Nga Revista Drini – 30 Dhjetor 2018
Përgatitur nga AGIM MORINA, Londër, më 29 dhjetor 2018
Autor: Gjin DUKA
Shtatëmbëdhetë dimna kaluen, qëse në dimën na la. Dimnat u shënderruen e pranëvera mâ s’na gëzoi.
Kujtoi Poeti, lodhun prej lëngatës, se bora cegëmprûse e asajë nade së hidhët të dhetorit ishte petk darsmuer në trupin e hijëshëm të Rozafës dhe prej së shtruemes duel me e pá. Çili xhamat e kristalizuem prej akullit e shpijat kundroi pullazlpêta, mbytun më nji dét në gjyrë tambli. U knaq prej ajrit t’agsholit acar. Për tê ishte i mrami agim i tokës, qi e lindi e qi aq fort e desht. U rrxue rishtas në shtroje të bardhë e varrëvet morale, qi zembren i a kishin këputë, i u shtuen varrët trupnore të jetës në prendim. Nuk u çue mâ. Në rektimet e mrame, në luften e trupit vigâ me të kerthnestit, qi shkimej, diftoi, si perherë, qetsí shpirtnore. Mendoi trishtueshem deken, qi aq gjáll pershkrou në Burrnija e i u dha të terhiqte shtatin vjelltas per t’i pështuem, por u tyrpnue prej ligshtís njerzore e tha: «Vetem s’perkulet para dekës njaj trimi, n’zember të cillit nuk randojn punë t’liga». E kuptoi tashmâ Kangatari arbnuer se motra dekë e Kangatarit asizjan ishte te kryet e e priti me buzëqeshje t’i a çilte dyerët e vrrîjeve, qi s’veshken as në mjes të kataklizmit të rruxullimit në Diten e gjyqit. Kllapít e bân me këndue në jerm me vargun poetik. Peshperiti cungueshem Marash Uca e Dedë Gjo’ Lula, Tringa e Pater Gjona, Oso Kuka e Ali Pasha, Jerina e Makabej. Ju gjá se shtegu i jetës n’udhtim ishte si ai i popullit të zgjedhun kahë toka e premtneme.
Lypi nji dorë të fuqíjshme, qi tallazet kercnuese të detit të pështjelluem t’i a dajte dysh e raven t?i a çilte perpara Gurrave të Jordanit mistik per të kaluem pá të vështír n’atdhén e dishruem. Dhimat e trupit të vet i krahasoi me ato të Mater Dolorosa e shtratin e dekës e zbuti me rruezat kokerrmdhá. të cillat deri në perhjekje të mrame suell neper duer tuj persritë belbzueshem fjalët, qi shum vjet perpara i pat drejtuem Nanës së Zotit: «Birin tand per né Ti lute — mnín e Tij mbi né deh, zbute — qi n’Parriz t’gzojm t’bardhin fat». Si babë i njaj familje patriarkale, plot djelm e nipa, të cillt vetë i mirërriti e perherë i deshti, deshroi me i pasë afer të rit e Provinçes së vet shqiptare. Zhgunat nëgjyrë murrtë e rrethuen, rituem prej lotsh, nësá syt e tatës se letrave arbnore shëndriten si dikur, kúr në ta perftyrorhej zhenija e jeta në mâ të miren kohe, fuqija e vrulli dinamik në kulmin e veprimit. Të rivet Fishta u la testamendin e mramë: «Duenje Zotin e Shqipnín, duenje Provinçen e shoqisho’in, punoni sbashkut per Atme e per popull: ky qe programi em, ky ideali i jetës, ky trinejshi, të cillin gjâ s’e këputë: Fé — Atdhé — Perparim». Pat shum me thanë mbas, por gjuha s’i ndigjoi të vazhdojë e lypi pushim deri të nesermen. E nesermja s’e xuni. Diq atë natë të paharrueshme të 30 Dhetorit 1940.
