Në Ditën Botërore të Korrupsionit

0
910

Ç’ËSHTË KORRUPSIONI
(Kuptimi, llojet, format, pasojat, ndikimi dhe shkaqet e korrupsionit)

Shkruan Zymer Mehani

Sipas FGJSSH fjala korrupsion ka këtë kuptim: KORRUPSION m.

Sjellje e pandershme dhe e paligjshme, veçanërisht nga pushtetarë, në kundërshtim me detyrën.

Nocioni korrupsion rrjedh prej fjalës ―corrumpere‖ që do të thotë marrje e mitos, ryshfet etj. Fjala korrupsion ka prejardhje nga latinishtja, dhe kuptimi i mirëfilltë është prishje, ndyrje, fëlliqje, i përkufizuar thjeshtë: “Korrupsioni është keqpërdorimi i fuqisë së besuar për përfitime personale”. Në një kuptim më të ngushtë korrupsionin mund ta përkufizonim si: çdo shkelje e detyrës së personave zyrtarë ose personave përgjegjës të subjekteve juridike dhe çdo veprimtari e iniciatorëve apo përfituesve të kësaj sjelljeje, në këmbim të një shërbimi që drejtpërdrejt ose indirekt është premtuar, ofruar, dhënë, kërkuar, pranuar apo është pritur për t’u marrë për veten apo për një person tjetër.

Në këtë përkufizim përfshihet korrupsioni aktiv dhe ai pasiv, pra si: për personat zyrtarë që kanë një funksion publik ose ushtrojnë një shërbim publik, personat përgjegjës për drejtimin dhe administrimin e shoqërive tregtare dhe personat që janë iniciatorë të sjelljeve korruptive. Korrupsioni nënkupton realizimin e ndonjë të drejte apo interesi për të cilin personi apo grupi i caktuar nuk ka bazë ligjore ose realizimi i të drejtave dhe interesave për të cilat ka bazë ligjore, por në mënyrën e cila krijon pozitë të priviligjuar në raport me të drejtat dhe interesat e të tjerëve që kanë baza të njëjta ligjore për realizimin e tyre.

LLOJET E KORRUPSIONIT
Kemi dy tipe të korrupsionit: Korrupsioni aktiv dhe Korrupsioni pasiv. Korrupsioni aktiv nënkupton vepra penale që realizohet me anë të premtimit, propozimit ose dhënies së drejtëpërdrejtë ose tërthorazi të çdo lloj përfitimi, funksionarit publik apo privat për të kryer ose jo një veprim në kundërshtim me detyrën apo funksionin e tij.

Korrupsioni pasiv nënkupton veprën penale që realizohet me anë të kërkimit, marrjes të çdo lloj përfitimi të parregullt ose pranimi i një oferte a premtimi nga funksionari publik apo privat për të kryer ose jo, një veprim në kundërshtimi më detyrën apo funksionin e tij.
Me fjalë të tjera me korrupsion nënkuptojmë shkeljen e rregullave juridike me qëllim të përfitimit personal. Kjo dukuri mund të analizohet nga, më se paku, në tri këndvështrime në atë juridik, ekonomik si dhe politik.

Në konceptin juridik korrupsioni përkufizohet jo vetëm si vepër e dënueshme, por edhe shkelje e rendit ligjor të një vendi.
Në këndvështrimin ekonomik, korrupsioni është një dukuri shkatërrimtare, e cila iu kundërvihet ligjshmërisë dhe parimeve të ekonomisë.
Sipas këndvështrimit politik, korrupsioni paraqet rrezik për parimet e shtetit të së drejtës si dhe për interesin e përgjithshëm.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, korrupsioni minon institucionet demokratike, ngadalëson zhvillimin ekonomik dhe i bën qeveritë më pak të qëndrueshme, kurse Banka Botërore e ka përshkruar korrupsionin si një ndër pengesat më kryesore të zhvillimit ekonomik. Korrupsioni është një problem që ekziston në të gjitha vendet, ndaj, për këtë arsye, të gjitha vendet duhet të forcojnë dhe përmirësojnë politikat, strategjitë, institucionet, kuadrin ligjor dhe përpjekjet konkrete të qëndrueshme për ta parandaluar dhe për ta luftuar atë.

FORMAT E KORRUPSIONIT
Dallojmë disa forma apo lloje të korrupsionit, varësisht nga autorë të ndryshëm që i ndajnë:
KORRUPSIONI POLITIK, i cili ka të bëjë me marrjen e funksioneve të pushtetit politik ose në mbajtjen e privilegjeve të caktuara politike duke u dhënë rryshfet, mito, gjatë fushatave paraelektorale dhe gjatë zgjedhjeve, marrja e donacioneve dhe pagesave tjera nga persona apo shoqata në mënyrë të fshehtë (rasti me zbulimin e aferave të donacioneve në partinë CDU)
Shpenzimet joligjore përfshirë këtu blerjen e votave

Financimi nga burimet e dyshimta
Abuzimi i resursve shtetërore
Kërkesa për kontributet nga shërbyesit civilë
Pasurimi personal
Ofrimi i mjeteve financiare nga jashtë
Detyrimi i sektorit privat për të kryer pagesa.

