Shkruan z. Fadil H. Curri
Varganit të vashave dhe përgjithësisht të femrave shqiptare, që u flijuan për liri dhe atdhe i bashkangjitet edhe dëshmorja fare e re, Antigona Fazliu, e cila me aktin e saj vetëmohues të flijimit për liri ka mbetur shëmbëlltyrë e ndritur për të gjithë ne, si dhe për brezat që do të vijnë pas nesh.
Po të thoshim se dhembja dhe krenaria janë nxitësit kryesorë në shtjellimin e poemës “Jeton Gona n’zemrat tona” të poetit Zymer Mehani, fare nuk do të gabonim, meqë këto i kanë ndihmuar autorit për realizimin e kësaj vepre.
Poema në fjalë, si strukturë tematike u lind dhe u zhvillua dhe tani jeton brenda botës shpirtërore dhe qenies ekzistenciale të autorit, ngase ai është i mishëruar qenësisht me dëshmorët e atdheut, të cilët i quan me të drejtë “yje”,e kështu ndodh edhe me figurën e dëshmores Antigona Fazliu, ushtare e UÇK-së, portretin e së cilës e ravijzon nëpërmjet penelit të tij me ngjyra të “botës së vet”.
Lidhur me strukturën, poema shquhet me vibrime të një ndjeshmërie poetike të stërholluar, që të bën të prekesh, të shqetësohesh, të vuash, por edhe të krenohesh me heroizmin e luftëtares Antigona Fazliu.
Që nga vargjet e para të poemës, vërehet qartë se poeti Mehani disponon një zjarr të brendshëm që i shëmbëllen një uragani të pandërprerë, i cili e nxit dhe e bën tek ai të domosdoshëm procesin dhe aktin e lindjes së vargjeve.
Jehona që bëri lufta heroike e UÇK-së sikur e pushtoi qenien e poetit, prandaj edhe është i lidhur fuqimisht me figurat emblematike të saj, siç janë Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Abedin Rexha – SANDOKANI, Antigona Fazliu etj. etj. Ai e ndjen zjarrin e domosdoshmërisë që të reflektojë me bagazhin e tij krijues dhe me potencialin artistik, duke shkruar për këtë epokë historike dhe për protagonistët e saj, pra për dëshmorët. Gjithnjë në kontekst të kësaj, në krijimet e veta, autori Mehani, këto figura i nxjerr në plan të parë.
Edhe poema për dëshmoren Antigona Fazliu na bind se poeti Zymer Mehani, në poezinë tonë shqipe, ka ndërtuar fizionominë dhe profilin e tij të përcaktuar dhe të kristalizuar mjaft mirë, qëftë për nga horizonti tematik, qoftë edhe me stilin e të shkruarit.
Jo rrallë na ka rastisur të lexojmë poezi të ndryshme kushtuar dëshmores Antigona Fazliu, krijime këto nga poetë të ndryshëm, por edhe pse në ato krijime gjejmë shprehje mjaft të sakta në tërësinë e tyre, mund të themi lirisht se poema “jeton Gona n’zemrat tona” e autorit Zymer Mehani është njëra ndër më të bukurat, kushtuar kësaj dëshmoreje, për faktin se që nga fjalët e rreshtave të parë, ajo të bën për vete, jo vetëm me përmbajtjen e vet të theksuar patriotike, por edhe për nivelin artistik, për dimensionalitetin e saj të brendshëm, si dhe për vargjet lapidare aq të harmonizuara.
Autori Mehani, në poemë është përpjekur të paraqesë vendosshmërinë, papërkulshmërinë, por edhe guximin e heroinës Antigona Fazliu, prandaj vargjet përshkohen me ide, pa fjalë të tepërta, me sens mase, me mjete dhe figuracion të pasur poetik, si dhe me plot emocionalitet, ngase poema është e shkruar me frymëzim, me ndjenjë të hollë dhe lirizëm.
Merita e autorit Mehani duhet kërkuar në dy drejtime: së pari, ai shkruan një poemë për dëshmoren Antigona Fazliu, që është ndër të parat, për të mës thënë e para, dhe së dyti, autori e pasqyron epokën më të ndritshme të historisë sonë më të re-luftën dhe heroizmin e UÇK-së për liri dhe pavarësi.
Vargjet e poemës “Jeton Gona n’zemrat tona” na dhurojnë emocione të forta, edhe pse aty – këtu shprehin dhembje për rënien në altar të atdheut, në moshë fare të re të heroinës Antigona Fazliu, ato prapëseprapë janë ndërtuar pa sentimentalizëm, pa nostalgji të trilluar, por me lirizëm dhe çiltërsi dhe me ngjyra të gjalla krejt optimiste, ngase tek e fundit, edhe vetë dëshmorja Antigona Fazliu u flijua për liri dhe atdhe, duke qenë e vetëdijshme plotësisht se ia vlen të sakrifikohesh për interesin e përgjithshëm d.m.th. për liri të popullit, të cilit i përket.
Dërgoi për publikim, Zymer Mehani, gazetar
GONE, LULËKUQE
(Dëshmores Antigona Fazliu)
Në errësirën sterrë
Ndeze një shkëndijë
Sa për t’i dhënë prush
Zjarrit për liri
Ishe e veçantë
Si të tjerët s’ishe
Pamëshirshëm të gllabëruan
Kthetrat e asaj bishe
Në errësirën sterrë
Ndrite flakadan
Në bardhësi të atdheut
N’flamur t’Skënderbeut
U ngjite, moj shqipe
Liri, rreze drite
Hëna t’ka lakmi
Yjet t’admirojnë
Je Ylber shtatëngjyrësh
Përmbi qiellin tonë
Lulëkuqe ke emrin
Motër Antigonë
Të përqafon lumi
E gurrat e dëlira
Lule përmbi lulet
Ishe më e mira
Edhe pse e re
S’u frikove kurrë
Gjaku yt i kuq
U ngrit në flamur
Gona – shqipe mali
1
Krah shqiponje
N’Qyqavicë
Ag mëngjesi
Në Drenicë
Mali seç ushton:
-Antigona rron
2
Në tufan e në stuhi
Lufton Gona për liri
Popullatës
Duarthatë
U lidh plagë
U mjekon vrragë
3
Ishe rreze drite
Në flamur u ngjite
Aty rron gjithmonë
Bukuroshja jonë