40 vite pa Imam Salih Myftinë

0
981

Themelues i Qendrës Islame Shqiptaro -Amerikane për shtetet Nju York dhe Nju Jersey

Leonora Laçi

Imam Salih Myftia (1891-1978) lindi në shekullin e trazirave e përpjekjeve për autonomi, në vitin e largët 1891, bashkëkohës i ngjarjeve më rëndësi kombëtare, siç ishte Pavarësia e Shqipërisë, që u skalit me shkronja të arta në historinë tonë, apo dhe ngjarjeve të dhimbshme për mbarë botën e qytetëruar siç ishin dy Luftrat Botërore. Duke rrjedhur nga një familje shkodrane që ka qenë dhe është përherë kontribuese në çështjet me karakter fetar apo kombëtar, që ka nxjerrë liderë të hershëm të komunitetit mysliman aty. Madje në fillim të viteve 40, njëra nga bibliotekat më të mëdha të Shkodrës ishte biblioteka e familjes Myftia.

Salihi mesimet e para do i merrte në një shkollë turke në Shkodër në vitet 1898-1904, por krahas mesimeve fetare do ketë zell dhe për çështjën kombëtare që po kristalizohej në fillim të shek.XX. Që në moshë të re do të jetë partizan që në shkollat shqipe të mesohej me germa latine, ishte njohës i gjuhës turke të vjetër e arabishtes. Asnjëhere nuk do i humbi shpresat që atdheun ta shihte të përparuar e zhvilluar. Kjo shihet në nismën për pavarsimin e xhamisë shqiptare nga ajo turke, e për këtë do mbahet Kongresi I Mysliman me 24 shkurt 1923 në Tiranë.

Po ashtu do jetë inisiator për përkthimin e Kur’anit në shqip për ta bërë lehtësisht të kuptueshëm për shqiptarët mysliman. Salih Myftija përveç mesimeve fetare do nxiste dhe dashurinë për atdheun. Në vitin 1927 do caktohet Myfti në Krujë, e më vonë Kryemyfti i prefekturës së Shkodrës e Kosovës me vendim të posaçëm të Këshillit të Naltë të Sheriatit. Shërbimin e tij si kryemyfti do ta bëj më se miri, kultura e diapazoni i tij i gjërë do reflektohej tek besimtarët ku armë më të mirë kishte :-“Tolerancën, besimin në Zot(Allah) e flamur”.

Imam Salih Myftija asnjëherë nuk u pajtua me pushtuesin fashist, për këtë ai u internua në Gjirokastër për afro dy vite dhe u shkarkua nga detyra e Kryemyftiut me dekret të Viktor Emanuelit III. Cili ishte qëndrimi i Imamit karshi pushtuesit e komunistëve?! Pas kaptiullimit të Italisë në shtator të 1943 do vihet sërisht në radhët e nacionalistëve e kryesisht si simpatizues i grupit të Legalitetit por sërisht si i pakompromis. Këtë e thotë i biri Dr. Fuad Myftija në kujtimet e tij : “Babai ishte figurë në lëvizjen Kombëtare, ka qënë ndër të parët nacionalistë e asnjëherë nuk ka bërë kompromis, as me fashistët e as me nazistët. Ngritëm grupe ilegale dhe çetat kundër gjermanëve…”Ajo që vihet re në këtë kohë delikate për Shqipërinë është se tashme armiku i nacionalistëve nuk ishte vetëm i jashtëm (gjermanët) por dhe i brëndshëm(komunisët).

Me gjithë përqarjet mes klerit katolik e atij mysliman, pra ndikonte rreziku i përbashkët që i kërcenohej nga LNÇL, e harruan këtë grindje dhe u bënë miq e bashkëpunëtorë të ngushtë. Bashkëpunimi do të vijë pas zhvillimeve të Mbledhjes së Mukjes ku personalitete si: Salih Myftija, Hafiz Ali Kraja, Mons. Thaçi, P.Anton Harapi, Sulço Begu etj, vendosën që të krijonin frontin antikomunist. U krijuan varg disa besëlidhje krahinore si në Shkodër, Pukë, Lezhë etj. Të cilat kërkuan me ngulm zbarkimin e anglo- amerikanëve… Shtëpia e imam Salih Myftisë ishte bërë pikëtakim për nacionalistët ku u takuan, u pritën e përcollën ngrohtësishtë nga i zoti i shtëpisë, me urtinë që e karakterizonte.

