Gjergj Kabashi: Dita e formimit të Ushtrisë së Kosovës përballë projekteve serbomëdha…

0
527

Prej “Načertanije” të Ilija Garašanin-it, e deri tek Aleksander Vuçiqi

Nga Gjergj Kabashi

Dita e 14 Dhjetorit të vitit 2018, pa asnjë dilemë do të mbetët një ndër datat e shënuara historike të kombit Shqiptar në përgjithësi, dhe të Kosovës (Dardanisë) në veçanti.

Në këtë Ditë të Shenjtë, pas përpjekjeve të pareshtura të thuash njëzetvjeçare, u formua Ushtria e Kosovës, lindjen e së cilës do të mund ta quanim “një lindje të vështirë”, pas mohimit mbi 100 vjeçar nga shteti i Serbisë, që parakusht dhe kërkesë këmbëngulëse ndaj “ndërkombëtarëve” për t’u shtrirë në tokat tona e ta vrasë e dëbojë me lehtësi popullin tonë, e ka pasur moton që Shqiptarët kurrë nuk duhet të jenë të armatosur se, ashtu, të armatosur, ata paraqesin rrezik për paqen e sigurinë rajonale dhe botërore, që në përkthimin e “fjalorit” serbomadh i bie, që çdo ushtri e mirëfilltë e shqiptarëve paraqet rrezik dhe pengesë për zgjerimet territoriale të Serbisë së Madhe, në dëm të hapësirës jetësore të Shqiptarëve !

Njëjtë siç llomotitën sot Serbia, dhe trimëruesja e frymëzuesja saj mbi dyqindvjeçare për të ushruar gjenocide ndaj nesh, Rusia !
Në të vërtetë, Shqiptarët e armatosur e me ushtri të vetën bashkëkohore, paraqesin pengesë të patejkalueshme për zgjerimin e mëtejshëm të Serbisë në hapësirat jetësore të kombit shqiptarë.

E kemi parë këtyre ditëve (ashtu siç druajmë se do ta shohim në vazhdim), se si u shashtrisë mendja e Serbisë së madhe, se si propaganduan dhe aktruan për rrezikun nga bërja e Kosovës me ushtri. “Ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha”, thonë. Dhe Serbisë i ka dhimbtë e i dhemb kryesisht aty: Shqiptarët nuk bën të kenë Ushtri ! Tashmë e qitën helmin e vrerin edhe një herë për fushë: Kryeministrin Ramush Haradinajn e shohin si shtetas të Serbisë (Aleksander Vuçiq-i) , ndërsa Marko Gjuriqi u kërcënohet të gjithë atyre serbëve që do të jenë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, se do të ndiqen dhe dënohen me burgje të rënda ! Gjithçka është qartësuar: Serbia jo vetëm që arriti në një mënyrë ta mashtronte bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë e rreth saj, por e çoroditi në masë të madhe edhe spektrin politik të vendit tonë, shumica e të cilëve për fat të keq janë të korruptuar dhe kanë sharruar në luksin e pamerituar, pavarësisht që e udhëheqin një ndër popujt më të varfër të Europës.

Megjithë faktin historikisht aq domethënës, se prej sot u formua zyrtarisht Ushtria e Kosovës, e cila pritet t’i ndërtojë kapacitetet e plota brenda dhjetëvjeçarit të ardhshëm, duhet ta kemi vazhdimisht parasysh se, përpara vazhdojmë ta kemi një Serbi, që nuk heqë aq lehtë dorë prej ambicjeve të saja të sëmura serbomëdha; pa e ditë “tutën hak” dhe pa ia “pre në cung” shpresat dhe ëndërrat serbomëdha, pra pa ia bërë të ditur përfundimisht se nuk mund të ketë asgjë më, prej ëndërrave që dalin prej ideve “nacionale” serbomëdha, që nga Načertanije e Ilija Garašanin-it, e te një sërë projektesh e planesh serbomëdha, deri tek planet anti-shqiptare të Aleksandër Vuçiqit sot.

Politikës e diplomacisë së Kosovës tashmë i duhet një qasje tjetër në raport me Serbinë; një qasje shumë më e urtë dhe e civilizuar në një anë, dhe shumë më kreative dhe e vendosur në krijimin e raporteve të barabarta me Reciprocitet, në anën tjetër. E ashtuquajtura “kartë e serbëve të veriut” të vendit tonë , duhet t’i shqyhet në dorë dhe t’i shpjegohet Europës e botës, se serbët në veriun e vendit tonë nuk i lë të stabilizohen e ndjehen pjesë integrale e shtetit të Kosovës, mu shteti hegjemonist i Serbisë, i cili për interesat e ambicjet e tij pushtuese ndaj asaj pjese të vendit dhe jo vetëm të saj, e mbanë situatën të tensionuar, duke i mbajtur ata njerëz të pafajshëm vazhdimisht të instrumentalizuar për interesat e veta.

Siç na e mbajnë të tensionuar e tepër të shqetësuar “presidentin” tonë, Hashim Thaçin, argatin e përkushtuar e të urtë të planeve të Serbisë, për “korrigjim kufiri”, në mënyrë që “edhe Serbia të merr diçka, e jo vetëm Kosova!” (?!)

Botës duhet t’i bëhet e qartë përmes një një gjuhë të emancipuar politike e diplomatike, se serbët e veriut të vendit tonë askush nuk ka të drejtë t’i shohë ndryshe nga Shqiptarët e Luginës së Preshevës apo Shqiptaro-Boshnjakët e diskriminuar dhe pa asnjë të drejtë të Masbjeshkës së Sanxhakut.

As Edi Ramën e as Hashim Thaçin nuk guxojmë t’i lëmë mëtutje, që të shndërrohen në vegla të Aleksandër Vuçiqit për destabilizimin dhe rrezikimin e integritetit territorial të çdo pjese të veriut të Kosovës; qoftë të Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit etj.; sepse këto janë pjesë integrale të shtetit të Kosovës dhe brenda Kosovës, përmes Kushtetutës së vendit u garantohen të drejtat e liritë që u takojnë të gjithë qytetarëve të vendit, të gjitha komuniteteve, pra edhe ato të komunitetit serb. Ashtu siç duhet t’u sigurohen e garantohen të drejtat e njëjta Shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e të Medvegjës apo Shqiptaro-Boshnjakëve të Novi Pazarit, Tutinit, Sjenicës etj., në Serbi.

Me Serbinë duhet ta ndryshojmë fjalorin e komunikimit politik e ndërnjerëzor, duke e pasur si busollë orientimi vetëm Reciprocitetin në të gjitha aspektet, pa e lejuar në asnjë mënyrë përzierjen e saj në çështjet e brendshme të Kosovës dhe manipulimit me serbët kosovarë. Dhe, sidomos, duke mos e pranuar asnjë lloj të vazhdimit të dialogut për rregullimin e raporteve ndërshtetërore, pa e ndalur ajo paraprakisht çdo lloj kërcënimi ushtarak ndaj Kosovës, – e sidomos ndaj veriut të vendit tonë, me qëllim të “mbrojtjes së serbëve” të atyshëm, që do të thotë të synimit të vazhdueshëm të ripushtimit të asaj pjese të territorit të vendit.

Përkundër të gjithava, Republika e Kosovës, Sot, më 14 Dhjetor të vitit 2018, në Ditën e Ushtrisë së saj, ka arsye të madhe për të qenë e lumtur e për t’ia ditur rëndësinë e përjetshme kësaj Dite të Shenjtë e të Bekuar të shtetndërtimit tonë, për të cilën Shqiptarët luftuan parreshtur në histori, duke i dhanë jetët e tyre të shtrenjta me shekuj.

Formimi i Ushtrisë së Kosovës,
është amaneti i brezave të tërë të shqiptarëve, që luftuan për Liri.

Gëzuar, 14 Dhjetori i vitit 2018,
Dita e Ushtrisë së Republikës së Kosovës!

Ju lumtë të gjithë atyre, që më në fund nuk lëshuan pe dhe nuk u trembën nga vërejtjet, se “Tash nuk është koha për formimin e Ushtrisë së Kosovës”, pasi po të pyeteshin vazhdimisht ajo kohë nuk do të mund të vinte kurrë, se Serbia vazhdimisht do të “trembej” e “shqetësohej” prej saj, siç “u tremb” prej “terroristëve” të UÇK-së para 20 vitesh. Ju lumtë të gjithë atyre që FSK-në, e shndërruan në Ushtri të Kosovës, në vitin e kryeheroit të kombit Gjergj Kastriotit.

I lumtë Ramush Haradinajt, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, udhëheqësit të deritashëm të FSK-s, Hysen Berishës dhe lavdia u takon gjithsesi të gjithë atyre që e dhanë jetën për Lirinë e vendit.

Një falenderim dhe mirënjohje e përjetshme për SHBA-të, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe të gjithë ata, që e mbështetën dhe e mbështesin në vijim forcimin e Ushtrisë së Kosovës.

Serbia e populli serb më në fund duhet ta kuptojnë se Kosova e dëshiron ndërtimin e paqes dhe ardhmërisë paqesore me shtetin fqinj të Serbisë, por nëse nuk mbledh mend dhe kërcënon vazhdimisht, Kosova pa asnjë dilemë do të jetë e gatshme t’i kundërpërgjigjet Serbisë, nëse e kërcënon dhe rrezikon integritetin dhe tërësinë territoriale të vendit.