediat shqip në Kosovë, përmes Qendrës Informative të Kosovës, në krye të së cilës ishte Enver Maloku, bota arriti të kuptonte të vërtetën për Kosovën. Në atë terr informativ, Enveri arriti të depërtonte dhe të informonte me shpejtësi për të gjitha ngjarjet në Kosovë. Ai na dërgonte Informatorin në Suedi, të cilin ne e dërgonim në të gjitha adresat e institucioneve suedeze.

Në këtë mënyrë është informuar rregullisht opinioni suedez për situatën e përditshme në Kosovë. Disa argumente të atij bashkëpunimi janë botuar edhe në librin “Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare në Suedi”. Për këtë shkrim, po shkëpus një kujtim të Reshat Hoxhës, i cili ishte krytar i komisionit për informim në Degën e LDK-së në Suedi, të cilit Enver Maloku i kishte thënë: “Reshat, ne po e përcjellim punën tuaj dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur, sepse po e bëni një punë të madhe duke e informuar opinionin suedez. Po na vijnë informata kërcënuese prej Beogradit se është një qendër informative në Stokholm”. (Botuar në librin ”Thesar Kombëtar të Mërgatës Shqiptare, nr. 9, f. 339)

Enver Maloku ishte vrarë më 11 janar 1999, kur në Kosovë gjendja ishte shumë e tensionuar. Në rënie të muzgut dhe të territ, në pragun e shtëpisë së tij, dora e zezë ia mori jetën Enverit, duke e lënë në terr edhe më të thellë Kosovën. Ai terr ende vazhdon dhe do të vazhdojë, derisa mos të ndriçohet vrasja e tij.

Ne, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi, kërkojmë nga sistemi i drejtësisë në Kosovë, që të zbardhë vrasjen e Enver Malokut dhe të gjitha vrasjet tjera politike në Kosovë. Pa gjykimin e fajtorëve nuk mund të ecë asnjë vend përpara. Bëjeni këtë për Kosovën e Enver Malokut, për të cilën ai punoi dhe dha jetën!

E nderuara familje Maloku, pranoni sot nderimin më të lartë të shqiptarëve mërgimtarë në Suedi, për Enverin e bashkëpunëtorët e tij, për punën e madhe që e kanë bërë.

I pastë dritë shpirt i tij,
Zoti e bekoftë familjen e Enver Malokut,
Zoti e bekoftë Kosovën.

Me respektin më të lartë,

Hysen IBRAHIMI, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi

11 janar 2019, Suedi