Nuk do të heq dorë nga betejat e mia parimore, kudo që do të jem

0
456
Alma Lama

INTERVISTA

NGA NEBI AJETI30 DHJETOR 2018BOTASOT.INFO

Intervistë me Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama

Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali, Alma Lama, e konsideron si të suksesshme punën e saj në këtë ambasadë përgjatë këtij viti. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Lama ka thënë se përfaqësimi në Itali është mjaft dinjitoz dhe aktiv. Po ashtu, gjatë kësaj interviste, Lama, ka thënë se qëndrimi i Italisë për sa i përket dialogut me Serbinë, është i njejtë me anëtarët e tjerë të vendeve të Quintit.

“Bota sot”: Zonja Lama, së fundi ju jeni përzgjedhur në mesin e gati 200 ambasadoreve të akredituar në Itali dhe Vatikan për të qenë pjesë e librit “Ambasciatori a Roma” të gazetarit Marco Finelli, çfarë do të thotë kjo për ju?

Alma Lama: Ndihem shumë e nderuar që në një kryeqytet të rëndësishëm përsa i përket korpusit diplomatik, siç është Roma, unë jam përzgjedhur në mesin më shumë se dyqind ambasadorëve për tu intervistuar. Natyrisht ky është një vlerësim nga ana e gazetarit Marco Finelli dhe redaktorëve të këtij libri. Ju kujtoj se parathënien e librit ka shkruar David Sassoli, aktualisht zevendespresident i Parlamentit Evropian dhe më herët gazetar i shquar në Itali. Libri “Ambasadorët në Romë”, përmbledh 14 intervista me ambasadorë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe ambasadori rus p.sh. Aty ka këndvështrime të ndryshme për gjeopolitikën, ku edhe unë kam dhënë pikëpamjet e mia jo vetëm për Kosovën dhe rajonin, por edhe për konfliktet dhe çështjet me të rëndësishme globale të sotme. Unë konsideroj se përfshirja ime në këtë libër, është në radhë të parë një sukses për shtetin e Kosovës.

“Bota sot”: Si ka ecur viti 2018 për juve si ambasadore?

Alma Lama: Viti 2018, ashtu si ai i mëparshmi ka qenë i mbushur me aktivitete të shumta në të gjitha fushat, nga diplomacia tek kultura. Kam zhvilluar aktivitete lobuese si për njohjet ashtu edhe për INTERPOL-in, por për të cilat në vazhdimësi jam e rezervuar pasi këto janë aktivitete që nuk duhet të bëhen publike, pasi mund të dëmtohen interesat e shtetit të Kosovës. Kam zhvilluar aktivitete që lidhen me promovimin e Kosovës përsa i përket aspektit ekonomik dhe mundësisë për investime, aktivitete kulturore, vizita në rajone të ndryshme të Italisë, vizita tek komuniteti kosovar, etj.

Duke qenë se në Itali pati zgjedhje dhe skena politike pësoi ndryshime të mëdha, një pjesë e mirë e punës sime i takoi me vendosjen e kontakteve me protagonistët e rinj të politikës italiane, takime me senatorë e deputetë. P.sh. jam nga ambasadoret e para në Romë që kam zhvilluar takime me kryetaren e Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Deputeteve, Znj Marta Grande, e po kështu jam takuar me kryetarin e Komisionit për Çështje Europiane në Senatin e Republikës, ku i kam njoftuar me objektivat e Kosovës për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE.

Alma Lama dhe Ministri i jashtem, Enzo Moavero Milanesi

“Bota sot”: Sa po punohet që Kosova të përfaqësohet sa më mirë në Itali por edhe në vendet e tjera?

Alma Lama: Nga pozita ku jam mund të flas vetëm për punën time. Natyrisht unë kam opinionin tim se sa e si po punohet por tani për tani mund të them se në Itali përfaqësimi është mjaft dinjitoz dhe aktiv dhe jam shumë krenare për punën që kam bërë, së bashku me kolegët në ambasadë. Pa hezitim mund të them se jemi një nga ambasadat më aktive në Romë, në përputhje me numrin e stafit dhe të resurseve.

“Bota sot”: Cili është mendimi i italianëve për Kosovën, kanë pëlqime apo paragjykime?

Alma Lama: Kosova në përgjithësi në Itali njihet përmes së shkuarës së saj dramatike, pra luftës. Kam takuar me dhjetëra persona që kanë qenë të përfshirë në mënyra të ndryshme në Kosovë, veçanërisht gjatë dhe pas luftës. Kam takuar persona, në fjalët e të cilëve kam gjetur një dashuri të madhe për Kosovën. Por nga ana tjetër ka pak informata për shtetin e sotëm të Kosovës, për mundësinë e investimeve që ofron shteti ynë, për zhvillimet në përgjihtësi. Mospasja e informacionit ka edhe anën e saj pozitive sepse do të thotë se jemi zhdukur nga harta e konflikteve dhe lajmeve negative.

“Bota sot”: Momentalisht Kosova po ballafaqohet me vështirësi sa i përket numrit e njohjeve, ka lajme rreth tërheqjeve të njohjeve. Mendoni se po dështon diplomacia në këtë aspekt?

Alma Lama: Tërheqja e njohjeve nga disa shtete është një lajm jo i mirë për ne, ashtu sikurse pamundësia e Kosovës për tu bërë anëtare e INTERPOL-it.

“Bota sot”: Së fundi morëm lajmin se Presidenti Thaçi ka kërkuar që ta lironi detyrën e ambasadores në Itali, çka mbeti pa u thënë rreth kësaj teme?

Alma Lama: Pozicioni që kam tani, pasi ministria ende nuk më ka caktuar një datë për ta dorëzuar detyrën, nuk më lejon të bëj komente të mëtejshme.

“Bota sot”: Si e shihni gjendjen aktuale politike në vend?

Alma Lama: Edhe për gjendjen aktuale politike, nuk do të bëj asnjë koment.

“Bota sot”: Cilat janë përshtypjet e Italisë për bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë?

Alma Lama: Italia është nga ato vende që ka interesa të drejtpërdrejta në Ballkan. Është e qartë se çdo zhvillim në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit i ndjek me shumë vëmendje. Qëndrimi i Italisë është i njejtë me anëtarët e tjerë të vendeve të Quntit përsa i përket dialogut. Ata janë në favor të marrëveshjeve që rrisin sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan.

“Bota sot”: Sa ju mungon puna juaj si deputete, a do të rikandidoni përsëri në rast zgjedhjesh?

Alma Lama: Puna ime si deputete ka qenë mjaft e rëndësishme për mua. Jam krenare për kontributin që kam dhënë gjatë gjithë viteve të mia në Kuvend, në të gjitha çështjet dhe në të gjitha vendimet. Por kjo punë ka edhe anën e saj problematike pasi për shkak të qëndrimeve të mia të drejta dhe parimore në interes të Kosovës, kjo punë më ka ekspozuar përballë grupeve me agjenda negative, dhe si pasojë kam qenë objekt kërcënimeve, sulmeve dhe fushatave linçuese të vazhdueshme që vazhdojnë edhe sot.

Në lidhje me pyetjen se a do të marr apo jo prapë pjesë në zgjedhje, mund të them se politikën e kam parë si mundësi për të dhënë kontributin tim për shoqërinë dhe jo për të përfituar prej saj. Çdo vendim që do ta marr në të ardhmen do të ketë sërish këtë motiv. Ajo çfarë është e sigurt, nuk do të heq do të nga betejat e mia parimore, kudo që do të jem.

Alma Lama dhe kryetarja e Komisionit per Pune te Jashtme, Marta Grande

“Bota sot”: Sa ka rëndësi imazhi i një politikaneje në politikë?

Alma Lama: Nëse e keni fjalën për dukjen e jashtme, mund të them se ka rëndësi, por nuk është thelbësore. Thelbësore është puna dhe angazhimi për vendin. E njejta gjë vlen edhe në diplomaci.

“Bota sot”: Cilat ishin momentet më të vështira dhe ato më të bukura për ju gjatë këtij viti?

Alma Lama: Ka qenë vit i mbushur me suksese si në rrafshin personal ashtu edhe si Ambasadë. Tashmë kam arritur të krijoj një rreth shumë të gjërë të njohurish në Itali, miqsh dhe pa hezitim sot ata janë edhe mos të Kosovës. Por momentet e vështira nuk do të flas tani.

“Bota sot”: Të kalojmë edhe tek disa pyetje jashtë politikës, si i pret festat e fundvitit familja juaj?

Alma Lama: Do t’i presim në Romë, së bashku me fëmijët.

“Bota sot”: Kush kujdeset për gatimet dhe gjërat tjera në këto festa?

Alma Lama: Për gatimet kujdesemi unë dhe bashkëshorti, por edhe fëmijët kanë prirje për kuzhinën. Ne nuk bëjmë plane të mëdha në përgjithësi. Jemi më shumë spontanë në organizmin e festës. Për ne e rëndësishme është të argëtohen fëmijët.

“Bota sot”: Çfarë nuk mungon asnjëherë në kuzhinën tuaj?

Alma Lama: Nuk mungojnë gjërat e përditshme, por molla është fruti që nuk mungon asnjëherë në shtëpinë time.

“Bota sot”: Ushqimi i preferuar të cilën fëmijët tuaj e admirojnë dhe ju nuk përtoni ta bëni?

Alma Lama: Nuk mund të flas për ndonjë ushqim të preferuar. Unë vazhdoj të gatuaj gjërat tradicionale tonat. Nuk kam pasur kohë t’i përkushtohem edhe mësimit të kuzhinës italiane, e cila është jashtëzakonisht e pasur dhe e vlerësuar nga e gjithë bota.

“Bota sot”: Lexoni apo shihni filma, cili është libri apo filmi juaj i preferuar?

Alma Lama: Leximi është për mua si ushqimi, i domosdoshëm. Librat që lexoj, janë të ndryshëm dhe të lidhur më shumë me punën, pra libra profesionalë. Sa për librat artistikë, ato i lexoj kur kam pushime, por për fat të keq kam gjithnjë e më pak kohë për to. Libri i fundit që po lexoj është “Shkëlqim dhe tmerr” i aktorit me origjinë kosovare Bekim Fehmiu, një libër me kujtime nga jeta dhe karriera e tij kinematografike. Sa për filmat, kur kam kohë preferoj ata komikë, italianë kryesisht, që janë çlodhës dhe argëtues.