Politika e mirë është në shërbim të paqes

0
509

Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes
8 dhjetor 2018

1. “Paqja me këtë shtëpi!”.

Duke i dërguar në mision dishepujt e tij, Jezusi u thotë atyre: «Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju» (Lk. 10, 5˗6).

Të ofrojnë paqen është në zemër të misionit të dishepujve të Krishtit. Dhe kjo ofertë u drejtohet të gjithë atyre, burrave dhe grave, që shpresojnë në paqen në mes të dramave dhe dhunave të historisë njerëzore. “Shtëpia” për të cilën flet Jezusi është çdo familje, çdo bashkësi, çdo Vend, çdo continent, në veçorinë e tyre e në historinë e tyre; është para së gjithash çdo person, pa dallime e pa diskriminime. Është edhe “shtëpia jonë e përbashkët”: planeti në të cilin Hyji na ka vënë për të banuar e për të cilin jemi të thirrur të kujdesemi me zell.
Le të jetë ky, pra, edhe urimi im në fillim të vitit të ri: “Paqja me këtë shtëpi!”.

2. Sfida e politikës së mirë

Paqja është e ngjashme me shpresën për të cilën flet poeti Charles Péguy; është si një lule e brishtë që përpiqet të çelë në mes gurëve të dhunës. E dimë: kërkimi i pushtetit me çdo kusht çon në abuzime dhe padrejtësi. Politika është një mjet themelor për të ndërtuar qytetarinë dhe veprat e njeriut, por kur, nga ata që e ushtrojnë, nuk përjetohet si shërbim për shoqërinë njerëzore, mund të bëhet vegël shtypjeje, mënjanimi dhe madje edhe shkatërrimi.

«Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve» (Mk. 9, 35). Siç theksonte Papa Shën Pali VI: «Të merret seriozisht politika në nivelet e saj të ndryshme ˗ lokale, rajonale, kombëtare dhe botërore ˗ do të thotë të pohohet detyra e njeriut, e çdo njeriu, për të njohur realitetin konkret dhe vlerën e lirisë së zgjedhjes që i është dhënë që të përpiqemi të realizojmë së bashku të mirën e qytetit, të kombit, të njerëzimit».

Në fakt, funksioni dhe përgjegjësia politike përbëjnë një sfidë të përhershme për të gjithë ata që marrin mandatin për t’i shërbyer Vendit të vet, për të mbrojtur sa banojnë aty e për të punuar që të vendosen kushtet për një të ardhme të denjë dhe të drejtë. Nëse është e aktualizuar në respektin themelor të jetës, të lirisë dhe të dinjitetit të personave, të lirisë dhe të dinjitetit të personave, politika mund të bëhet me të vërtetë një formë e lartë e dashurisë së krishterë.

3. Dashuri e krishterë dhe virtyte njerëzore për një politikë në shërbim të të drejtave njerëzore dhe të paqes

Papa Benedikti XVI na kujtonte se «çdo i krishterë është i thirrur për këtë dashuri të krishterë, në mënyrën e thirrjes së tij e sipas mundësive të tij të ndikimit në polis. […] Kur dashuria e krishterë e gjallëron, angazhimi për të mirën e përbashkët ka një valencë më të madhe sesa ajo e angazhimit vetëm shekullar dhe politik. […] Veprimi i njeriut mbi tokë, kur frymëzohet dhe mbështetet nga dashuria e krishterë, kontribuon në ndërtimin e atij qyteti të gjithëmbarshëm të Hyjit drejt të cilit përparon historia e familjes njerëzore».

Është një program në të cilin mund të gjenden të gjithë politikanët, nga cilado shtresë kulturore apo fetare, që, së bashku, dëshirojnë të veprojnë për të mirën e familjes njerëzore, duke praktikuar ato virtyte njerëzore që u nënshtrohen sjelljes së mirë politike: drejtësinë, barazinë, respektin e ndërsjellë, sinqeritetin, ndershmërinë, besnikërinë.

Në lidhje me këtë meritojnë të kujtohen “lumturitë e politikanit”, të propozuara nga Kardinali vietnamez François˗Xavier Nguyễ Vã Thuân, vdekur në vitin 2002, i cili ka qenë një dëshmitar besnik i Ungjillit:

Lum politikani që ka një vetëdije të lartë dhe një ndërgjegje të thellë për rolin e tij!
Lum politikani personi i të cilit pasqyron besueshmëri!
Lum politikani që punon për të mirën e përbashkët dhe jo për interesin e vet!
Lum politikani që mbahet besnikërisht koherent!
Lum politikani që realizon njësinë!
Lum politikani që është i angazhuar në realizimin e një ndërrimi rrënjësor!
Lum politikani që di të dëgjojë!
Lum politikani që nuk ka frikë!