KORRUPSIONI ADMINISTRATIV ka të bëjë me administratën shtetërore, duke i shfrytëzuar kompetencat në administratë, prej asaj lokale deri tek ajo qendrore, merr mito, ryshfet d.m.th. korruptohet duke u dhënë leje, çertifikata, dokumente dhe akte të tjera individëve, grupeve dhe firmave për realizimin e interesave të ndryshme, materiale dhe financiare për grumbullimin e pasurisë, që shpeshëherë nuk u takon.

Sigurimi i një shërbimi të rrallë ose shmangia e pagesës
Sigurimi i një shërbimi jo të rrallë, por që varet nga diskrecioni i administratës
Sigurimi i një burimi informacioni të brendshëm ose përshpjetimin apo anashkalimi i procedurave.

KORRUPSIONI GJYQSOR, i cili ka të bëjë me dhënien dhe marrjen e ryshfetiti dhe mitos të punojësve në gjykatë, me qëllim që të pengohet procedura penale , me qëllim që të nxirren vendime gjyqësore të favorshme, me qëllim që të bishtërohet shqiptimi i dënimeve dhe sanksioneve tjera.

PASOJAT E KORRUPSIONIT
Korrupsioni si dukuri negative në shoqëri, mbi të gjitha frenon zhvillimin ekonomik dhe social, duke dëmtuar sidomos vendet në zhvillim, sidomos ato shtete që kanë dalë nga tranzicioni, ku bëjmë pjesë edhe ne.

NDIKIMI I KORRUPSIONIT NË ASPEKTIN SOCIAL
Ulja e nivelit të jetesës për pjesën më të madhe të popullsisë, pasi duke ndryshuar destinacionin e fondeve, krijohet një hendek midis grupeve, atyre që përfitojnë nga korrupsioni (që janë më të pakët në numër) dhe pjesës tjetër të popullsisë (taksapaguesit) të ardhurat e të cilëve ulen me rritjen e nivelit të korrupsionit, duke ulur në këtë mënyrë nivelin e tyre të jetesës.

Rritja e kriminalitetit:
Së pari, sepse korrupsioni në vetvete është një vepër penale por njëkohësisht ndikon në rritjen e veprave të tjera penale si vjedhja, vrasja etj.

Rritja e shkallës së korrupsionit ul nivelin e të ardhurave për pjesën më të madhe të popullsisë, kjo do të sjellë rritje të mundësive për kryerjen e vjedhjeve si një mundësi për të siguruar të ardhura për jetesën.

NDIKIMI I KORRUPSIONIT NË ASPEKTIN EKONOMIK
Së pari, meqënëse suksesi ekonomik varet kryesisht nga shpërndarja optimale e burimeve, ndryshimi i destinacionit të fondeve, nëpërmjet aktiviteteve të korruptuara të menaxherëve dhe zyrtarëve përfaqëson një çrregullim të shpërndarjes dhe rrjedhimisht redukton burimet e disponueshme për rritjen ekonomike.

Së dyti, korrupsioni frikëson investitorët dhe dekurajon investimet e huaja direkte duke zvogëluar kështu përdorimin e burimeve të kapitalit human. Në shtetet e korruptuara, komuniteti i biznesit duhet të ndajë disa nga fondet e veta për korrupsionin, gjë që shkurton investimet dhe prodhimin kombëtar bruto.

Korrupsioni i zë frymën konkurrencës së lirë, në mënyrë të veçantë kompanive të vogla. Me rënien e konkurrencës, ulet edhe cilësia e mallrave dhe e shërbimeve. Ulen të ardhurat shtetërore dhe rritet ekonomia në hije (informale). Aty ku tolerohet korrupsioni, punonjësit civilë marrin të ardhura të vogla dhe mbi qytetarët e thjeshtë rëndon mita që ata duhet të paguajnë për zgjidhjen e problemeve të tyre. Investitorët e huaj kanë më pak besim tek shteti dhe, për këtë arsye, kontributi i tyre ndaj ekonomisë së vendit bie.

