AV. XHABIR ZEJNUNI
Pata fatin e madh dhe tmerrin e papërshkruar që të lexoj librin e mikut tim Marcel Hila: “Zoti zbret në ferr”.
Ky fakt, më shtyu që të bëj një reflektim modest.
Ngjarjet e këtij libri, zhvillohen në burgun famëkeq të Burrelit rreth viteve 60 të shekullit të kaluar. Trajtohen idealet e të burgosureve politikë, pavarësisht prejardhjes së tyre shoqërore, fetare, intelektuale apo politike; uniteti familjar; uniteti mes të burgosurve politikë; dhimbja e përbashkët mes tyre; problemi i spiunllëkut.
Por, pjesa më dominuese e librit, i kushtohet FALJES.
Me anë të personazhit kryesor, priftit At Antoni, trajtohet me frymë liturgjike, raporti mes të keqes dhe të mirës dhe ai mes krimit dhe faljes së tij.
Këto raporte, na paraqiten me historinë shumë të dhimbshme dhe tragjike të Gjelosh Gjeto Kolës me djalin e tij Ndojën, por edhe me historinë e dhimbshme dhe tragjike të burgosurve politikë nën regjimin gjakatar komunist.
Në të dyja rastet, shtrohet problemi i FALJES. Por, nga dy pikëvështrime të ndryshme.
Në rastin e Gjeloshit, bëhet fjalë për denoncimin që i ka bërë i biri tij Ndoja, që si rrjedhojë ka sjellë burgosjen e Gjeloshit 65 vjeçar me 20 vite burg. Gjeloshi i rrëfen At Antonit se “M’ka dalë … dëshmitar … djali … jem … e … me dëshminë … e tij kam hy n’burg e jam … dënue … 20 vjet!”
At Antoni, i thotë Gjeloshit se “Kenka e rëndë, Gjelosh, nuk mohohet, por po ta them qysh tashti, e kështu do t’dalë, s’ta ka ba këtë se ka dashtë, por se e kanë shty, e kanë frikësue, e kanë kërcënue e … Ka ba nji gabim t’madh, por do t’ketë pësue kërcënime”! Dhe faktet e mëvonshme, treguan se At Antoni kishte pasur shumë të drejtë, pasi duke lexuar librin, marrim vesh se nuk ka qenë Ndoja ai që ka dëshmuar kundër babait të tij, por ka qenë sistemi gjakatar komunist me makinacione satanike që e ka detyruar me dhunë Ndojën të dëshmojë kundër babait të tij.
Këtu, shtrohet dilema e madhe e faljes së Gjeloshit ndaj të birit. Këtë mision, e merr përsipër At Antoni, i cili arrin të bindë Gjeloshin që të falë të birin e tij. Këtë mision, At Antoni e realizon falë oratorisë së tij dhe mbështetjes në fjalët e Krishtit, i cili predikon faljen dhe vetëm faljen. Mrekullia dhe qëllimi kryesor i këtij pajtimi, qëndrojnë në faktin e ripërtëritjes së UNITETIT FAMILJAR, ose atij uniteti të cilin regjimi gjakatar komunist bëri të mundurën dhe të pamundurën që ta përdhoste dhe minoste. Dhe në shumë raste ja arriti, me anë të makinacioneve të përbindshme, duke vënë kundër djalin me babanë, babanë me djalin, gruan me burrin, burrin me gruan, etj.
Nuk është se Gjeloshi nuk do burgosej edhe nëse atë nuk do e “denonconte” i biri i tij. Por, në rastin në fjalë, dhimbja dhe përçarja që provokohet në një familje, është shumë më e madhe dhe më e thellë. Gjeloshi mund të dënohej edhe me një akuzë falco, pa qenë nevoja për dëshmitarë, ashtu siç u dënua me akuzën falco për “atentat” ndaj Enver Hoxhës, bashkëvuajtësi i tij mallakastriot Malo.
Regjimi gjakatar komunist, u hodh në sulm për të shkatërruar pikërisht FAMILJEN, me synimin që të lehtësonte akoma më shumë sundimin e tij.
Në fakt, shkatërrimin e familjes tradicionale e gjejmë që me Platonin në veprën e tij “Republika” ku ai sugjeronte “komunizmin e grave dhe fëmijëve”; duke vazhduar me sektet agnostike të shekullit XI-XII të cilët proklamonin shkatërrimin e familjes me anë “të refuzimit të marrëdhenieve seksuale” pa lënë mënjanë “homoseksualizmin” i cili do frenonte lindjen e fëmijëve; me Tommaso Campanellën me veprën e tij “Qyteti i diellit” (në formë dialogu poetik) ku ai sugjeronte “abrogimin e familjes si pronë private e afeksioneve”; me iluministin J. J. Rousseau (i cili braktisi fëmijët e tij në befotrof!) me teoritë e tija komuniste; me Dom Deschamps me veprën e tij “Sistemi i vërtetë” ku ai hedh idenë e inçestit, e cila mbështetet edhe nga Didëro që na sjell si shembull ishullin e Tahitit si model perfekt marrëdhëniesh inçestuale. Dhe arrijmë në konceptin më modern komunist të Marksit dhe Engelsit me veprën e tyre “Manifesti komunist” ku sipas tyre me zhdukjen e pronës private do zhduket edhe prona private e afeksioneve familjare, duke sjellë kështu “abrogimin dhe shkatërrimin e familjes”.
