Egzona Muharremi: Kuotat dhe krijimi i një klase politike parazite në politikën kosovare

0
768

Nga Revista Drini23 Dhjetor 2018

Shkruan Egzona Muharremi

Në Kosovën e pasluftës, që në zgjedhjet e para parlamentare të mbajtura më 2001, bashkësia ndërkombëtare, për ta fuqizuar pjesëmarrjen e gruas në politikë, vendosi kuotën gjinore (kuotat e dyfishta), që rezultoi me sukses pasi u arrit shifra 33 % e përfaqësimit të grave në parlament. Në zgjedhjet e dyta më 2004, Kosova tanimë kishte Ligjin e parë për Barazi Gjinore i cili sanksionoi kuotën gjinore për 40 % të përfaqësimit të grave në të gjitha nivelet e pushtetit, por që binte ndesh me kodin zgjedhor të miratuar më 2008, i cili kishte sanksionuar kuotën 30 % të përfaqësimit të grave në Parlament. Në këto zgjedhje (2004) numri i grave deputete kishte zbritur në 30.8 %. Edhe në zgjedhjet e treta më 2007, numri i grave deputete ishte 30.8 %, më 2010, 31.6 %, më 2014, 32.5%. Por, përkundër ngritjes së numrit të grave në parlament, në nivelin qendror dhe lokal, përfaqësimi i tyre në vendimmarrje ishte shumë i ulët. Kohë të gjatë asnjë grua nuk ka qenë e përfaqësuar në nivel të kryesisë së Kuvendit.

Kosova vërtet pati presidente grua, por në zgjedhjet lokale të 2013-s, nga 38 komuna sa ka Kosova, pati vetëm një kryetare komune. Më 2015, numri i përgjithshëm i grave të punësuara nëpër komuna ishte 28 %, dhe vetëm 5.2 % në pozitat drejtuese qeveritare. Në Presidencë, nga 32 pozita të larta drejtuese, 14 udhëhiqeshin nga gratë, në Kuvend, nga 52 pozita të larta drejtuese, vetëm 19 udhëhiqeshin nga gratë. Sot në Kuvendin e Kosovës 70 % e deputetëve janë burra. Nga 38 komuna sa ka Kosova, asnjë nuk udhëhiqet nga gratë, dhe nga 21 ministri, vetëm dy gra mbajnë poste ministrore. Thënë ndryshe, në të gjitha qeveritë e pasluftës, vetëm 10-15 % e grave kanë përfaqësuar poste ministrore. Me një fjalë, në sektorin publik vetëm 12 % e të punësuarve janë gra. Janë këto të dhëna që mjaftojnë për të dëshmuar se aty ku përqindja e përfaqësimit të grave është e përcaktuar me ligj (kuota gjinore ligjore) femrat deri në një masë janë të përfaqësuara, përderisa në sektorin e vendimeve politike, gratë thuaja se tërësisht janë të përjashtuara.

Kështu, përkundër nenit 22 të Kushtetutës së Kosovës që sanksionon Konventën për eliminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj grave (CEDAW), si dhe miratimit të Ligjit për Barazi Gjinore më 2015, ku parashihet pjesëmarrja e barabartë (50:50), e gruas në vendimmarrje politike e publike, ato vazhdojnë të mbeten të diskriminuara. Aspirata e femrës për të luajtur rol në politikë është e hershme, por ky synim ende mbetet sfidues. Me aplikimin e sistemit të kuotave pjesëmarrja e gruas në politikë është rritur, megjithatë qasja e saj në vendimmarrje mbetet e izoluar. E nëse kuotat janë forma më aktive për promovimin e grave në politikë, atëherë pse nuk janë vendosur në raport me popullsinë, dhe të jenë obligative në të gjitha nivelet? Apo mos vallë ky është vetëm një keqpërdorim politik i emrit “grua”? “Nuk ka anëtarësim pa mundësi të barabarta për gratë dhe burrat”, thuhet në njërin nga 31 kapitujt që duhen plotësuar nga secili shtet aspirant në BE, ku synon edhe Kosova.

Megjithëse angazhimi i gruas në politikë nuk duhet parë si kusht për integrim në BE por, siç thuhet edhe në fjalorin evropian, si e drejtë njerëzore dhe mundësi e barabartë për të gjithë. Gjithsesi, kuota nuk mund të jetë e vetmja zgjidhje për përmirësimin e disbalancës gjinore në politikë. Para së gjithash, kuotat shkelin parimin e meritokracisë dhe kultivojnë modele të parazitizmit helmatisës për shoqërinë. Bazuar në opinionin publik, kuotat zakonisht bëjnë përzgjedhjen e grave me më pak meritë, të cilat nuk kanë kapacitet të mjaftueshëm për ta udhëhequr në politikë, prandaj edhe aplikimi i sistemit të kuotave me të drejtë quhet “shikim jo i lirë në demokraci”, që krijon imazhin e grave “kukulla” apo “vegla të kryetarit”. Gruaja në asnjë mënyrë nuk duhet ta pranojë përuljen apo nënshtrimin, dhe të vetëkënaqet në postet e dhuruara pa meritë.

Me çdo kusht pjesëmarrja e gruas në politikë dhe në vendimmarrje duhet realizuar përmes konkurrencës dhe zotësisë, sepse vetëm në këtë mënyrë krijohet një klimënxitëse për pjesëmarrjen aktive të grave në politikë. Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar që kuotat të jenë vendimtare për ngritjen (numër), të gruas në politikë. Kjo përqindje as që duhet të ekzistojë në demokraci. Fuqizimi i gruas në politikë dhe vendimmarrje nuk duhet parë thjesht si një përmbushje obligimi, por si potencial intelektual për një qeverisje të mirë dhe stabile në shoqëri. Vetëm kështu mund të krijohet një klasë politikanesh të dinjitetshme, të pakorruptuara dhe të ndërgjegjshme për veprimet e rëndësishme që duhet të ndërmarrin në dobi të shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi.