EMILI DIKINSON – Amerikë – poezi

0
907

EMILI DIKINSON – Amerikë
(Emily Dickinson)
1830 . 1886

VERA

Vera, më e shkurtra nga stinët –
jeta më e shkurtër nga vera –
shtatëdhjetë vite u shpenzuan shpejt
si të ishin një dollar i vetëm

dhimbja- tani-është fisnike-dhe fisnike mbetet-
pa shih sesi e përçmojmë ne –
oh, njëlloj ta urrejmë gëzimin –
dhe njëlloj ta ruajmë atë –

NJË PIKË SHIU

Një pikë shiu ra mbi mollë –
një tjetër – mbi çati –
një gjysmë duzine puthi ullukët-
u shqyen së qeshuri papafingot –

disa dolën për të ndihmuar përroin
që shkoi të ndihmonte detin –
mua m`u dukën perla –
që mund të bëheshin gjerdanë –

Pluhuri u kthye në vendin e vet,
mbi rrugët e prishura –
zogjtë kënduan më me gëzim-
dielli e flaku tej kapelën-
kaçubet përhapën shkëlqim-

puhitë sollën mandolia të trishtuara-
dhe i lagën ato me gjallëri-
pastaj lindja ngriti flamurin,
shenjë, kjo se festa kishte mbaruar –

ERA FILLOI

Era filloi të përkundë barin
me muzikë kërcënuese dhe të ulët-
i vërviti një kërcënim tokës-
një kërcënim qiellit.

Gjethet u shkëputen nga pemët-
Dhe vrapuan rretherrotull
Pluhuri u mblodh si një mori duarsh
Dhe e hodhi tutje rrugën.

Karrot nxituan nëpër rrugë
Bubullima vrapoi ngadalë-
Rrufeja nxori sqepin e verdhë
Dhe kthetrën e zezë pastaj.

Zogjtë u vunë shulin foleve-
Lopët ia mbathen në stalla-
Erdhi një pikë gjigante shiu
Pastaj, sikur të qenë ndarë

Duart që mbanin digat
Ujërat përmbysën qiellin,
Ndonëse shmangën shtëpinë e babait tim
Duke shkulur vetëm një pemë.

EJA

“Eja!” – i tha deti përroit.
“Lërmë të rritem” – i tha përroi.
“Po ti bëhesh det atëherë – i tha deti –
kurse unë të dua përrua. Eja tani!”

UJI MËSOI

Uji mësoi nga etja.
Toka nga oqeanet,
Gëzimi nga dhembja,
Paqja nga tregimet e luftës,
Dashuria nga një gjurmë kujtese,
Zogjtë mësuan nga bora.

KA GJËRA

Ka gjëra që fluturojnë:
Si zogj, ose grerëza.
S’e kam për këto elegjinë.

Ka gjëra që mbeten:
Si dhembja, malet, përjetësia.
As këta s’më kanë hije.

Ka të tjera që qëndrojnë dhe çohen,
A mund t’i shpjegoj dot qiejt?
Sa e patundshme është enigma!

REBELIMI

Turmën brenda zemrës
S’mund ta shpërndajë asnjë lloj policie.
I lejueshëm si paqja
Është rebelimi.

Nuk e siguron shikimi
As e dëshmon ndonjë tingull.
Por rritet si ciklon
Në klimën e tij vendore.

LIVADHE

Për të krijuar lëndinën duhet trifili dhe bleta.
Një trifil dhe një bletë
Dhe ëndrra.
Ëndrra mjafton
Po të jenë të pakta bletët.

LULET E MIA

Lulet e mia janë për të burgosurit
Sy të veshur nga pritja e gjatë.
Gishtave që iu ish mohuar prekja,
Durimtarë gjer në parajsë.

Nëse do të mund të mërmërisnin
Për mëngjesin dhe shqopishtën,
Këta s’kanë mesazh tjetër
Dhe unë s’kam tjetër lutje.

MË PËLQEN

Më pëlqen një fytyrë në agoni
Pasi e di se është e sinqertë.
Njeriu s’mund të falsifikojë grahmën e vdekjes
As të fshehë regëtimën.

Sytë bëhen qelqorë dhe kjo është vdekja.
E pamundur të përfytyrosh
Perlat e djersës mbi ballë
Të rreshtuara varg nga brenga e qetë.

Përktheu: Faslli Haliti