Çdo vit, më 25 dhjetor, Zoja e Bekuar në Međugorje jep dy mesazhe për mbarë njerëzimin. Njërin e jep nëpërmjet Jakov Čolo dhe tjetrin nëpërmjet Marija Pavlović Lunetti. Po ju sjelli të përkthyera në shqip dy mesazhet e dhëna pikërisht me rastin e Krishtlindjes 2018. Uroj që të jenë një ushqim shpirtëror dhe një ilaç që shëron plagët e secilit lexues, këto mesazhe që na vijnë nga Qielli. E thërras Shpirtin Shenjtë mbi të gjithë ju vëllezër e motra, që të mbusheni me jetë dhe gjallëri, në mënyrë që të gjithë së bashku t’i japim lavdi Zotit që është Bariu ynë Hyjnor.
Ja mesazhet e Zojës:
Mesazhi që Zoja e ka dhënë nëpërmjet Jakovit,
më 25 dhjetor 2018
“Të dashur bij! Në këtë ditë plot hir në mënyrë të veçantë ju ftoj për dashuri. Bijëz! Hyji Ju do me një dashuri të pakufi dhe prandaj, bijëz plot me besim mos shikoni më pas, por pa frikë dhurojani zemrat tuaja, në mënyrë që Hyji t’i mbushë me Dashurinë e tij!
Mos kini frikë t’i besoni Dashurisë së Tij dhe Mëshirës së Tij, sepse Dashuria e Tij është më e fortë se çdo dobësi dhe frikë e juaja. Prandaj bijtë e mi, plot me dashuri në zemrat tuaja, kini besim të plotë në Jezusin dhe thoni Atij po˗në tuaj, sepse Ai është e vetmja udhë që ju shpie tek Ati i Përjetshëm!”.
Mesazhi i Zojës dhënë Marijes,
më 25 dhjetor 2018
Të dashur bij! Po ju sjell Birin tim Jezusin, që është Mbreti i Paqes. Ai ju dhuron paqen. Kjo paqe mos të jetë vetëm për ju, bijëz, por çojeni tek të tjerët në gëzim e në përvujtëri! Unë jam me ju dhe lutem për ju në këtë kohë hiri që Hyji dëshiron t’jua japë. Prania ime është shenja e dashurisë, ndërsa jam këtu me ju për t’ju mbrojtur dhe për t’ju udhëhequr drejt amshimit. Faleminderit që i jeni përgjigjur thirrjes sime!
Si ta pranojmë MESAZHIN e Zojës?
(Siç bënte edhe Atë Slavko)
1. MERRENI që ditën në të cilin është dhuruar!
2. LEXOJENI një herë të parë në shpirt lutjeje!
3. PRANOJENI në fundin e zemrës suaj!
4. KONSIDEROJENI si një mesazh që Virgjëra jua jep personalisht dhe jini mirënjohës ndaj Saj!
5. KOPJOJENI mesazhin dhe vendoseni në mesharin tuaj, në frigorifer, në zyrë, në pasqyrën e banjos, në makinë dhe kudo, në mënyrë që ta kujtoni gjithmonë dhe që të bëhet shoqëruesi juaj gjatë gjithë muajit! Me lejen e Famullitarit tuaj afishojeni në famulli!
6. BASHKËNDAJENI mesazhin me të gjithë ata që i takoni: është një thesar nga Qielli! Veproni në mënyrë që gjithë bota të flasë, nxitni publikimin e tij!
7. LUTENI mesazhin çdo ditë të muajit! Veproni në mënyrë të tillë që mesazhi t’i japë tonin jetës suaj shpirtërore! Do t’ju bëjë të rriteni, do t’ju hapë ndaj pendesës, ndaj shërimit dhe shpresës.
8. KËRKONI në Ungjill rreshtat në të cilat Jezusi thotë gjëra të ngjashme me ato që thotë Zoja!
E më në fund, me gëzimin e Emanuelit˗Zotit në mesin tonë, të ecim përpara në ndjekjen e Jezusit dhe të Nënës së Tij të Shenjtë!
Përgatiti:
Nikolin Sh. Lëmezhi