Por, regjimi gjakatar komunist shqiptar, preferoi që të jetë akoma më krijues dhe më shtazarak në zbatim të mësimeve të “vyera” të Marksit dhe Engelsit. Dhe provat nuk kanë munguar!
Nga ky fakt, rrjedh se vetëm një familje e bashkuar ishte një armik real dhe i betuar i komunizmit.
Shtrohet po ashtu edhe problemi i faljes së persekutuarve politikë për persekutorët e tyre. Në këtë rast, At Antoni përpiqet në mënyrë titanike që të jetë më bindës, duke sjellë si shembuj edhe mësimet e Biblës (Testamenti i Ri), ku Jezu Krishti predikoi falje dhe vetëm falje ndaj persekutorëve të tij, me qëllim që kjo falje të merrej si shembull për brezat e ardhshëm. Por, këtu lind një problem. Jezu Krishti predikoi faljen e tij në momentin kur ai po ndodhej para një fundi të pashmangshëm dhe të tmerrshëm. Këtu qëndron edhe madhështia e Krishit me veprën e tij.
Ndërsa të burgosurit politikë ndodhen para një tmerri të pafund dhe si rrjedhojë e kanë të vështirë që të imagjinojnë një falje të tillë. Edhe pse At Antoni nga ana e tij përpiqet që të jetë sa më bindës, për të burgosurit lindin shumë enigma, zgjidhja e të cilave është vështirë që të jepet. Ndryshojnë kohët dhe ngjarjet po ashtu. Jezu Krishti atë kohë nuk e imagjinoi dot murtajën komuniste që do vinte pas 2000 vitesh. Edhe At Antoni mbase do e kishte ridimensionuar konceptin e tij të faljes nën dritën e ngjarjeve që ndodhën pas vitit 1990. Mbase edhe jo!
Pasi nëse dikush fal, atëherë duhet patjetër që dikush tjetër të kërkojë FALJE të thellë për krimet që ka bërë ndaj personit që e ka falur atë dhe të rrijë mënjanë. Në rast të kundërt, çfarë vlen atëherë falja e dhënë? Çfarë ndodhi pas vitit 1990? Asgjë. Të persekutuarit politikë falën, ndërsa persekutorët e tyre jo vetëm që nuk kërkuan falje, por mbajtën përsëri pushtetin me forma demoNkratike, duke i përqeshur të persekutuarit dhe duke ju thënë atyre: “Deshët që të dilnit nga burgu? Ja ku dolët? Deshët që të shkonit në Amerikën e lirë? Ja shkoni, pasi vizën dhe biletën me opcion vetëm shkuarje po jua paguajmë ne.
Deshët të flisnit dhe të mos ju fusë më askush në burg? Ja ku dolët. Tani flisni sa të doni, pasi askush nuk do ju a vërë më veshin Juve. Ndërsa pushtetin po e mbajmë ne akoma në duartë tona. Më parë e mbajtëm me armë. Ndërsa tani po e mbajmë me armë dhe me lekë. Kurse ju mbajeni pushtetin me “çelësat e kashtës””. Në ndonjë rast, të persekutuarit u mashtruan se diçka ndryshoi kur ndonjë bashkëvuajtës i tyre arriti majat më të larta të pushtetit. Atij pushteti, i cili nuk ngurroi që të nxjirrte jashtë me shqelma dhe me grushta të persekutuarit politikë të grevës së urisë në Shkodër në vitin 1994.
Mbase bashkëvuajtësi pushtetar ishte i pafuqishëm ose i kushtëzuar nga komunistët akoma në pushtet që të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Por, jo aq i pafuqishëm sa ai të mos e dënonte këtë akt, duke e shoqëruar edhe me dorëheqjen e tij. Sepse nëse hallet një të persekutuari nuk ja qan dikush që ka jetuar gati 30 vite bashkë me atë në burg, mos vallë këto halle do ja qajë atij më shumë ai që e ka persekutuar atë: direkt apo indirekt?! Ai u bë i madh me pushtet atë kohë, por mbeti i vogël për ata me të cilët vuajti për vite me radhë.
Tek Mateo 18, Pjetri i afrohet Jezu Krishtit dhe i thotë: “O Zot, sa herë duhet të fal vëllain tim, nëse ai mëkaton ndaj meje? Deri 7 herë?(21)” Dhe Jezu Krishti ju përgjigj: “Nuk të them deri 7 herë, por deri 77 herë”.(22).
E nëse vëllai pasi falet, vazhdon akoma të mëkatojë?
Sepse përvoja e dhimbshme tregoi më vonë se vëllai i falur vazhdoi të mëkatojë akoma, duke e marrë faljen e vëllait si një detyrim ndaj tij.
Të burgosurit politikë pohonin se “Në birucë gjendesh pa liri”.
Saktë. Çfarë lirije gjetën të burgosurit politikë kur dolën nga burgu?
Në libër, theksohet se “Ky burg kishte, pa dashjen e tij, një anë shumë pozitive. Ishte një lloj strehe e veçantë, vendi ku ishin mbledhur mendjet më të ndritura të këtyre trojeve, personalitetet më të larta, që i kishin shpëtuar pushkatimit, bijtë e familjeve më atdhetare e me shumë merita në ndërtimin e kulturës së këtij vendi”.
Saktë.
Ajkën e kulturës dhe inteligjencës perëndimore shqiptare, ky regjim gjakatar e shfarosi dhe e futi në burg.
Kurse klasa e sotme politike në një ortakllëk perfekt mes tyre, ajkën e kulturës dhe inteligjencës perëndimore e syrgjynosi jashtë Shqipërisë. Ose e la në syrgjyn!
Një kulm tjetër, na sillet në libër kur intelektualët diskutojnë mbi letërsinë. Mbesin me gojë hapur pjesëmarrësit në diskutim, por edhe lexuesit nga diskutimet profesionale dhe pasionale të Engjëll Çobës mbi veprën e Fishtës pishtar dhe Migjenit qiri.
Në ndonjë rast të rrallë, qëllon që ndonjë ish oficer sigurimi i burgosur “T’i kërkojë të falur viktimës së tij, i cili gjendej në atë burg”.
Po ndonjë oficer sigurimi që nuk ka bërë burg, a i ka kërkuar ndonjëherë FALJE viktimave të tija?
Duke qenë se hetuesit, prokurorët, gjykatësit, sigurimsat dhe bashkëpunëtorët e sigurimit janë akoma në hallkat e ndryshme të pushtetit, rrjedh një pyetje shumë e thjeshtë: “Mos vallë Zoti ju dha më pak nga sa meritonin të persekutuarve politikë? Apo nuk ju dha asgjë fare atyre”?
Në një moment, At Antoni thotë se “E sheh Gjelosh? Kështu asht puna! Te falja, jo te vuajtja! S’matet puna me sa ke vuajtë, por me sa po fal! Ja, kjo asht koha e durimit hyjnor. Drejtësia e Zotit vjen”.
Kush u dënua kur erdhi demoNkracia? Çfarë drejtësie bëri Zoti pas vitit 1990? Pasi drejtësi nga robtë e Zotit nuk u pa dhe nuk u bë askund!
At Antoni, vazhdon se “Kushdo të shikojë ma thellë, duhet të lexojë gjithçka, edhe veprimet e tij, ose ma mirë, indiferencën e tij, kur i pa të poshtrit të vepronin, por s’rrezikoi jetën e fytyrën të merrej me ta, tuj preferue rehatinë. Atëherë le t’i durojmë, pra, këto që po hjekim”. Ndërsa Foto ja pret: ”Ti mendon se ne të gjithë këtu jemi bashkëshkaktarë të kësaj që na ka rënë?” At Antoni përgjigjet: “Po e shumë, madje. Komunizmi erdhi si rrenë me shumë shpresa e premtime. U mboll e u rrit këtu edhe prej moskokëçarjes së shumëkujt, edhe e njerëzve vullnetmirë, që nuk u pozicionuen kjartë në betejën kundër tij”.
Pohimet e At Antonit më lart, janë shumë të sakta. Por, lind një problem këtu. Pasi kështu forcohet sot teza e një lideri të djathtë politik, i cili ka thënë se “Të gjithë jemi bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës”. Më saktë, lideri politik në fjalë bën pjesë në kategorinë e atyre bashkëfajtorëve, që nga ana tjetër është në akoma pushtet, pavarësisht si pozitar apo opozitar. Kurse bashkëvuajtësit në fakt, mbetën akoma bashkëvuajtës mes tyre.
Në burg, ka edhe çaste humori, ku më i dalluari në këtë fushë është Malo, i cili edhe pse kishte qenë roje tek shtëpia e Enver Hoxhës, e kishte ngrënë për një pakujdesi të vogël me ngjyra të forta groteske dhe si “shpërblim” kishte marrë 20 vite burg.
Njihemi po ashtu edhe me jetën e fshehtë dhe të errët të Enver Hoxhës dhe palaçollëqet e tija të panumërta. Por, ky fakt nuk e pengoi atë që të masakronte një popull të tërë për gati gjysëm shekulli.
Vuajtjet e të burgosurve, shtoheshin akoma më shumë edhe për shkak të spiunëve të birucave, të cilët për çdo gjë raportonin me mënyrat e “veçanta” drejtuesit kriminelë të burgut. Më i spikaturi ndër ata, ishte Baftjar Avdiu. E tmerrshme. Kur, falë spiunit të burgut Baftjar Avdiu u mor vesh se Gjeloshi do pajtohej me të birin e tij Ndojën falë ndërhyrjes së At Antonit, menjëherë u alarmuan Komanda e burgut, Dega e Punëve të Brendshme në Shkodër dhe Ministria e Punëve të Brendshme në Tiranë, të cilët u përpoqën me çdo poshtërsi për të penguar këtë pajtim. Kaq tmerr të kishte regjimi komunist se po pajtohej babë dhe bir?! Dhimbja në këtë rast, për familjen e Gjeloshit është e tmerrshme dhe tragjike, kur ai humbet djalin e tij të vetëm Ndojën, i cili tentoi të arratisej dhe më pas i internojnë familjen në Lushnje.
Kur erdhi demoNkracia, të persekutuarit politikë, ishin të parët që dolën në frontin e faljes së persekutorëve të tyre gjakatarë me parullën se “Më i fortë është ai që fal se sa ai që vret”. Kur falën të persekutuarit e vërtetë, atëherë çfarë do mendonte një person i thjeshtë, të cilin regjimi komunist nuk e kishte persekutuar?! Dhe falë kësaj faljeje, u bë i mundur përjetësimi i pushtetit të komunistëve me forma dhe me mjete të ndryshme. Pasi duhet kuptuar edhe një fakt tjetër këtu. Falja është diçka shumë e SHENJTË me të cilën nuk duhet abuzuar aq lehtësisht. Po ashtu, në rastet e krimeve të mëdhaja, të praktikosh faljen nuk duhet menduar se duhet të hiqet dorë që fajtori të japë LLOGARI jo vetëm para drejtësisë njerëzore, por edhe para asaj penale.
Për fat të keq, në Shqipëri nuk ndodhi kështu. Pasojat i kemi parasysh ditë e natë.
Na burg, njihet edhe karakteri shumë i ulët i policëve, kapterëve apo oficerëve. Në një rast, Malo thotë për një kapter: “E sheh ti këtë Xhelilin që duket i tmerrshëm? Para së shoqes është pulë ky. Këndon veç ajo në shtëpinë tij”!
Ja pra se çfarë personash pa dinjitet e pa moral që punonin në burgjet komuniste. Dhe jo vetëm, në burgje!
Në vend të epilogut.
Mos vallë komunistët abuzuan kaq shumë me FALJEN KRISTIANE, e cila ju mundësoi atyre vazhdimësinë e pushtetit të tyre pas vitit 1990, por me mënyra “demoNkratike”?!
Fraza se “Është më i fortë ai që fal se sa ai që vret”, vlen vetëm pasi krimineli të kërkojë falje dhe të rrijë mënjanë, por jo që ai kriminel të mos kërkojë falje dhe të vazhdojë që të jetë akoma në pushtet. Në rastin e fundit, falja kristiane nuk vlen. Të paktën për të persekutuarit.
Në pasthënien e librit, autori thotë se “At Anton Luli, personazhi kryesor i këtij libri, në një ditë të vitit 1991, në Tiranë, pa rrugës hetuesin e tij, atë që e kishte masakruar në tortura. E ndaloi dhe e përqafoi, duke e quajtur vëlla. I tha se pas asaj që ka ndodhur, mos mbaj mend asgjë, se unë të kam falur me gjithë zemër”.
Por, autori nuk na thotë nëse edhe hetuesi i At Antonit i kërkoi falje vëllait të tij për krimet çnjerëzore që kishte bërë në kurriz të tij dhe të bashkëvuajtësve të tij!
Atëherë, mos vallë është pak si shumë kjo falje biblike, kur vetë hetuesi gjakatar nuk kërkoi falje kurrë?!
Populli shqiptar, po vuan akoma edhe pasi “ra” komunizmi. Vetëm si ideologji(….)!!!
Të pretendoje (apo ëndërroje!) se në vitin 1990 komunistët do sillnin demokracinë e VËRTETË, është njëlloj sikur të ftoje Zogun në vitin 1944 në Shqipëri që të sillte komunizmin!
Amen.