FASLLI HALITI
7 POEZI -VARIANTI PERFUNDIMTAR,
NGA LIBRI “DIELLFTOHTI“
DIELLFTOHTI
Diellbora,
Diellakulli,
Diellftohti,
Jemi dridhur një jetë
Dhe vazhdojmë të dridhemi prapë
Me shekuj, me ditë eme net….
Diellbora,
Diellakulli,
Diellftohti…
Si s’u bëre për ne veç një herë i ngrohtë,
Por mbete, i ftohtë, i ftohtë, i ftohtë ?
KONKURRIMI
Pranvera konkurron çdo vit
Me lule, blerim, freski
Dhe bar
Dhe ne çdo vit
I japim çmimin e parë.
Vera
Çdo vit
Konkurron
Me zheg,
Me vapë,
Na shtyn të futemi në hije,
Na shtyn të zhytemi në det.
Ne s’i japim asnjë çmim,
Edhe pse drithëra e bukë ajo na jep.
Vjeshta
Çdo vit
Konkurron
Me fruta dhe shira,lirike,
Me gjethe të verdha,
Me re të zeza, dramatike,
Me vetëtima, bubullima, rrufera.
Ne s’i japim qoftë dhe një fletëlavdërimi,
Edhe pse pemët na i vë përpara plot fruta
Si kupa të arta
Floriri…
Dimri
Çdo vit konkurron
Me akuj, dëborëra,
Me erëra dhe stuhira që ulërijnë,
Me pemë lakuriqe që dridhen nga acari,
Me degët lakuriqe pa fole,
Pa një cicërim.
Për dimrin ne
S’ kemi dhënë,
Dhe s’japim asnjëherë çmim…
S’kemi çmim pra për të katra stinët !
Vetëm ty pranverë dhe ju o lule,
Ju japim çmim,
Çmim japim për ju kaltërsira qiellore,
Për ty fllad, për ty puhi, për ty blerim…
EDHE PSE
Edhe pse ti
Nuk flet me mua,
Kalo nga rruga ime,
Po s’rri rruga ime pa trillet e takave të tua…!
TONET
Tone
Të larta
Njerëz të ulët, të dobët,
Tone
Të ulëta
Njerëz të lartë, të fortë,
Tone të ashpra,
Njerëz të butë,
Tone
Të buta
Njerëz të ashpër,
Tone
Cicëruese
Si vezë pa zogj,
Ngjyra
Pa ngjyrë
Si lule pa erë,
Njerëz pa mendime,
Si pemë dekorative…
TË GJITHË MË MËSOJNË
Në shkollë
Shkruaja bukur,
Isha i pari në bukurshkrim.
Mësuesi lumturohej,
Ia tregonte klasës fletoren e bukurshkrimit tim.
Shoku im i bankës
Me shkrimin shkarravinë
Më mësonte si shkruhej më bukur,
Më mësonte si shkruhej më mirë…
Në ushtri
Dilja i pari në qitje,
Bëhej me krahë komandanti,
Në kampionatin kombëtar të qitjes
më caktonte mua komanda.
Ushtari që s’fuste qoftë
Edhe një plumb
Në tabelë,
Më mësonte
Si bëhej qitja me pushkë,
Si bëhej qitja me pistoletë,”Parabelë”.
Si mësues,
Bëja ditarin më të mirë,
Ditarin më të bukur në shkollë.
Shkëlqente i tëri drejtori,
Ma çonte ditarin
Lart,
Në seksion.
Entuziazmohej shefi,
Ditarin e niste në Ministri.
Mësuesi
Që s’bënte fare ditar,
Ai më mësonte
I pari
Si bëhej më mirë,
Si bëhej më bukur ditari.
Si poet,
Kush nuk shkruante,
Më mësonte si duhej shkruar,
Kush nuk lexonte,
Më mësonte si lexohej
Dhe ç’libra duheshin lexuar.
Kush shkruante lirika intime,
Erotike,
Më mësonte
Si shkruhej lirika qytetare,
Më mësonte si shkruhej lirika filozofike.
Të gjithë më mësojnë,
Më marrin për ushtar,
Më komandojnë,
Më duan të bindur,
Më duan të bëj ç’duan ata.
Unë jua kam thënë juve dikur çiltërsisht:
Lamtumirë kapedanët e mi !
Lamtumirë
Ju them dhe tani
Juve «profesorëve»,
Juve «akademikëve» të mi !
ASKUSH S’MË BINDET
Të gjithë
S’ më binden
Dhe fajin, besoj, e kam unë vetë.
