Sa e vështirë të kuvendosh me injorancën dhe të robëruarit e partive!

0
388
Mentor Kikia

Mentor Kikia

Kam shpërndarë në rrjet dhe media të ndryshme online një shkrim, që është në fakt një ide dhe ftesë për diskutim.

Po e përmbledh idenë në pak radhë:
Shumë shqiptarë mendojnë se vendi ka nevojë për ndryshim. Edhe unë ashtu mendoj. Por unë nuk mendoj se ndryshim është thjeshtë të zëvendësojmë PS-në me PD-në. Sepse të dyja partitë kanë vjedhur dhe abuzuar me pushtetin njësoj, me të njëjtat ligje, me të njëjtat praktika dhe me të njëjtët oligarkë. Të dyja partitë kanë rënë dakord në heshtje që: Të mbajnë të njëjtin ligj zgjedhor, që u siguron atyre sundimin në skenën politike dhe i vënë shkelmin çdokujt që përpiqet tu hyjë në pjesë. Të mbajnë të njëjtin ligj për prokurimet publike, që u siguron atyre paracaktimin e kompanive që fitojnë tenderat (në këtë mënyrë u krijua oligarkia). Të mbajnë të njëjtin ligj për kompanitë offshore, përmes të cilave vjedhin pa u ndëshkuar. Të mbajnë të njëjtin ligj për koncensionet, përmes të cilit qerasin oligarkët (kundrejt pagesës) me prona publike e HEC-e në parqet kombëtare.

Atëherë cili është ndryshimi, nëse ndërrojmë qeverinë në këto kushte?

Unë hodha një ide, që energjitë e shoqërisë të përqëndrohen në ushtrimin e presionit publik (forma ka sa të duash), në mënyrë që:
1-Të ndryshojë ligji zgjedhor
2-Të ndryshojë ligji i prokurimeve publike
3-Të ndalohet pjesëmarrja e kompanive ofshore në tendra publike
4-Të ndërpritet dhënia e shërbimeve dhe veprave publike me koncension
5-Të vazhdojë, e të mos bllokohet reforma në drejtësi.

Mund të shtohen edhe të tjera, ndaj është ftesë për diskutim.

Sepse unë mendoj se në këtë mënyrë ne mbyllim disa rubineta të mëdhenj korrupsioni dhe i hapet rruga alternativave të reja edhe në politikë. Ne fund te fundit permes politikes vijne zgjidhjet.

Këto ide i “materializova” në një shkrim me titull: “Unë do të jem në protestë, por jo për të kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës”.
Dhe çfarë ndodhi: Disa fanatikë politikë e padyshim edhe modestisht të ditur, as e lexuan fare shkrimin, por vetëm titullin, e vrapuan të shanin autorin dhe ata qytetarë që e mbështesnin idenë: Servil i Ramës, bythëlëpirës i Ramës, kërkon të mbrosh hajdutin etj. etj. Disa e lexuan, por meqë nuk e kuptuan dot, që mund të ketë edhe zgjidhje tjetër veç rrotacionit PD-PS (+ – LSI) shkuan prapë tek titulli e bënë të njëjtën gjë si të parët. Disa kuptuan kuturru diçka por me kërkonin mua llogari për ç’ka bërë qeveria.

Vlerësoj, jo ata që janë në një mendje me mua, por ata që janë në gjendje të frenojnë dalldinë politike, të arsyetojnë, të diskutojnë e të japin ide. Sepse sot vendi ka nevojë për njerëz që japin ide, i mbrojnë ato dhe luftojnë t’i zbatojnë. Nuk ka nevojë për ata që, nga injoranca apo fanatizmi politik, bërtasin në mjegull. Sepse me të bërtitura sot as skuqet e as zverdhet njeri. Por që një ide ta kuptosh, taksirat, duhet ta lexosh më parë.

Nje skeç në kohën e komunizmit, tregonte për një punonjës biblioteke, që s’kishte lexuar asnjë libër. Një lexues i kërkoi t’i sygjeronte një libër në fushën e bujqësisë, e ai i sygjeroi “Papa jeshil”. Jeshil – tha ai – lidhet me barin, me natyrën.


Të këqijat në këtë vend nuk janë rastësi, por produkt i shoqërisë

Për dy ditë me radhë kam patur një komunikim intensiv në rrjetet sociale me qindra njerëz, thuajse të tërë të panjohur personalisht. Diskutimi lidhej me disa propozime që unë bëra, nën një titull politikisht provokativ (qëllimisht për të nxitur debatin), lidhur me çfarë hapash konkrete mund të bëjmë ne si shoqëri, për të kërkuar më shumë frymëmarrje dhe liri politike dhe për të shigjetuar ligje konkrete që mundësojnë vjedhjen në mënyrë të ligjshme.

Diskutova gjatë me shumë njerëz, deri në kufijtë e padurimit. E bëra për të kuptuar më shumë dhe për tu bindur edhe më shumë se:

– Nuk është rastësi, që në epokën e luftës së ftohtë ne kishim regjimin më të egër diktatorial në Europë.
– Nuk është rastësi që në periudhën postkomuniste ne kemi tranzicionin më të gjatë në Lindje dhe nivelin më të lartë të korrupsionit qeveritar e shtetëror në të gjithë Europën.

Vrasjet në kohën e komunizmit…

– Armiku më i madh i vendit nuk janë partitë, por vetë shoqëria, njerëzit e gatshëm “të japin edhe jetën për partinë”, të gatshëm t’i vënë bishtin më të gjatë gjithkujt që mendon ndryshe nga partitë e tyre.
– U binda edhe se, nga opozita gjithnjë e më shumë po ikin ata që mendojnë e arsyetojnë e po mbesin ata që vetëm bërtasin e shajnë. Dhe kjo e thellon krizën e shpresës.

Por u binda edhe per diçka tjeter. Ka shumë njerëz të tjerë, të vetëdijshëm se ku ndodhet ky vend tani, për çfarë ka nevojë e çfarë duhet bërë. Ka shumë njerëz të tjerë që e duan këtë vend e duan të jetojnë ndershmërisht këtu. Ka shumë njerëz për të cilët ia vlen të këmbëngulësh të përpiqesh deri në fund. Ka shumë njerëz që janë të binduar se Shqipëria nuk është vetëm e socialistëve dhe demokratëve që kacafyten mes tyre, në përpjekje për të marrë sundimin.

Ka shumë njerëz që tashmë janë bindur se zëvendësimi i një qeverie të korruptuar me një qeveri tjetër të korruptuar nuk është zgjidhje.