ME RASTIN E 136 VJETORIT TË LINDJES SË POETIT TË SHQUAR LIBANEZ KHALIL GIBRAN – poezi

0
468

KHALIL GIBRAN
1883 – 1931

DO TË BËJ ME SHPIRTIN TIM

Me shpirtin tim do të bëj një arkëz
për shpirtin tënd,

me zemrën time një banesë
për bukurinë tënde,
me gjoksin tim një varr
për brengat e tua.
Do të të dua siç duan lëndinat pranverën,
dhe do të jetoj brenda teje jetën e një luleje
nën rrezet e diellit.
Do të këndoj emrin tënd
siç këndon lugina jehonën e kambanave;
do të dëgjoj gjuhën e shpirtit tënd
ashtu siç dëgjon plazhi
historinë e valëve.

SHIKIMI I PARË MIDIS DY TË DASHURUARVE

Shikimi i parë është një minutë misterioz
që ndan gjumin nga zgjimi.
Është një pishtar që ndriçon qoshet e shpirtit.
Është tingulli i parë magjik mbi kordën e harpës së zemrës njerëzore.
Është një çast që i përkujton shpirtit lajmet
e ditëve të shkuara,
zgjon magjinë e netëve të të dashuruarve,
ndriçon dredhat e ndërgjegjes në këtë botë
të pamasë
dhe zgjon misterin e përjetësisë dhe të botës së re që do të vijë.

KËNGË POEZI FJALË

Edhe po të këndoje si engjëjt,
dhe të mos doje këngën,
s’do bëje tjetër veçse t’i ktheje njerëzit në shurdhër
në zëra të ditës e në zëra të natës.

“Nga Profeti”

* * *

Mendja peshon dhe mat,
Por është shpirti ai që arrin në zemrën e jetës
dhe përqafon në të fshehtësinë;
po fara e shpirtit është e pavdekshme.
Era mund të fryjë e të qetësohet,
dhe deti të vrapojë e të tërhiqet:
por zemra e jetës
është sfera e palëvizshme dhe e qetë,
dhe në këtë pikë shkëlqen një yll
që është fiksuar në përjetësi.

Nga Jezus bir i njeriut

DHURATË

Jep pak,
kur dhuron atë që ke.
Kur jep vetveten,

vetëm atëherë jep me të vërtetë.

Nga Profeti

* * *

Forca që mbron zemrën nga plagët
është po ajo që i pengon
të zmadhohet në madhësinë e saj më të madhe.

Nga Thesari i Kahlil Gibran

* * *
Besimi
është drejtimi i zemrës
siç është shikimi drejtim i syrit

Nga Thesari i Kahlil Gibran

FRYMËMARRJA E JETËS

Do të doja të shkonit kundër diellit dhe erës
më shumë me lëkurën se sa të veshur,
sepse frymëmarrja e jetës
është në dritën diellore solare
dhe dora e jetës është në erë.

Nga Profeti

* * *

Ne vetë jemi pafundësisht e vogla
dhe pafundësisht e madhja
dhe jeta që i bashkon.

Nga Endacaku

* * *

Zot më shih nga njeriu
që shpallet pishtar
që ndriçon rrugën e njerëzimit.
Mirë se të vijë njeriu që kërkon rrugën e tij
Në dritën e të tjerëve.

INJORANCA

Dua të takoj ende një injorant
Rrënjët e të cilit

të mos zenë në shpirtin tim.

Nga Maksimat Shpirtërore

TRISHTIMI

Pyes trishtimin dhe zbuloj
se s’e ka dhuntinë e fjalës;
edhe sikur ta kishte,
jam i bindur se do të shqiptonte
një fjalë më të ëmbël se gëzimi.

Nga Prozë e poezi

* * *

ASNJË

Asnjë s’mund t’ju zbuloj asgjë
veçse atë që ndodhet
në gjendje të përgjumur
në agim të vetëdijes sonë.
Mësuesi që përparon
Në hijen e tempullit
midis dishepujve,
nuk përcjell diturinë e tij,
por më tepër besimin e tij
dhe dashurinë e tij.
Nëse është me të vërtetë urtan,
nuk do t’ju drejtojë
në shtëpinë e mençurisë së tij,
por do t’ju shoqërojë
në pragun
e mendjes suaj.

Nga Profeti

TË KTHEHESH FËMIJË

Gjërat që fëmija pëlqen
mbeten në mbretërinë e zemrës
gjer në pleqëri
gjëja më e bukur e jetës
është ajo që shpirti ynë
të mbetet për të lëvizur
nëpër vendet,
ku luanim dikur.

Nga Autoportret

* * *

Ja unë jam një fjalë:
Një fjalë që nganjëherë
s’do të thotë asgjë,

nga një herë do të thotë pafudësi.

Nga Prozë e poezi

Përktheu: Faslli Haliti