Unë duhet ta kem një dobësi,
Unë duhet ta kem patjetër
Një të metë.
Kur isha bujk adoleshent,
Qetë s’më bindeshin,
Përtypeshin qetë,
S’e tërhiqnin
Plugun.
Hutohesha pas pulëbardhave unë,
Si napa të bardha
Pulëbardhat
Mbi ugar,
Si napat e lara
Që nëna i nderte mbi gardh, në litar.
Përkundrazi, xhaxhait,
Qetë i bindeshin
Njëherësh
Të dy,
Kau me emrin Zambak,
Dhe kau me emrin Syzi.
Po pse i bindeshin
Xhaxhait
Qetë ?
Sepse xhaxhai ishte bujk i rëndë
Bujk që e nderonin buqit, bujk i vërtetë …
Si mësues gjithashtu nuk kisha autoritet,
S’më bindeshin nxënësit,
Nuk mësonin,
S’i bënin
Detyrat.
Më shihnin me habi…
Kur unë përhumbesha në përfytyrime,
Vizatoja, bëja skica, krokira, krijoja poezi…
Nxënësit harbonin…
Dilnin nga klasa.
Dikush pinte në TOILET një cigar.
Një vajzë në korridor
Provonte puthjen e parë…
Edhe si prind
S’kam pasur
Dhe s’kam autoritet.
Kjo s’më pikëllon aspak
Le të jetë mbi mua fëmija mbret.
Le të më gjejë nga fëmija gjithçka,
Vetëm fëmijën të mos e gjejë prej meje asgjë.
Midis poezisë sime
Dhe fëmijëve të mi
Ka pasur dhe ka rivalitet,
Ka pasur dhe ka xhelozi…
Edhe si gjysh
Nuk kam autoritet.
Kjo më kënaq,
Kjo më jep gëzim.
Mbesa dhe nipi bëjnë ç’të duan me mua;
Më hipin mbi kurriz të dy,
Më bëjnë kalë me fre,
Me yzengji…
Unë u bindem urdhrave të tyre,
I zbatoj pa u fyer aspak,
I zbatoj
Me përulësi,
Me një kënaqësi që jetën ma zgjat…
KUJTIMI IM NGA NJË EKSKURSION
Niset…
Dyqind
Kilometra rrufiti –
Ndalet autobusi, shëmon.
Përpara
Kalaja, liqeni, Shkodra.
Buna si grua kabahe
Me bluzën e bruztë,
Trupin duke dredhur,
Futet në gjirin e detit,
Bri bregut liqeni mërmëron.
Shkodra!
Kalaja plagët akoma mjekon.
Rrugët
E Shkodrës.
Këtu ka ecur Migjeni.
Gjurmët e Migjenit
Si fosile fiksuar mbi rrugë.
Ja ku ka ecur Migjeni!
Ja si ka ecur Migjeni!
Prapa,
Bjeri, prapa!
Shikoja ku këmbët i shkojnë,
Shikoja ku këmbët i ndalin!-
Migjeni ka shkelur kudo.
Këmbët i ndalin,
Në majën
E malit.
Sa shumë
Ka ecur Migjeni!
Sa mirë ka ecur Migjeni!
Shkodër!
Rrugët e tua pështill si rul.
Dërgoja muzeut “Migjeni”,
Në rrugët e tua të inçizuara,
T’i shohin brezat gjurmat e viganit.
Brodha,
Me gjurmët e Migjenit,
Brodha nëpër rrugë,-
Ja ktheva programin eskursionit.
Shokët,
Kur të vetëm më shikonin,
Që bridhja serioz, vizitoja rrugët,
Më quanin pa shije njeri.
Dhe thoshin, pse rrugëve bëj vizita,
Kur në Shkodër kishte
Muzera dhe fabrika.
Shokët,
Me shokët
Poza bënin në sfonde antikash,
Poza bënin përpara liqenit, bri Bunës,
Kurse për vehte unë,
Përpara teatrit “Migjeni”,
Poza bëra me Migjenin. –
Poza me Migjenin
Bust.
Kthimi.
Gota,
Shporta,
Servise,
Sapuna “Venus”-
Merr kujtime nga Shkodra, dikush.
Dy gjurma mora,
Shkula nga rruga,-
Dy gjurma të Migjenit mora kujtim.
Në borsetën time kujtimi më i mirë!
______________________________________
POEZITË U MORËN NGA LIBRI “DIELLFTOHTI”