Çdo ripërtëritje e aktiviteteve zgjedhore, çdo skadencë zgjedhore, çdo etapë e jetës publike përbën një rast për t’u kthyer tek burimi dhe referimet që frymëzojnë drejtësinë dhe të drejtën. Jemi të sigurtë: politika e mirë është në shërbim të paqes; ajo respekton dhe nxit të drejtat njerëzore dhe themelore, që janë njësoj detyra të ndërsjella, gjersa mes brezave të pranishme dhe të atyre të ardhshme të endet një lidhje besimi e mirënjohjeje.

4. Veset e politikës

Përkrah virtyteve, për fat të keq, edhe në politikë nuk mungojnë veset, që vijnë qoftë nga paaftësia personale, qoftë nga shtrembërimet në ambient dhe në institucione. Është e qartë për të gjithë se veset e jetës politike u heqin besueshmërinë sistemeve brenda të cilave ajo zhvillohet, ashtu sikurse edhe autoritetin moral, vendimeve dhe veprimit të personave që përkushtohen për këtë.

Këto vese, që dobësojnë idealin e një demokracie autentike, janë turpi i jetës publike dhe vënë në rrezik paqen sociale: korrupsioni ˗ në format e tij të shumta të përvetësimit të padrejtë të të mirave publike dhe të instrumentalizimit të personave ˗, mohimi i të drejtës, mosrespektimi i rregullave të përbashkëta, pasurimi i paligjshëm, justifikimi i pushtetit nëpërmjet forcës apo me pretendimin arbitrar për “interesa Shteti”, prirja për të qëndruar gjithmonë në pushtet, ksenofobia dhe racizmi, refuzimi për t’u kujdesur për Tokën, shfrytëzimi i pakufizuar i pasurive natyrore për arsye të përfitimit të menjëhershëm, përçmimi i atyre që janë detyruar të shkojnë në mërgim.

5. Politika e mirë nxit pjesëmarrjen e të rinjve dhe besimin në tjetrin

Kur ushtrimi i pushtetit politik synon vetëm për të mbrojtur interesat e disa individëve të privilegjuar, e ardhmja kompromentohet dhe të rinjtë mund të tundohen për mosbesim, sepse janë të dënuar për të qëndruar të mënjanuar nga shoqëria, pa mundësinë për të marrë pjesë në një projekt për të ardhmen. Ndërsa, kur politika përkthehet, në mënyrë konkrete, në inkurajimin e të rinjve talentë dhe të thirrjeve që kërkojnë të realizohen, paqja përhapet në ndërgjegje e në fytyra.

Bëhet një besim dinamik, që do të thotë “unë kam besim te ti dhe besoj me ty” në mundësinë për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët. Politika është për paqen nëse shprehet, pra, në pranimin e karizmave dhe të aftësive të çdo personi. «Ku ka më bukur sesa një dorë të shtrirë? Ajo është dashur nga Hyji për të dhuruar e për të marrë. Hyji nuk ka dashur që ajo të vrasë (krhs. Zan. 4, 1 vazhdim) ose të shkaktojë vuajtje, por të ketë kujdes dhe të ndihmojë për të jetuar. Përkrah zemrës dhe zgjuarsisë, dora mund të bëhet, edhe ajo, një vegël dialogu».

Secili mund të sjellë gurin e vet në ndërtimin e shtëpisë së përbashkët. Jeta politike autentike, që themelohet mbi të drejtën e mbi një dialog të drejtë mes subjekteve, ripërtërihet me bindjen se çdo grua, çdo burrë e çdo brez përmbajnë në vete një premtim që mund të lëshojë energji të reja relacionale, intelektuale, kulturore dhe shpirtërore. Një besim i tillë nuk është kurrë i lehtë për t’u jetuar sepse marrëdhëniet njerëzore janë të ndërlikuara.

Në mënyrë të veçantë, jetojmë në këto kohë në një klimë mosbesimi që rrënjoset në frikën për tjetrin e për të huajin, me ankthin se po humbasim avantazhet personale, dhe shfaqet për fat të keq edhe në nivel politik, nëpërmjet qëndrimeve të mbylljes apo nacionalizmave që vënë në diskutim atë vëllazëri për të cilën bota jonë e globalizuar ka kaq shumë nevojë. Sot, më shumë se asnjëherë, shoqëritë tona kanë nevojë për “artizanë të paqes”, që të mund të jenë lajmëtarë dhe dëshmitarë autentikë të Hyjit Atë, që do të mirën dhe lumturinë e familjes njerëzore.

