Ismail Kadare në optikën e Kolevicës

0
1767
Ismail Kadare

Isak Ahmeti

Kur marrim dhe analizojmë figura të shquara të historisë sonë,
duhet t’u vëmë në dukje të mirat, por edhe të metat…
Kështu formohet shpirti i Kombit

(L. Poradeci)

Libri: Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje, SHB “Marin Barleti”, Tiranë, 2002, i Petraq Kolevicës, është një studim mjaft kritik dhe interesant, provokues dhe problematizues, është një libër me shumë dëshmi dhe prova për figurën komplekse të Ismail Kadaresë, që tashmë, i përkthyer në dhjetëra gjuhë, konsiderohet ambasador i letërsisë shqipe në botë. Autori i disa veprave letrare dhe përkthyes i disa vëllimeve nga gjuhë të ndryshme, Petraq Kolevica, në vend të analizimit dhe interpretimit të mendime të Ismail Kadaresë, faqet e librit të tij: Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje, i ka mbushur me shembuj të shumtë nga veprat e tij të botuara, ku del qartë platforma e ideologjisë së kuqe dhe përkrahja që Ismail Kadare i bëri atij sistemi.

Në lidhje me këtë, Kolevica shkruan, citojmë: “Duke dashur të jem sa më objektiv, në të gjithë shkrimin, do përpiqem të paraqes sa më shumë fakte dhe të bëjë sa më pak komente, në mënyrë që t’i lë lexuesit të vemendshëm asnjanës t’i nxjerrë vetë përfunfimet”(P. Kolevica, vep. e cit. fq. 5). Në kontekst me problematikën e shtruar dhe të trajtuar, Kolevica ka sjellë citate nga poezitë dhe poemat e I. Kadaresë si “Shekulli im”, “Poemë blindazh”, “Përse mendohen këto male”, “Te kështjella e Hamletit”, “Shqiponjat fluturojnë lart”, “Vitet gjashtëdhjetë”, “Buzëqeshja mbi botë”, “Lenini”, “Në festën e brigadës”, “Kënga e ushtarit të vjetër”, “Toka kufirare”, “Qeni i kufirit”, “Antena”, “Ëndërr industriale”, etj. etj.

Në librin e Kolevicës kemi edhe poezi të tëra të shkruara nga I. Kadare, ku dëshmohen qartë bindjet e “kuqe” të tij, të cilat ai është munduar t’i mohojë pa zgjedhur mjete …Ideologjinë apo partishmërinë në një pjesë të veprës letrare të I. Kadaresë, Kolevica e ka konkretizuar edhe nëpërmjet romaneve: Dimri i madh (që është përpunim i botimit të parë, 1973, me titull Dimri i vetmisë së madhe. Për romanin Dimri i madh, vetë I. Kadare ka shkruar, citojmë: “Siç është lehtë të konstatohet, skena nga më të rëndësishmet të romanit, dialogë dhe situata nga më dramatikët, janë bazuar në materialet e vëllimit të 19 të veprave të shokut Enver” (Nëntori, nr. 9/1979, ribotuar në I. Kadare, Vepra letrare, vëllimi 12, fq. 329).

Disa mendime të Kadaresë, të thëna në periudha të ndryshme, kanë zgjuar reagime të ndryshme edhe tek vetë kolegët e tij letrarë si Agolli, Arapi e ndonjë tjetër.

A ishin të ndaluara veprat e Kadaresë?
Kadare ka thënë:
“Në Shqipërinë e pasçlirimit nuk ka ekzistuar asnjëherë dhe nuk ekziston institucioni i censurës, çka është në nderin e shtetit”.
“Tre ose katër nga librat e mi ishin të ndaluar për arsye politike”,
“…gjysma e librave të mia kanë qenë të ndaluara”,
“Nuk ka pasur asnjë lexues shqiptar, me përjashtim të budallenjve, që të mos e dinin se një pjesë e veprës sime ishte e ndaluar ngaqë ishte gjykuar se ishte në një mënyrë ose tjetër kundër shtetit”,
“Koha e socializmit në Shqipëri është koha e jashtëzakonshme e emancipimit më të madh që ka njohur ndonjëherë populli shqiptar”,
“Jam krenar që kurrë, asnjëherë, nuk e kam mbrojtur regjimin diktatorial këtu në Shqipëri. Nuk kam thënë se në Shqipëri ka jetë të lumtur” etj. etj.

Rreth mendimit të Ismail Kadaresë se atij i ishin ndaluar librat dhe se nuk kishte shkruar vepra kushtuar regjimit, Dritëro Agolli ka thënë se Ismailit asnjë libër s’i është ndaluar (…) Unë nuk kam shkruar romane për Enver Hoxhën… Kadareja, për shembill, ka shkruar 600 faqe tek Dimri i madh… Ai ka 1200 faqe për Enverin… Ndërkaq shkrimtari tjetër i njohur, i socreslizmit, Fatos Arapi ka vënë në dukje krejtësisht diçka tjetër nga ajo që thotë në librat e tij, pas strehimit politik në Francë, për ideologjinë e kuqe dhe për politikën që mbretëronte atëherë në Shqipëri:

“Në vitin 1968 I. Kadare boton Motive me diell (T’u qepemi maleve, Dalja e shqiptarëve nga Traktati i Varshavës, Ti dhe nata – Fuat Çelës, Shqiponjat fluturojnë lart, etj.), që e vunë Kadarenë ndër shkrimtarët më pranë partisë dhe grupit udhëheqës politik shqiptar. Tanimë ai nuk ishte vetëm autoritet letrar. Kushdo që lexon veprat e tij të fundit, ku rreket të shpjegojë jetën politike e artistike të vet, do ta gjejë përherë në shoqëri me Ramiz Alinë, Todi Lubonjën, Fadil Paçaramin, etj., pra të njerëzve politikë”.

E pra të tre këta shkrimtarë: Agolli, Harapi dhe Kadare i përkasin socrealizmit !…