SHQIPTARËT NË MAQEDONI UDHËHIQEN NGA POLITIKANË TË KALIBRIT SIÇ DËSHIRON ÇDO ARMIK

0
449
Abdulla Mehmeti
Abdulla Mehmeti

Abdulla Mehmeti

Çështja shqiptare asnjëherë përgjatë historisë nuk ka qenë më e degraduar seç është sot në Maqedoni. Çështja e shqiptarëve në Maqedoni asnjëherë nuk ka qenë e varur nga njerëz më të paditur, më të korruptuar dhe të papërgjegjshëm, seç është sot.

Ndërkohë që popujt dhe shtetet fqinje të Maqedonisë, Serbia, Bullgaria dhe sidomos Greqia, me tërë potencialet e tyre shtetërore, institucionale, diplomatike, shkencore dhe miadiatike, janë vënë në mbrojtje të interesave të tyre në rajon, në këtë rast për përfitime të tyre në procesin e integrimeve evropiane dhe evroatlantike të shteteve të Ilirikut (Ballkanit) Perëndimor, ndërkohë vetëm shqiptarët janë treguar më të pazotë, të paorganizuar dhe diletantë në mbrotjen e interesave të veta kombëtare.

E para, shtetet shqiptare, Shqipëria dhe Kosova, janë treguar të painteresuara gjatë gjithë këtyre proceseve, duke e lënë fatin e popullit shqiptar në Maqedoni dhe të çështjes së pazgjidhur kombëtare të tyre në duart e një grushti politikanësh të paaftë dhe të papërgjegjshëm, të cilët me asgjë nuk e kanë dëshmuar se i njohin çështjet më elementare të politikës, historisë, diplomacisë dhe shtetformimit.

E dyta, lënia e fatit të popullit shqiptar në Maqedoni, në duar e një klase politike të arsimuar për poltikë nga artikujt e gazetave dhe eventualisht ndonjë libri të politikës dhe historisë nga autorë amatorë, nga të cilët lexuesi nuk mund të përfitojë as njohje më elementare për këto fusha të domosdoshme për profilin e drejtuesve të politikës në rrethanat në të cilat po kalon sot populli shqiptar në Maqedoni.

Këto veprime dhe kjo mënyrë e bërjes së politikës, siç mundohen ta bëjnë drejtuesit e disa partive politike të shqiptarëve në Maqedoni, jo që nuk mund të sigurojë rezultate të pritshme, por edhe më tej e degradon çështjen shqiptare duke e rrezikuar fatin dhe të ardhmen e tij deri në përmasa të zhbërjes përgjithmonë të kësaj çështje të pazgjidhur.

Politikanë karagjozë të këtij profili, shqiptarët në Maqedoni kanë pasur edhe gjatë ish regjimit komunist, edhe gjatë tërë periudhës së tranzicionit demokratik, tanimë tri dekada me radhë, ndërkohë që gjendja e popullit shqiptar ka mbetur e njëjtë, e pandryshuar, në disa aspeket edhe më keq seç ka qenë gjatë shekullit të kaluar, si nën okupimin e Mretërisë Jugosllav dhe më vonë të ish Federatës Jugosllave. Statusi i popullit të shtypur, të robëruar, të sunduar nga të tjerët, thënë me gjuhën e sotme politike, statusi i pakicës kombëtare, popullit shqiptar në Maqedoni nuk iu hoq prej qafe, edhe pse është autokton në trojet e veta etnike dhe është popull shumicë në këtë shtet.

Dhe, ky status pakice, ky poshtërim dhe litar ngulfatje nuk do t’i hiqet prej qafe shqiptarëve në Maqedoni përderisa të lejojë të udhëhiqet nga politikanë të këtij kalibri dhe formati, siç dëshiron çdo armik t’i sheh shqiptarët edhe për gjatë kohë.

(10 janar 2019, ora 5:00 pas mesnate)