Në qiellen e zymtë të njaj toke, qi per kufij të trashiguem ka Tivarin e robnuem e Gusìn Shqiptare, Karadakun kreshnik e Shkupin e bjerrun, Monastirin e grabitun e Prevezen e qytetnueme, nji za u ndie si vigem vajtuese në kalim. Në shkrepin e Troshanit, qi fushen e Zadrimës kundron, nji shkamb u rrxue e Kreshta e Maja e Velës ushtoi deri në kalàn e Lezhës e atê të qytetit të Gencit. Deçiqi u dridh shi prej themelit e Biga e Shalës u trand. Ishin këto shêje qi vetem zi niellëshin e kob të madh diftojshin. Zani u hap si vetima e rriba e verit, qi prej shpellës se Katallàjve del e jeten e mrrudhë, nji fjalë shqiptoi si kushtrim: Fishta ka dekë. U shternguen atbotë gjamatarët e kombit e fiset e tana rrân rreth tij. Lahutat zâpermállshme Poetët e Shqipnís mënji i ujdisen e te kryet e të madhit Orfë, shtrî në drrasë, në log te Shkoderloces zûn me vajtuem ma mire se vajtoret në ruba të zeza mbulue. Kalin e lahutës fishtjane prej dihamësh e thyen, zhargun e kopen e qimet tubëkali lik permjet i këputen Koliqat e Poradecat, Çajupat e Floqat. Mbi trup te tij të ftofun permyz u lëshuen e s’dijten me u çue vllazent e vet: e Prennusha e Palaj e Zadêja e Shantoja e Harapa e Bardha e Kurta e Gazulla. Prej malesh u dorgjen varg e vister gjamatarët tjerë e Korçë e Gjinokaster, Prizrend e Pejë, Guci e Ljarje njizanit briten tuj u gerdhishte ilirçe: i mjeri unë o tatë, shtyllë e Kombit e nderë e letrave shqiptare, i mjeri un ó! Gjoksin e çeliktë, jelek çilët, e rrahi arbnori e lot e gjak fytyren e bronxtë i a mbuluen, persè në jetë kush ma s’po jitte hallet me i a këndue si ai e trimnin me i a endë aq rrjedhëshem.
Me Fishtën Zana epike e Shqipnís heshti e rojë vorrit ajo rreshtmira i u bâ, deri sá nji pinjuell i ri mos të bîjë në vorr të tij e penden uhá t’i a marrë.
* * *
Me folë mbi Fishten duhet nji Fishtë.
Na qi mbas tij tepruem, na qi gjáll e njoftem e me tê jetuem, belbzojm para fëtyrës së tij vigane. Mbi vorr të tij të dhunuem — heu kob! — prej vetë Shqiptarëvet bastardha pervjetë lot derdhim, kesh eshtent me i a zbutë para mnís barbare e zhgunin e bekuem, të perlloçun prej trathtarëvet, me i a lá. Drekë vaji pervjelë permállshem ngrehim e Arbnorët fat-paktë i grishim gjamen per të persritë para petkut të Fratit të madh, qi në mjes të zhgunave tjerë të pergjakun na janë dishmí e kjartë se i Bekuemi i malit keqas âsht dhetue e se votra e kulturës ilirjane hurdhë gjaku âsht bâ e mjera dhe pa Uratë ka mbetë.
Do njerz perjudha historije bâjn e të mdhaj i quen njerzimi. Breznit pështeten mbi ta e gjurmët e tyne ndjekin. Në qiellë të kombit të vet porsi kombetë udhtojn e mrapa làn shllunga drite. Shtegun i a kallxojn nipnís kahë lumnija e perparimi. Terrinat, ku populli i pasugurtë luhatë per t’u perspjetë ke caku, ata i zhdavarisin e Hyllin e Dritës lajmojn. Daltë-ambel, si Fidia, bâhen e trajten vizëpreme atdheut i a apin. Në farkë të vet tushjane çelik të kulluet veç shkrìjn e idén kombtare mirë e përcaktojn dhe me shembuj e shkrime fuqijshem e mbathin.
I tillë âsht Fishta.
Leu e u rrit kur në kazàn të Ballkanit elementat heterogen vlojshin, ziejshin, gufojshin per të dalun në vedi prej enës së ndryshkun me gjak të Turkís së vjetrueme. Ndjeu, qe në fmini, kumbimet e harpës Leonardjane e u mallengjye prej zanit të sajë. U prek e tha: në Lahutë kam per t’a këthye ketë harpë, perse tek na lahutës din me i rà ilirasi. U edukue atje ku «axha» Pater simbol i qe njai populli mare, trim e maluer e i forte si ai i yni. «Guslen» atje shijoi e kangët rresht per rresht i nëxuni të Kaçiqave e Martiqave si ato Vukonjanet. Dishka të perbashkët më to gjet, perse edhe këta Ilirë u quejten motit e të njajtat ndjenja paten. Zembren por këto s’i a ngìn as afshin s’i a shafìten. Shllimet e tyne nder vargje të mâvona ndoq, por shpirtin u a dha të vetin, qi as i tij nuk qe, por i Shqiptarit.
I ambel e tingllues i u duk per vesh të tij të prelitë vargnimi i klasikëve të lashtë dhe shkrimet e tyne i shijoi si fmija fëtyrëqeshun tamblin e nanës. S’u vû me u a gjâ, perse as Homeri as Virgili, as Horaci as Ovidi krejt s’e ngîn dhe unëshem prej sofrës së tyne u çue. Nder ta as burrnin s’e gjet të tirqve iliro-trakë, as virtytet e xhubletës tringëjane, as hieshin e paster të Tanushës, as fìsnikin e mikpritëjen thjeshtë arjane, as besen malore shkamb, as trimnín orteg, as doket tona shêjte, kahmot të trashigueme. Mitologjín e të vjetervet me ande kulloti, por fëtyrat e zotave me vese e epshe hyjnore nder ta e lodhen. Hieje të zbéta i u gjàn hyjnit e Olimpit para Orëve e Zanave të Deçiqit, Vizitorit a Veleçikut, para Katallâjve synja e kulshedrave të Bigës, para drangojve të Dukagjinit orëmadh e shtojzovalleve, para floçkave shkumbuese e shauretave të perfrigueshem të kangëvet tona popullore e prrallave kombtare. I squet, si i squet âsht zogu i Shqiptarit, forme të préme muer e kusht e bâni këto me i pershkrue në Lahutë, uhá pá marrë kund njeti…
Tipa kerkoi At Gjergji nder të mdhajt e letrave botnore, qi kohës së tij mâ larg a afer i rrijnë. U bind para bukurís së pamrrîjshme, me të cillën zhenit e shekujvet i paraqiten herojt e vet. Drita e tyne, qi kavaljetet pershkoi pà u zbé, nuk i a muer syt as nuk e topiti. Penden prej tute dore s’e lëshoi as kurr gjuha amnore e vorfen s’i u duk per t’u kapun nalt në Parnas të poetëvet. Në Jutbinen rapsodike, si në kangët trimnije, qi n’unakë votrash shqiptare janë shkrue me zjarm, të papáshme per sy, por të ndíeshme per veshë e të prekëshme nga shpírti, herojt e Lahutës i dau e në burra u ndesh, sá lakmí mos ine i a pasun Akilave as Uliksave, Djo medave as Hektoravc, Eneave as Agamemnonave. Edda-n s’e njofti rapsodi ynë – tha Fishta lahutár – as Shahnamen s’e lexoi kurr në jetë, si s’dijti s’e në botë Nibelungen ká, Mahabharata a Rigveda, Fingar a por Chanson de Roland e prá si ata këndoi Gjeto Basho Muja e Gjergj Eleza e Osman Dizdara e Ajkuna e Omerà. Pranë tij do të ndalem e në gurren e letrave shqiptare etshem kam per t’u ulë me pi. Do të harroj Dante e Petrarca, Tasso e Karduça, Miltona e Metastasa. Goethe e Shilera, Klopsloka e Viktor Hugo, Lamartine e Corneille, Manzona e Calderóna dhe shkrimet do të filloi aty, ku të mdhajt nisen të mdhaj me u njehë. E i a duelë ma së miri.
Lahuten Frati aq mire e ujdisi, harkun asajë aq ambel i a lakoi dhe gishtat aq thekshem e fortë i a dridhi, sá tingujt e sajë perkoi zanamaras me kangen e msuesave të mdhaj të letrave botnore, qi rrugë të gjata kavaljetesh rrahen para tij e nga miljona njerzsh u linden. Lahutes por Fishta nuk i a ndrroi natyren as vjolin, as harpë, kitarë as violonçel, s’e bâni.
Këtu âsht zhenija e Fishtës dhe këtu madhnija.
Njimend nji tjeter si ai ma bukur do të kishte mujtë me shkrue dhe zanet ma ambel do t’kishte mujtë me i limue në varg, por kurr Lahutë shqiptare vepra s’do t’i kishte dalë pá drûn e xjerrun në mal dhe mjeshtrin e msue me dhenë si ai dhe mrapa me këndue.
Porsi nji arkeolog i preftë, qi n’angrra të tokës popuj t’harruem kerkon dhe qytetní të prendueme zbulon e me copa rrasash të gjetuna, me daltina të shkrueme, vegsha e poça të thyem, briçakë e heshta të ndryshkuna trupore, gjymtyrësh e krenash cungue, nji historí të lumnueshme endë, ashtu At Fishta në popullin e vet të harruem elementat e parë kerkoi, dhe, shka ma t’ambel në gjuhë fshatari pat e ma fisnik nder doke, më nji e ujdisi. Atje në male të vrashta t’Veriut, ku pullazet pishore kulm-hjelltë tim të bardhë veç qesin, ku fyelli bjen dhe lahuta këndon, ku lulet Skanderbeg nên bore, qi dêhet, çilin, atje ku zhguni vekatár del prej vajanicës mâ i bardhë se endi dhe burrnin e mbulon të malsorit, atje ku xhubleta si kaçota e halëvet fisnikin e mshehë të Juditave shqiptare, me mjaltë si bleta dyllin e bekuem Auktori i Lahutës e mblodh dhe nji qiri të madh kulaç, shum okësh, në voter t’atdheut e ndezi, qi mâ per jetë s’do të shkimbet. Atje ku Kukelat shtat-halë pushken në krah e mbajten dhe të lirë u ruejten, ku blegtori ushtár dhe bulku strateg kangës perherë i a tha «terthorçe e maje krahit», ku Kanuni i Lekës u ruejtë dhe doket e tatave u mbajten ina mirë se ligjët rrasore të Romës, ku urtija në log të kuvendit shteg xû, ku baruti i zi e gjaku kufìjt e Arbnís i ruejti, Fishta xû gjuhen, muer uhá frazeologjín, mësoi gjallsín, e rrjedhëshmenin natyrore, bani të vetat doket, pervehtësoi trimnín, guximin, dashunín per lirí e vatan, krenín shpirtnore, qindresen e vrrullin vulkanik të rracës ilirjane.
Kush jeten e At Gjergjit kundron, nji gjâ i bjen në sy me ’i herë. Në misjonin e tij letrar as Travniku aq s’i viejti as Sutiska as Livno as Bosnja marë, sá Famullíja e pare Gomsiqja. Aty, ku i pavdekshmi Gjeçov rreshtoj të parat neje të kanunit doketár, Poeti shkrou të parat vargje t’Epopës kombtare. E prejsè shkrimtari âsht aq mâ i madh, sá mâ ngjat t i afrohet shpirtit të popullit të vet dhe këtê picak e të pázhigla t’a paraqesë nder shkrola, prandej i Fishtasi vedin mbi shkrimtarë tjerë naltoi, perse shqiptarçe shkrou e popullorçe këndoi. Vetëm në ketë drejtim emnin e perjetsoi dhe në zember të Shqiptarit me germa t’urta e shkrou, deri sá kjo zember per Shqipní të rrahë.
Kangët e para Fishta, fshatit i a vuedhë dhe fshatarëve i a dha. Fshatarët i mueren dhe të vetat i bân, persé të vetat ishin. S’dijten me i dá së që auktuer i qiti, por per mendsh i nëxûn, si uraten, e malet e fushat, e bjeshka e vrrini, e kullat e stanet, votrat e mrizet me to ushtuen. Te qorrat e Kolgécat — larg permendë nder né — malacakvet u shkoi mendja, por u kujtuen me ’i herë se në «xhebehane t‘Osos» si në shkollen e «Mashit», në burrnín e «Alís» si n’urtín e «Abdylit», në trimnín e «Dedës» a në zembren e «Pater Gjonit», në vajin e «Turkinës» a në fisnikín e «Tringës» nji dorë e msueme punoi, qi shkollare ishte.
Ishem krejt fëmí. Bari i vogel me çobâj të rritshem e kalojshem diten. Aso heret — në vjetën e largtë të 1923 — pak kushi nder në të malit dijte me lexue. Mâ pak shkrolat me i qitë në leter. Të dijshem e mbajshim, na bleglorët, vetem atê qi te frati kish msue e librat me i shfletsue dijte. Më kujtohet, si sot, se njani nder në na lexojte Lahuten, nësá dhít mallojshin zhareve a në hije mrizojshin. Veshtrojshim me ande dhe fjalët i perpîjshim. Mbrapa rresht per rresht i persritëshim. Dikur nder të mdhaj u nëxé kuvendi. Te kangatari e kishin, qi kangët i kishte qitë. Fishten permendshin atëherë, per mue të panjoftun, por në godi s’bijshin të mdhajt a ai do t’ishte a por ndo’i tjeter prej lahutarëve tane. Dikur u lidhen me baz dhe Fratin e fshatit per të pëvetë e dàn, qi gjithshka din dhe petkun të pershtatshem s’e ká me gënjye as me trathtue. E diellja erdh dhe Meshatarin pëvetem. Vetem atëherë barit xunë besë se kalemi i shkollarit aq mirë po mujte me e qitë dhe paster me e pershkrue shpirtin e Shqiptarit.
Nji fenomen të bindshem paraqet fshatari ynë, kandár i saktë dhe këcim shpejtë në peshen e shkrimtarit. Ai âsht letrár i lindun dhe i paster si fiskaja e krojeve, ku zanat rríjn dhe lahen, kúr kush mos të jetë per brî. Midja e tij letrare mallin e huejë s’e bluen dhe, kúr asajë s’i pershtatet, fjalë e fraze ndrron a por m’anesh e lên, per mos t’a perçapun mâ. Me shkrimet e Fishtës s’ndodhë këta. Ato pêsëdhetë vjet po i kapin, qi nder male e fusha këndohen, por germë s’u âsht hjekë as fraze ndrrue.
Kjo âsht vlera e shkrimtarit.
Kushdo i huej a i yni, sot a në t’ardhëshmen, ka per t’u mârrë me Lahutë dhe me kandarin kritik a me shijen estetike ka per t’u vû me studjue në tê ata shka në rrymen e shekullit atomik shkon tuj u zhdukë nder në: karakterin e Shqiptarit, temperamentìn e tij, doket gjyshore, jeten private a të fisit, besimet, kanunin, virtytet, mentalitetin, zêjtorín baritore a bujqsín, shkallen e qytetnís etj., ka per të hetue pá të vështír nji gjâ: shpirtin dallues të nji kombi, i cilli në tana shfaqjet e veta jeton, lufton e des per nji ideal: per lirin e vendit. Kjo âsht arrsyeja, per të cillen Fishta në poemin e vet dashtas per protagonist veprimi s’ zguedhë bajrak as vehtje, por Kombin mare. Burrat e Shqipnís i mlodh prej kateranëvet e arme të çelikta e urti e fjalë e pende e Besë arbnore e dashuni vllaznore e gaz e váj në gojë a dorè u vuni. Mjeshter si ai, këta dementa më njâ i gershetoi dhe ma mirë i rradhiti se vetë vektarja dorë-artë pelhuren. Të purpurtë fijen e parë e ngrehi dhe me liri e mbylli, me njatë lirí, qi në Vlonë u çpallë mâ së pari e fund i qe Poemit. E këtu shkollë kombtare u bâ Lahuta dhe mësues mbi mësuesa duelë Shkrimtari.
Ndergjegjen e Kombit mirë e percaktoi, atëherë kúr vështír me i dhanë forme të preme ishte. Per tê s’pat gogë as kaurra, s’pat turq as llatin: pat vetem vllazen nji nane e nji trungu qi bota Shqiptarë i quen. Themelet mbi shkambij katallâjo-ilirë të rracës arjane, mbi doke e gjuhë arbnore, qi shekujvct kercnuesa me vnér e gjak u qindruen, ndiesis kombtare i a vuni dhe gurt koçekë me bashkim e dashuni, me vllaznim e hashkëveprim i lidhi. S’ishte punë e lét as malli poetësh puna e fillueme. S’qe i vetem Fishta në ndertim, persè kullë vetem kush s’ bân, as çardak s’ngrehë pá tjerë, por dibranë si atê vonë e vonë Shqipnija ka per të qitë.
Jo veç në Lahutë, por nder shkrime tana nini e inàd vllaznuer, fanatizem qorr e dasi zhgatrruese, ndjenja krahinore e demeli e vese e ngatrresa e ligshtí të vullndetshme në forum të vet zharritës i shtìni e i dogj porsi digjen bangat e frashnis se krahishtueme kur me terfurq hiedhen në furren e gelqeres së kàllun.
Qau me «Lot gjakut», kur padrejtsija e të mdhajvet dhe dhuna e të fortvet Hot e Grudë, Plavë e Gusî, Kosovë e Çamerí prej trupit t’Atdheut i dau; kushtrimin e lëshoi në mare Kombin me vigem të pikllueshme lajmtari në «Mbaroi Malsija»; më Zot i u perbetue vllazenvet pushken per t’a lane nder veti e në mburojë të kufìjvet per t’a perdorë; me topuz t’ arrsyes u ndei gati anmiqvet dhe shtatë pash nen dhë i shtini; fishkull thane në Parnas ai nëzuer dhe mistrecat kulima me të i ndoq, sahere këta gardhijeve a hiejes vere e vere vcç bâjshin, kesh themelet me i a grisë bashkimit shêjt kombtàr a por qytetni me i dhanë korës së rë, qi qytetni nuk ishte. «Anzat» u a lëshoi në shpinë pseudoatdhetarëvet rrenacakë dhe në «Gomàr të Babatasit» i vuni pá samár, pá plis, pá thes dhe rrugavet të Shqipnis i sterkati trokçe deri sá qefit i duelen vedit e kambët mâ s’i mbajten: dashunín per gjuhë u a shtini atyne, qi turp u vite me fole në gjuhë të parvet dhe kordhat e harpës në «Gjuha Shqipe» aq mirë i preku, sá kumbim me dhanë tingllues e t’ambel per vesh të qëdo klasiku; zdramin e padijes e hoq e «Shqiptarin e qytetnuem» nder kombe të perparueme e vuni; dyrek i u versul gabimit dhe të mdhajvet, ndejun në shkamb të lartë, «Gabove Hilë» u tha, sá bere këta e merituen; batakçít e vendit «tri bere shefer» i thirri e Lalat s’i la fort léhtas me shkrue e me vulosë si dojshin. «Oren e Malevet» në krali të vet e thirri dhe «Posten e Shqipnís» ai vetë per t’a shperndá dishroi, qi letrat mos të hupshin në xhepa të shkyem a por mos të qiteshin në kosh të ndonji hajni.
E prejsè me mësue âsht fort mâ kollaj se me bâ, kambët, ai i prefi e kudo e lypi puna e Shqipnís, endè në djep a në fmijní, atje u gjet si rrufeja dhe vendin e vet të rritshem e të pjekun e paraqiti. Para tokës arbnore n’ekstazë u rrëmbye Poeti i dashunís kombtare dhe mâ e hieshmja vashë nder vasha i u gjá «Shqipnija» e i këndoi plot afsh:
Edhe hana do t’a dije, Edhe dielli do t’a ketë pá, Se perqark ksajë rrokullije, Si Shqipnija ’i vend nuk ká.
Malli e muer per tê, sá herë prêhnit të sajë i u largue si i «Dbuemi» dhe me zember e plot gojë i premtoi se:
Dér sá t’ muj me ligjirue, Dér sá gjáll me frymbë un jam, Kurr Shqipní s’kam me t’harrue, Edhe n’vorr me t’permendë kam.
Kjo âsht shkolla Fishtjane, qi Françeskâjt e mbajten dhe qi deri në mâ të largtin sternip kambë-zbathë e litár-nëgjeshun kanë per t’a me krenarí arbnore.
(…)
Me gjuhen, qi Fishta na mësoi, na flasin burgjet, qi tanët i kalbin, fushat e perqandrrimit, qi farefisit tanë jeten i a shkurtojn, prangat, qi rinís sonë n’atdhé të kerthnestit i a thájn, si teli i ndryshkët pipakët e njomë, dhe Vllaznim na lypin.
Bashkim e dashuní vllaznore lypë Kombi marë para dokevet shêjte, qi në votra tona po zhduken, para gjuhës, qi dalë-kadalë në siberjane po këthehet, para lirís së trashigueme nga herojt e Lahutës, para Shqipnís, para së cillës nji pjesë të kuqt e Tiranës e falen e tjetren të huej e bane. Medet, o Zot, medet!!…
Para këtij kobi, qi të dekun e të gjallë perpini e Kombin e pështuell në zi. prej vorrit të Fishtës nji zâ kushtrimi ushton:
Kushtrim! Kushtrim! A gjáll me nderë a dekun grue e trim!
a por nji ankesë ban shpirti i tij i lum me vetë Perendin, qi aq fort duron mbi padrejtsín e njerzvet bisha:
O Perendi, a ndjeve? Trathtarët na lane pà Atdhé E Ti rrin e gjuen m’ rrufé Lisat nper male kot.
[marrë nga “Shêjzat”]