Vargu i ndjeshëm i Sokol Demakut

0
1074
Dr. Fatmir Terziu

Është shumë më e errët kur një dritë ikën, se sa ajo kur ishte,
në qoftë se ajo kur ishte nuk ka shkëlqyer
.”
(John Steinbeck, tek: “Dimri i pakënaqësisë sonë”).

Dr. Fatmir Terziu

Sokol Demaku, krijon dhe hedh mendimet e tij edhe mes vargut. Kohët e fundit ai ka botuar dhe vëllimin poetik “Magjia e zemrës”. Në të janë përfshirë disa dhjetra poezi, që veç të tjerave rreken të pështillen mes një arsyetoreje që forcohet nga debati Deluzean për nocionin e shenjës (sign). Tek ky nocion tek poezi të ndryshme, sidomos tek poezia “Anemi” e këtij vëllimi duket se ka një arsye më shumë të karakterizohet si konceptim i shenjave të kufizuara të modelit gjuhësor. Ky konceptim shkon më tej kur gjejmë një formë të imazhërisë së parathënë nga Platoni. Si shembull vijnë vargjet e poezisë ku hija dhe mendimi rreth asaj që fshihet në imagjinatë kërkon të shpjegojë dhe mesazhin: “Por si kështu/Si krimbi në dru/Fillon të zhbëjë fletët/Sikur jetë nuk do ketë më. /Eh kjo është zhbërje/Nga anemia e jetës/Kjo është histeri/E jetës dhe vdekjes.” Dhe pse në këtë rast e dukshmja dhe e padukshmja kalojnë në itinerare të tjera të kufinjve mes hijes dhe dritës, jashtë tërësisë që kërkon arsyen e vetë është nocionin i shenjës (sign).

Gjithë puna e filozofit Gilles Deleuze qorton nocionin e shenjës (sign) siç është përcaktuar nga teologët (Shën Agustine) dhe nga gjuhëtarët (Saussure). Kjo traditë, çoi në supremacinë e shenjuesit (the Signifier) në mendimin bashkëkohor. Por vetë filozofi në fjalë përdori fjalën e shenjës (sign) me kuptime të ndryshme dhe nganjëherë të papajtueshme. Kështu në kundërshtim me shumë nga bashkëkohësit e tij strukturalistë, Deleuze, refuzoi çdo konceptim të shenjave të kufizuar të modelit gjuhësor. Ai u ndal tek koncepti i shprehjes, që në fakt mban dhe përcjell në vetvete një definicion (përcaktim) që ndryshon në mënyrë radikale nga të gjitha format e esencialistëve, ose ajo që quhet ‘imazhet Platonike’ (e Platonit). Platoni na fton të imagjinojmë një shoqëri si një shpellë të errët (Libri VII; 514B-520D), një person mesatar të prangosur në një shtyllë të ndezur në murin e pasmë. Njerëzit e tillë, sipas filozofisë së Platonit, kalojnë jetën e tyre duke kërkuar në hijet që shfaqen e kompozohen në mur dhe duke supozuar se ata janë realitet.

Edhe pse ata nuk e kuptojnë atë, zërat dhe tingujt që ata kanë dhe kishin për të dëgjuar ishin thjeshtë jehonë që vinte nga e ftohta dhe vetë muret e hijet. Kështu vetë kuptohet se injoranca mbretëron në gjendjen e njeriut. Sipas teorisë së imazheve Platonike, përtej objekteve janë krijuar hijet, ku megjithatë, është gjysma e vërtetë e zjarrit, dhe përtej kësaj është e vërteta që ekziston në botën e diellit jashtë shpellës. Duke lexuar vëllimin poetik të autorit Sokol Demaku, “Magjia e zemrës” natyrisht lexuesi rreket mes një (chiaroscouro) dritëhije që vjen nga bardhë-zitë e jetës. Dhe këto ndjesi të shkëmbimeve mes hijeve që shfaqen në rrugëtimin jetik marrin udhë tek vetë roli i poezisë së këtij autori.