Dr. Fuadi vazhdon “Në këtë kohë kishte ardhur Mid’hat Frashëri me Baba Rexhepin e me Zef Palin. Të gjithë krerët ishin mbledhur në Shkodër.” Imam Salih Myftia së bashku me atdhetarët e tjerë, si: Fuad Myftia, kolonel Xhemal Laçi, Teki Xhindi, Hysen Prishtina e dhjetra të tjerë, u larguan nga vendi drejt Tivarit. Pikërisht me 21 nantor 1944 (Gazeta “Atdheu” mars-prill 1988) por pas pengesave, që i solli policia malazeze, për faktin se ishin të armatosur, ata u detyruan të lundrojnë me një barkë të vjetër në drejtim të Detit Adriatik, duke mbërritur në qytetin bregdetar të Brindizit të Italisë. Ata më pas u dorëzuan në komandën ushtarake të aleatëve, të cilët më vonë i vendosën në kampet e Italisë.

Arratisja- në kampet e Grumos me robërit e luftës. Siç shpreh Dr.Fuadi, ky vend ishte i skuqur gjithandej me flamujt rus e yll të kuq, drapër e çekan. Kampet ishin në gjëndje të mjeruar. Shqiptarët ishin të palarë, pis, pse vinin nga malet. Rregullat e disiplina ishin të rrepta. Përveç se trajtoheshin keq dhe hetoheshin. Imami Salih Myftia shquhej për urtinë e tij madje shpesh herë shuante konfliktet mes zogistëve e ballistëve. Kushtet e këqija të kampit nuk e mposhtën dhe as e përkulën gjakëftohtësine e largpamësine e këtij njeriu paqëdashës ku me besimin në Zot ja dilte mbanë të kontrollonte qetësisht shumë situata, kur shqiptarët e tjerë e kishin humbur durimin. Salih Myftija ia ushqeu dashurinë për arsimin të birit që ishte njëherësh mik e bashkëudhëtar në rrugët e vështira të emigrimit të padëshiruar, pasi qëndrimi në Shqipëri nuk ishte i mundur në një situatë të tillë të disfavorshme për nacionalistët, Fuadi u arsimua dhe u diplomua në Itali.

Konsideratë për Salihin kishte përveç Mbretit Zog që e bëri dhe këshilltar të tij, ai u zgjodh në krye të komisionit që udhëtoi drejtë Egjyptit për një takim me Mbretin e mërguar, ku u mblodhën të gjitha grupet politike. Konsideratë për të patën dhe anglo-amerikanët pasi miqësinë imami nuk e ndërtonte mbi pikëpamje politike apo bindje fetare, prandaj justifikohet pse ata e mbajtën afër. Para ca vitesh është botuar një dokument që mban vitin 1945. Ai thotë: “Në Janar të vitit 1945, dy politikanë shqiptarë, ndonse të internuar në një kamp transit në Bari, i mirënjohuni Mit’hat Frashëri që ishte kreu i Ballit Kombëtarë dhe një klerik nga Shkodra Salih Myftija, ky i dyti në emër të organizatës ”Legaliteti” i kanë kërkuar Sekretarit Amerikan të Shtetit në detyrë , të mos ndërmerrej asnjë nismë për njohjën e qeverisë komuniste të krijuar para çlirimit të vendit.( ky dokument është publikuar nga anglezët në një uebsite” Investigim” viti 2000).

Nga Egjipti, imami udhëtoi në Siri e Liban e së fundmi u vendos në ShBA në vitin 1965, ku si vend i parimeve të lirisë së shprehjes e besimit fetar dhe vend i demokracisë, ai vazhdoi pa problem aktivitetin e tij kombëtar e fetar.

Kalvari i familjes së Salih Myftisë

Si shumë familje të tjera nacionaliste dhe familja Myftija provoi internime dhe burgosje. Për këtë na vjen në ndihmë vepra enciklopedike “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”e studiueses Fatbardha (Mulleti) Saraçi, për bashkëshorten e imam Salih Myftisë shkruan:- “Qamile Myftija (1903-1974), edhe për të jeta erdhi plot peripeci, mbas vitit 1944. I shoqi, Salih Myftija, i nderuem në rrethin e besimtarëve myslimanë e në popullin e Shkodrës (ishte eksponent i organizatës së Legalitetit), mbasi kishte provue internimin e fashistëve italianë, që detyrue të arratisej në fundin e nandorit të zi të atij viti, tue lanë gruen e shtatë fëmijët (nga 3-13 vjeç përveç Fuadit që e mori me vehte).

Si fillim ajo pësoi paraburgimin 5-javor. Mandej shpronësimi e të tjera… Pas katër vjetësh, djali i saj 17 vjeçar, nga bankat e gjimnazit u përplas qelive të Sigurimit, për të provue torturat e tij e ma vonë edhe pesë vite burg. Ishte ende heret… Viti 1962 do t’i jepte një goditje edhe ma të randë. Djali tjetër, Mithati, që ishte nga natyra shumë i ndijshëm, tue mos durue përsekutimin, kalon në krizë nervore. Një djalë në burg, një tjetër në spitalin psiqiatrik, burri në arrati. Për çfarë të mendojë ma parë? Prapë, kishte edhe ma zi… Atë vit, ajo dhe dy djemtë e mbetun internohen.

Ishte 60 vjeçe e do t’i duhej të nxirrte bukën e gojës, tue ba punë të ndryshme buqjësore. Si, shumë shoqe të saja… Me mendimin se një ditë do të kthehej në shtëpi, me mendimin se i biri do të shërohej. Vetëm ai të shërohej, ani pse në barakë mungonte pothuaj çdo gja, ani pse nuk kishte forca për të përballue punën e randë. Nuk i shkonte mendja, se djalin, pasi do t’ia ndërpritnin kurën, do t’ia përplasnin baltave të Myzeqesë, aty ku ishte edhe vetë. A mund ta duronte zemra e saj e lodhun këtë gjendje? I duhej. Djali kishte nevojë ma shumë se kurgja për fjalën e saj të ngrohtë, që vetëm nga thellësia e shpirtit të saj mund të delte. Ajo i dha qetësinë, ngrohtësinë, butësinë. I dha edhe besimin për një ditë ma të mirë, i hapi horizontin, i tha të shikonte përtej, në kaltërsinë që do të vinte. Nuk do të ishte ma mirë gjendja ekonomike edhe kur do të ktheheshin nga internimi. Të gjithë në punë krahu, të gjithë në punë të randa.

Ndonëse të kulturueme, sepse ata nuk e kishin heqë librin nga dora, nuk mund të gjenin punë ma të mirë. E nana e vuante edhe këtë. Vuenin sidomos përsekutimin e njerëzve të veshun me pushtet. Sa herë u vinte rasti. Vuente sidomos Mithati. Atë e vriste edhe keqardhja e dashamirëve, deri një ditë, që me vetëdije mbylli jetën e vet nën rrotat e një kamioni. Historia njihte këso rastesh, por përgjithësisht nuk ishte marrë me botën shpirtërore të nanave që duhej të përballonin dhimbjen që vinte mbrapa. Pas pak vdiq edhe vetë. “Nuk vdiq. Ajo plasi”- do të thoshte e bija. Dhe kishte të drejtë”-kështu mbyllet rrefimi për Qamile Myftinë dhe kalvarin e saj përgjatë regjimit gjakatar komunist që nuk kurseu as fëmijët, as grate.”

Krijimi i Qendrës Islamike Shqiptaro- Amerikane si vatër e ngrohtë e shqiptarëve

Teologu, atdhetari, intelektuali ku Atdheun asnjëhere nuk e harroi por u mundua t’i shërbejë dhe pse nga larg, imami Salih Myftija kontribuoi në ngritjen e qëndrës fetare, atdhetare, shoqërore, arsimore, edukative e kulturore. Meritë për këtë ka dhe imam Isa Hoxha (1918-2001). Nevoja për një Qendër që të shërbejë si vendtakim mes shqiptarëve u rrit me rritjen e numrit të shqiptarëve myslimanë ne ShBA. Mbledhja e 16 majit 1966, nën udhëheqjen e Salih Efendi Myftisë të kësaj qëndre Islamike Shqiptaro-Amerikane arriti në përfundim që të themelohet një Xhami që të shërbente për forcimin e moralit, si dhe të përhapjes së mesimeve fetare e dashurisë për atdheun mes besimtarëve.

Me 12 nëntor 1972 Salih Myftija pas shumë përpjekjeve e punës së palodhur e përkushtuese preu shiritin e Xhamisë në Brooklyn të NY, ku u përshëndet nga mjaft personalitete si dhe shtypi vendas amerikan e shtypi shqiptar i Amerikës. Vlen të përmendet dhe miqësia e ngushtë me monsinjor Zef Oroshin (1912-1989) udhëheqësin e themeluesin e Kishës së Parë Katolike Shqiptare në ShBA.

Imami u nda nga jeta me 19 maj 1978 në moshën 87 vjeçare. Në ceremoninë mortore morën pjesë përfaqësues nga tre besimet fetare. Një figurë e shquar si Salih Myftija e meritonte që lamtumira e fundit t’i jepej në mënyrë të denjë ashtu siç ishte dhe veprimtaria e tij e admirueshme në rrafshin kombëtar e fetar.

Në një artikull të revistes së përkohshme fetare dhe kulturore “Perpjekja e Jone” vol. X, mars-prill 1981, nr 9-10, (fq 121) i kushton një nekrologji Imam Salih Myftis ku shkruhet mes të tjerash: “Salih Efendija ishte jo vetem udhëheqes shpirtnuer por edhe nji Atdhetar i merituem e i respektue nga e gjithë mergata politike shqiptare. Fesë e Atdheut i ka sherbye me zotsi e dinjitet dhe me nji guxim të pashoq. Ardhja e tij në Shtetet e Bashkueme t’Amerikes i ka ndihmue komunitetit t’onë shqiptar mysliman aq sa me njiherë u vunë themelet e Xhamisë dhe të Qendres s’onë Islame. Kjo gja u ba e mundun vetem me praninë e personalitetit dhe të autoritetit të Salih Myftisë(…)”

Në maj të 2012 ish-Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi vlerësoi me “Medalje Mirënjohje” Sali Efendi Myftinë (pas vdekjes) me motivacion: “Për kontributin e dhënë në krijimin e institucioneve fetare të emigrantëve shqiptarë në ShBA, në mbështetjen e tolerancës fetare dhe të bashkëpunimit në dobi të interesave kombëtare.”

Imam Salih Myftija mbetet një nga personalitetet me të rendësishme të emigracionit shqiptar dhe perbashkues i shqiptarëve të besimeve të ndryshme fetare.

Burimet e ketij artikulli:

Xhemal Laçi përmes dokumentave dhe kujtimeve” Leonora Laçi, 2M Printing, Durrës: 2016.
“Perpjekja e Jone” Revista e përkohshme fetare dhe kulturore, vol. X, mars-prill 1981, nr 9-10.
“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”Fatbardha (Mulleti) Saraçi, Instituti i
Studimit të Krimeve dhe Pasovaje të Komunzimit (ISKK), Tiranë:2013.
Leonora Laçi, Imam Salih Myfija, Gazeta Telegraf, Mars 2014. http://telegraf.
al/opinion/leonora-laci-imam-salih-myftija-veprimtar-i-shquar-per-fe-e-atdhe-1891-1978.
Shkëputur nga intervista marr nga Dalip Greca Dr.Fuad Myfise, shkurt
20,2007.
Shkëputur nga kumtesa e Nexhmi Bushatit mbajtur në sesionin shkencor të X të
Shoqatës Trojet e Arbërit.