7 poezi nga FASLLI HALITI

0
1028
Faslli Haliti - vizatim nga Helidoni

F. Haliti . Viz. Helidon H.

FASLLI HALITI

SI TI, BABA

Edhe unë si ti, baba,
Kam filluar
T’i heq këmbët zvarrë
Siç i hiqje edhe ti dikur,
Atëherë
Kur ti ishe kaq saç jam sot unë.

Edhe mua, baba,
Kanë filluar
Të më dridhen duart
Siç të dridheshin ty dikur,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq saç jam sot unë.

Edhe mua, baba,
Ka filluar
Të më derdhet filxhani i kafesë,
Siç të derdhej ty dikur
Sapo e vije në buzë,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq saç jam sot unë…

Edhe unë
Si ti,
Baba,
Urinoj natën shpesh,
Siç urinoje dhe ti dikur,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq saç jam sot unë.

Ti po qan,
Baba ?
Si,
S’do
Që unë të vij në Had tek ti,
Të të tregoj për jetën dhe peripecitë
Këtu mbi tokë,
Mbi dheun
E zi.
Dhe të pimë
Kafe atë dhe bir ?
Unë do të të tregoj sinqerisht, baba
Është këtu mbi tokë, apo atje në Had më mirë…?

KAQ PAK QIELL

Kaq pak qiell
Dhe ky pak qiell, mbetur shkretë,
Mbetur pa një yll,
Pa një hënë,
Pa diell.

Kaq pak qiell.

Kaq pak dhe i pambjellë asnjëherë,
Kaq pak dhe mbetur ugar me plisa resh të zeza,
Kaq pak qiell dhe mbetur pa lëruar, mbetur djerrë…

SUNDIMI

Ai flet,
Flet,
Flet,
Flet,
Nuk pushon,
Ai ia mbyll gojën fjalës sime,
Me breshërima fjalësh
Më sundon.
Unë flas,
Flas,
Flas,
Flas,
Ai hesht,
Hesht, hesht,
Ai s’reagon,
Ai fjalës sime s’ia vë fare veshin.
Me heshtjen e tij ai më sundon…
Ai mua më sundon edhe me fjalë,
Më sundon edhe me heshtje.

Unë përgatitem për një kryengritje të tmerrshme…

HAPJA

Mua
Më lënë shokët,
S′i lë:
Mua më ikën e dashura,
Nuk e përzë.

Kush më troket në derë,
Unë ia hap në çast
Menjëherë

Unë s’ia zë kujt kokën me derë…!

NDJESA

Të kërkoj ndjesë
Gushëkuq i ferrës,
Që të qëllova me llastiqe
Dhe të shprisha prushin e gushës.
Më fal
Bilbil
Që ta preva këngën me gur!
Të kërkoj falje
Ty thëllëzë
Që të theva vezët,
Që të plagosa njërin krah,
Të lashë nënë pa zogj.
Më fal, isha çilimi, kalama…

PËRSOSJE

Përsosu
Dritë
Përsosu ajër
Përsosu ujë
Përsosu blerim
Përsosuni yje
Përsosu
Diell
Përsosu lule
Përsosu kaltërsi
Përsosu
Tokë
Përsosu njeri.
Përsosu dhe ti Zot

Ndryshe s’ka përsosje në qiell dhe mbi tokë…

PUTHJA

Jepet në televizor Eurogoli.
Të jepet
Dhe Europuthja…

S’ka si loja e buzëve!