FESTIVAL I KULTURËS SHQIPTARE, NË MANTOVA

0
2110
Ndue Lazri - Mantova

Tri ditë, veprimtari e parë e këtij lloji, në Itali

Nga: Anila Kaja, Ndue Lazri

1.
Mantova, ky qytet i vogël, por i bukur në Itali, një thesar i vërtetë, i vendosur si qëllimshëm në pikëtakimin e tre rajoneve, Lombardia, Emilia Romagna e Veneto, gati i ledhatuar nga ujrat e lumit Po, që kalon aty prane dhe i nanurisur nga ujërat e tre liqeneve piktoreskë, që e rrethojnë, do t’ia hapë dyert nesër, Festivalit të Kulturës Shqiptare. Një mikpritje bujare e qytetit-kryeqytet i kulturës italiane për vitin 2016, që di të çmojë shkëmbimet interkulturore dhe t’u japë hapësirë edhe vlerave artistike e kulturore të etnive të tjera.

Anila Kaja dhe Ndue Lazri

Bashkësia shqiptare aty, është e para, që e ka këtë privilegj, në sajë të dashamirësisë së autoriteteve lokale të këtij qyteti dhe, veçanërisht, kryetarit të Bashkisë, Mattia Palazzi. Ky edhe në raste të tjerë e ka shfaqur hapur interesimin dhe vlerësimin për Shqipërinë dhe emigrantët shqiptarë. Prandaj i jemi mirënjohës, që e priti qysh në fillim, me entuziazëm e përkushtim, nismën e Federatës FNAI dhe të Shoqatës “Le aquile” të Mantovas, për organizimin e këtij Festivali të Kulturës Shqiptare.

Për këtë qëllim, janë vënë në dispozicion mjedise të ndryshme, njerëz dhe fonde, që kjo ngjarje të kurorëzohet sa më me sukses dhe të bëhet një urë miqësie, bashkëpunimi e shkëmbimesh të herëpashershme, të vlerave të ndërsjellta të artit e të kulturës. Shprehim mirënjohje edhe për Ministrinë e Kulturës, në Tiranë dhe veçanërisht zëvendësministrit Zef Çuni, për bashkëpunimin e vazhdueshëm.

2.
Ky Festival ka një kalendar të ngjeshur e interesant. Me datën 10 qershor 2016 paradite, dmth. nesër, do ai fillojë me konferencën për shtyp. Përpara gazetarëve do të ndodhen drejtues të komunës së Mantovës dhe organizatorët e Festivalit. Pasdite do të bëhet ceremonia e hapjes dhe vizita në ekspozitën e artistëve të arteve figurative: Llesh Prendi, Alketa Delishaj e Xhimi Hoti.

I ftuar special është mjeshtri i gdhendjeve në dru, artisti Llesh Biba, i cili vjen me punimet e tij që nga Tirana. Pastaj, në mjediset magjike të Teatrit “Bibiena” do jetë konferenca kulturore-artistike: “Udhëtim, nga Garibaldi, te Mona Liza shqiptare”, e të talentuarit Klodian Kojashi. Do të shoqërohet me pjesë operistike, të interpretuara nga sopranoja Mimoza Rama.

Që në ditën e parë të Festivalit do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të Shoqatës arbëreshe “Vorea”, në Frascineto të Kozencës.

Të shtunën, me datën 11 qershor do të jetë radha e shkrimtarëve dhe artistëve, që do t’i gjallërojnë jo vetëm mjediset e eskpozitës së hapur në Shtëpinë e Rigoletos, por edhe ato të librarisë “Nautilus”. Këtu do të përurohet krimimtaria e poetit Tonin Nikolli, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve.

Të dielën, më 12 qershor, në Sheshin “Mantegna” do jehojnë, si asnjëherë, kënga e vallja shqiptare, do të shpalosen bukuria dhe larmia e kostumeve tona kombëtare, sinfonia e instrumentëve popullorë, që dëshmojnë lashtësinë, por edhe finesën e shpirtin prej artisti të popullit tonë. Gjithashtu, do të ngjitet në skenë Ansambli i shoqatës shqiptare “Ana e Malit”, në Ulqin, i drejtuar nga e palodhura Luljeta Avdia, mësuese e pasionuar dhe shkrimtare e talentuar. Ajo punon prej vitesh me këtë grup, i cili ka dhënë shfaqje e ka fituar çmime në Festivalin e Gjirokastrës dhe në festivalet e organizuara nëpër Kosovë, është mirëpritur nga diaspora shqiptare në Amerikë etj.

Këtë veprimtari të bukur e mbrësëlënëse do ta mbyllë Ansambli i shquar i Këngëve e Valleve Popullore të Tiranës. Siç dihet, ky ka bërë turne të suksesshme në tërë kontinentet dhe çon përpara lavdinë e atij ansambli, i cili dhjetëvjeçarë më parë, në Festivalin Ndërkombëtar të Dizhonit, në Francë, fitoi “Gjerdanin e Artë”, në garë me grupet më të famshme, nga e gjithë bota.

Fesivali i Kulturës Shqiptare, në Montava, i pari i këtij lloji në Itali, me siguri do t’i dëshmojë vlerat tona të çmuara, në fushat e artit e kulturës sonë mbarëkombëtare.

Ndaj, të bashkuar e pranë njëri-tjetrit, le t’i ndjekim dhe duartrokasim fort artistët tanë, në këto ditë festive, duke shpalosur e dëshmuar edhe me këtë veprimtari, qytetarinë tonë të lartë dhe dashurinë për Atdheun tonë të dashur, Shqipërinë!

9 qershor 2016