Roli i poezisë së Demakut është që të largojë të paktën lexuesin e tij, nga hijet drejt dritës të së vërtetës. Në brendinë e vargut të vëllimit poetik të tij “Magjia e zemrës” vjen tërë kjo imazhëri për të kuptuar se jetët tona kanë qenë të mbytura me gënjeshtra dhe se e vërteta jeton përtej zonës tonë të rehatisë, ajo është e dhimbshme dhe kërkon një luftë të madhe për të pranuar sakrificën e një “magjie të zemrës”. Por ashtu si për Platonin, që qëllimi i madh, jo plotësisht është arritur, kur ndriçimi është gjetur jashtë shpellës edhe për Demakun me poezinë e tij ky ndriçim hera-herës thuket të riskojë mes retorikës “Kush je ti” dhe më tej mes “Nata magjike” ku: “Një natë e shenjtë,/Një natë magjike, Me aromë vere, Dhe ndjenja mirësie…” formon imazhet e tjetrësueshme të vetë ndjesisë poetike të autorit.

Ndërsa vetë Platoni më pas paraqet një përgjegjësi për atë ndriçuar aspektet, për të ri-hyrë në shpellë (përsëri një proces i dhimbshëm, tani i përmbysur nga udhëtimi, duke lënë dritën për errësirën konfuze të shpellës), në mënyrë që të inkurajojë dhe të shërbejë tek ata që të lënë injorancën përtej hijeve, vetë Demaku i ndikuar nga këto teori gjen “Një rreze Dielli” të përcaktojë arsyen e tij: “Një rreze dielli,/Nga lartë fytyrën ndriçon,Shëndrit në çdo anë,/Jetën lumturon./Ndjehem i lirë,/Por edhe shumë krenar,/Me vargjet e lira,/Jetës që i thurr./Edhe lulja ndjehet e lumtur,/Rritet me plotë shëndet,/E ndjen jetën,/Shpresë njeriut i jep./Aroma e saj,/Nektar për shumë ke,/Shëron dhe palgë,/Jetën gjallëron.”

Duket qartë mes këtyre vargjeve se qasja me arsyen ndërlidhëse tek imazhëria Platonike është dhe një shenjë Deleuziane, që gjithmonë shfaqet në kuadrin e një pikëtakimi apo një mesazhi që dedikon, në një hapësirë me një arsye në mes, jo si një zbulim i fakteve që ndikojnë. Është “Udhëtari” i Sokol Demakut që del nga errësirra në dritë, është pikërisht ai që pason të “korrat letrare” të autorit, me një arsye të shënuar nga mendimi i tij. Tek “Udhëtari” arsyeja del “Sikur një përfundim,/Më duket i ngjashëm, Më një fillim, i pashpjegueshëm, i pakuptimtë./Hapat nga errësira në dritë,/Pozicion pa përcaktim…”, dhe në një lexim parësor na duket se është krijuar një rutinë në mendimet rreth objektit poetik. Autori më tej në mjaft poezi të tjera bën arsyetime, perifrazime e abstragime rreth sendeve, dukurive, ngjarjeve apo njerëzve të profesioneve të ndryshme.

Në përgjithësi, autori duket se synon të jetë vetvetja në varg e në poezi, por me një përkujdesje më të madhe në një udhë figurash letrare, shenjëzimesh, gjuhëngjyrimesh, gramatikë e sintaksë më të qëlluar, mjaft poezi të tij me ide të mira mund të ishin brilante. Poezi të tilla si “Të flasë ty”; “Eja zog shtegtar”; “Pika shiu” janë nga më të mirat e autorit ndërsa pasohen me poezi të tila që kanë një arsyetore të ndjeshme: “Nata”; “Tek ura e vjetër”; apo edhe “Arti i zemrës”. Arsyetorja e mishëruar në një formë artistike shprehëse natyrisht do të ishte akoma më e qartë dhe natyrisht poeti e ka të sigurtë rrugëtimin e tij në vëllime të tjera, ku me siguri do të kemi akoma më shumë ide.