6. Jo luftës dhe strategjisë së frikës

Njëqind vite pas fundit të Luftës së Parë Botërore, ndërsa kujtojmë të rinjtë e rënë gjatë atyre luftimeve dhe popullsitë civile të copëtuara, sot më shumë sesa dje, njohim mësimin e tmerrshëm të luftërave vëllavrasëse, domethënë, se paqja nuk mund të arrihet vetëm me ekuilibrin e forcave dhe të frikës. Të mbahet tjetri nën kërcënim do të thotë ta ulësh në nivelin e objektit dhe t’ia mohosh dinjitetin. Është arsyeja për të cilën ripohojmë se escalation˗i me fjalë kërcënimi, ashtu sikurse shumimi i pakontrolluar i armëve janë kundër moralit dhe kërkimit të një harmonie të vërtetë.

Terrori i ushtruar mbi personat më të dobët kontribuon në mërgimin e popullsive të tëra në kërkim të një toke me paqe. Nuk janë të pranueshme fjalimet e politikanëve që priren të akuzojnë emigrantët për të gjitha të këqijat dhe t’u heqin të varfërve shpresën. Përkundrazi, duhet theksuar se paqja bazohet mbi respektin e çdo personi, cilado qoftë historia e tij, mbi respektin e së drejtës dhe të së mirës së përbashkët, të krijimit që na është besuar dhe të pasurisë morale që na është transmetuar nga brezat e kaluar.

Përveç kësaj, mendimi ynë shkon, në mënyrë të veçantë tek fëmijët që jetojnë në zonat aktuale me konflikte, dhe tek të gjithë ata që angazhohen që jetët e tyre dhe të drejtat e tyre të jenë të mbrojtura. Në botë, një fëmijë mbi gjashtë është i goditur nga dhuna e luftës ose nga rrjedhojat e saj, kur nuk është i rekrutuar për t’u bërë ai vetë ushtar ose peng i grupeve të armatosura. Dëshmia e atyre që përpiqen për të mbrojtur dinjitetin dhe respektin e fëmijëve është shumë e çmueshme për të ardhmen e njerëzimit.

7. Një projekt i madh paqeje

Kemi kremtuar para pak kohësh përvjetorin e shtatëdhjetë të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, hartuar të nesërmen e konfliktit të dytë botëror. Le të kujtojmë, lidhur me këtë, shqyrtimin e Papa Shën Gjonit XXIII: «Kur në qeniet njerëzore shfaqet ndërgjegjja e të drejtave të tyre, në atë ndërgjegje nuk mund të mos lindë këshilla e detyrave përkatëse: në subjektet që janë titullarë, për detyrën që të bëjnë të vlerësohen të drejtat si nevojë dhe shprehje e dinjitetit të tyre; dhe në të gjitha qeniet e tjera njerëzore, për detyrën për të njohur të njëjtat të drejta e për t’i respektuar».

Paqja, në fakt, është fryt i një projekti të madh politik që themelohet mbi përgjegjësinë e ndërsjellë dhe mbi ndërvarësinë e qenieve njerëzore. Por është edhe një sfidë që kërkon të pranohet ditë pas dite. Paqja është një kthim i zemrës dhe i shpirtit, dhe është e lehtë të njihen tri përmasat e pandashme të kësaj paqeje të brendshme dhe të bashkësisë:

˗ paqja me vetveten, duke refuzuar moslëshimet, zemërimin dhe padurimin dhe, siç këshillonte Shën Françesku i Sales, duke ushtruar “pak ëmbëlsi ndaj vetvetes”, për t’u dhënë “pak ëmbëlsi të tjerëve”;
˗ paqja me tjetrin: familjarin, mikun, të huajin, të varfërin, të vuajturin…; duke marrë guxim për takim dhe duke dëgjuar mesazhin që mbart me vete.
˗ paqja me krijimin, duke rizbuluar madhështinë e dhuratës së Hyjit dhe pjesën e përgjegjësisë që i takon secilit prej nesh, si banor i tokës, qytetar dhe aktor i së ardhmes.

Politika e paqes, që mjaft mirë i njeh brishtësitë njerëzore dhe i merr përsipër, mundet të thithë vazhdimisht nga shpirti i Magnificat˗it që Maria, Nëna e Krishtit Shpëtimtar dhe Mbretëreshë e Paqes, këndon në emër të të gjithë njerëzve: « Mëshira e tij brezni më brezni për ata që e druajnë. E tregoi fuqinë e krahut të vet: i hodhi poshtë qëllimet e krenarëve, i rrëzoi princat prej froneve të tyre e i lartësoi të përvuajturit. […] duke e sjellë në mend mëshirën si ua pati premtuar etërve tanë në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim» (Lk. 1, 50˗55).

Nga Vatikani, 8 dhjetor 2018

Françesku

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi