Parandaloi sulmin me kallashnikov në Francë, flet shqiptari: Policia u habit me guximin tim

0
700

Politiko.al, 2 janar 2019

Një shqiptar nga Kosova është bërë hero në Francë, pasi ka mundur që të paranoje një sulm me armë, i cili mund të kishte përfunduar me shumë viktima.

Ngjarja ka ndodhur natën e ndërrimeve të viteve në një lokal nate në Avallon të Francës ku një person i armatosur hyri në ambientet e një diskoteke. Fillimisht ai e la armën jashtë dhe më pas futet në diskotekë, por në këtë moment truproja e këtij ambienti, i cili është shqiptari nga Kosova, Bujar Muli, ka reaguar dhe e ka goditur me grushte agresorin duke arritur që ta ndalojë.

Në një prononcim për gazetën ‘Bota Sot’ në Kosovë, ai ka treguar dinamikën e ngjarjes dhe si arriti të neutralizonte personin e armatosur.

“Fillimisht isha brenda dhe kanë ardhur kolegët me kanë thirr për një rrezik që po paraqitet, edhe jam dal menjëherë dhe i shikoj kamerat sigurisë. Edhe aty e kam vërejtur që personi e ka qitur paksa grykën e automatikut, kjo ka ndodhur rreth 04.30 të mëngjesit. Pastaj desha me dal menjëherë, por mu luten aty brenda (kolegët dhe koleget) mos me dal menjëherë, dikush brenda nga frika u alivanos. Pastaj ka dal prej veturës ai personi me automatikë, e ka raportit dhe ka vazhduar me vëzhguar situatën herë majtas e herë djathtas, duke vëzhguar edhe derën e emergjencës, tani ka ardhur në drejtim të diskotekës dhe ka arritur me trokitur në derë. E kam vërejtur përmes kamerës së sigurisë, iu kam thënë kolegëve edhe shokëve, po mbështetëm te Zoti, ashtu si e ka shkruar ai dhe po veprojmë.

Flamur Tolaj dhe Dini [shoket e tij], këta dy me ka përkrahur me dal jashtë dhe e kam pritur momentin, se si u afrua ai te dera, kemi vendosur të tretë së bashku për të reaguar. Unë dola në vrap të madh dhe e qëllova grusht, pastaj në stilin e xhudos e kam hedhur në tokë. Pastaj kolegu im Flamuri ka vrapuar shkallëve duke menduar se shoku i tij gjendet prapa murit, kur e kam pa kolegun që ka shkuar lart, prej frike se po e mbysin atë, e kam lënë këtë personin e armatosur shtritë në tokë, kam shkuar deri te shkallët dhe mi ndihmuar shokut.

Pastaj, kur kam arritur lart, unë policinë se kam pa hiq, kam dash me kap armën dhe me shkuar me rrah me kondak at personin, ndërkohë kolegu im, Flamuri, me një francez, edhe ai ish i sigurimit që ka punuar një kohë me ne, me kanë ndal për mos me kap armën. Qindrat e sekondës kanë qenë në pyetje, kur policia franceze mi ka drejtuar armët, duke menduar që unë jam ai personi i armatosur, më pas ish kolegu francez, iu ka bërtit: nuk është Bujari por ai i shtriri është personi i armatosur. Atëherë policia e kanë marrë atë, e kanë arrestuar dhe e kanë dërguar në qeli.

Pas dy orëve prapë janë kthyer policia për të na marrë pyetje neve dhe aty i kam pyet policinë, çka do të bëhet me të, a mundeni me vlerësuar në një mënyre akt terrorist, policia mu ka përgjigjur: Jo. Sipas tyre, ai personi ka qenë pak i “dehur” dhe me të do të merret gjyqi ushtarak. Policia me kanë përgëzuar dhe me thanë se si e ke pas guximin me dal. Unë iu përgjigja: Ne shqiptarët kur e marrim një punë e kryejmë me nderë edhe pse është pyetje jeta. Ka shumë njerëz që me kanë dërguar mesazhe, leje punën se po të ndodhë më e keqja, ju kam thënë dy fjalë si shefit, si shokëve dhe kolegëve: I buzëqeshi në fytyrë rrezikut. E dyta, përderisa Zotin e kam në qiell që me mbron nuk ka kush në tokë që më frikëson”, ka sqaruar ai.