NDIKIMI I KORRUPSIONIT NË ASPEKTIN POLITIK
Pasoja kryesore e korrupsionit në aspektin politik është ulja e besimit të qytetarëve ndaj qeverisjes në përgjithësi dhe e qeverisë në veçanti si, përgjegjësja kryesore për nivelin e korrupsionit. Nga ana tjetër ulja e besimit ndaj qeverisjes dhe qeverisë shoqërohet me pasoja të rënda për shoqërinë që lidhen me forcimin dhe respektimin e shtetit të së drejtës dhe shtetit social, respektimin e të drejtave dhe lirive themelore, etj.

Mirëqenia personale gjithnjë e më shumë vlerësohet më e rëndësishme se mirëqenia publike, e cila pothuajse lihet në harresë. Politikanët dhe punonjësit civilë fillojnë të keqpërdorin pozitën e tyre për të krijuar mirëqenie personale. Të rinjtë i shohin shërbimet civile si një mënyrë jetese sa e përshtatshme, aq edhe tërheqëse. Shoqëria e korruptuar nuk arrin të shohë as motivet e luftës kundër korrupsionit. Vetë njerëzit nuk arrijnë të dallojnë nëse: janë të pakënaqur me praninë e korrupsionit si të tillë, apo me faktin që dikush tjetër dhe jo ata ka siguruar përfitime të mëdha ose më të mëdha·

Niveli i korrupsionit mund të lidhet me kulturën, mentalitetin dhe traditat e një shoqërie të caktuar. Në shoqëritë ku korrupsioni gati përligjet është shumë më e vështirë të ndryshohen veset e jetesës dhe të menduarit. Punonjësit civilë mund të demoralizohen nga pagat e ulëta, nga përgjegjësitë e punës që nuk kanë të bëjnë me llojin dhe cilësinë e saj, nga qëllimet jo të qarta të organizatës për të cilën punojnë dhe nga klientelizmi ndërmjet/midis eprorit dhe vartësit, etj.

NDIKIMI I KORRUPSIONIT NË CILËSINË E QEVERISJES SË SHTETIT
Ulet numri i investimeve publike dhe efikasiteti i ndërmarrjeve shtetërore. Fushat e aktiviteteve qeveritare dhe strukturat e shpenzimeve i nënshtrohen ndryshimit – zyrtarë publikë të korruptuar “miratojnë” projektet, të cilat garantojnë shuma më të mëdha. Egoizmi i zyrtarëve publikë lë në hije të menduarit strategjik në kuptimin e nevojave të shtetit, prandaj mungon vëmendja e duhur për problemet ekonomike dhe sociale. Ulet cilësia e shërbimeve publike.

SHKAQET E SHFAQJES SË KORRUPSIONIT
Janë të njohur disa indikatorë të shfaqjes së korrupsionit si dukuri negative në zhvillimin ekonomik të shoqërisë:

Mosfunksionimi i sistemit gjyqësor
Burokracia tradicionale
Të ardhurat e ulëta
Kontrolli i pamjaftueshëm institucional
Rregullat logjore dhe jotransparente
Rritja e intervenimit të shtetit në ekonomi
Ndryshimet e sistemeve qeverisese në vend.
Korrupsioni si formë e krimit të organizuar

Korrupsioni si fenomen i ndërlikuar social, mund të thuhet se rrjetet korruptive përbëhen nga struktura kriminale të kamufluar në administratën publike, organet shtetërore dhe institucionet e ndryshme publike. Mjerisht, shumë fakte imponojnë mendimin se shteti, duke e toleruar dhe mosluftuar korrupsionin, bëhet sistem korruptiv dhe këtë lloj krimi, jo vetëm që e‚ “legalizon”, por edhe e mbron me mekanizmat e pushtetit të krijuar dhe të parapara për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Ndërkaq, korrupsioni nuk mund të trajtohet dhe të vështrohet ndaras nga krimi i organizuar, dihet se krimi i organizuar është kërcënimi më i madh i stabilitetit politik dhe ekonomik të çdo vendi, ndërsa ka pasoja për sigurinë rajonale dhe tërë Evropën.

LITERATURA
-“Krimi i Jakës së bardhë”, Prishtinë 2012;
-Prof.Dr Rexhep GASHI “Kriminologjia” , Prishtinë 2011;
-Prof. Dr Ragip HALILI “E Drejta Penale” pjesa e posaçme, Prishtinë 2014;
-Prof Dr. Ismet SALIHU “Politika Kriminale”, Prishtinë 2011;
-Prof Dr Vesel LATIFI “Kosova si çështje Europiane”, Tiranë 2012;
-Mimoza Cika-Kelmendi “Komentari i Kodit Penal “, Prishtinë 2014;
-Prof Dr Ismet Salihu, Prof Dr, Fejzullah Hasani, Hilmi Zhitija “E Drejta Penale Evropiane”
-Fjalor i Terminologjisë Juridike, Prishtinë 2013