Isha, pashë, dëgjova dhe ika

0
484
Protesta e emigrantëve

Mentor Kikia

Pashë, mes të tjerëve, nja dy tipa që nuk frymëzojnë aspak qytetari. Nuk di të them nëse duhej të ishin në burg, por në një protestë për demokraci jo. Ani, secili është i lirë!

Dëgjova, mes të tjerëve, një vajzë me një zë të mrekullueshëm, vokal madhështor, si një soprano. Filloi të fliste tërë mllef: Mbrëmë pashë një gazetar, një palo gazetar, që tha në televizor se tiranasit janë dembelë, qylaxhinj, tashethemexhinj rrjetesh sociale, që rrinë nëpër kafene. Por unë i them atij se ne nuk jemi të tillë.

– Jooooooooo – bërtiti turma.

Ai gazetari isha unë. I thashë mbrëmë këto epitete për banorët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, në një program në ABC News. Vajza, mesaduket, e kishte kapur nga mesi fillin e bisedës, pasi unë i akuzova qytetarët për indiferencë, pasi nuk iu bashkuan apo iu bashkuan shumë shumë pak protestës së thërritur nga një grup emigrantësh. Ndërsa në rrjetet sociale të nxjerrin sytë.

Vajza vazhdoi:
– Ky kryeministër i korruptuar do të iki, do ta qërojmë, bashkë me këta gazetarët e tij dhe mediat e tij të shpifura.
– Pooooooooooooooo – bërtiti turma.

Pastaj ajo vazhdoi:
– Ndaj unë kërkoj:
– Ndryshimin e ligjit zgjedhor, që po mban peng demokracinë.
– Rishikimin e ligjit për koncensionet, që mundëson vjedhjet e tenderave.
– Ndalimin e këtyre ofshore-ve që po zhvasin ekonominë.

Vajza po lexonte shkrimin dhe propozimet që kishte bërë publikisht i njëjti “palo gazetar”.

Dhe turma shoqëronte:
– Poooooooooo
– Poooooooooo

Nënqesha dhe qëndrova të dëgjoja deri në fund. Të gjitha mallkimet dhe akuzat e mundëshme, ta thëna e stërthëna deri tani në të gjitha tubimet, mediat, rrjetet sociale. Ik, Ik, Ik – bërtiste turma. Po si do të ikë, në ç’mënyrë? Konkretisht çfarë kërkohet, çfarë do të bëjmë ne që ai, apo ata të ikin?

Turp, turp, turp….

Ika, me mendjen top që ato që kisha thënë një natë më parë në studio për banorët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë ishin shumë pak. Mu dhimbsën realisht ata emigrantë, që kishin ardhur me një ideal dhe shpresë, që mes një populli që pëlcet nga marazi në rrjetet sociale, do të frymëzonin reagim qytetar. Por jo, sot kishte dhjetë herë më shumë njerëz në qendrën tregtare “Toptani”, sesa në protestën para kryeministrisë.

Ika me mendjen top, se protestat që mbeten gjatë pa kokë, nga frika se mos e kap Rama, dhe pa axhendë, më duken po aq të vdekura sa edhe një trup pa kokë.

Gjithësesi vazhdoj të shpresoj dhe të këmbëngul se kërkesa e parë, nëse do të ketë, të jetë shkatërrimi i Ligjit Elektoral, për të rikthyer lirinë politike në këtë vend.